Personat qe shikoni ne plakatin e mesiperm bejne reklamen e te perbrendshmeve per firmen Migros. Migros eshte, e perkthyer ne gjuhen tone, nje MAPO. Ashtu si MAPOt e komunizmit, Migros eshte simboli i Zvicres. Eshte tempulli i paqes ku mblidhen te gjithe besimtaret e botes, pavaresisht te cfare feje dhe pavaresisht nga konfliktet qe kane me njeri-tjetrin. Eshte tempulli ku mblidhen te gjitha nacionet e botes, te gjitha ngjyrat e lekures, te gjitha llojet e flokeve, te gjitha llojet e trendeve te modes, te gjitha llojet e profesioneve, i pasuri dhe i varferi, zvicerani dhe emigranti, blloku i zi (te majtet ekstreme) dhe neonazistet. Migros eshte simbol i Zvicres sepse me mire se kushdo tjeter perfaqeson karakterin e Zvicres: kualitet te mire per nje cmim te arsyeshem.
Personat ne plakatin e mesiperm nuk jane persona cfaredo lloj. Por nuk jane modele, ne kuptimin e modelit ashtu sic e perceptojme tek, psh, Heidi Klum. Personat ne fjale jane ... parlamentaret tane te se nesermes. Po! Neser kemi zgjedhjet e parlamentit zviceran. Dhe neser, njeri nga keta persona, qe sot eshte thjesht kandidat, mund te jete parlamentar.
200 anetare ka parlamenti zviceran. Me perjashtim te parlamentareve aktive ne media, shumica e ketyre 200 ngelet e panjohur. Por, po kaq te panjohur jane edhe personat qe une duhet neser t'u jap voten time. Cilit t'ia jap besimin tim?
Me sa duket kete dilemen time duhet ta kene nuhatur dikush ne zyrat e padukshme te Public Relantionship dhe ka shtruar pyetjen: cila eshte rruga me efikase per t'i bere parlamentaret te paharrueshem per popullin?
Jetojme ne nje kohe konsumizmi absurd. Jetojme ne kohen e superstareve. Jetojme ne kohen e supermodeleve. Jetojme ne nje kohe ku vulgaritetit i jane hapur dyert e salloneve. Jetojme ne nje kohe kur populizmi eshte shtruar kembekryq. 1+1=2, zgjidhja eshte fare e thjeshte: mbreti lakuriq.
Parlamentari supermodel, parlamentari qe shfrytezon 15 minuteshin (ne kete rast 15 diteshin). Parlamentari qe konsumon te perbrendshme Migros. Si une. Si ti. Si ne. Si 6 milione zvicerane te tjere. Ky eshte parlamentari i se nesermes. Modeli i ri. Qe nuk e mbyll veten neper salla parlamenti. Ose. E mbyll, por gjen edhe kohe te zhvishet bashke me ne, te ekspozohet bashke me ne, te na tregoje se cilen nga te perbrendshmet e Migros ka zgjedhur e, ndoshta, edhe i gatshem t'i shkembeje ato me ty. Me mua. Me ne.
I shikoj keta kandidate. Jane te rinj. Vijne nga te gjitha partite politike. Dhe perpiqem te marr vesh; nga dallojne nga njeri-tjetri? Nuk e di pse, por pervecse atij te famshmit e te perhershmit 1% gjenetik qe dallon njeriun nga njeriu, nuk gjej asnje lloj ndryshimi tjeter. Edhe guximin per t'u zhveshur ne publik e per t'u ulur (apo shtrire) me popullin e kane te njejte.
Te zgjedh bjonden? Bruneten? Apo ishLoliten? Te zgjedh mesoburrin, apo djaloshin qe sapo i ka dale mustaqja? Nuk di c'te them. Keqyr te perbrendshmet e tyre, mbase aty fshihet ndonje pasdomethenie.
E kuqja. Ngjyre e bukur. Por, mund ta shoh edhe si ngjyre te socializmit. A thua me premton politike sociale? Edhe poza qe ka marre; duket shume ftuese, shume bujare, si zyrat e ndihmes sociale. Po e zeza, c'te me thote valle? E zeza eshte ngjyra e tregetareve. Zakonisht keta duan te shumefishojne parate, e i bejne ligjet qe t'i sherbejne ketij qellimi. Por, kjo tregetarja e figures ka dale vete per shitje. Ne se ajo shitet, kush do i marri leket e kush do i shumefishoje per te? Po, ishLolita? Eshte e partise se kristianeve. U prish bota!
Po cmimi? Cmimet jane te arsyeshme per te gjithe: jemi ne Migros!
Neser duhet te votoj, dhe nuk di kujt t'ia jap voten. Juve cilit nga keta do t'ia jepnit voten?
20.10.07
Politika lakuriq
Labels: Opinione