4.10.07

Emocione pasaporte

Pasaporta skadoi. Koha per ta zevendesuar me nje te re. Nje telefonate ne ambasade, nje vajtje tek fotografi, nje fluturim avioni me kthim. Nje qendrim para sportelit. Dhe nje eksperience! Nje eksperience, e cila te ben ta mbash e shtrengosh me fort pasaporten, qofte tek xhepi i kemishes, qofte tek canta e dores. Nje eksperience qe te ben te ndihesh ne anen tjeter te ylberit, ne anen e atyre qe ja kane dale ta mbijetojne ate. Emocionalisht. Por edhe fizikisht. Une jam nje nga ata.

Eksperiencen e marrjes se pasaportes shqiptare une e fus ne ato eksperienca qe duhen harruar sa me shpejt, qe njeriu duhet te perpiqet ta harroje sa me shpejt. Sepse, kjo ndoshta eshte e vetmja menyre per te ruajtur shendetin. E vetmja menyre per te ruajtur respektin per veteveten.

Ne nje qoshe te humbur te Tiranes, ne stacionin e fundit te nje linje autobuzi qe mezi vjen, zyra e pasaportave te le shijen e varferise dhe mjerimit. Estetik dhe intelektual. E vendosur perkrah nje komisariati policie, perpara zyres nje dhomeshe gjendet gjithmone nje grumbull njerezish (qe gjithmone deshtojne te mbajne nje rradhe); dhe brenda saj dy gra qe sillen sikur nuk ekzistojne. Apo, sikur nuk ekziston ti.

Teksa ploteson formulare, qe kane cilesi me te dobet letre se sa letrat qe mbeshtjellin qofte; fillon dhe preokupohesh nese ja ka vlejtur qe ke ardhur deri ketu. Sepse, ndersa perpara murit te zyres qendron nje orar shteteror, grate punonjese vendosin qe, pikerisht sot do ta mbyllin zyren me heret. Perse? Askush nuk e ndjen nevojen te shpjegohet. Perspektiva e ardhjes perseri te nesermen, mundesia e mosfutjes se dokumentave as neser, jane imazhet e vetme qe levizin ne koke.

Shpejt te krijohet pershtypja qe e gjitha eshte pjese e nje loje. Pyetjet i bejne ata qe vijne nga jashte. Vendasit hyjne menjehere ne loje. Fillon nje lloj ankimi i pernjehershem. Mbas ankimit, fillojne dhe degjohen zerat e pare qe kerkojne t'i mbajne anen punonjeses. Dhe menjehere mbas kesaj, fillon nje lloj rituali qe e njohim vetem nga filmat hollivudiane, me bad cop dhe good cop. Te dyja rolet i luajne njerezit qe kane nevoje te dorezojne ate cope te zhubravitur letre. Punonjeset sillen sikur nuk jane aty. Ose, sikur ti nuk je aty.

Loja duket se funksionon. Pa kunder reaksione verbale. Thjesht, nje dore qe zgjatet drejt teje - veshtrimi diku tjeter - qe te kerkon dokumentin. Dora jote zgjatet midis duarve te tjera qe kerkojne te njejten gje. Kapet nga dora e punonjeses Nr. 2. Kjo ja percjell tekstin e dokumentit punonjeses Nr. 1. Gjatesia? Ngjyra e syve? Cdo gje regjistrohet nderkohe qe ti je aty per t'u verifikuar por, prape, nuk ekziston. Dora e punonjeses Nr.1 mbaron se shkruari, te zgjatet nje dokument tjeter, nje fraze qe nuk e kupton dhe je i lire. Dhe i lumtur, se pas oresh qendrimi ke arritur t'i hysh rruges se enderrave. I lumtur, qe arrite te mbaje gojen dhe te mos hyje gabimisht ne nje loje, kodet e se ciles nuk i kupton, ne nje loje qe nuk di ta luash. I lumtur, qe nuk perfundove i vrare nga vulgu verbal i punonjeses. Si dikushi dje. I lumtur qe nuk perfundove i rrahur paq nga polici i rajonit prane, si dikushi dje; qe kerkoi te trajtohej si njeri, qe kerkoi nje pergjigje per pyetjen e bere. Qe kerkoi qe ta shikonin ne sy.

I hedh te gjitha mbas shpine dhe i gezohesh vetem nje gjeje. Se ardhmes. Me pasaporten tende ne xhepin e kemishes apo ne xhepin e vogel te cantes se dores. Me bileten e kthimit ne mes. Duke shkuar atje ku te trajtojne me mire se ne vendin tend.