27.3.07

Etika e komunikimit e politikes shqiptare

Ne komentin e meparshem ju tregoja per Blogun e Moritz Leuenbergut, ministrit zviceran te energjise. Komunikimi me blog shuan shume barriera hierarkike dhe i ve njerezit ne te njejtin nivel. Keshtu qe, nje nga arsyet perse une, pasi degjova ne lajme per blogun e ministrit, u bera shume kurioze per ta lexuar ate ishte te shihja se cfare etikete do te perdornin njerezit ne bashkebisedimin me z. Leuenberger ne nje medium kaq jo hierarkik si blogu. Njerezit, ne shumicen e rasteve, ne mos ne te gjitha rastet, kane perdorur keto formula:

Sehr geehrter Herr Leuenberger (shume i nderuari Z. Leuenberger)
Sehr geehrter Herr Bundesrat (shume i nderuar Z. Minister)
Guten Tag Herr Bundesrat Leuenberger (Miredita Z. Minister Leuenberger)
Guten Tag Herr Bundesrat (Miredita Z. Minister)

Me te guximshmit, blogista te regjur, kane perdorur nje formule qe bashkon hierarkine e funksionit me barazine e blogut, si me poshte:

Sehr geehrter Herr Leuenberger, Lieber Moritz (shume i nderuari Z. Leuenberger, i dashur Moritz)

Nje miku im, qe eshte mik me zotin minister ne fjale, me tregon se kur i shkruan e-mail apo leter perdor po kete kombinim, se pari i drejtohet si minister dhe pastaj si shok. Duke ardhur nga nje vend ku u mesuam t'i drejtoheshim hierarkise me fjalen shoku/shoqja, ku perdorimi i fjaleve zoti, zonja, apo pronomit Ju ishin jashte perdorimit, edhe pse ne fjalor, ky respektim konsekuent i formulave te komunikimit m'e eshte dukur ne fillim shume i ngurte. Eshte e pamundur te takosh nje njeri per here te pare dhe t'i flasesh me ti, sikur e ke njohur nje jete te tere. Afrimiteti krijohet gradualisht dhe duhet te pranohet nga te dyja palet. Nese nje pale, pavaresisht nga koha e njohjes, preferon te perdore SIE (JU) dhe jo DU (TI) ne komunikim atehere edhe pala tjeter vazhdon me SIE, qofte edhe ne nje tavoline ku pihet nje gote birre pas pune.

Ne Shqiperi, tranzicioni ka filluar te shoqerohet edhe me perdorimin rishtas te kodeve te komunikimit edhe pse, shpesh, ato te bejne per te qeshur. Psh, nese shkon ne nje institucion dhe kerkon shoqen tende te ngushte, i thua portierit: Deshiroj te takohem me zonjen Laura (ne vend te kombinimit te zonjes+mbiemrin, sic duhet te ishte). Ose, ne se kerkon funksionarin Iks Ypsilon, i thua portierit: deshiroj te takohem me Zotin Iks (ne vend te zotit Ypsilon). Po keshtu eshte shume humoristike tek degjon njerezit tek grinden tek sporteli i gjendjes civile me nepunesen duke i thene: Moj Zonja Lulushe, duke kombinuar keshtu nje fjale si moj qe nuk ka piken e etiketes me etiketen zonje (+ Lulushen).

Nje i njohuri im qe punon ne qeverine Zvicerane me tregon se te shtate ministrat e Zvicres jane te detyruar me protokoll t'i drejtohen njeri-tjetrit me formulen "Sehr geehrter Herr Bundesrat/Ypsilon". Mund te qelloje qe dy nga ministrat t'i perkasin se njejtes parti e te jene miq prej 30 vjetesh, pak rendesi ka, protokolli eshte protokoll. Me te njejten distance etike sillen ministrat edhe gjate kohes se drekes, te cilen e konsumojne se bashku. Te njejten etikete perdorin ministrat edhe kur dalin ne arenen e gladiatoreve ne televizor dhe hahen (me edukate) per problemet akute qe ka vendi dhe qe duhet se shpejti te votohen nga parlamenti apo populli.

Duke e krahasuar kete lloj sjellje me ate te politikaneve tane ne atdhe, te duket se ne atdhe politikanet tane jane ne fazen e prepubertetit-pubertetit. Ne pubertet, truri, ose me mire, shume rruge nervore qe jane krijuar dhe perdorur ne femijeri fillojne dhe degjenerojne nen efektin e hormoneve seksuale. Mua me pelqen ta krahasoj kete gjendje te trurit me djathin zviceran Emmentaler, qe eshte nje djathe me vrima te medha. Keto vrimat e trurit te kesaj faze, ndersa presin te mbushen nga nervezimet e reja qe do te bejne te mundur procesimin e plote te informacionit ne tru (ose e thene ndryshe procesin e pjekjes se te riut) jane pergjegjese qe te rinjte jane impulsive, me nje fjale vetekontrollohen keq, duken sikur kane harruar cdo gje qe ju eshte mesuar per rregullat e funksionimit te shoqerise, acarohen shume shpejt, jane arrogante edhe pse injorante, perdorin nje fjalor te shemtuar dhe shpesh perdorin edhe dhunen si mjet komunikimi.

Keshtu jane politikanet tane, si te rinjte e pubertetit. Nese dalin ne arenen e gladiatoreve fillojne ose te shajne ose te tallin kundershtarin, vetepermbahen shume keq, nuk dine te qendrojne ne argument, nuk dine te argumentojne, nderkohe qe as behet fjale per respektim kodi miresjellje. I nderuari Zoti Kryeminister Berisha del ne televizionet kombetare dhe i drejtohet Zotit Kryetar te Partise Socialiste Rama direkt me emrin Edvin, dhe tallet e spotit faktin qe Edvinit i pelqen me shume ta therrasin Edi, a thua se ky fakt eshte A dhe Z e gjithe personalitetit te Z. Rama. Ne tiraden nje oreshe te sharjeve njeriu i thjeshte meson shume retorike sharjesh por aspak se cilat jane politikat, problemet, arritjet, veshtiresite qe politikanet tane kane ne qeverisjen e atdheut tone. Kaq te pasjellshem jane politikanet tane publikisht me njeri-tjetrin saqe kur lexon ne shtyp se Z. Rama i ka drejtuar nje leter te hapur Z. Berisha me formulen hapese "I dashur Z. Berisha" nuk di se si e kishte ky kete: me gjalp apo me qellim. Me nje fjale, nuk e di ne se Z. Rama tallet apo po perpiqet te vendosi nje lloj normaliteti komunikimi me kundershtarin e tij.

Pas pershtypjeve te para te fillimit, kur ngurtesia e etikes me bezdiste, kam ardhur ne perfundimin se ky lloj ngurtesimi ka qene i domosdoshem per shoqerine zvicerane per te ruajtur nje lloj raporti civil midis kundershtareve politike, apo edhe njerezve te thjeshte. E ndoshta ka ardhur koha qe ky lloj formalizmi i ngurte te futet edhe ne komunikim shqiptar per te na ruajtuar nga kjo ndotje verbale qe ve shpesh ne diskutim ekzistencen tone si qenie civile, por edhe respektin per veteteveten.

21.3.07

Demokraci direkte

Moritz Leuenberger
540 komente te reja ne blogun tuaj
Pastruesja: Eshte koha e gjumit, zoti minister.

Zvicra shquhet per formen e saj te vecante te te berurit politike, qe gjithkund njihet nen termin "Demokraci direkte". Demokracia direkte nenkupton nje pjesmarrje direkte te popullsise se afte per te votuar ne vendimmarrje. Nje nga pasojat e kesaj forme politike eshte qe ketu votohet aq shpesh, saqe harrojme te votojme. Votojme per gjera te medha dhe te rendesishme si psh: a te ndertojme centrale atomike per te prodhuar energji, e deri tek cingerima te tipit: a te filloje anglishtja ne klasen e pare apo jo. Pervecse demokracise direkte, principi tjeter i rendesishem i politikes zvicerane eshte kompromisi. Qeveria zvicerane perbehet nga, laj-thaj, 7 qeveritare apo ministra. Numri 7 eshte i ndare midis partive me te medha sipas nje formule qindravjecare. Ministrat ikin nga ministrilliku vetem nese nuk rifitojne besimin e parlamentit, nese dalin ne pension, nese semuren apo kapen ne ndonje skandal. Perndryshe nuk ndryshon asgje. Vendimet qe merr qeveria jane vendime kompromisi dhe, pavaresisht se ciles partie i perkasin ministrat, dhe pavaresisht se cfare besojne ata, ata qendrojne unanime mbas vendimit te marre dhe nuk japin kurre me pas mendime personale/partiake pro apo kunder vendimit. Kompromisi ka cmimin e vet! Gjerat ndryshojne shume avash, por kur ndryshojne i pranojne te tere.

Keto dite, bota zvicerane po tundet nga kenaqesia e nje fenomeni te ri. Politika ne nje blog! Edhe pse blogimi eshte tashme nje dukuri e vjeter, dhe edhe pse ne Amerike ka kohe qe politika i ka futur duar deri ne berryl ne blogim, Evropa eshte treguar me e rezervuar. Keshtu qe, kur ministri i energjise Moritz Leuenberger iu prezantua blogospheres zvicerane me blogun e tij personal, ku ai kerkon te vendose nje dialog direkt me popullin, lajmi mori dhene. Nuk besoj se ka blog me te suksesshem ne internet. Mbi 500 komente per cdo teme te trajtuar dhe nje mirenjohje e thelle e publikut, pavaresisht ideve, per kete iniciative te ministrit socialdemokrat. Lajmi ka kapercyer kufijte dhe tashme jane edhe gjermanet qe, ne mungese te diskutimit direkt me politikanet e tyre skutha, i jane shtuar listes se publikut qe flet me ministrin. Per ata qe kuptojne gjermanisht, leximi i blogut eshte nje kenaqesi. Per ata qe vijne nga vende si Shqiperia, ku mbizoteron politika arrogante, fyese dhe injorante bllogu ndez shpresen e nje komunikimi te tille serioz, te ndershem, paqesor, profesional, dijeshume, te edukuar edhe ne vendin ame. Shpresa vdes e fundit. Thone!