5.1.11

Manipulimi mediatik - Media në shërbim të politikës (Update)



Para dy ditësh raportova në blog një rast ekstrem (por të zakonshëm për realitetin shqiptar) të manipulimit të publikut nga ana e mediave. Artikullin e historianit Daniel Ursprung, botuar në NNZ, me titullin ""Albaniens blockierte Aufarbeitung der Geschichte", gazeta Tema online e kishte botuar të përkthyer vetëm dicka më shumë se gjysma, nën titullin abuziv "Berisha, simbol i vazhdimit të nomeklaturës komuniste" dhe ilustruar me një fotografi të Berishës duke u argëtuar në varkë me familjarët e Enver Hoxhës.
Mbas reagimit tim, gazeta Tema e hoqi artikullin nga linja dhe e rifuti më pas me titullin korrekt të origjinalit dhe me një foto ilustruese që i pershtatej temës së artikullit të Daniel Ursprung, temës së (mos)përballjes së Shqiperisë me të kaluarën komuniste, të abuzimit të anti-komunizmit për gjueti shtrigash, të përdorimit të retorikës antikomuniste në luftën politike.
Sot konstatoj, se një ditë më vonë, të njëjtin artikull si Tema dhe me titullin "Shqiperia, Berisha dhe Komunizmi" e ka botuar edhe Shekulli, duke e multiplifikuar manipulimin fillestar të Temes. Në fakt, Ursprung nuk analizon rolin specifik të Berishës në raportin e Shqipërisë me Kominizmin, sic sygjeron gazeta Shekulli (dhe para saj Tema): por bën një përmbledhje të situatës që paraqitet sot në Shqipëri, raportin e elitave të sotme si elita vazhduese të komunizmit përkundrejt të kaluarës komuniste, dhe përkeqësimin e abuzimit me antikomunizmin prej Berishës (fjala kyce: Ligji i lustracionit). Rasti që po raportoj, rasti konkret i abuzimit dhe manipulimit me artikullin e Ursprung, na tregon se abuzimi me antikomunizmin, manipulimi si kulturë, nuk është vetëm i Berishës por shtrihet më gjerë, edhe tek gazetarët militantë të Gazetës Tema dhe Shekulli (për hir të së vërtetës, jo vetëm këta, por meqë këta janë përfshirë në rastin konkret po ngelem ketu).
Në fakt, nuk duhet të cudisë ky fakt, sepse sipas një tradite të gjatë, materiale e autorë riqarkullohen mes gazetash të ndryshme, duke e përdorur njëri-tjetrin si altoparlantë, që në mënyrë të seleksionuar i mëshojnë një realiteti apo tjetri, duke krijuar mbi të gjitha realitete virtuale, që jo vetëm i shërbejnë manipulimit të lexuesit, por edhe që synojnë ta bëjnë këtë lexues t'u shërbejë realiteteve virtuale (e mbi të gjitha qëllimeve politike), të krijuara nga media që përdorin cdo lloj mjeti që justifikon fitimin e lojës politike.
 ________________________________________________________________________
Numri i sotëm i së përditshmes zviceriane në gjuhën gjermane, "Neue Zürcher Zeitung" (NZZ), hapet në faqen e parë me njoftimin për artikullin e Daniel Ursprung; një analizë e gjatë që mbush plot pesë kolonat e faqes shtatë. Eshtë një artikull i mirë, që analizon (mos)përballjen e Shqipërisë me të kaluarën e saj, shkruar nga një studiues që e njeh mirë situatën e vendeve ish-komuniste të lindjes. Artikulli në origjinal titullohet: "Albaniens blockierte Aufarbeitung der Geschichte" ("Përpunimi i historisë në Shqipëri një proces i bllokuar" përkthimi i lirë i smr) dhe shoqërohet me fotografinë historike të rënies së bustit të Enver Hoxhës, si dhe me një fotografi të tre bunkerëve në det. Artikullin e gjeta të përkthyer po sot në shtypin shqiptar, tek gazeta Tema online. Por, për cudinë dhe irritimin tim, artikulli mban tani në shqip titullin: "Berisha, simbol i vazhdimit të nomeklaturës komuniste", - edhe pse autori, Ursprung, flet për vazhdimësi elitash dhe këtu përfshin edhe Berishën, por jo vetëm atë - dhe shoqërohet me një foto të Berishës në varkë me familjarët e Hoxhës.
Jo vetëm kaq, por dy nëntitujt, "Harte Repression" dhe "Opfer ohne Täter", që bëjnë gati 2/5 e artikullit, nuk janë përkthyer fare, mbase sepse në këtë pjesë nuk përmendet më Berisha dhe këtu mbaron funksioni i artikullit të Ursprung për gazetën "Tema". Manipulimi i artikullit të Ursprung, përdorimi i autorit dhe autoritetit të të huajit për qëllime politike lokale, është një akt i turpshëm (jo i pari dhe as i fundit në tregun e paturpshëm të medias dhe politikës shqiptare). Ironikisht, Baze dhe gazeta e tij shndërrohen në një ilustrim konkret të asaj që Ursprung përmend në artikull, se "Retorika anti-komuniste shërbeu më shumë si një gjueti shtrigash në luftën për pushtet." dhe se "Hapësira e lirisë intelektuale është në varësi të politikës". Për ata që kuptojnë gjermanisht, këshillohet leximi direkt nga linku i mësipërm i NZZ. Më poshtë është artikulli i cunguar dhe me funksion/identitet të ndryshuar, me foton dhe titullin e seleksionuar nga gazeta "Tema".
________________________________________________

Berisha, simbol i vazhdimit të nomenklaturës komuniste

 Gazeta Tema

Nga Daniel Ursprung
Neue Zürcher Zeitung
Asnjë vend tjetër në Europën Lindore nuk ka kaq shumë monumente, ndoshta edhe të pavullnetshme, që të kujtojnë sundimin komunist si në Shqipëri.
Të shpërndarë në të gjithë vendin janë qindra e mijëra bunkerë betoni, simbole të heshtura të një varianti represiv të pushtetit komunist në Europë.
Bunkeri, që do mbronte Shqipërinë e qeverisur me grusht të hekurt nga viti 1944 deri në vitin 1985 nga Enver Hoxha, është simbol i karakterit unik të regjimit, që me anë të vetë-izolimit kërkonte ta mbante vendin si bastioni i fundit i stalinizmit në Europë.
Njëzet vite pas ndryshimeve politike, që kulmuan në dhjetor të vitit 1990 me heqjen dorë të Partisë së Punës nga monopoli politik në vend, statujat e Stalinit e Enverit janë zhdukur, por përpunimi i të kaluarës nuk ka nisur ende.
“Lustracioni” i politizuar
Në asnjë vend tjetër të Europës Lindore nuk ekzistojnë kaq pak studime serioze në lidhje me periudhën e socializmit si në Shqipëri- nuk ka asnjë biografi kritike ndaj Enver Hoxhës, edhe pse asnjë drejtues tjetër komunist nuk e ka dominuar për kaq gjatë e në mënyrë kaq intensive fatin e vendit të tij.
Krahas raporteve të publikuara në media, në tregun e librave ka vetëm dokumente e kujtime të viktimave të komunizmit, por edhe të anëtarëve të nomenklaturës- përfshi këtu edhe përligjet e anëtarëve të familjes së Enver Hoxhës dhe kujtimet e jetës së pasuesit të tij, Ramiz Alia.
Akademia e shpërndarë në vitin 2008 gjithashtu nuk ka asnjë rivlerësim kritik të regjimit komunist. Arsyet e këtij dështimi janë të ndryshme dhe duhen kërkuar kryesisht në situatën specifike të tranzicionit shqiptar.
Tranzicioni në Shqipëri është shënuar nga konfrontimi tejet i personalizuar mes dy kampeve politike të papajtueshme me njëri- tjetrin, demokratët e Sali Berishës në një anë dhe komunistët e kthyer në socialistë.
Partia Demokratike e Sali Berishës, e ardhur në pushtet në vitin 1992, udhëhoqi një betejë të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve politikë me pretekstin e anti- komunizmit. Ligji i parë i “lustracionit” u miratua në vitin 1993, të tjerë e pasuan atë.
Retorika anti-komuniste shërbeu më shumë si një gjueti shtrigash në luftën për pushtet. Kjo çoi në një destabilizim të rrezikshëm të institucioneve shtetërore, aparati burokratik u ndryshua për arsye politike dhe u mbush me njerëz pa përvojë, por besnikë të partisë.
Korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe përfundimisht rrëzimi i të ashtuquajturave skema piramidale, të cilat i kishin premtuar popullit shumim të jashtëzakonshëm të kursimeve të tyre, sollën zemërimin e verbër të popullit ndaj institucionet shtetërore.
Vazhdimësia e elitave
Trazirat e rënda të vitit 1997 e kthyen procesin e tranzicionit disa vite mbrapa. Ideja e përpunimit të të kaluarës ishte diskretituar rëndë nga interesat personale të Berishës, ndaj socialistët nuk e ndoqën këtë gjë derisa ishin në pushtet.
Me rikthimin e Berishës në pushtet në vitin 2005, ligjet e “lustracionit” u kthyen si një armë në betejën kundër opozitës.
Në fund të vitit 2008, parlamenti miratoi një ligj “lustracioni”, të kritikuar ashpër jashtë vendit dhe të rrëzuar më vonë si anti-ligjor nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj hapte një gjueti shtrigash të motivuar ndaj të gjithë nëpunësve.
Në këtë mënyrë përpunimi i të kaluarës komuniste ishte bërë një çështje e politizuar, një mjet për betejën politike.
Përveç kësaj, Shqipëria është një vend i vogël dhe i ri, që nuk ka traditë intelektuale përpara periudhës së socializmit. Universiteti i parë në vend është themeluar në vitin 1957, Akademia e Shkencave në vitin 1972, Muzeu Kombëtar i Historisë në vitin 1981.
Në një vend që numëron rreth tre milionë banorë, elita është e vogël dhe në marrëdhënie shumë të ngushtë farefisnore e patronazhi.
Hapësira e lirisë intelektuale është në varësi të politikës, çka e bën shumë të vështirë që studimet historike bashkëkohore të kërcënojnë reputacionin e njerëzve me ndikim në aparatin komunist.
Se sa e fortë është vazhdimësia e elitës komuniste, këtë e tregon shembulli i shefit të qeverisë, Sali Berisha, retorika anti- komuniste e të cilit është në kontrast me të kaluarën e tij në nomenklaturë, si pjesë e ekipit të mjekëve të Enver Hoxhës.
Figura përfaqësuese e shqiptarëve në Perëndim, shkrimtari Ismail Kadare, nuk është një Vaclav Havel i Shqiëprisë, por i ka lejuar vetes të monopolizohet nga regjimi.
Problemi në Shqipëri është se elita e saj praktikisht është produkt i kohës së Hoxhës.
SHENIM: Daniel Ursprung është bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Zyrihut. Shkrimin e plotë do e lexoni në gazetën Tema, versioni i printuar