1. Gazeta Le Monde, 26 Prill 1985
Zoti Drejtor,
Nuk mund të mos jua shkruaj këtë letër pasi lexova në gazetën “Le Monde” artikujt e botuar ditët e fundit me rastin e vdekjes së udhëheqësit të popullit shqiptar, Enver Hoxhës.
Është pa dyshim e drejta e gazetarëve tuaj të kenë mendimin e tyre mbi rendin shoqëror të një vendi, për idetë që ai mbron dhe për politikën e tij. Por është krejtësisht e padenjë që të fyhet një popull në çastet e zisë e të dhimbjes së tij, siç ndodh në artikujt e gazetës suaj. Populli shqiptar është një popull me histori të gjatë e të vështirë, prandaj ai e di më mirë përse hidhërohet, si ta shprehë hidhërimin dhe për kë duhet të mbajë zi.
Emri i Enver Hxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij, dhe, për pasojë, se sa i madh është hidhërimi.
Për mua si dhe për kolegët e mi, ishte me të vërtetë e habitshme që gazeta “Le Mond”, duke mos u mjaftuar me disinformimet e këtyre shkrimeve abuzive, nuk mungoi t’i japë vend në këtë rast deklaratës së një krimineli të tillë, si birit të ish – mbretit Zog, të kësaj fantazme qesharake që kërkon të rikthejë në Shqipëri fronin monarkik, atë fron që Franca juaj e rrëzoi dy shekuj më parë, gjë për të cilën është me të vërtetë krenare. Vetëm keqdashësit mund t’i dëshirojnë Shqipërisë kthim mbrapsht të historisë së saj.
Do t’ju isha mirënjohës po ta botonit këtë letër, në qoftë se kini mundësi. Ju lutem, zoti drejtor, sigurinë e konsideratës sime më të lartë.
Ismail Kadare
2. Një pasdite me shokun Enver Hoxha, 1988
Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale, por një pjesë sui generis, që nuk përfshihet në librat, fjalimet, ditaret, porositë e letrat e tij, por është e shpërndarë në qindra, në mijëra nje¬rëz. E megjithëse e tillë, kjo pjesë e veprës, këto kujtime që ai ka lënë, biseda, fjalë, gjeste, pamje, gjendje shpirtërore, janë një pasuri e tërë që ndihmojnë për të plotësuar e ndriçuar anë të tëra të personalitetit të tij si udhëheqës, burrë shteti, mendimtar marksist, filozof, shkrimtar dhe njeri.
Kujtimet për të nuk kanë nevojë për zbukurime, ato kanë nevojë vetëm për saktësi, sepse duke qenë të sakta ato e kanë vetvetiu brenda edhe bukurinë dhe thellësinë dhe pe¬shën e vërtetë. Prandaj ata që kanë pasur fatin të kenë kuj¬time me të, janë të ndërgjegjshëm se ç'thesare të çmuara mbajnë në duar, thesare, pasurinë e të cilave duhet t'ua zbu¬lojnë të gjithëve.
Në verë të vitit 1961 klima letrare në vendin tonë ishte sa e gjallë edhe e komplikuar. Të angazhuar në luftën e madhe që bënte populli e Partia për përballimin e bllokadës së re revizioniste, që porsa kishte filluar, forcat krijuese ishin. në një aktivitet të plotë. Ishte e natyrshme që në këto kushte, kur kërkoheshin rrugë të reja zhvillimi për ta bërë letërsinë tonë edhe më shumë të lidhur me problemet e kohës, të ki¬shte mjaft debate e polemika, disa herë të mprehta.
Klima letrare u komplikua nga disa keqkuptime që lin¬dën gjatë debateve lidhur me traditën dhe novatorizmin në letërsinë shqipe të realizmit socialist. Polemika, e cila shpërtheu edhe në shtypin letrar, kishte rrezik të çonte drejt ndar¬jes artificiale të shkrimtarëve në të rinj e në të vjetër, gjë tepër e dëmshme, sidomos në kushtet ku po ndodhej vendi ynë, kur më tepër se kurrë kërkohej forcimi i unitetit.
Në një atmosferë të tillë, në korrik të vitit 1961 në Tiranë u organizua një mbledhje e madhe e gjithë forcave krijuese. Mbledhja do të ishte vendimtare për t'i dhënë zgjidhje apo një zhvillim të mbarë debatit që po vlonte prej kohësh. Por mbledhja merrte një rëndësi edhe më të madhe, sepse në të asistonte shoku Enver Hoxha.
Mbledhja u bë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Në një pjesë të materialeve të saj u pasqyruan ato keqkup¬time e teprime që ishin shfaqur gjatë polemikës së deri atëhershme. Duhet thënë se për ne, shkrimtarët e rinj, gjendja ishte jo pak e vështirë. Nga disa autoritete të kritikës e të le¬tërsisë u bënë shkrime disa herë të pamerituara ndaj nesh. Kishte rrezik të thellohej ndarja artificiale në “të rinj” e “të vjetër” dhe zhvillimi i letërsisë sonë të ngadalësohej prej koncepteve konservatore.
Shoku Enver, i cili asistoi në të gjitha seancat, dëgjonte me vëmendje diskutimin e secilit.
Në një nga pushimet, një shok, që ishte në presidium më tha:
- Përse nuk flet askush prej jush? Me sa kuptova unë nga biseda e tij në pushim, shoku Enver dëshiron t'ju dëgjojë edhe ju të rinjve.
Këto fjalë sikur më hoqën në çast një farë mpirje që më kishte zënë gjatë kësaj mbledhjeje. Nxora një letër dhe fi¬llova të përgatitem me shpejtësi.
Në seancën e pasdites kërkova fjalën. Isha i pari që po flisja nga “të rinjtë” dhe merret me mend që auditori priste me interes se si do t'u përgjigjeshim ne shumë kritikave që u , bënë.
Në kohën që zura vend për të folur përpara mikrofonit, shoku Enver, i cili me siguri e kishte kuptuar tronditjen shpir¬tërore të shkrimtarëve të rinj në këtë mbledhje, tha:
- Ja, tani t'ju dëgjojmë edhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur.
Fjalët e tij ma dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i tij, shtova mjaft fraza që nuk i kisha, të shkruara.
Pas meje folën edhe të tjerë. Shoku Enver vazhdonte të dëgjonte me vëmendje çdo diskutim. Tani ai dhe gjithë mble¬dhja kishin dëgjuar të dy palët polemizuese. Duhet thënë se teprime e keqkuptime kishte nga të dy anët, edhe nga ne “ të rinjtë ”, por, megjithatë, nuk mund të thuhej se të dy palët kishin të drejtë ose të dy palët kishin gabim. Dikush kishte në thelb të drejtë e dikush jo.
Ishte pikërisht ky thelb që kapi në mënyrë të shkëlqyer shoku Enver në fjalimin e tij që pritej me padurim. Ai i bëri një zbërthim të thellë marksist-leninist problemit, foli për raportin dialektik midis traditës dhe novatorizmit, shpjegoi se shkrimtarët e rinj s'ka si të kenë interesa të tjera nga ato të popullit e të Partisë, se ata janë të lidhur me vendin e me kohën, dhe se ndarja në “ të rinj ” e “ të vjetër ” nuk i shërben askujt.
Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm në gjithë jetën letraro-artistike. U shpërndanë menjëherë keqkup¬timet që kishin lindur gjatë debatit, u lanë mënjanë etiketat e kota që i kishin vënë njëri-tjetrit, u kuptuan se shumë probleme të ngritura në valën e polemikës ishin fiktive dhe se gjithë shkrimtarët, të rinj e të vjetër në moshë, punonin për një qëllim.
E çliruar kështu, në sajë të ndërhyrjes së Udhëheqësit prej një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim të ri e të vrullshëm, në kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që prisnin shkatërrimin e saj. Takimi dhe fjalimi i shokut Enver me shkrimtarët e artistët në korrik të vitit 1961, hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe. Mund të thuhet me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të viteve ‘60 ia detyron lancimin e tij këtij fjalimi.
Kam pasur fatin ta takoj disa herë shokun Enver, në raste të ndryshme, në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancash të Kuvendit Popullor. Megjithëse të shkurtra, ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, por veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me të në vitin, 1971, në shtëpinë e tij.
Në një ditë marsi, bashkë me time shoqe dhe vajzën e vogël, u ndodhëm atje për vizitë. Na priti shoqja Nexhmije, me vajzën. Shoku Enver nuk ndodhej në shtëpi dhe ne nuk e dinim në do të kishim fat ta takonim apo jo.
Ishim duke biseduar gjallërisht, kur u hap një nga dyert e sallonit dhe në të, i gjatë dhe i qeshur, u duk shoku Enver. Meqenëse unë isha përballë derës, e pashë i pari kur hyri dhe, u ngrita menjëherë në këmbë, duke i habitur për një grimë bashkëbiseduesit, të cilët me siguri kanë thënë me vete: “ç'pati ky”? .
Pastaj të gjithë kthyen kokat andej nga kishte hyrë shoku Enver.
- Të vij dhe unë? - tha ai duke qeshur. - S'besoj se ju prish muhabetin.
Megjithëse disa herë gjatë kohës që po bisedonim dhe sa herë që më dukej se dëgjoja zhurmën e ndonjë makine, për¬fytyroja se si mund të vinte, asnjëherë nuk mund të përfytyroja një ardhje më të natyrshme, të gëzueshme e njerëzore.
Ai u ul midis nesh, duke krijuar aty për aty një atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt. Na pyeti me radhë për shënde¬tin, e mori në prehër vajzën tonë 6 vjeçe dhe i tha, duke përdorur një fjalë të vjetër gjirokastrite:
- Ngalasëm ti, të të ngalas edhe unë (përqafomë ti, të të përqafoj edhe unë).
Shoku Enver më pyeti se ç'kisha në dorë kohët e fundit dhe unë i thashë se kisha në shtyp një roman për Gjirokastrën me titull “Kronikë në gur”.
- Do ta lexoj me kënaqësi, - tha ai. - Gjirokastra është pasionante dhe këtë e themi jo se jemi andej, - shtoi, duke vështruar me një buzëqeshje, ngacmuese të tjerët, - por se kështu është vërtet. Apo jo? Por në mos gaboj, ti ke botuar një tregim me këtë subjekt.
-Po - iu përgjigja. – “Qyteti i Jugut”, por mendova ta zgjeroj e ta shndërroj në një roman.
-Mirë ke bërë. - Ai heshti një grimë, pastaj vazhdoi: ¬-Kam edhe unë nja njëqind e ca faqe shënime për Gjirokastrën.-Ta dija që po bëje një roman, mund të t'i jepja t'i shfrytëzoje, se unë s'besoj se do të kem kohë ta shkruaj atë libër (Ishte fjala me sa duket për librin “Vitet e vegjëlisë”, që e mbaroi dhe e botoi disa vite më vonë).
S'dija me ç'fjalë ta falenderoja për besimin si dhe për fisnikërinë e këtyre fjalëve, sepse duhej të ishin tepër të rralla rastet në botë kur një autor të dhuronte aq bujarisht librin e tij të pabotuar për ta shfrytëzuar dikush tjetër.
Kur shoku Enver më pyeti me se po merresha aktualisht iu përgjigja se po shkruaja diçka për prishjen me sovjetikët.,
Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin “Dimri i madh”, por në përgjigjen time, në vend të fjalës “roman” thashë “diçka” dhe këtë e bëra pa menduar, si një mbrojtje instiktive nga që ende s'isha i sigurt se do ta përballoja temën e madhe së cilës i kisha hyrë.
Për fat, apo ndoshta nga që unë i thashë fjalët nëpër dhëmbë, shokut Enver nuk i tërhoqi vemendjen ky detaj.
- Hm, sovjetikët, - tha ai. E ke lexuar në azhanse ç'ka thënë ditët e fundit Radio-Moska për ty? - dhe qeshi me të madhe.
Unë e kisha lexuar dhe ishte vërtet për të qeshur. Midis marrëzive të tjera, Radio-Moska në një nga emisionet e saj kishte thënë se gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë e kishin bojkotuar letërsinë dhe nuk shkruanin më në shenjë mallëngjimi dhe proteste për prishjen me sovjetikët. Për të mbush boshllëkun e krijuar, vazhdonte Radio-Moska shteti shqiptar kishte nxitur ca pseudoshkrimtarë të rinj si një farë I. Kadare me shokë, që të shkruanin e të botonin veprat e tyre që ishin aq skematike e pa kurrfarë vlere artistike, sa që u ngjanin kryeartikujve të gazetave.
Nuk më kishte shkuar mendja se kjo mendjelehtësi e Radio-Moskës do të më bënte një shërbim të madh e të pa pritur: hapjen prej shokut Enver të bisedës se çfarë kish ndodhur në Moskë dhjetë vjet më parë.
Pas të qeshurës, ai u mvrenjt dhe tundi kokën ngadalë, si të thërriste një kujtim jo të këndshëm.
Pastaj ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton ndryshëm nga ai që kishte folur gjer atëherë, të rëndë e menduar. Ai foli për udhëtimin e tij në Moskë atë dimër pa harruar dhe për disa nga takimet e tij me “hrushovianët” duke bërë krahasimin e tyre me takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod me Kosiginin në darkën e Kremlinit në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vilën ku ish rezidenca e delegacionit tonë, për “vizitat” e mysafirëve të natës, Mikojanit, Torezit e të tjerë.
Do të dëshiroja që ai të fliste me orë të tëra për këtë, po për fat të keq ëndrra ime për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh qendror i së cilës ishte ai vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër, dhe unë s'pata guxim ta pyesja për Moskën.
Më vonë, gjatë procesit të punës për romanin unë shfrytëzova gjallërisht arkivat, u njoha me dokumentet e Partisë, me procesverbalet e Mbledhjes së Moskës, si dhe me dëshmitë e ndryshme të personelit, sidomos të fjalimit të shokut Enver, të porosive, shënimeve të tij në marxhinalet e faqeve, të kurbua¬ra lart ose poshtë për arsye të ngushticës së vendit, të cilat u ngjanin degëve të lisave që i lëkund stuhia. Dhe vërtet në të gjitha ato fjalë, replika, rreshta e shënime ndihej fuqishëm stuhia e kohës.
E megjithatë duhet ta them se biseda e rastësishme e sho¬kut Enver më dha mua si shkrimtar diçka të pazëvendësueshme ¬nga asgjë tjetër për romanin që po shkruaja. Krejt atmo¬sfera e pjesës së dytë të veprës me nëntitullin “Mysafirë në kështjellë”, vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, simfonizmi, tragjizmi dhe pesha e saj, e kanë zanafillën e tyre te ajo bisedë e udhëheqësit. Në bisedën e tij kishte një kolorit të jashtëzakonshëm: me një frazë apo një nënvizim ai jepte rrë¬zëllimin e llampadarëve të festës mbi darkën e Kremlinit, apo detajet tinzare mbi fytyrën e Mikojanit, qetësinë monumentale darkës me Stalinin apo komicitetin e figurës së Hrushovit. Dhe mbi të gjitha biseda e tij, sado e rastit të ishte, ngër¬thente fuqishëm gjithë dimensionet e dramës.
Më vonë, kur puna për romanin po avanconte, disa shokë të mi shkrimtarë më sugjeruan të kërkoja mundësinë për një takim me shokun Enver, por unë nuk guxova ta bëj këtë; kisha gjithmonë druajtjen se mos nuk e mbaja dot premtimin për të realizuar një vepër që të ishte e denjë për ngjarjen e madhe, kisha dhe një arsye tjetër, edhe më të rëndësishme. Unë kisha punuar në shtypin letrar dhe e dija se shoku Enver e kishte ndaluar në mënyrë të prerë të shkruhej për figurën e tij. Në qoftë se unë do të arrija të realizoja një takim me të për veprën që po shkruaja, ç'do të ndodhte sikur ai, gjatë bisedës, të merrte vesh se unë e kisha atë personazh qendror historik në romanin tim? Ai do ta ndalonte një gjë të tillë dhe kjo do të ishte një katastrofë për romanin tim.
Po le të kthehem te takimi me shokun Enver.
Pas bisedës për Moskën, ra fjala për fuqinë shpirtërore të popullit tonë dhe për lashtësinë e tij. Më pyeti nëse e kisha lexuar një libër të francezit Zaharia Majani për etruskët dhe gjuhën shqipe, dhe kur unë i thashë se e kisha dëgjuar, por nuk e kisha lexuar më tha se do të ma jepte. Dërgoi dikë ta merrte, duke i thënë:
- E kam lënë sipër oxhakut.
Biseda u bë prapë e lirë dhe e gëzueshme dhe në një çast u kthye përsëri te Gjirokastra, te Sokaku i të marrëve, qe ishte ndoshta rruga e vetme në botë me këtë emër dhe që ne e njihnim aq mirë, si edhe te plakat e mençura, në kundërshtim me emrin e sokakut, të shtëpive gjirokastrite.
- Vetëm nga tregimet e tyre për mënyrën e ndriçimit të shtëpive, për futjen e vajgurit apo evoluimin e llampave mund të nxjerrësh përfundime interesante të karakterit social- ekonomik, - tha shoku Enver.
I habitur dëgjova të fliste për to, në një mënyrë që nuk e kisha lexuar asgjëkundi.
(Pasi u ktheva në shtëpi dhe shënova në një fletore gjithçka që dëgjova prej tij për ngjarjen e Moskës, në një flete të veçantë shënova “Projekt për një novelë. Në formë kronike. Vajguri, kripa, jetët, vdekjet, gjyqet, ekonomia, breznitë”. Ishte bërthama e novelës që shkrova më vonë “Breznia e Han¬konatëve”, e cila ishte veçanërisht e dashur për mua, veç të tjerash, edhe për historinë e gjenezës së saj).
Kishim ardhur për një vizitë të shkurtër pasdite dhe ora po shkonte 8.30. Megjithëse kishim dëshirë të madhe të rrinim ende, ne morëm leje të largoheshim. Para se të iknim shoku Enver na dhuroi gjithashtu librin e Zaharia Majanit “La fin du mistère etrusque”.
Ishim në këmbë në çastin që do të ndaheshim kur ai i tha shoqes Nexhmije:
- Shko në bibliotekë dhe zgjidh diçka tjetër.
Shoqja Nexhmije u kthye pas pak me veprat komplete të Balzakut në frëngjisht.
- O, e mbushe me Balzak! - bëri shaka shoku Enver.
Ishte shakaja e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me ra¬portin midis letërsisë realiste të shekullit XIX dhe asaj ba¬shkëkohore, diskutime në të cilat Balzaku ishte në qendër të kundërvënieve dhe që nuk kishin kaluar pa një farë jehone edhe te ne.
Duke e falënderuar për librat e dhuruar, unë i thashë shokut Enver se pavarësisht se isha shkrimtar bashkëkohor, e pëlqeja shumë Balzakun.
- Po si do t'i ngrini gjithë këto libra? - tha shoku Enver kur po ndaheshim. Ai iu drejtua shoqes Nexhmije: -¬Shiko për një makinë për t'i çuar mysafirët gjer në shtëpi.
Këto ishin çastet e fundit nga ky kujtim i paharruar.
Ismail Kadare
(Nxjerrë nga libri “Kujtime për Enverin” 1988)
3. Reflektim
Sot eshte 11 prill. 24 vjet me pare vdiq Enver Hoxha. Eshte nje dite pervjetori, per ca ashtu, dhe per ca keshtu. 24 vjet pas vdekjes se Enver Hoxhes, dhe 19 vjet pas renies se Diktatures, ne, pjellat e atij sistemi, e gjejme veten duke celebruar "The survival of the fittest". Dikur, the survival of the fittest, Kadareja shembulli par excellence, beri te mundur qe duke u lene te perdorej, te perdorte vete sistemin per te rritur "fittnesin" e tij. Ne te vertete, nuk ishte vetem Kadareja por e gjithe elita shqiptare - elita qe vete sistemi e seleksionoi per te tille, i dha forme, e perdori dhe e la ta perdorte.
E vertete, Kadare, nuk ishte disident. "Une nuk jam disident. Une nuk isha idiot te vija jeten time dhe ate te familjes sime ne rrezik" – tha Kadare, në 24 shkurt, në Kaufleute Zürich. Ishte ftuar per promovimin e librit të tij të fundit, per të cilin nuk tha asnje fjale. Pas leximit rutine të një pjese të zgjedhur, vijoi një monolog 1 oresh ku Kadare denoncoi diktaturen, ku u irritua perseri qe Enver Hoxha, të cilit i kushtoi jo pak rreshta, të cilin ua shiti publikut per heroin e radhes (takimi me komandantin, sa mbreselenes), e mbante veten per intelektual. E tmerrshme. Sigurisht, Kadareja nuk ishte idiot, në fakt, asnjeri nga ne: si pjese e biologjise, homo sapiens sapiensi, u pershtatet, adoptohet kushteve rrethanore dhe perpiqet te beje me te miren per te mbijetuar vete, per te riprodhuar, per te siguruar mbijetesen e pasardhesve. Kjo eshte me se e kuptueshme. Pikerisht, se mungonin idiotet, se idiotet u kastruan, se idiotet nuk ishin model, se homoja ishte me e fuqishme se sapiensi, ne perjetuam, ndertuam ate sistem qe pastaj polli keta bij; edhe mua, edhe ty.
Ne ishim te gjithe bashkefajtore dhe bashkevuajtes. Por, te gjithe jemi vene ne gare per te qene bashkevuajtes: te gjithe! Krimineli i djeshem, spiuni, elita qe u perdor dhe perdori - qe heshti, te rinjte e enverit. Te gjithe sot tregojme dhe denoncojme diktaturen, jemi ne kerkim te metafores me te forte, te ekzotikes me terheqese. Pak a shume si ne garen e xhungles nga ku therrasim: I am a superstar, get me out. The survival of the fittest. Askush nuk do te kete te beje me "bashkefajtorin" - kjo eshte thjesht alibia per te folur ne publik, per t'u rreshtuar prane bashkevuajtesit tjeter.
Si bij te ketij sistemi ne nuk bejme asgje me shume se celebrojme modelet qe na formuan: the survival of the fittest. Eshte ky model qe mbizoteron sot ne shqiperi akoma, eshte akoma modeli qe ju mesohet te rinjve. Ashtu si dikur, i riu i sotem eshte pa zgjedhje, ashtu si dikur i riu i sotem preferon homon sesa sapiensin, ashtu si dikur, per te qene survival of the fittest, i riu behet pjese e pushtetit, perdoret dhe e perdor.
Kemi nevoje per idiotet, per ata qe e bejne homon sapiens, per ata qe cojne mendimin perpara, per ata qe nuk duan të jene thjesht „The survival of the fittest“, per ata qe avantazhin e homos sapiens sapiensit per të menduar, nuk e abuzojne duke e vene në funskion të fittesit të tij personal. Kemi nevoje per idealiste, per njerez të principeve, per njerez qe udhehiqen nga morali: per njerez me shtylle vertebrore. Kur ky model të ravijozohet si alternative në Shqiperi, ndoshta mund t’ja lejojme vetes vanitetin per t’u perhumbur mbas estetikes se fjales dhe per t’u harruar.
Per sa kohe qe në nuk jemi aty, le të vazhdojme të bejme ate qe jemi duke bere – le te flasim per historite me zhurmues. Kjo leter, reale apo jo, eshte një episod (nga ata qe nuk e kerkon kush), thjesht një episod i trashegimise qe mbartim mbi vete- Le të qeshim, ashtu sic qeshim e argetohemi me episodet e deritanishme. Kjo eshte anektoda e radhes. Une jam bashkevuajtesi i radhes, rrefuesi i radhes i historive me zhurmues.
Duke pritur per idiotet.
Selfmade Radio
Showing posts with label Dje. Show all posts
Showing posts with label Dje. Show all posts
14.4.09
Në emër të popullit
26.6.08
Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (fund)
Shembull për aksione pastrimi
Kremlini, nëpërmjet një lidhje sekrete me një përfaqësues të lartë të politbürosë jugosllave, ishte informuar në detaje për të gjitha veprimet e jugosllavëve. Kur për Stalinin u bë e qartë se Titoja nuk kishte ndërmend të hiqte dore nga kursi i tij në politikën e jashtme, ai kaloi në sulm. Në 18 mars 1948, Moska tërhoqi këshilltarin e tij ushtarak nga Jugosllavia. Më pas, në udhëheqjen jugosllave do të mbërrinin një seri letrash, në të cilat Stalini dhe Molotovi dënonin veprimet e Partisë Komuniste Jugosllave.
Këto letra do t’u dërgoheshin edhe udhëheqjeve të partive të tjera të vendeve lindore, për t’i mobilizuar kundër Jugosllavisë dhe për t’i parapërgatitur për dënimin që do t’i jepej asaj në Kominform, në lidhjen e partive komuniste të Evropës Lindore, lidhje që ishte e kontrolluar nga sovjetikët. Për të hequr dyshimet se konflikti me Jugosllavinë ishte cështje konkurrence pushteti, Stalini dhe Molotow u munduan që ta linin jashtë kritikës politikën ballkanike të Titos.
Në vitin 1956, Nikita Hrushov, në fjalimin e tij të famshëm në Kongresin e 20të të partisë, do të citonte këto fjalë të Stalinit: „Mjafton të lëviz gishtin e vogël dhe Tito zhduket". Megjithatë, dokumenta të reja arkivi tregojnë që Stalini në atë kohë nuk kishte në plan të lante duart përgjithmonë me Titon. Në fakt, shefi i Kremlinit u mjaftua si fillim vetëm me një izolim të Jugosllavisë brenda kampit socialist. Ky akt ishte jo vetëm për të hequr qafe një inat. Por, indiferenca e hapur e udhëheqjes së Beogradit, i sherbeu Moskës edhe si mundësi për të dënuar kampin socialist, dhe i ofroi në të njëjtën kohë një rast shembullor për aksione pastrimi, aksione të cilat në vitet e mëpasshme, Moska do t’i përdorte edhe për partitë e tjera lindore.
Izolimi i Jugosllavisë do të shkonte paralel me interesat ruse në Ballkan. Shqipëria do t’i kthente kurrizin Jugosllavisë dhe do të gjente tek Moska padronin e ri; Bullgaria do të shndërrohej në një nga kritikët më të mëdha të „Klikës së Titos“; dhe si perfundim vetë Beogradi do të ndërpriste ndihmën për partizanët grekë, duke kontribuar në një humbje të thellë të tyre dhe në fundin e luftës civile.
Titoja nuk kishte përllogaritur një qëndrim kaq të ashpër të Moskës. Por, udhëheqësi jugosllav do ta kuptonte shumë shpejt se kjo situatë duhej kthyer në favorin e tij. Me mjeshtëri, Tito do ta shiste konfliktin me Moskën si rezultat të luftës së tij për „një rrugë të vetën drejt socializmit“ – një devizë, që më vonë do të ishte në themel të politikës së suksesshme jugosllave për t’u shkëputur përfundimisht nga blloku komunist.
• Jeronim Perovic është bashkëpunëtor shkencor në Seminarin e Historisë të Universitetit të Basel, Switzerland.
Artikulli është marre nga e përditshmja zvicerane NZZ, 24 qershor 2008.
Përktheu Selfmaderadio
Labels: Dje
Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (3)
Takim vendimtar në Kremlin
Regjimi i Kremlinit ishte terbuar. Molotow do ta dënonte sjelljen e Beogradit në një telegram të formuluar shumë ashpër dhe do të arrinte që Tito të tërhiqej nga marshimi për në Shqipëri. Shumë shpejt, udhëheqjes jugosllave do t’i vinte kërkesa për t’u paraqitur për një sqarim të domosdoshëm në Moskë. Beogradi pranoi menjëherë dhe dërgoi një delegacion të lartë, të përfaqësuar nga Edvard Kardelj, anëtar i politbyrose jugosllave dhe numri dy mbas Titos.
Në këtë takim fatvendosës, që u zhvillua më 10 shkurt 1948 në Kremlin, do të ftohej edhe një delegacion bullgar. Arsyeja ishte zemërimi i Moskës me Georgi Dimitrov, udhëheqësin e Partise Komuniste Bullgare, i cili në një fjalim publik kishte hedhur idenë e bashkimit të vendeve të lindjes në një konfederacion. Idea e Dimitrovit, që nuk ishte diskutuar më parë me Mosken, ngjalli një interes të madh në perëndim, sepse udhëheqësi komunist bullgar kishte futur në projektin e tij edhe Greqinë.
Akuzat u formuluan nga Molotow. Pikë mbas pikë ai do të shpjegonte të gjitha gabimet e shokëve nga Ballkani dhe do t’ua bënte të qartë se në të ardhmen vendimet për politikën e jashtme do të duhej të diskutoheshin me Kremlinin. Për habinë e të ardhurve, Stalini do të prononcohej negativisht për luftën civile greke dhe do të përfundonte se cështja greke ka pak gjasa të ketë sukses dhe, për më tepër, sjell vetëm ndërlikime nderkombëtare. Me këtv, ai u sinjalizoi jugosllaveve dhe bullgarëve që ndihma e tyre për komunistet grekë duhej të ndërpritej.
Pjesmarrësit, jugosllavët dhe bullgarët, u treguan shumë të disiplinuar gjatë takimit dhe pranuan gabimet e tyre. Ndvrsa bullgarët më pas ranë në qetësi, Titoja vazhdoi të ndiqte politikën e tij në Ballkan më tutje. Vetëm disa ditë mbas takimit të Moskës, Titoja do takonte përfaqësues të lartë partizanë grekë dhe do t’u siguronte atyre mbështetje të mëtejshme. Kjo mbështetje e Titos erdhi në një moment kur situata në kufirin jugosllav-grek ishte tensionuar keq. Ambasadori Lawrentew, në bisedë me ministrin e jashtëm jugosllav do të informohej se për shkak të provokacioneve të pritshme nga ana e monarko-fashistëve greke, Beogradi e kishte futur të gjithë trupën e armatosur në gatishmëri lufte.
Ca më pak mendonte Jugosllavia nga heqja dorë prej ambicies së saj për Shqipërinë. Por, duke qenë se Tito nuk donte ta provokonte më tej Bashkimin Sovjetik, inciativa për futjen e trupave jugosllave në territorin e Shqipërisë duhej të vinte nga Shqipëria – dhe me të vërtetë, Tirana do të paraqiste këtë iniciativë në Moske. Në këtë kohë, Tirana ishte tërësisht nën ndikimin e Beogradit.
Në mars të 1948, Plenumi i tetë i Partisë Komuniste Shqiptare do të miratonte një resolutë në të cilën, orientimi i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë deklarohej si vijë zyrtare e Partisë. Paralelisht, të deleguarit do të nënshkruanin një dokument sekret ku përshkruhej në një formë të detaluar bashkimi i ushtrisë shqiptare me atë jugosllave.
Labels: Dje
25.6.08
Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (2)
Një vdekje dhe pasojat e saj
Në cështjen e kursit të politikës së jashtme, Politbyroja shqiptare ishte e përcarë. Ndërsa ministri i brendshëm Koci Xoxe insistonte për një afrim me Jugosllavinë, Nako Spiru, ministër i ekonomisë dhe industrisë, ishte përfaqësues i linjës sovjetike. Enver Hoxha lëkundej midis dy pozicioneve, por ndoqi, megjithatë, deri në prishjen jugosllave-sovjetike në vitin 1948, një politikë të qartë projugosllave.
Tensionet në Politbyronë shqiptare do të mpreheshin në nëntor të vitit 1947, kur Beogradi do ta akuzonte Tiranën për ndjekje të një kursi armiqësor ndaj Jugosllavisë. Nën ndikimin e Xoxes, Hoxha do të lejonte fillimin e një hetimi kundër Spirut. Ky, - sipas interpretimit të palës Jugosllave – vrau veten pak pas fillimit të hetimit. Askujt nuk do i shkonte ndërmend në këtë moment që vdekja e Spirut, i cili kishte kontakte intensive me personelin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, do t’i shërbente shpërthimit të konfliktit midis Moskës dhe Beogradit.
Ngjarjet në Shqipëri, e detyruan Stalinin që të merrte situatën vetë në dorë. Në fund tv dhjetorit 1947, ai i kërkon Titos me telegram që të dergonte në Moskë “një njeri të besuar, si psh, Djilas ose edhe dikush tjetër, që e njeh mirë situatën në Shqipëri“. Në mesin e janarit 1948, Milovan Djilas, anëtar i politbyrosë jugosllave dhe njeri nga njerëzit më të afërm të Titos, mbërriti në Moskë dhe po në të njëjtën mbrëmje kreu bisedime me Stalinin dhe Ministrin e Jashtëm Wjatceslaw Molotow. Stalini e solli diskutimin menjëherë tek vdekja e Spirut dhe i bëri të qartë Djilas shqetësimet e tij për zhvillimet në Ballkan. Por, mbas kësaj, diktatori sovjetik do të fliste pro bashkimit të Jugosllavise me Shqipërinë, dhe do shtonte me ambivalencën e tij të mirënjohur, që të dyja vendet do të duhet të presin deri sa të gjendej „një moment i përshtatshëm“.
Dokumentet sovjetike nuk e tregojnë shumë qartë arsyen se përse Stalini kërkonte që të pritej për këtv bashkim. I rëndësishëm për zhvillimet e tjera ishte fakti që Djilas, në raportin e tij nga Moska, do të shprehej pozitiv për rezutatet e bisedës së tij me Stalinin.
Tito u ndje i mbështetur në politikën e tij me Shqipërinë. Po në të njëjtën ditë në të cilën ai mori telegramin e Djilas, ai do t’i drejtohej Hoxhës me kërkesën për të vendosur trupa jugosllave në zonën e qytetit të Korcës, në Shqipërine juglindore. Si arsye, Tito do të përmendte kërcënimin e Shqipërisë nga Monarko-fashistët grekë.
Edhe pse kontaktet midis Beogradit dhe Shqipërisë do të zhvilloheshin në sekret, ato nuk do të ngeleshin të tilla për Kremlinin. Vetëm një ditë pasi Hoxha kishte telegrafuar miratimin e tij për vendosjen e trupave jugosllave, do të mbërrinte në Moskë një shënim i ambasadorit sovjetik në Beograd, Anatoli Lawrentew, në të cilën tregoheshin planet jugosllave.
Labels: Dje
Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (1)
Fakte të reja mbi konfliktin sovjeto-jugosllav të 1948
Jeronim Perovic*
Në 28 qershor 1948, Kominform i kontrolluar nga Moska përjashtoi Partinë Komuniste Jugosllave. Prishja interpretohet si rezultat i ambicjes së Beogradit për të ndërtuar modelin e tij të socializmit. Dokumente të reja vërtetojnë, se parasëgjithash konflikti ishte për zona influence pushteti, dhe u ndez për shkak të Shqiperisë.
Marshalli Josip Broz Tito, udhëheqësi i shumëdiskutuar i Jugosllavisë komuniste, rrezatonte pas fitores mbi Gjermaninë naziste vetësiguri. Ushtria e Kuqe e Stalinit do të marshonte së bashku me partizanët e Titos në fillim të vitit 1945 në Beograd; por këta të fundit, pjesën tjetër të vendit e kishin çliruar me forcat e tyre.
Më pas, Tito do ta përforconte pozicionin e tij nëpërmjet eliminimit brutal të opozitës. Përkundrejt komshijve ai u paraqit i sigurt dhe nuk ngurroi të paraqiste kërkesa territoriale. Kur, në fund të luftës, Tito ngriti kerkesa territoriale për Triesten, qytet brenda territorit italian, një konfrontim ushtarak me forcat e aleatëve perëndimore u anashkalua vetëm në sajë të kompromisit të propozuar nga Moska.
Pavarësisht ambicieve të mëdha politike, Moska i lejoi Titos një hapësirë të madhe në Ballkanin Jugor. Kur, nga mesi i vitit 1947, raporti Lindje-Perëndim filloi të keqësohej, Moska ndryshoi politikën e saj dhe filloi të konsolidonte kontrollin e saj në të gjithë Evropën Lindore. Përpjekje që do të binte ndesh me planet për ekspansion të Beogradit.
Tito luftonte për të realizuar bashkimin me Shqipërinë, ndihmonte luftëtarët komuniste në Greqinë fqinjë dhe mbante një sy tek bashkimi i gjithë zonave të populluara nga sllavët në pjesën greke dhe bullgarë të Maqedonisë. Zhvillimet në Ballkan binin ndesh me parafytyrimet hegjemoniste të Stalinit dhe mbartnin potencial eksploziv për një konflikt edhe më të madh me Perëndimin, i cili në luftën civile greke ishte rreshtuar në anën e regjimit.
Beogradi e konsideronte Shqipërinë si një zonë jugosllave. Një bashkëngjitje e saj, do të thoshte një perforcim i pozitës së Jugosllavisë në Ballkan. Përpos kësaj, tek bashkimi Jugosllavi-Shqipëri, Tito shikonte zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe eliminimin e përpjekjeve të kësaj të fundit për t’ju bashkuar territorit të Shqipërisë.
Moska, fillimisht, as nuk e përfillte Shqipërinë. Bile, kur në vitin 1947 Enver Hoxha u ftua për herë të parë në Moskë, Moska ju drejtua Beogradit për leje. Por, më pas, Kremlini vendosi që të kultivonte një raport të drejtëpërdrejtë me Shqiperinë, gjë që nxiti pakënaqësira në Beograd. Për të eliminuar ndikimin rus, Bogradi u hodh në sulm kundër atyre udhëheqësve në qeverinë Shqiptare që ishin të orientuar ndaj Bashkimit Sovjetik.
Labels: Dje
9.11.07
Oh, nena ime
Nena ime
O nena ime
Ti je punetore
Je duararte
E thjeshte, gazmore
Kur vjen nga puna
me gaz perhere
ne zemer mua
lule me cel
Si ti, punetore
E thjeshte dhe trime
Do t’jem dhe une
O nena ime
8 Marsi
Diten e 8-te marsit
Festen nena ka
Nena qe na meson
Hapat e medha
Sot, me tete Mars
Per nenat puentore
Kenget jehojne plot gaz
Dhe urimet feminore
(marre nga revista Pionieri)
Labels: Dje
12.10.07
Perseritja - nena e dijes ...
... dhe e brainwashingNe postimin e SR Objections? ju lexuat se si i kendohej gjate komunizmit dites se pare te shkolles. Lexuam dhe kuptuam se sa natyrshem shkrihej kufiri midis realitetit dhe manipulimit ideologjik. Artikulli i meposhtem eshte botuar po ne revisten Pionieri, por 6 muaj me vone (ose 6 muaj me pare, asgje nuk ndryshon). Eshte shkruar me rastin e festave te 7-8 marsit. Kur e lexova me erdhen nder mend dy gjera: 1) titulli i postimit - Perseritja nena e dijes - shprehje qe e kemi perseritur aq here gjate kohes se shkolles, por kete here perseritja nuk eshte vetem ne funksion te dijes. 2) Me erdhi nder mend nje loje ku na paraqiteshin dy figura ne dukje identike dhe na kerkohej te gjenim 10 (kryesisht 10) elemente qe jane te perbashket ose 10 elemente qe jane ne njeren figure por jo ne tjetren. Ju mund t'i lexoni te dy postimet sipas deshires, ne fillim objections dhe pastaj perseritjen, ose e kunderta. Ne thelb nuk ndryshon asgje dhe loja eshte e aplikueshme per te dy rastet.
Mesuesit dhe nenatMesuesit jane njerez te nderuar, sepse ata u japin dije brezave te rinj. Por ne vendet borgjeze e revizioniste, mesueist nuk e gezojne nderimin qw u takon. Perkundrazi, ata jetojne vazhdimisht nen kerbacin e varaferise edhe flaken nga puna.
Keshtu, per shembull, ne vitin e kaluar ne SHBA u mbyllen mijera shkolla, u flaken ne rruge 250 mije mesues, si dhe qindra mije nxenes nuk muden te ndiqnin mesimet. Ne RF Gjermane nga shkurtimet e njepasnjeshme te shpenzimeve per arsimin, do te flaken jashte dyerve te shkollave edhe 25 mije mesues. Ne Portugali deri nga fundi i nentorit te vitit te kaluar ne rajonet malore te Serra de Estreles, ne Lisbone e ne disa krahina te tjera 20 mije nxenes nuk kishin bere asnje ore mesimi, duke vazhduar keshtu "pushimet verore" per shkak te mungeses se mjeteve mesimore. Gjithashtu ne rajonin e Lisbones vetem vitin e kaluar u mbyllen 12 shkolla, ndaj nje numer i madh mesuesish mbeten pa pune. Nje dukuri e tille vihet re edhe ne vendet e tjera kapitaliste, si ne Britani, Itali, Spanje , Belgjike, Holande etj.
Shkurtimet ne fondet per arsimin qe ben borgjezia ne vendet ku sundon kapitali, jane gjithashtu shkak qe miliona femije te mos shkojne ne shkolle dhe keshtu numri i analfabeteve te rritet.
Sot ne bote numri i analfabeteve i kalon te 824 milionet. Qelllimi i borgjezise eshte qe femijet e popullit te mbeten pa shkolle, mbasi keshtu ata e kane me te lehte qe t'i shtypin e t'i shfrytezojne. Perballe kesaj gjendjeje, ne shume vende te botes mijera e mijera mesues e nxenes here pas here hidhen ne deostrate kunder pakesimit te shpenzimeve per arsimin, mbylljes se shkollave etj.
Edhe gjendja e grave, ashtu si edhe gjendja e masave te tjera punonjese, ne vendet ku sundojne kapitalistet e revizionistet eshte teper e rende. sot ne bote grate perbejne numrin me te madh te analfabeteve. Grate punojne ne pune te renda dhe paguhen shume me pak se burrat. Ajo qe ben edhe me te rende gjendjen e gruas eshte papunesia. Ato jane te parat qe flaken ne rruge. Ne Britani, nder 3 milione e ca te papune, pjesen me te madhe e perbejne grate, ndersa ne SHBA 52.7 per qind te papuneve e perbejne grate. Pra, kur nenat jane te papuna femijet e tyre jo vetem qe nuk kane mundesi te vazhdojne shkollen, pasi nuk perballojne dot shpenzimet, por jetojne ne mjerim.
Per keto arsye, mesuesit, grate, nenat ne vendet kapitaliste re revizioniste e ngrene zerin e gjithmone e me shume bashkohen ne radhet e fuqishme te proletariatit.
Labels: Dje
9.10.07
Objections?
Erdhi shtatori dhe te gjithe ju pioniere te dashur u ulet ne bangat e shkolles, te rrethuar nga kujdesi ateror i Partise dhe i shokut Enver. Por per moshataret tuaj ne vendet kapitaliste e revizioniste gjendja eshte krejt ndryshe. Qeverite ne keto vende nga viti ne vit i pakesojne shpenzimet per arsimin, shtojne taksat per shkollat, rritin cmimet e librave, flakin ne mes te kater rrugeve mesuesit. Keshtu qe dyqind milione femije ne bote sot jane pa arsim e dije. Duke qene se pjesa me e madhe e prinderve te tyre jane punetore te varfer ose te papune, keta femije detyrohen te enden rrugeve per te gjetur pune ose per te lypur. Femije te tille ka jo vetem ne vendet e Afrikes, te Azise e te Amerikes Latine, por edhe ne rruget e qyteteve te Evropes, te SHBA-se etj. Mbi supet e tyre qe ne moshen 6-vjecare rendin pesha e rende e shfrytezimit te eger kapitalist.
Varferia ka pllakosur shume vende te botes. Keshtu, psh, sot ne bote vuajne nga uria dhe na ushqimi i pamjaftueshem 610 milione njerez. Shtypi i huaj shkruan se po te vazhdohet me ritmet e tre viteve te fundit, ne vitin 2000 do te kete nje miliard njerez te uritur. Cdo vit nga uria dhe nga mungesa e ushqimeve vdesin mesatarisht 40 milione veta, gjysma e te cileve jane femije. Sipas te dhenace te botuara nga shtypi i huaj del se nga 122 milione femije qe linden me 1980, 12 milione vdiqen pa mbushur vitin.
Ne kushte te tilla shfrytezimi e varferie, numri i femijeve analfabete shtohet nga viti ne vit. Sot ne bote ne cdo pese veta njeri eshte analfabet. Parashikohet qe ne fund te shekullit do te jene shume me teper. Dhe keta analfabete nuk jane vetem ne vendet e pazhvilluara, por edhe ne vendet e industrializuara. Ne vendet e Tregut te Perbashket Evropian ka rreth 15 milione analfabete. Numri i analfabeteve ne Itali arrin ne 2.5 milione, ne RFGJ 1.5 milione, ne Britani me se 2 milione, ne SHBA rreth 25 milione.
Vetem gjate vitit 1982, ne RFGJ u regjistruan ne zyrat e te papuneve 18636 mesues. Edhe gjate vitit ne vazhdim shume mesues do te mbeten pa pune. Qysh nga viti 1979 e ketej, ne Britani jane mbyllur dyert me se 800 shkolla fillore e te mesme dhe jane pushuar nga puna 105 mije mesues. Shembuj te tille ne vendet kapitaliste e revizioniste ka aq shume, sa s'i permendim dot ne nje shkrim.
Lind pyetja: Pse ndodh keshtu? Pergjigja eshte e qarte: Sepse qeverite e ketyre vendeve duan t'i mbajne popujt ne padituri, qe t'i shfrytezojne sa me teper, qe proletariati te mos ngrihet ne lufte per liri e barazi. Por ne te vertete proletariati dhe njerezit perparimtare te botes po e rritin dhe po e forcojne cdo dite luften e tyre kunder shtypjes, shfrytezimit dhe paditurise.
Labels: Dje
29.9.07
Plot gjalleri e gezim pionieri
Ate pasdite salla e shfaqjeve e Shtepise se Pionierit "Fato Berberi" ne Gjirokaster ishte mbushur plot e perplot. Ishin me se 300 pioniere. Zhvillohej konkursi i gjuhes dhe i leximit letrar midis shkollave 8-vjecare.
Pionieret njihnin mire jo vetem lendet mesimore te gjuhes e leximit letrar, por kishin lexuar edhe mjaft libra, recitonin bukur dhe paraqiten aty edhe mjaft krijime te rretheve letrare te shkollave. Ne konkurs u dalluan me shume pionieret e shkollave te Fushebardhes, te Dhoksatit, te shkollave "Koto Hoxhi" e "Urani Rumbo" etj. Pergjigjet e gjalla e te sakta te Fatmirit, Almes, Dritanit, Fadiles, Kastriotit, Adriatikut, Etleves, Ardianit, Afronit, Laures, Aferdites, degjoheshin plot vemendje dhe duartrokiteshin nga spektatoret.
Shtepia e pionierit eshte plot gjalleri jo vetem ne diten e konkurseve. Aty veprojne rregullisht 25 rrethe, ku marrin pjese me dhjetera femije te qytetit dhe te fshatrave te aferta. Nder me te mirat jane rrethet e natyralisteve, te rrobaqepsise, te punimdrurit (ne kete rreth ishin 20 pioniere nga fshati), rrethi i teatrit, i estrades, i valleve, i piktures, i shahut etj. Ne keto rrethe pionieret e fatosat mesojne e argetohen, forcojne shoqerine midis tyre. Me shume deshire vijne pionieret ne rrethin e piktures dhe nga duart e tyre tashme dalin vizatime te bukura. Ne fletoret e tyre te vizatimit shikon pamje te bukura nga qyteti i Gjirokastres.
Por punime te bukura artistike kane bere edhe pionieret e rrethit te punimdrurit e te gurit. Me shume gezim vijne pionieret ne rrethin e shahut. Vajzave nuk u behet te ngrihen prej tryezave te kesaj loje te bukur, sekretet se ciles ua meson instruktori i tyre. Ketu zhvillohen edhe shume veprimtari kulturore e artistike te pioniereve. Keshtu, organizohen here pas here takime me shkrimtare, aktore te teatrit dhe te estrades, pergatiten ne bashkepunim edhe me shkollat shfaqje te ndryshme, konkurse te zerave te vegjel, konkurse te fjales artistike etj.
Pionieret e rrethit letrar, ne bashkepunim me rrethet letrare te shkollave, po punojne per pergatitjen e nje almanaku letrar, ku do te permblidhen vjersha e skicat e tyre me te bukura.
Se shpejti pionieret do te organizojne nje pasdite shkencore me temen "Kimia dhe prodhimi", nje tjeter pasdite me natyralistet e rinj te rrethit, pasdite tematike me veterane te luftes e te punes etj.
Keshtu, plot gezim e gjalleri e kalojne kohen e lire pionieret gjirokastrite ne Shtepine e tyre te Pionierit "Fato Berberi".
Labels: Dje
22.9.07
Duke shfletuar kalendarin (revista "Pionieri", 1983)
1 Shtatori - dita e pare e shkolles. 1 shtatori tek ne eshte festa e bukur e te gjithe femijeve, fatosa e pioniere, te cilet fillojne mesimet nje vit me lart plot deshire e zell per te arritur perfundime sa me te larta.
3 Shtator 1944 - Forca te divizionit I sulmuese te UNCSH-se cliruan qytetin e Dibres.
4 Shtator 1943 - U mblodh ne Labinot te Elbasanit Konferenca II Nacionalclirimtare.
7 Shtator 1942 - Forcat partizane cliruan Corovoden nga pushtuesit fashiste e nga tradhetaret.
8 Shtator 1943 - U shpall kapitullimi pa kushte i Italise fashiste
8 Shtator 1943 - U ekzekutua nga nazistet gjermane Julius Fuciku, gazetar i shquar dhe revolucionar i paepur cekosllovak (lindi me 1903).
8 Shtator 1943 - Formohet zona e pare operative Vlore-Gjirokaster, formacioni madh luftarak partizan.
9 Shtator 1828 - Lindi Leon Tolstoi, shkrimtar i madh rus (vdiq me 1910).
11 Shtator - Dita e novatoreve dhe racionalizatoreve.
12 Shtator 1944 - Forca e brigades VII Sulmuese cliruan qytetin e Beratit.
13 Shtator 1943 - Forcat e Ushtrise nacionalclirimtare cliruan qytetin e Permetit.
13 Shtator 1968 - Kuvendi popullor i RPSH denoncoi njezeri traktatin e Varshaves, sepse sic ka thene shoku Enver ndryshoi karakteri dhe qellimi i tij. Nga nje traktat per mbrojtjen e lirise dhe te pavaresise se shteteve socialiste, per mbrojtjen e popujve dhe te paqes, ai u shnderrua ne nje traktat per skllaverine e vendeve pjesmarrese ne te ddhe ne mjet te politikes imperialiste te rrezikshme sovjetike kunder popujve dhe sigurimit nderkombetar.
15 Shtator 1943 - Batalioni "Baba Abaz", se bashku me popullin, cliruan qytetin e Tepelenes.
16 Shtator 1942 - Filloi punimet ne Peze Konferenca e Pare Nacionalclirimtare, ne te cilen e u hodhen themelet e Frontit Nacionalclirimtar dhe te Pushtetit Popullor.
18 Shtator 1944 - Forcat e Brigades XIV Sulmuese, ne bashkeveprim me forcat e brigades XIX Sulmuese, Cliruan Gjirokastren. Rrethit te Gjirokastres i eshte dhene titulli i larte i nderit "Hero i punes socialiste".
24 Shtator 1933 - U formua ne Korce shoqeria e punetoreve te ndertimit "Puna", e para organizate profesionale qe udhehiqej nga grupi komunist i Korces.
Shtator 1938 - Kete muaj rane heroikisht ne Ebro te Spanjes Musa Fratari dhe Xhemal Kada, Heronj te popullit.
Labels: Dje
Cicerimat e para tek revista "Pionieri" (1983)
... ne vend te intermexos
Me duart tona
mbollem ca fidane
sot me duart tona
do te shkojne vite
dhe do lidhin kokrra
do vemi t'i vjelim
t'i futim ne arka
edhe do te themi
sa shije qe paskan
kane shijen e mundit
kane shijen e djerses
kete e provon
vetem kur te mbjellesh
Qyteza jone
qyteza jone buze Jonit
e bukur si parcele limoni
dimer vere ne blerim
sikur viti te kete nje stine
ketu njerezit s'e kursejne djersen
rritin, zbukurojne qytezen
te duart e tyre qendron
bukuria e qytezes sone
Labels: Dje
Subscribe to:
Posts (Atom)