7.9.07

Ndryshimi i curriculumeve...

... punonjësve të Universitetit - një domosdoshmëri për reformimin e sistemit universitar

Shumë është folur dhe po flitet për reformimin e sistemit universitar. Po bëhen ndryshime në ligjshmëri, po adaptohet pakti i Bolognes - përpjekje këto që tek e fundit prekin formën por jo domosdoshmërisht cilësine e mësimdhënies në universitet. Me përjashtime, universiteti shqiptar ofron sot një nivel mediokër njohurish, nuk kultivon kreativitetin, të menduarin e pavarur, nuk zhvillon aftësitë praktike të studentëve, nuk i bën ata të aftë të marrin pjesë si të barabartë në tregun ndërkombëtar të punes. E thënë shumë cinikisht, Universiteti Shqiptar është ndoshta i vetmi universitet në botë nëpër korridoret e të cilit, mbas orës 14.00 (dhe gjatë gjithë sezonit të pushimeve), lëvizin vetëm minjtë dhe roja i derës. Një nga arsyet e kësaj gjendjeje është niveli i ulët i curriculumeve të profesorëve dhe asistentëve, shumica e të cilëve janë edukuar dhe përgatitur në kushtet e izolimit të plotë të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, izolim jo vetëm politik por edhe shkencor. Si rrjedhim, ky brez, jo për faj të tyre, mund të kontribuojë në mënyre fare modeste në këtë etape të re në të cilën ka hyrë zhvillimi i Shqipërisë.
Është e pakuptueshme sot të vazhdohet me seleksionim pofesorësh dhe asistentësh me sistemin e kritereve të para 10 vjetëve. Është gati një domosdoshmëri që një brez i ri punonjësish të punësohet në Universitet, një brez që do të jetë në gjendje jo vetëm të ndryshojë atmosferën depresive por edhe ta bëjë këtë institucion të denjë për emrin që mban. Ky brez i ri duhet të ketë curriculume të njëhsueshme me atë të kusurit të botës: Të kenë titullin PhD, të kenë kaluar disa vite Post-Doktorature, të kenë një listë të konsiderueshme botimesh, të kenë botime në revistat prestigjioze të fushave ku punojnë, të kenë aftësi mësimëdhënie, të kenë mundësinë dhe aftësinë e vjeljes së fondeve që do të lejojnë ndërtimin dhe funksionimin e laboratorëve shkencore ku do të përgatitet një tjetër gjeneratë studentësh. Ajo çka e bën të mundshëm teknikisht realizimin e një ndryshimi të tillë, dhe që në të njëjtën kohë e bën të pajustifikueshëm mosrealizimin e tij, është fakti që sot janë me qindra shqiptarët që kanë bërë një karrierë të admirueshme akademike dhe që mund të thirren të kontribuojnë edhe për Universitetin Shqiptar.

Problemet dhe rrugëdaljet

Një zbatim radikal i kritereve të reja për curriculumet do të sillte armiqësimin midis brezave, një problem ky aspak i lehtë. Nga njëra anë brezi i vjetër, vetëkuptueshëm i identifikuar me atë që kanë arritur gjatë një jete, një karrierë që rrezikohet të shndërrohet në asgjë. Nga ana tjetër brezi i ri, me te ardhme që do t'i duhet të punojë në një atmosferë tepër të hidhur dhe shumë refraktare. Një eksperience të tillë Shqiperia e ka kaluar tashmë. 10 vjet më parë brenda "24 orëve" e gjithë burokracia e vjetër-e kuqe do të hidhej në rrugë e do te zëvendësohej me atë të renë-blunë, në përmbajtje po aq të vjetër sa edhe tjetra. E ndërsa për të rinjtë e për të vjetërit bota vazhdoi te vërtitej, për ata që ishin akoma të rinj dhe energjetikë për të dalë në pension por mjaftueshëm të vjetër për të filluar e për t'u adaptuar në një jetë të, bota u copëtua për të mos u bërë më. Përsëritja e një eksperience të tillë nuk është e nevojshme. Cilat do të ishin zgjidhjet? Zgjidhja ime do të ishte si më poshtë. Brezat e rinj të punësuar në Universitet duhet të inkurajohen të pasurojnë curriculimet e tyre e t'i bëjnë ato kompatibile me ato të kolegeve të tyre jashtë shtetit. Për ta nuk është vonë t'u hyjnë programeve të PhD. Profesorët e vjetër mund të nxirren më herët në pension dhe/ose (sipas meritave) të kalohen në statusin e Profesorit të Nderit, duke ju mundësuar kushte qe i lejojnë të studiojnë në ambjentet e univesitetit. Brezi as i ri dhe as i vjetër, por edhe më të vjetrit, fare mirë mund të inkuadrohen në mësimdhënie së bashku me atë të riun, duke ndihmuar njeri-tjetrin.

Një problem jo më i vogël se i mësipërmi është kthimi i akademikëve shqiptarë dhe integrimi i tyre. Ky brez, përpos profesionalisht në avantazh, është i edukuar me një mentalitet shumë të ndryshem, një liri akademike (akoma) të paimagjinueshme për punonjësit e universitetit dhe është mësuar me një liri financiare që i lejon të zhvillojë punën shkencore, kushte këto që Shqipëria nuk ja dhuron dot. Nuk po përmend fare pagesën qesharake me të cilën një profesor paguhet në Universitet. Në kushte të tilla duhet që të zhvillohen politika dinamike të tilla që nuk i mbajnë të burgosur këta akademikë në Shqipëri, politika që do ju mundësonin atyre vazhdimin e karrierës në vendet ku janë dhe, në të njëjtën kohë, integrojne dijen e tyre teorike-praktike në Shqiperi. Organizmi i leksioneve dhe punëve eksperimentale në blloqe disa javore do të ishte një zgjidhje dhe kompromis për të dy palët.

Ku çon një reformë e tillë?

Me një reformë të tillë do të mundësohet së pari, që studentët shqiptarë të mos largohen nga vendi dhe të marrin një diplomë të nivelit "Bachelor" cilësisht të krahasueshme me atë perëndimore. Së dyti, do t'u mundësonte studentëve që kane një titull "Bachelor" të jenë jo vetëm kandidatë të aftë për të konkurruar në programin "Master" të paraparë në "Bologna" por edhe kandidatë të aftë për industrinë. Së treti, një diplomë dinjitoze "Bachelor" do të jetë ndoshta edhe një atraksion dhe ftesë për investime në shumë degë të industrisë. Së katërti, do të kultivoje një edukatë të re pune dhe një model të ri individi për shoqërinë shqiptare krahas asaj të mafiozit, politikanit dhe kukullës televizive. Së pesti, do ta bëjë vetë universitetin shtetëror të fuqishëm përballë atyre private. Dhe së fundi, do të mundësonte një revolucion cilësor me minimumin e investimeve financiare.

(botuar fillimisht tek Shekulli)