Eshte e djele. Heret. Jemi ne tren; une, Mr. T. dhe femijet. Po largohemi nga rutina e javes per ne Bern, kryeqyteti zviceran. Jemi rehatuar neper sediljet tona; une me te dy femijet ne sediljen e majte, Mr. T. ne sediljen e djathte. Kemi nxjerre librat e gazetat dhe kemi zhytur kokat ne to. Nuk ka shume njerez ne vagon; disa familje qe ndoshta, ashtu si edhe ne, po i cojne femijet ne kopshtin zoologjik. Mbreteron nje heshtje e mrekullueshme, nga ato qe njeriu i gjen vetem ne tren. Lexojme.
Heshtjen e prishin zera te larte te rinjsh qe sapo kane hyre ne vagonin tone. Qeshin, perdorin fjale vulgare dhe ulen direkt mbas sediljeve tona. Ndjej eren e lekures, me vjen pak si ere palarje. Behem kurioze dhe kthej koken mbrapa te shoh. Nga ana e djathte, mbas sediljes se Mr. T. jane ulur tre te rinj; mbas meje dy: njerit i shoh fytyren, tjetrit vetem majen e kokes. Rri nje minute duke i veshtruar. I riu te cilit arrij t'i shoh fytyren ka floke bionde, te prere shkurt, me pak balluke. Duhet te jete i gjate, eshte i imet dhe mbi te njezetat. Sy bojeqielli. Ne te vertete aspak i shemtuar. I shoh xhaketen e lekures; e zeze, paksa e fryre. Ndjej dyshimin e pare te me vije dhe kerkoj. E gjej. T-shirti poshte xhaketes eshte i zi. Mbi te mbishkrimi: Neonazi Argau.
Rruga per ne Berne kalon permes kantonit te Argaut, nje kanton qe njihet si Hochburg (keshtjelle) e Partise Popullore, SVP. Nje kanton qe ne koloritin lokal te hierarkive luan gjithmone rolin e percmuar te "atij": konservativ, i thjeshte ne mendje, klient i Dolce&Gabana, fabrika qe prodhon tussis (femra te reja, plot makiazh, me bark zbuluar, pantallona te ngushta, taka te larta) dhe neonazistet. Kantoni me perqendrimin me te madh te te huajve nga Ballkani.
Zbulimi i neonazisteve ishte njera nga ato cudite qe shoqeruan njohjen time me vendin e ri. Nje nga ato cudite qe me shoqeron deri me sot. Per here te pare i pashe ne nje 1 Gusht, ne televizor; teksa lajmet percillnin fjalimin e pervitshem te presidentit te Zvicres. Me 1 Gusht 1291; perfaqesues te tre kantoneve, Uri, Schwyz dhe Unterwalden; u mblodhen ne nje vend te quajtur Rütli dhe vendosen krijimin e Zvicres. Pikerisht, ne vendin e quajtur Rütli, ku presidenti i Zvicres mban fjalimin perkujtimor; neonazistet, disa dhjetera, prishen fjalimin e presidentit. Me fishkellima, me thirrje, me bilbila; me ze te larte, me i larte se ai i presidentit. Publiku sheh dhe hesht. Policia sheh dhe hesht.
Identifikimi i te rinjve me nazistet eshte dhe ngelet per mua i pashpjegueshem. Por, ndoshta kjo ka te beje me faktin se njerezit si une, luften e dyte boterore e kane pjese te trashegimise. Gjyshi im eshte nje viktime e kesaj lufte. E vrane fashistet. E varen. Ishte viti 1941 dhe gjyshi vetem 21 vjec. I ri dhe plot me ideale per te cilat la studimet pergjysem. Per te cilat la nje grua te ve me dy vajza; njera e sapolindur, tjetra gati 2 vjec. E sapolindura eshte mamaja ime.
Gjyshi nuk ishte komunist dhe as nuk u be; ndoshta sepse nuk arriti. U kthye ne Shqiperi per te organizuar rezistencen, per te shporrur pushtuesin, per te sjellur lirine. Gjyshja ime ishte asokohe shume e re, shume e bukur dhe shume e lumtur. Kishte rene ne nje burre i cili e donte; qe i sillte parfume eremira, qe i sillte sapune me shkume si kremi, rroba te bukura dhe shume perkedheli. Nje burre qe e mori ne shtepine e tij, qe i dhuroi dy femije dhe enderren e bukur te familjes. Ishte burre xhentil, im gjysh. Dhe shume i mencur. Ndoshta prandaj kishte kaq shume thinja midis flokeve te tij te zinj ne ate moshe te re. Cdo gje do te kishte shkuar si ne perralla per ciftin e ri. Por pllakosi lufta.
Jemi ulur ne dhomen e kafese. E quajme keshtu sepse na sherben per te pire kafene ne kohen e pushimit. Mblidhemi dhe shkembejme ndonje fjale me njeri-tjetrin, tregojme per problemet e jetes, per aventurat e pushimeve, per dashurite dhe krizat, per problemet e punes. Nganjehere dikush i shton kafese nje embelsire te bere vete. M. hyn me hapin e saj te qete dhe me trupin si gjithmone paksa perpara. Merr filxhanin e saj, shkon tek makina e kafese dhe e mbush me kafe. Ulet ne tavolinen e gjate, te mbushur gati plot nga njerezit, hedh nje veshtrim te gjitheve ne dhe thote:
- E morret vesh. Kosovaret kishin rrahur prape ca te rinj ne stacionin e trenit ne Olten. (kanton Argau).
- Sikur ishin neonaziste, - nderhyn Stefan.
- Jane bere te paduruar, jemi bere me ankthe, po na rrahin femijet, - vazhdon M. me tension.
Dhomen e ka pushtuar heshtja.
***********************************
Derrat cifute, shqiptaret e m..., die Ausländer te ndyre, - thone neonazistet mbrapa nesh. Me ze te larte. Heshtja e vagonit e ben zerin edhe me te larte. Fjalet edhe me te renda. Kjo eshte hera e pare qe neonazistet i kam kaq afer. Kjo eshte hera e pare qe e ndjej se ndodhem perpara nje situate serioze. I hedh nje sy Mr. T. Ja ndjej tikun e nervit te kontraktuar, ja ndjej shtrengimin e dhembeve, ja ndjej shikimin e ngurtesuar, qe here pas here i largohet gazetes dhe shkon tek neonazistet. Eshte i ndjeshem Mr. T. I ndjeshem ndaj diskriminimit, ndaj urrejtjes, ndaj dhunes. I lutem me nje veshtrim syri dhe nje gisht tek buza te mos reagoje. Ai me siguron duke mbyllur pohueshem syte.
Ndjej qe ndihem pak si e huaj. Shqiptari i m... - jam edhe une. Ndjej se flas me tim bir gati me peshperima, sikur kam frike se mos me degjojne dhe e marrin vesh. Ndjej, qe filloj te komunikoj me tim bir me prekje ne vend te fjales, e gjej veten tek delegoj komunikimin me femijet tek Mr.T. Cuditem me kete ndryshim timin. Kam pas besuar se nuk ka asgje qe me tremb. Kam kaluar situata jo te lehta ne jete. Por, sot ndjej vetekontrollin te mbyse cdo shenje jete te impulsivitetit. Ndjej vetekontrollin te me beje te vogel, te vockel, edhe me te vockel; gati te padukshme. Ju hedh syte femijeve dhe Mr. T. dhe kuptoj qe kam arritur ne ate faze te jetes sime ku njeriu/gjaku eshte bere shume me i rendesishem sesa vetevetja. Ne ate faze ku njeriu ka arritur te kete dicka te tijen. Ne ate faze ku frika e humbjes eshte e madhe. Ku konfrontacioni nuk eshte me prioritet, bile as edhe opsion. Hesht. Si une te gjithe te tjeret.
Ime gjyshe ka nje fotografi te gjyshit. Bardhe e zi. Ne te duket nje i ri simpatik, paksa ezmer, me fytyre te qeshur. Duket me i vjeter ne moshe. Kjo eshte e vetmja fotografi e tij. Nje fotografi qe nuk e ka kapercyer kurre pragun e shtepise. Nje fotografi qe nuk ka dale kurre nga kutia e gjerave te shtrenjta te sime gjyshe. Gjyshja ime eshte 85 vjece dhe ka jetuar nje pjese te rendesishme te historise se Shqiperise. Jane ngjarje e kujtime qe mua me duket sikur vijne nga nje bote tjeter. Si pune perrallash. Por jo tamam.
3 here eshte djegur shtepia ku e futi gjyshi e ku ajo lindi vajzat: dy here nga italianet dhe nje here nga gjermanet. Neper pyjet ku perpiqej te shpetonte koken nga perndjekjet humbi vajzen e madhe. E vogla arriti te mbijetonte dhe te krijonte familjen e saj. Te kishte dy vajzat e saj.
Mamaja ime nuk ka asnje fotografi te gjyshit, nuk ka asnje kujtim prej tij. Nuk ka ato kujtime qe une dhe ime moter kemi (i ndajme) per/me babain tone: momentet e bukura dhe te keqija, te qeshurat apo te qarat, ecjet dore per dore apo zenkat per hicgje, tekat e pubertetit dhe diskutimet bindese pa fund, lotet dhe perqafimet, ledhatimet dhe doren e ngrohte ne momentet e veshtira. Jo, ajo nuk i ka provuar kurre keto momente. Edhe pse ndoshta do i kete deshiruar shume. Por, megjithate, i jati eshte tempulli i saj. Tempulli ku ajo rrefen dhimbjet e veta, enderrat e veta, ku qan dhe qesh, ku con lule. Tempulli me te cilin ajo krenohet. Tempulli me te cilin ajo betohet. Tempulli ku ndalej marrezia e moshes per mua dhe time moter. Tempulli qe na bente te ndiheshim te pafuqishem dhe, prandaj, edhe perpiqeshim t'i qendronim larg.
M. na hedh nje veshtrim te gjitheve, nje per nje. Te tjeret hedhin fshehurazi nje veshtrim tek une. I ngrene syte, m'i ngulitin per nje sekonde dhe i ulin me shpjetesi prape poshte. Une nuk di c'te bej. I hedh nje sy M. qe ma merr veshtrimin si ftese per te komunikuar.
-Po na rrahin djemte, keta te huaj, - me thote pa e fshehur nervozizmin. Nuk eshte hera e pare. Po behet rruge. Po na rrahin ne shtepine tone.
E veshtroj ne sy dhe kuptoj qe nervozizmin e ka te sinqerte. Largoj syte dhe rrufis kafene qe po ftohet. Me vete filloj te vras mendjen se perse nje njeri si M. qe punon ne nje institucion akademik si ky i yni ndjehet kaq e prekur qe disa kosovare paskan rrahur disa neonaziste.
************************
M. ben pjese tek ata njerez qe jane gjithmone dyshues per te huajt. Edhe pse i duhet te tregohet e rezervuar; punon ne nje mjedis ku i huaji eshte gjithepresent: shume prej kolegeve jane te huaj, shumica e kolegeve te martuar me te huaja. Kolegu yne zviceran A. eshte prej vitesh i martuar me nje grua nga Afrika. Ne biseda private, M. insiston, duke peshperitur, se kjo martese nuk mund te jete e lumtur; njerezit nga Afrika kane nje kulture kaq te ndryshme nga kultura jone europiane. Pastaj me sheh mua dhe perpiqet te rregulloje pozicionin e sikletshem ku eshte futur duke me perfshire edhe mua ne kulturen e saj: shqiptaret jane evropiane. Por ... vetem une.
Ndoshta eshte vetem pershtypje e imja, por qendrimi i zviceraneve ndaj neonazisteve me vjen i bute. Statistikat tregojne nje rritje te numrit te neonazisteve viteve te fundit, rritje qe vjen perkrah me shtimin e numrit te te huajve. Para pak kohesh ne nje reportazh te "das Magazin", nje reviste zvicerane, raportohej per nje fshat ku gati te gjithe te rinjte veshin uniformen simbol te neonazisteve. Per ta, ky eshte akt i tregimit te armiqesimit me te huajt, me keta kriminele qe po prishin rehatin dhe qetesine e tyre publike. Asnje prej tyre nuk kishte pasur asnje incident direkt me te huajt. Asnje prej tyre nuk ishte ne kontakt me te huajt: e megjithate, gogoli i huaj eshte ne mendjen e tyre.
Jane te dhunshem neonazistet. Ne Zvicer me pak. Ne Gjermani me shume. Por viktimat e tyre jane kudo. Kryesisht me lekure te zeze si Mr. C., britanik me origjine afrikane, qe keto dite kerkon t'i japi fund jetes ne Zvicer, ku te lejojne t'i japesh fund jetes; para 20 vjetesh e masakruan neonazistet, diku ne nje qytet gjerman ku Mr. C. punonte, ose sinagogat apo varret e cifuteve te demtuara; apo sulmet kunder te rinjve shqiptaro-ballkanik qe kalojne kohen te stacioni i trenit.
Vagonin e dominojne neonazistet, te cilet duket se jane fare te vetedijshem per efektin e uniformes qe mbartin, per efektin e statusit qe ua jep ideologjia se ciles i perkasin. Djaloshi bjond mbrapa meje ka nje fytyre te mbushur me gjurme plagesh. Me duken si gjurme te lena nga thika: roze ne te kuqe, diku pak me te trasha, diku pak me te holla. Djaloshi bjond duket se eshte komandanti - der Führer i ketij grupi me 5 vete. Ndoshta jane plaget e shumta ne fytyre ato qe ja japin udheheqjen. Te rinjte flasin ne dy gjuhe: gjermanishte lokale dhe frengjishte. Shpejt e kuptoj se i riu te cilit i shoh vetem majen e kokes eshte ose francez, ose nga pjesa zvicerane franceze. Mikut i tregohet per nje koncert te nje grupi neonazistesh, ku pjesemarresit i kishin nxjerre te gjitha te keqiat e ligesite e mendjes dhe shpirtit derisa ishin ngjirur. Dhe pastaj kishin marre shkopat e bejzbollit dhe kishin dale per gjah. Por, kishin pasur fat te huajt ate nate, sepse ishin kthyer heret neper shtepira. Oui, oui, - pergjigjet miku.
Dygjuhesia e te rinjve me jep nje pamje te re te neonazisteve. Perkunder asaj qe kisha besuar, keta nuk ishin njerez te paedukuar; keta dine te shkruajne e te lexojne, kane mbaruar shkolla profesionale; kane nje zanat. E megjithate, kjo nuk mjafton.
Keta njerez qe perbetohen per rregullin publik te prishur nga te huajt, keta njerez qe vrasin e lendojne ne emer te rregullit publik; kane nje sjellje teper vulgare. Kepucet e zeza, te pista, ushtarake me qafa deri diku poshte gjurit i kane vene drejt e mbi stofin e sediljes. Hane sikur rregullat e ngrenies te mos kishin ekzistuar kurre: me goje hapur, me therrime qe ju bien nga goja teksa flasin, e mbeturina qe hidhen pertoke edhe pse m'u aty afer dores eshte koshi i plehrave. Flasin sikur miresjellja te ishte nje tipar i botes njerezore parale qe kerkojme neper univers: me ton te larte, arrogant, fjalor vulgar, fjali te pambaruara sepse te nderprera nga te qeshura histerike, apo gjuajtje kembesh e duarsh njeri-tjetrit. Ne boten e tyre te vogel vagoni yne - publikja gati nuk ekziston. Ne boten e tyre te vogel vagoni - publikja duhet te heshte, te ndjeje frike prej tyre. Kjo na behet shume e qarte. Pyes veten ne se ishin keshtu perpara se te takonin ideologjine, apo i beri ideologjia te tille.
Diku tutje shfaqet kontrollori i biletave. Njerezit, deri tani gati inekzistente, fillojne te kerkojne neper canta e bejne gati biletat dhe abonete. Vagoni perfshihet nga shushurima e kerkimeve.
Po vjen kontrollori, thote njeri prej neonazisteve te sediljes se djathte.
Ku eshte m...?, pyet der Führer, dhe shikon andej nga tregon veshtrimi i shokut.
Degjoni, thote der Führer, ndersa syte i kane marre nje veshtrim te kuq te ndezur. Mos ja nxirrni biletat. Shtrihuni dhe beni sikur po flini. Lereni te llape sa te doje, mos ju pergjigjni. Hajt t'i japim nje mesim ketij krimbi.
Te tjeret fillojne te qeshin. Miku francez kerkon te dije. Der Führer perkthen.
Oui, oui, hahaha, pergjigjet miku.
Une u shtriva, thote der Führer.
Une shoh kembet e tij te hyjne ne cepin tim te syrit te djathte. Kthej koken dhe shoh qe eshte shtrire ne sedilje sa gjate-gjere e fillon te gerhasi me ze te larte.
Hahaha - oui, oui, - hahaha.
*********************
Gjyshin e kapen nje dite vere. Dielli sapo kishte perenduar. Ai sapo ishte kthyer nga Italia. Kishte puthur gruan dhe vajzat, kishte mbyllur syte, kishte thithur eren e familjes se tij dhe kishte hapur valixhen me dhurata. Kishte nxjerre parfumin qe ai ja pelqente aq shume, sapunin me shkume kremi qe ajo pelqente aq shume dhe shallat tantelle qe ajo donte t'i kishte gjithmone perreth qafes se saj te gjate dhe te holle. Ajo shtronte tavolinen pa e fshehur fergellimen qe i shkaktonte cdo kthim i tij.
Ata ishin shume. Kishin thyer deren e shtepise me perdhune, kishin hyre, e kishin kapur dhe kishin dale me te perjashta po aq shpejt sa edhe hyne. Mbrapa lane gjyshen me duar lidhur perpara gjoksit, dy vajzat e vogla duke qare, darken e paprekur. Valixhja e hapur mbante brenda saj gjysmat e dhuratave akoma te pahapura.
Gjyshe, na trego pak per gjyshin, kerkojme une dhe ime moter sa here qe jemi ne Shqiperi. Ky eshte nje lloj rituali per ne; drejtojme te njejten pyetje, marrim te njejten pergjigje. Megjithate, na pelqen ta degjojme e ridegjojme kete histori. Kete jotamam perralle.
Syte 85 vjecare te gjyshes perhumben. Dora e djathte ben nje levizje prej psheretime. Eh, gjyshi juaj, thote ajo ngadalshem dhe e zhytur ne kujtimet e bukura. Ishte i bute, gjyshi juaj, kishte fjalen e embel. Nuk me shau kurre; edhe kur gjella kishte shume kripe e nuk hahej, as kur une e digjja ate. Me shume merzitesha une. Me prekte bute, me prekte floket, me puthte lehte e m'i hiqte rrobat sikur te ishin petale.
Gjyshja ngrihet. Shkon ne dhomen e saj dhe kthehet me kutine e saj te kujtimeve te pavdekshme, qe e mban fort me te dy duart para gjoksit. E hap, nxjerr prej saj fotografine e tij, e sheh nje minute, e lemon fytyren e tij me doren e saj te rreshkur dhe na i kalon ne. Ne e shohim me vemendje fotografine e tij te vetme dhe kerkojme ta perfytyrojme duke levizur ne rrefenjat e gjyshes sone. Pastaj, ajo fut doren perseri dhe nxjerr sapunin, sapunin qe ai i solli ate nate; ate nate te fundit. Eshte nje sapun i bardhe, i vjeter sa mamaja, i lemuar nga prekja e duarve, me te cara nga thatesira dhe koha. Pa ere. Era i ka ikur.
Thone qe gjyshin e kishte spiunuar nje shok. Thone qe shoku e spiunoi sepse donte gjyshen. Thone qe shoku spiunoi sepse nuk duronte dot autoritetin qe gezonte gjyshi. Thone qe, ndoshta, te gjitha jane thashetheme. Ciladoqofte e verteta, ate mbremje vere gjyshin e cuan ne kazerme. Atje ishte edhe shoku i perfolur. I varen te dy, po ate nate. Pa ceremonira, pa rituale; pa kreher dhe pa fjale te fundit. Gjyshja e mori vesh te nesermen. Dhimbja ja mpiu lotet.
Cdo 5 maj, shume njerez vinin ne shtepine tone. 5 maji ishte dita kur tek tempulli i tij faleshin per ta nderuar shume njerez, shumica krejt te panjohur. 5 maji - dita e gjyshit - hero. Dita e vajzes se heroit. Dita e mamase sime.
Sot nuk vjen njeri me ne tempull per te bere nderime: vetem te afermit. Ne, vajzat, nuk jemi me aty. Cdo dite qe vjen, me pak e me pak njerez shkojne atje. I lene ne harrese, tempullit kane filluar t'i bien muret, ca ketu-ca atje. Mamaja ndihet e pafuqishme perballe harreses. I dridhet buza e poshtme, i lotojne syte dhe perpiqet t'i rivendosi copat e rena ne vendin e tyre. Ato bien perseri.
Ne dhome hyn E., na buzeqesh, na thote miredita te gjitheve dhe ulet ne te vetmen karrige boshe.
E more vesh, i drejtohet M., shqiptare te Kosoves kane rrahur disa nga djemte tane ne Olten. Ti vjen prej andej. Duhet ta kesh degjuar.
Po, pergjigjet E., e degjova ne radio. Por ... ata djemte tane ishin nje grup neonazistesh qe kishin provokuar te paret.
Une degjova qe disa kosovare kane rrahur djemte tane, pergjigjet M. me nje ton paksa me te zbutur, paksa pyetes.
Ishin neonaziste, perserit E., kishin pare ca te rinj nga ballkani ne stacion dhe i kishin provokuar. Kishin filluar t'u gjuanin. Por, me sa duket, shume shpejt aty ishin afruar edhe te huaj te tjere; mbase kosovare, mbase nga Ballkani; nuk eshte shume e qarte, dhe i shqepen neonazistet ne dru. Tani, njeriu mund te zgjedhe nga kjo histori cfare te doje, vazhdon E. me nje ze te drejte, mund te shohesh te huajin e rrahur nga neonazistet. Por mund te shohesh edhe djemte tane te rrahur nga i huaji.
Ne dhome mbreteron qetesia. Syte vazhdojne te rrine poshte. Tek-tuk dikush rrufit kafene. Une i hedh prape nje veshtrim M.-se. Ajo me hedh nje veshtrim mua. Pastaj, me nje ze kurreshtar drejton nje pyetje qe duket se vjen nga planeti paralel i njerezve qe kishim kerkuar dhe gjetur ne univers: Cilet jane neonazistet?
Kontrollori eshte nje tip i qete, me nje buzeqeshje te embel. Na kerkon biletat me miresjellje. Ja japim me miresjellje. Veren te voglin dhe i jep nje bilete femijesh. Na pershendet dhe kalon me tutje; tek neonazistet.
Biletat, ju lutem, thote kontrollori dhe pret. Me perjashtim te der Führer, te gjithe te tjeret fillojne te levizin ngadale, te kerkojne me pertim biletat dhe t'ja zgjasin kontrollorit.
Faleminderit, thote kontrollori dhe drejtohet nga der Führer.
Bileten, zoteri i ri, - thote thate kontrollori.
Der Führer nuk leviz. Te tjeret qeshin.
E di qe nuk po fle djalosh, prandaj leri keto lodra dhe me trego bileten! Kontrollori mbeshtetet tek sedilja, ruan qetesine dhe ndjek reaksionin e der Führer. Der Führer gerhet me ze te larte. Te tjeret qeshin me ze me te larte. Kontrollori i kap kepucen dhe i jep nje te shkundur teksa i thote urdherueshem: Zgjohuni zoteri i ri, dhe me tregoni bileten.
Une dhe Mr. T. e ndjekim kete skene pa u shtirur me sikur nuk jemi aty. Mr. T. ka hedhur gazeten menjane dhe eshte ne gjendje gatishmeri. Une jam kthyer teresisht nga sedilja e komshijve dhe jam ne gjendje gatishmerie.
Der Führer fillon te levize dhe ben sikur po i del gjumi. Ferkon syte, i pulit disa here, shkund koken dhe veshtron kontrollorin.
Oh, cfare eshte ... ah, je ti ... cfare frizure te bukur qe paske. Ma jep edhe mua adresen, i thote, teksa ja ngul syte kontrollorit me nje buzeqeshje cinike ne buze.
Miqte e tij shperthejne ne te qeshura histerike.
Bileten, thote kontrollori pa e prishur gjakun.
Aman, te keqen, ma jep adresen. Ku i qethe, tek ndonje turk i ndyre?
Djalosh, me trego bileten ose perndryshe do therras policine.
Avash-avash se na trembe, ja kthen me tallje der Führer. Nxjerr bileten, ja jep dhe i afrohet duke e nuhatur.
Tek turqit ke qene, i thote, qelbesh nga era e tyre.
Kontrollori i kthen bileten dhe vazhdon me tutje. Mbrapa tij le te qeshurat histerike, perplasje duarsh e duar qe godasin shpatulla.
Treni ka arritur ne Olten. Neonazistet ngrihen me vrull, dalin gati duke vrapuar, duke shtyre e gjuajtur njeri-tjetrin. Ne vagon bie qetesia. I ndjekim me sy teksa vertiten neper platforme. Treni niset me destinacion Bernen.
I hedh nje sy tim biri. Nuk ka marre vesh gje nga e gjitha kjo. Me sheh, me buzeqesh, me jep nje te puthur me dore, dhe vazhdon shfletimin e librit te tij. Mendoj, se dikur edhe keta djem te rinj neonaziste do kene qene keshtu si ai, paqesore, camarroke dhe me nje buzeqeshje apo puthje gati per njerezit. Ideja se femijet e mi mund te perfundojne nje dite si keta te rinj me fut tmerrin. Mendoj mamane. Mendoj gjyshen. Mendoj gjyshin. Rikujtoj historine e tyre te dhimbshme, rikujtoj historine e Luftes se Dyte Boterore dhe ndjej nje nevoje te madhe. Te rikthehem ne tempullin e gjyshit. Se bashku me femijet e mi.