21.1.13

Si do jetë Tirana e së ardhmes?



Mbas leximit të dokumentave që ofron Bashkia e Tiranës, Politikat e Zhvillimit, Draftin e Vlerësimit te Mjedisit, Rregulloren e Planifikimit Vendor, Tirana e së ardhmes ngrihet para syve të mi si një Tiranë e mbindërtuar, edhe më e lartë nga sa është sot. Memoria historike dhe arkitekturore e saj do të jetë e reduktuar në një minimum absolut, aq sac e lejojnë interesat e grupeve të ndryshme që janë konsultuar me Bashkinë e Tiranës për Politikat e Zhvillimit dhe Rregulloren e re të saj. Tiranes i zhduket edhe zona e vetme rezidenciale noble pranë qendrës së saj, pas Piramidës (Jul Variboba deri tek Ismail Qemali), per t'ja lënë vendin pallateve 7 katëshe që në mënyrë kompakte do ta mbushin këtë zonë frymëmarrje të Tiranës në 70% të saj. Tirana shndërrohet, me këtë rregullore, në një qytet pa qytet të vjetër (ate osman jo e jo, po edhe pa ate italian e austriak), një qytet pa bërthamë historike, elementët e së cilës në të ardhmen do të na duhet t'i kërkojmë në xhunglën e pallateve të dendura shumëkatëshe. Të gjithë nostalgjikët e komunizmit dhe të apasionuarit mbas historisë ndoshta duhet të konsiderojnë të shkrepin fotot e fundit para shtëpise së banimit të Enver Hoxhës, e cila do të zhvillohet në lartësi, ashtu si të gjitha vilat e fundit të mbetura në zonën e Bllokut. Rregullorja e re garanton që Tiranës do i zhduken edhe më shumë hapësira publike dhe jeshile. Hapësirat jeshile Bashkia i delegon ose jashtë Tiranës, në kodrat përreth, të cilat nuk janë në juridiksionin e saj e që janë gjithashtu duke u prishur nga ndërtimet e shumta ose i delegon në plane futuristike (Grimshaw).
Tiranasit i duan rregullat dhe ligjet, tha Linda Rama para ca ditësh, dhe në ndryshim nga burri i saj, një cun tirone surrogat, Zoti Basha, tirons safi, jo vetëm që po e con deri ne fund veprën e parardhësit të tij por i siguroi shkatërrimit edhe bazën e nevojshme ligjore.  
Do mundohem të sjell pjesë-pjesë të ardhmen e parashikuar nga rregullorja e re për zonat e rëndësishme të trashëgimisë së Tiranës. 


Namazgjaja, monument kulture, nën mbrojtjen e M.T.K.R.S. (Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore), dhe të cilën Bashkia e konsideron ndër elementët e fortë të trashëgimise kulturore të Tiranës, në politikat e zhvillimit të Bashkisë shihet kështu: Parku i Namazgjasë nga i cili për momentin funksionon vetëm parku përballë Parlamentit mendohet të zgjerohet drejt perëndimit dhe të takohet me bulevardin duke ndërhyrë në mënyrë organike ndërmjet objekteve të ndërtuara ne këtë pjese (Politikat e Zhvillimit te Territorit_2012, fq. 214). Të krijohet përshtypja se parku jo vetëm që nuk preket por edhe do të zgjerohet edhe më tej në kete funksion dhe imagjinata fillon e ravijezon nje park te ardhshem te madh e plot stola, shkurre e lule dekorative e rrugica te reja e te mirembajtura.

Por në "Rregulloren e Planit të Përgjithshëm Vendor_2012, po i njëjti institucion, për Namazgjanë (monument kulture) dhe zonën ku ajo ndodhet që përbëhet në pjesën më të madhe të saj nga parku i Namazgjasë, nënjësinë strukturore 2/62, propozon rindërtim dhe rizhvillim të saj me një shfrytëzim terreni deri në 70%, me ndërtesa të larta. Numri i kateve per kete nennjesi cuditerisht nuk jepet, por eshte e sakte te thuhet se do jene mbi 6 kate meqë 6 katëshi konsiderohet ndërtese e tipologjisë së mesme në Rregullore.
Godinat aktuale, që janë kryesisht institucione shtetërore (Parlamenti, monument kulture, ashtu si edhe vetë Namazgjaja), apo ato që do të ndërtohen, përvecse u lejohet të zhvillohen në lartësi, u lejohet të shndërrohen edhe në qendra banimi, tregtare apo zyra. Duke konsideruar se në këtë zonë ka shumë pak godina dhe ato jane te karakterit institucional-publik (një vështrim nga sateliti të sygjeron rreth 20% ndërtime), akomodimi i funksioneve te reja, fetare, banimi, tregetare nese nuk vjen nga rizhvillimi i objekteve ekzistuese (qe gjithesesi jane shume pak) do te vije nga zgjerimi ne lulishte. Nese ndodh kjo, ndryshon edhe vete koeficenti i shfrytezimit te tokes, sepse si toke e ndertueshme tani do te llogaritet edhe vete lulishtja (c'pjese e saj?). Shfrytëzimi deri në 70% parashikuar nga Rregullorja, pa specifika te tjera, pa kushtezime (pa permendur as faktin qe nje pjese e kesaj nenzone eshte pjese e zones arkeologjike, te mbrojtur me vendim qeverie !), i hap dritën jeshile ndërtimit edhe në 50% të truallit aktual të pandërtuar. E thënë me fjalë të tjera, nëse tani 80% është hapesirë e gjelbërt dhe 20% e ndërtuar, rregullorja, krijon hapesira per ta kthyer kokëposhtë këtë raport duke lejuar të shndërrohet në 70% e ndërtuar dhe vetëm 30% hapësirë jeshile. Dhe kjo kur Bashkia ankohet se Tiranës i janë ngushtuar mushkritë e gjelbërta dhe e deklaron si prioritet të saj krijimin e këtyre hapësirave.
Rregullorja parashikon që këtu mund të ndërtohet për banim, për shërbime publike, për arsye fetare, por Rregullorja nuk thotë asnjë fjalë as për monumentet kulturore dhe as se cfarë nuk duhet të preket në këtë zonë kaq të rëndësishme të historisë së Tiranës, sic bën, psh, për zonën përballë Namazgjasë, zonën 2/63, që përmban Lulishten Nje Maji, për truallin e së cilës thekson se do përdoret për shërbime dhe monument kulture, se përdorimi i parcelave do të mbetet i pandryshueshëm dhe ku lejon vetëm ndërhyrje të tipit rekonstriktim dhe ndërtime të lartësisë së mesme.
Eshtë komplet e paqartë se përse dy territore të trashëgimisë kulturore trajtohen në dy mënyra të ndryshme: Zones së Lulishtes 1 Maji i ruhet shfrytëzimi aktual, ndërsa zonës së Namazgjasë i ndryshohet jo vetëm mënyra e shfrytëzimit por edhe lejohet të reduktohet në 30%, që është koeficienti minimal i shfrytëzimit të territoreve të nënnjësive për rrugë dhe hapësira publike (Neni 27 i Rregullores, Llogaritja e treguesve të zhvillimit në PDV)  

Në simbolikën e saj, plani i rregullimit për qendrën e Tiranës  (këtu përfshihet zona brenda unazes së vogel, e  ajo deri tek Korpusi Qendror i Universitetit) dominohet nga tre ngjyra, portokalle e ndezur, që shenjon zonat me intensitete më të larta ndërtimesh (sipërfaqe e ndërtimit/sipërfaqen e ndërtueshme, 2.75-3.5), portokalle në të verdhë, që shënjon zona me ndërtime të lartësisë mesatare ( 1.41-2.75), e verdhë që shënjon zona me intensitet të ulët ndërtimesh (një e vetme në gjithë territorin brenda unazës së dytë. 010-1.41)) dhe kafe që sinjalizon status të veçantë të zonës. E përbashkëta për zonat e nuancave të portokalles është koeficienti i shfrytëzimit të territori, që me disa përjashtime, parashikohet kudo i njëjti: 50-70 %.  Pra, duke zbritur nga trualli hapësirat publike, rrugët, sheshet, minimumi i shfrytëzimit të asaj që mbetet është 50%, kurse maksimumi 70%. Teorikisht, një minimum prej 30% jepet si detyrim shfrytëzimi për hapësirë publike, si rrugë apo gjelbërim.
Me këto fakte sjellë në vëmendje, leximi i planit të rregullimit të sjell në konkluzionin se në qendrën e Tiranës, duke përjashtuar nga leximi zonat kafe, do të ndërtohet me intensitetin më të lartë, do të rritet koeficienti i shfrytëzimit të tokës (ku eshte mundur) dhe ndërtimet do të jenë kryesisht të larta. Kjo aplikon jo vetëm për Namazgjanë, e përmendur më parë, por edhe për zonat ngjitur me të: Në veri 2/39 (shumica e objekteve të ngritura në të janë  monumente kulture dhe pjesë e trashëgimisë historike të Tiranës) por edhe 2/40 zona e Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit), 2/41 (zona e Bashkisë), 2/42 (zona e Pallatit teëKulturës). Në jug: 2/65 (zona e Parkut të Lodrave), 2/20 (zona residenciale pas-Piramidës), 2/13 (Zona e TVSH). Këto dy të fundit janë shenjuar me nuancën e verdhë të portokalles, duke sinjalizuar ndërtime të intensitetit të mesëm.
Nënnjesia 2/30 përfshin, me përjashtim të territorit të hotel Dajtit, cilësuar zonë e vecante, gjithë zonën e kufizuar nga Bulevardi i Madh, rruga Murat Toptani, zona e Namazgjasë dhe Bulevardi Zhan d'Ark. Eshtë një zonë e  përbërë nga objekte të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe arkitekturore: Këtu është muri i Kalasë së Tiranës (monument kulture), një seri shtëpish të vjetra të arkitekturës otomane, më e përmendura shtëpia muze e Toptanajve, Kinema Milenium, rezidenca mbretërore, Banka Tregëtare Kombëtare, Katedralja e St. Paulit (monument kulture) dhe Galeria Kombëtare e Arteve. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. nr.1197, datë 3.12.2009, zona e kalasë është shpallur zonë arkeologjike. Kjo zonë lë jashtë (shih planin që shoqëron vendimin e Këshillit të Ministrave) Galerinë e Arteve dhe Hotel Dajtin, katedralen dhe Bankën Tregtare dhe shtrihet deri në hapësirën e Namazgjasë, duke përfshirë brenda saj ndërtesën e parlamentit dhe një pjesë të lulishtes,
Në propozimet e saj për këtë zonë Bashkia merr në konsideratë trashëgiminë kulturore por nuk ofron konservim, si në rastin e zonës së Lulishtes Një Maji; ajo lejon zhvillime dhe rindërtime me një koeficient shfrytëzimi toke 50-70%,  me intensitet të lartë. Edhe pse aktualisht kjo zonë në tërësinë e saj karakterizohet nga ndërtime të ulëta dhe mesatare Rregullorja sygjeron që rindërtimet dhe rizhvillimet e objekteve këtu të jenë të larta 9 katëshe. Nëse e marrim të mirëqenë që zona arkeologjike e kalasë nuk preket nga ndërtimet, nga rindërtimet dhe rizhvillimet, hapësirat e vetme për të zhvilluar me intensitet janë ato përreth institucioneve aktuale. P.sh., Galeria e Arteve, që në vetëvete është monument kulture, mund të kërkojë të rizhvillohet për nevoja të së ardhmes në territorin para/rreth saj. E njëjta gjë edhe për institucionet/apo objektet e tjera ekzistuese. Megjithatë, pyetja si dhe cilat hapësira do të shfrytëzohen varet shumë edhe nga pronësia mbi tokën dhe nga interesat e pronarëve dhe investuesve. Cilatdo qofshin këto interesa, rregullorja ua mundëson të gjitha palëve të përdorin më shumë tokë e të ngrenë ndërtesa të larta 9 katëshe. Pyetja megjithatë është: përse është e nevojshmë të ndërtohet intensivisht një zonë të tillë historike dhe t'i ndryshohet karakteri i saj tipologjik?
E njëjta logjikë aplikohet nga Rregullorja edhe për zonën fqinjë, 2/40 (sygjerohen ndërtime intensive, të larta 9 katëshe), por edhe për atë 2/41 e 2/42.
2/42 risjell problematikën e zonës së Namazgjasë, sepse të dyja këto nënnjësi kanë në përbërjen e tyre hapësira të mëdha toke të përdorura aktualisht si lulishte, hapësira gjelbërimi. As 2/42 nuk konservohet, pervec perdorimit aktual për shërbime publike asaj i shtohet edhe përdorimi për arsye fetare. Eshtë e  paqartë se ku do akomodohet ky lloj përdorimi, duke konsideruar se Pallati vete mezi përmbush nevojat e institucioneve që përfshin. Që pallati mund të kerkojë rindërtim dhe rizhvillim është e llogjikshme, po aq sa c'eshtë e llogjikshme që ky zhvillim do të ndodhe në kurriz të lulishtes. e po ne kurriz të kesaj lulishteje do të akomdohen edhe nevojat fetare. Kështu, fati i kësaj lulishteje ndjek atë të shumë të tjerave të zhdukura për arsye zhvillimi.