Abrahamin e njoha në avion, rrugës së kthimit për Zürich; në krahët e Christinës, gruas që i kishte qëlluar karrigia pranë meje. Abrahami është nje bebe 8 muajshe; kurioz, me belbëzitjet e moshës, me të qeshurin gurgullues dhe, në pamje të parë, nuk dallon nga asnjë moshatar i tij. Christina është një murgeshë gjermane që shërben në një mision katolik në lindje të Zvicrës. Që prej diçka më shumë se një vit, ajo jeton në Shkodër, së bashku me murgesha të tjera që përpiqen, përveçse t’i sjellin pranë zotit, edhe t’ua lehtësojnë dhimbjet e varfërisë banorëve të Shkodrës dhe rrethinave përreth.
Në një nga këto rrethina; në një fshat të varfër; në një familje akoma më të varfër; lindi një ditë dimri fëmija i pestë. Një djalë. Për familjen asgjë për të gezuar: fati ishte treguar koprac. Një kontroll mjekësor në spitalin e Shkodrës do të evidentonte se bebja kishte lindur me shumë probleme, më të rëndat - qiellza e pambyllur dhe një zemër e formuar me difekt. Mjeku shkodran do t’ua kthente fëmijën e sapolindur prindërve të rraskapitur nga emocionet pa asnjë shpresë. Ndoshta vetëm një javë jetë, jo më shumë. Nuk mund të bëhej asgjë për këtë fëmijë; spitali nuk gëzonte asnjë lloj infrastrukture për ndërhyrjet e domosdoshme kirurgjikale që do të mund t’ia shpëtonin jetën.
Me fëmijën në krahë, prindërit do të rimerrnin udhën për në shtëpinë ku i prisnin katër fëmijë të tjerë. Të heshtur. Të trazuar. Te dëshpëruar. Edhe pse të mësuar me vuajtjet, vdekjen e tij nuk donin ta përjetonin. Nuk ishin gati edhe për një dhimbje të tillë.
Ishte errësirë, ishte shumë vonë kur dera e shtëpisë ku jetonin murgeshat trokiti atë natë dimri. Në derë, një burrë i rrudhur zgjat një bebe dhe thotë me një zë të dorëzuar: merreni këtë femije, bëni që ai të jetojë. Ne nuk mundemi.
Murgeshat e huaja, papritur e gjetën veten me një bebe në krahë. Një bebe që do ua ndryshonte jetën.
Fillimisht, fëmijës i vunë një emër, emrin e të mirit Abraham – ndoshta duke projektuar tek ky emër dëshirën dhe shpresën e tyre që ky fëmijë të jetojë dhe të bëhet, një ditë, shtyllë për familjen e tij. Pastaj, bashkarisht, zgjodhen mes tyre një nënë, Christinën, që duke i dhënë mëmësinë i jepte këtij fëmije edhe mundësinë për të dalë jashtë Shqipërisë, drejt një ndihme mjekësore me shpresëdhënëse. Pastaj, porositën ushqimet dhe shishet speciale të qumështit për të ushqyer fëmijën gjysëm të uritur; thithësja e shisheve të qumështit duhet të ishte e gjatë, e gjate deri sa të arrinte mbas qiellzën – e vetmja mënyrë që bebja të pinte normalisht; e vetmja mënyrë për të shmangur infeksionet. Pastaj, bënë një plan, si dhe ku do të kërkonin ndihmën mjekësore dhe financiare për operacionet e vështira.
Abrahami nuk vdiq pas një jave. Ai jeton; jeton i përkëdhelur në familjen e re, midis murgeshave të cilave ju zgjoi ndenjat e mëmësisë; i përkëdhelur me dashurinë e prindërve, që vijnë e vizitojnë rregullisht; i përkëdhelur paksa edhe nga fati, të paktën deri tani. Christina ka mësuar shqip dhe komunikon me të birin në gjuhën e tij. Ajo ka vendosur të jetojë në Shqipëri, kështu Abraham do ketë mundësinë te rritet në kulturën e tij, pranë prindërve dhe vëllezërve e motrave e tij.
Abrahami është bërë 8 muajsh, mosha që mjekët kanë vendosur të përshtatshme për të filluar ndërhyrjet kirurgjikale. Në krahët e Christinës, ai po fluturon drejt Zvicrës ku do ju nënshtrohet operacioneve të njëpasnjëshme: në fillim do i mbyllin qiellzën, pastaj do i rregullojnë deformimet në zemër, pastaj ... Për një pjesë të operacioneve lekët janë gjetur, për të tjerat murgeshat po kërkojnë akoma me durim. Ato jane plot shpresë. Christina pohon me kokë dhe thotë: Abraham e do jetën, ai do jetojë.
Abrahami qesh, thith qumësht nga shishja me thithën e gjatë deri mbas qiellzës, hedh sytë kuriozë nëpër avionin e përgjumur, dhe lëshon tinguj gurgullues. Një fëmijë që të bën për vete; një fëmijë që në pamje të parë nuk dallon fare nga moshatarët e tij.
Showing posts with label Short cuts. Show all posts
Showing posts with label Short cuts. Show all posts
12.12.08
Short cuts - Abraham
Labels: Reportazhe, Rrefime, Short cuts
12.11.08
Albania – Short cuts (1)
Ky është kthimi i kushedisahertë. Numrat nuk bëjnë më punë, kujtesa refuzon t’i përdorë. Avioni fillon të ulet dhe kokat automatikisht ngjiten mbas xhamave.
Erdhëm në Shqipëri? – pyet Jon.
Po! Ja, aty poshtë është, – i them, dhe mundohem të depertoj veshtrimin tek ajo cope dritarejem akoma e pambuluar nga koka e tij, për të parë sadopak peizazhin që afrohet poshtë nesh. Zërat e njerëzve janë tulatur. Ky është momenti kur flasin emocionet, feksjet e kujtimeve, përfytyrimi për atë që do ndodhë pak më vonë.
Në momentin kur avioni ndalet, gjalleria fillon përsëri me një padurim shembullor. Erdhëm! Po, po, u ulëm. Ku jeni? – mesazhe që thithen nga telefonat për t’u përcjelleë vetëm disa qindra metra më tutje.
Në prehërin tim, Era, ime bijë, fle e patrazuar. Për mua, kthimi tek kujtimet komplikohet fizikisht nga situata e vështire ku ndodhem: vetëm, një fëmijë në gjumë, një fëmijë që më mbështillet tek këmbët nga pasiguria përballë realitetit akoma të huaj, dhe një cantë të madhe për ta ngarkuar. Një dorë zgjatet pas meje dhe merr cantën.
Nuk ka problem, - thotë zotëria i panjohur me një buzëqeshje, - e ngre unë.
Im bir, nga midis këmbëve të mija, e shef me sy të mëdhenj.
Kush është ky xhaxhi, mami?
Nuk e di, - i them, teksa capitem përpara.
Dal tek dera e avionit dhe bëj ritualin e përhershëm: qëndroj, mbyll sytë dhe mbushem me frymë. Përpiqem të kap cdo prekje dielli, përpiqem të ndjej ngrohtësinë e cdo molekule ajri. Eshtë nxehtë në Tiranë dhe dielli shkëlqen fort. Tamam si në kujtimet e mia.
Autobuzi pret për ne; na merr dhe na con tek ndertesa e re e aeroportit. Kur dola herën e fundit nga Shqipëria, kisha dalë nga ndërtesa e vjetër. Më kap një ndjenjë trishtimi. Trishtimi për një kujtim që nuk do e ritakoj më në realitet: vendi im duket i huaj.
Ndërtesa e re është si një hangar i madh. E thjeshtë. Policët e kontrollit të pasaportave qëndrojnë përballë nesh, të mbrojtur në kabina xhami.
Dalloj policen grua që më kontrolloi herën e fundit dhe zë radhë përpara kabinës së saj. Jap pasaportat tona dhe teksa ajo fut të dhënat në kompjuter përpiqem të shoh se sa ka ndryshuar nga hera e kaluar.
Eshtë rreth të dyzetave dhe flokët i ka lyer të verdha. Ka një fytyrë me ngërc, të errët dhe sytë me rrathë të zinj. Nuk i rezistoj sërish kurreshtjes për të kuptuar se cfarë halle ja kanë gdhendur vrenjtësinë në fytyrë. Ndoshta është lodhja nga kjo punë e mërzitshme që nuk të le të ngresh kokën.
Gruaja shkruan me dy gishta, me goditje të shpejta dhe të forta të tastierës. Nuk i lëviz asnjë muskul në fytyrën e zbrazur nga cdo lloj shprehjeje. Mbaron punë, na zgjat pasaportat, i hedh një sy tim biri, pastaj time bije që akoma fle, dhe lejon një buzëqeshje t’ja ngrohi fytyrën për pak sekonda; tërheq buzëqeshjen mbrapsht teksa hedh sytë tek unë dhe thotë: mirëserdhet. Unë largohem e kënaqur. Rigjetja e kujtimit të shkrirjes së polices përpara fytyrës së fëmijëve, ma bën më të ngrohtë këtë ndërtesë të re dhe të ftohtë aeroporti.
Afrohem tek rripi rrotullues dhe pres për valixhet. Teksa jam duke vrarë mendjen se si të transportoj valixhet me një femijë që fle në krah; një punonjës i aeroportit më afrohet dhe, me një ton babaxhani, më thotë të pres. Vjen pas pak castesh me një karrocë. Më ndihmon të ngarkoj valixhet dhe e shtyn karrocen deri tek dera; uron gjithë të mirat dhe largohet me tutje. E ndjek me sy nga mbrapa, me sy gati të mbushur me lot, psherëtij dhe drejtohem për tek prindërit që presin pak më tutje.
I qëmtoj me kujdes dhe dal në përfundimin se janë po ata të herës së kaluar; koha midis nuk ka lënë gjurmë tek ta. Teksa shoh lotët e mamasë kur merr në krahë dhe puth mbesën e re, teksa dëgjoj babanë të thotë, po sa je rritur more Jon, kujtohem se gjurmët e saj koha midis i ka lënë tek fëmijët. Dhe më kap përsëri trishtimi. I kushedisesahertë.
Labels: Reportazhe, Rrefime, Short cuts
Subscribe to:
Posts (Atom)