Showing posts with label Arsimi ne udhekryq. Show all posts
Showing posts with label Arsimi ne udhekryq. Show all posts

28.3.09

Arsimi përtej fasadës së premtimeve elektorale

Shpenzimet publike për arsimin në katër vitet e fundit kanë shënuar rritje: nga 2.8% të GDP në 2005 ato arrijnë 3.55% në 2009. Edhe pse 3.55% e GDP përfaqëson investimin më të lartë në 18 vitet e tranzicionit, ajo ngelet përsëri më e vogel se investimet në arsim në vitin 1989: në këtë periudhë, që përket me fundin e diktaturës, investimet në arsim ishin 4% të GDP. Në mendimin e përgjithshëm, arsimi konsiderohet një nga sektorët me zhvillimet dhe progresin e të cilit është pazgjidhshmërisht e lidhur vetë e ardhmja e vendit. Por, përgjatë 18 viteve të fundit, investimet minimale dhe mungesa e vullnetit politik për të konsideruar arsimin edhe përtej retorikës elektorale si një prioritet e kanë shndërruar arsimin në një nga sektorët më të neglizhuar dhe më problematikë.

Arsimi ballafaqohet sot me një mori problemesh. Megjithë përpjekjet për të zbutur mungesën e infrastrukturës, vendi ka nevojë urgjente për shkolla të reja, për rekonstruktime të shkollave ekzistuese dhe për një infrastrukture minimale mësimëdhënieje. Raste të fëmijëve që mësojnë nëpër klube apo stalla bagëtish të improvizuara si klasa shkolle, sic është rasti në disa fshatra të Fierit, janë raportuar dhe raportohen vazhdimisht.

Shkollës shqiptare i mungojnë akoma programet e reja mësimore; cilësia e teksteve mësimore me të cilat punojnë mësuesit dhe nxënësit ngelet e dobët, ndërsa mjetet alternative të marrjes së informacionit jane minimale.

Përtej reformave të deklaruara, kualifikimi i pedagogëve dhe lektorëve të Universiteteve ngelet shumë problematik me pasojën, që universiteti shqiptar nuk arrin të përcjellë një nivel dijesh të kënaqshme dhe të aplikueshme. Po nxjerrim nga fakulteti pastruese dhe jo përkthyese, do të ankohej Edmond Tupja në një nga komentet e tij në gazetën Panorama. Me gjithë trajnimet e herëpashershme që ofron Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimeve, kualifikimet e mësuesve të arsimit të detyruar dhe atij të mesëm është ende larg standardeve të kërkuara. Ndërsa përgatitja pedagogjike e mësuesit të ardhshëm ngelet ajo tradicionalja, problemin e përkeqëson edhe më tej mungesa e praktikës së kualifikimit të tyre gjatë punës.

Megjithë përpjekjet aktive për të fuqizuar sistemin profesional të arsimit, vetëm rreth 22% e nxënësve që vijojnë arsimin e mesëm e shohin atë si opsion. Raporti i shpërpjestuar aktual shkollë profesionale/përgjithshme i detyrohet edhe faktit se liberalizmi i Universiteteve nuk është shoqëruar me fushata informimi apo ndërgjegjësimi për të kuptuar se akademizmi nuk është zgjidhja e vetme.

Shkollen shqiptare, fatkeqësisht, e dominon procesi i braktisjes: 15% (burime jo zyrtare flasin për një shifer më të lartë) e nxënësve që hyjnë në sistemin e detyruar 9 vjecar nuk arrijnë ta përfundojnë atë. Tendenca e këtij fenomeni për të ardhmen parashikohet të jetë në ngjitje, vecanërisht nëse nuk merren masa të menjëhershme për parandalimin e punësimit të fëmijëve, përkrahjes sociale për familjet në nevojë dhe hapjen e shkollave të reja në zonat e largëta. Përtej braktisjes, politikat aktuale arsimore të orientuara drejt punësimit janë akoma të pamjaftueshme për të zbutur papunësinë që kërcënon të rinjtë që mbarojnë shkollën. Janë me mijëra nxënësit që mbarojnë ciklin 9 vjecar, të mesëm dhe atë universitar, që i shtohen përvit kontigjentit të të papunëve.

Bëhet e qartë se pa platforma politike të menduara mirë, pa vullnet politik, pa financimin e nevojshëm e pa gatishmërinë për të investuar me përgjegjshmëri, është shumë e vështirë të ndryshosh këtë problematike komplekse të arsimit në mënyrë të dukshme brenda një kohe të shkurtër. Në këtë kontekst, bëhet e rëndësishme të dëgjojmë e analizojmë se si e shohin zgjidhjen e problemeve të arsimit, cfarë politikash arsimore, me cfarë kostoje ofrojnë partitë politike në garën elektorale të radhës.

Premtime dhe retorikë

Një vështrim i shpejtë deklaratave mediatike evidenton, se për një pjesë të madhe të partive dhe forcave politike që marrin pjesë në garën aktuale elektorale arsimi përfaqëson një nga strategjitë elektorale me të cilat kërkohet të joshet votuesi e të fitohen zgjedhjet.

„Doktrina që e djathta në pushtet ka realizuar në sektorin e arsimit, gjendet në të njëjtën sintoni me qëndrimet e Presidentit amerikan Obama në këtë fushë“ (Jozefina Topalli, PD); „Shkolla dhe mësuesit janë vatra e dytë e familjes dhe e formimit profesional“ (Sali Berisha, PD); „Beteja për shkollën ka me qenë thelbi i betejës për integrimin tonë europian“, „Arsimi i shekullit të ri“ (Ladi Shamku-Shkreli, PS); „Me fitoren e 28 qershorit do bëhen realitet gjëra që 18 vite rresht nuk janë bërë“ (Edi Rama, PS) – janë vetëm një pjesë e retorikës që po përdoret dhe po karakterizon fushatën elektorale aktuale.

Përtej retorikës dhe sulmeve të ndërsjellta forcat politike bien, sidoqoftë, dakort se një zhvillim cilësor dhe i dukshëm i arsimit nuk mund të bëhet pa rritjen e investimeve. Nga 5% të GDP për buxhetin e arsimit që premton G99 tek 6% që premton Partia Demokratike, rritja që propozohet t’i bëhet buxhetit të arsimit është mbresëlënëse, sidomos kur krahasohet me atë që është investuar apo edhe investohet sot në arsim.

Një rritje e tillë financiare, qoftë në nivelin e 5% - akoma më shumë në atë 6% - krijon hapësirë reale për zbutjen e disa problemeve të mprehta në arsim dhe të jep shpresën se vërtetë, arsimi është më në fund jo vetëm funksion retorike, por edhe një prioritet. Po a është realisht kështu?

Le t’u hedhim një sy premtimeve mediatiko-elektorale të dy partive kandidate per të marre pushtetin, Partise Demokratike dhe Partise Socialiste: si i kanë adresuar problemet e arsimit: sa realiste janë premtimet që na bëjnë dhe, mbi të gjitha, c'pritet të përmirësohet në 4 vitet që vijnë?

Partia Demokratike: Mësuesit dhe nxënësi - fokus i politikave arsimore

Kjo është motoja mbi të cilën ka ndërtuar strategjinë e saj elektorale në arsim Partia Demokratike. Eshtë partia që vjen në keto zgjedhje nga pozitat e atij që mban pushtetin. Si e tillë, PD është në pozitën e atij që ka informacionin dhe eksperiencën: njeh situatën aktuale në arsim, di se cilat politika kanë dështuar dhe për cfarë arsyesh, cilat politika i bëjnë investimet më efikase, di se ku janë nevojat më emergjente dhe mbi të gjitha, di se cilat reforma/premtime akoma të pambaruar/paplotësuara duhet të vazhdohen në një mandat të dyte. Nëse PD fiton një mandat të dyte, ajo na premton se do të vazhdojë në mënyrë konsekuente me projektin e saj “Shqipëria në kohën dixhitale” duke bërë të mundur që të ketë kompjuter në çdo shtëpi, për çdo fëmijë. Brenda mandatit të dytë, PD premton se do të arrihet që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9 vjeçare të vazhdojë atë të mesmen. “Një zinxhir i konvikteve është në ndërtim e sipër në të gjithë rrethet e vendit, në mënyrë që fëmijët e Shqipërisë kudo që ndodhen të mund të dalin në bulevardin e dijes.“ (Sali Berisha). PD nuk harron, gjithashtu, të premtojë se edhe në mandatin e saj të dytë do të ketë rritje të pagave të mësuesve.

Rritja e pagave per mesuesit dhe kualifikime, kompjuteri për cdo femijë, shkollë e mesme për të gjithë janë fjalë kyce që padyshim i flasin shumë elektoratit, por sa janë realiste dhe sa e zbusin problematikën e arsimit, cfare ndryshimesh cilesore të prekshme i sjellin arsimit?

Cdo fëmijë në shkollë të mesme?

Një nga premtimet e PD në pragzgjedhjet që i dhanë mandatin e pushtetit katër vite të shkuara ishte „Cdo fëmijë në shkollë 9 vjecare“. Me këtë premtim evaziv synohej jo thjesht që cdo fëmijë të shkojë në shkolle 9 vjecare por, mbi të gjitha, që cdo fëmijë ta mbarojë atë. Bëhet fjalë për atë pjesë të segmentit shkollor që, i mbështetur dhe nga legjislacioni përkatës, është i detyruar për të gjithë fëmijët.

Katër vite më pas, realiteti tregon se një nga problemet më të mëdha me të cilat ndeshet sot arsimi është braktisja e shkollës. Sic u përmend edhe më parë, 15% e nxënësve që hyjnë sot në sistemin 9 vjecar nuk e mbarojnë atë, akoma më keq, pjesa më e madhe e këtij 15% largohen pa mbaruar ciklin e ulët të këtij sistemi. Braktisja e shkollës jo vetëm që nuk u zhduk, por as u zvogëlua gjatë viteve të qeverisjes së PD, perkundrazi, ajo u rrit. Jo vetëm kaq, monitoruesit vendas dhe të huaj parashikojnë që, nëse nuk do të ndërhyhet seriozisht, kjo shifër do të rritet akoma më tej në vitet e ardhshme. Gjakmarrja, varfëria, papunësia, një shkollë me tekste të tejmbushura dhe që nuk e ka akoma nxënësin në qendër të saj, janë disa nga faktorët që e mbajnë e do ta mbajnë të gjallë fenomenin e braktisjes së shkolles.

Në këtë realitet, fakti që PD në mandatin e saj dytë premtimin e katër viteve më parë e tejshtrin nga „cdo nxënës në shkollë 9 vjecare“ në „cdo nxënës që mbaron 9 vjecaren në të mesme“, të vjen i papritur.

Në vetëvete, synimi që cdo i ri të mbarojë të mesmen është shumë i rëndësishëm dhe i mirëpritur: Të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme janë jo vetëm më të përgatitur për jetën por kanë edhe shanse më të mëdha në tregun e punës. Por, arsyet përse të rinjtë që mbarojnë ciklin 9 vjecar nuk vazhdojnë më tutje shkollën e mesme janë në shumicën e tyre të ngjashme me ato të 15% të fëmijëve që nuk mbarojnë ciklin 9 vjecar. Duke konsideruar kompleksitetin e madh të problematikës së braktisjes, duke konsideruar që PD dështoi në mandatin e parë ta zbuste këtë fenomen, bëhet e rëndësishme të dime se ku e mbështet besimin e madh PD se katër vite të qeverisjes së saj mjaftojnë për të zhdukur këtë fenomen edhe në ciklin e mesëm? Përtej këtij autizmi politik, përtej retorikës, asaj që u përdor katër vite më parë dhe asaj që po përdoret tani, cfarë politikash konkrete, cfarë investimesh mendon të ndërmarrë këtë herë PD për të frenuar fenomenin e braktisjes?

Cdo fëmijë një kompjuter?

„Cdo fëmijë një kompjuter“, një iniciative që është për t’u përgëzuar, që PD e trashëgon prej mandatit të parë, unë e shoh si një kontribut në futjen e mënyrave alternative të të marrurit të informacionit. Dy janë mënyrat se si mund të përdoret kompjuteri për marrje informacioni: nëpërmjet internetit dhe nëpërmjet CDve didaktive të shpërndara nga shkolla. CDtë didaktike përfaqësojnë informacione alternative të programeve shkollore kombëtare dhe suksesi i punës së nxënësit me një CD didaktike varet para së gjithash nga mësuesi: angazhimi i tij në këtë projekt, përgatitja e tij, aftësia e tij për ta ndihmuar nxënësin në filtrimin dhe përtypjen e këtij informacioni. Në kushtet kur Shqiperia nuk ka asnjë lloj eksperience të tille, pyetja është: si, në bazë të cfarë kritereve do të përzgjidhen CD didaktike për nxënësin dhe mësuesin shqiptar, në kushtet kur shkolla shqiptare akoma mbizotërohet nga programi tradicional, dhe si do të kontrollohet angazhimi i mësuesit në këtë proces?

Interneti, si burim informacioni, paraqet dy probleme madhore: së pari, mungesa e infrastrukturës që do të mundësonte aksesin në internet, të paktën për cdo shkolle dhe, së dyti, vetë informacioni. Për një segmet të konsiderueshëm të nxënësve bëhet e detyrueshme që informacioni që do të merret në internet të jetë në gjuhën shqipe. Por, një hulumtim i informacioneve në shqip në internet të tregon se ky jo vetëm që është shumë i pakët për të qënë ndihmë në procesin mësimor, por shpesh vjen nga burime të dyshimta: jo rrallë ky informacion, sidomos në fusha të tilla si historia dhe biologjia, nuk është konform vijës zyrtare që deklaron shkolla shqiptare.

Duke konsideruar këto problematika, sa dhe si mendohet se do e përmiresojë cilësinë e shkolles/dijes projekti „cdo nxënës një kompjuter“? Më tej, përse këto investime prioritare për metoda që, tek e fundit janë vetëm alternativa, kur kemi probleme të mëdha, akoma të pazgjidhura me cilësinë e teksteve mësimore dhe përgatitjen cilësore të mësuesit?

Rritja e pagave për mësuesit dhe kualifikime

Padyshim, rritja e pagave eshte një nderhyrje e domosdoshme. Po ashtu edhe kualifikimet e mësuesve. Por, le të kujtojmë se 75% e atyre që diplomohen sot për mesuesi nuk kanë asnjë shans të punësohen në arsim; pjesa më e madhe e tyre janë kontigjent papunësie. Tendenca, nëse nuk ndërhyhet, është për përkeqësim të situatës: numri i studentëve të diplomuar, si pasojë edhe e liberalizimit të Universiteteve rritet, kurse klasat vazhdojnë të jenë me mbi 35, 40 apo edhe 45 nxënës në të gjitha ciklet e sistemit arsimor.

Zgjidhja e këtij problemi shumë të madh, jo vetëm për arsimin por edhe për ekonominë shqiptare dhe me gjerë, do të kërkonte së pari zvogëlime klasash, të themi, rreth 20 nxënës për klasë që, nga ana e vet, kërkon zmadhime shkollash dhe ndërtime shkollash të reja, që nga ana e vet, kërkon investime serioze.

Punësimi i mësuesve sot, në kushtet e një tregu punësimi shumë të vogël, dominohet tërësisht nga nepotizmi, klanizmi apo militantizmi partiak. Ky fenomen e ka kompromentuar dhe e kompromenton shumë keq cilësinë e arsimit shqiptar. Në mungesë të kritereve rigorozisht cilësore apo financiare, shkolla (këtu përfshihet edhe universiteti) nuk e ndjen nevojën për të thithur mësuesin/lektorin/studiuesin e përgatitur, mësuesin e talentuar. Nga ana tjetër, në kushtet e liberalizimit të Universiteteve dhe të inflacionit të diplomave që ky liberalizim ka prodhuar, është bërë e vështirë të seleksionosh diplomën/mësuesin cilësisht të mirë. Pa një vlerësim të cilësisë së Universiteteve që i prodhojnë këto diploma, pa një politikë që në mënyre aktive mbështet cilësinë në punësim, është e vështire të përmirësosh cilësinë e shkollës.

Partia Socialiste: Arsimi i shekullit të ri

Si asnjë parti tjetër opozitare, Partia Socialiste, duke filluar nga fundi i vitit 2007 dhe sidomos përgjatë vitit 2008, ka treguar një prani konstante në shtyp nëpërmjet deklaratave që kanë denoncuar mungesën e politikave arsimore dhe vullnetit politik, keqmenaxhimin e arsimit nga partia në pushtet. Partia Socialiste ka konstatuar dhe deklaruar rregullisht problemet e mëdha të infrastrukturës, paaftësinë e shkollës për të përgatitur të rinj të përgatitur për tregun e punës, mungesën e autonomisë së shkollës, cilësinë mediokre të universitetit, financimet e mjerueshme për shkencën. Ky pozicionim aktiv mediatik i PS, tonet e ashpra kritike, të sygjerojnë se kjo parti është ballafaquar seriozisht me politikat e deritanishme arsimore dhe ka bërë një analize të thellë të arsyeve që kanë cuar në dështimin e tyre. Të sygjeron, se kjo analizë e politikave të dështuara të partisë në pushtet do të ketë qenë edhe baza mbi të cilat kjo parti ka ndërtuar një strategji të mirëmenduar arsimore, ka qënë baza mbi të cilën janë përcaktuar prioritetet e investimit në arsim. Kjo ndjesi të përforcohet edhe nga serioziteti me të cilën zonja Shamku-Shkreli flet për problemet e arsimit: “Për me u shërue nga kjo lëngatë e tranzicionit nuk kena nevojë për gjylpana në tule, por për gjylpana në mendje” – preferon ajo të citojë të nderuarin At Zef Pllumi.
Po cila është platforma politike për arsimin që kjo Parti ofron për të bërë realitet „gjëra që për 18 vite nuk janë bërë“? Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar, unifikimi i programet mësimore me Kosovën dhe arsimimi si armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë.

Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar?

Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar, na e perqas edhe ne realitet ëndërrën e integrimit në Evropë, integrim qe PS e trajton si objektivin e saj me te larte. Por, përtej dëshirës së mirë të PS, unifikimi i programve nuk ndodh dot. Lojtarët e skenës politike shqiptare duhet ta kishin ditur (nëse nuk e dinë), se këtu rregullat e lojës i bën dikush tjetër dhe ky dikush tjeter, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, na dikton që fillimisht të “përafrojmë” pastaj, kur të jemi vend kandidat të “harmonizojmë” dhe, në fund, të unifikojmë për cështje të caktuara. Vetëkuptueshëm, edhe vetë projekti i unifikimit të programeve me një model evropian të përafruar që Partia Socialiste e premton si strategji të saj, nuk është vecse një nga projektet që do të aktualizohen në arsimin shqiptar pavarësisht se cila forcë politike e merr pushtetin.

Unifikimi i programeve mësimore me Kosovën?

Unifikimi i programeve mësimore me Kosovën, përvecse simbolikes gati të vetëkuptueshme dhe që, pa dyshim, i troket direkt e në zemër elektoratit shqiptar, lë hapësirë për shumë paqartësira. Së pari, kush do t’i përshtatet kujt? Programet mësimore shqiptare atyre të Kosovës, apo ato të Kosovës këtyre shqiptareve? Nëse programet shqiptare i përshtaten atyre të Kosovës, si do të mund të realizohet unifikimi me programet e modelit evropian të përafruar kur dihet se arsimi kosovar doli copë-copë nga lufta dhe përballohet me probleme shumë të mëdha; apo kur pranohet, të paktën jozyrtarisht, se niveli i arsimit në Kosovë është më i ulët se ai i Shqipërisë? Nëse është Kosova ajo që, për hir të unifikimit, do përshtasë programet e saj me ato të Shqipërise, cili është roli i Shqipërisë në këtë proces? C’pjesë e buxhetit për arsimin do vihet në këtë prioritet?

Së dyti, përtej simbolikës së këtij akti, cfarë problemesh të arsimit do të zbuste ky unifikim, cfarë përfitimesh konkrete do të sjellë ky unifikim programesh në arsimin shqiptar dhe kosovar në katër vitet e ardhshme, përfitime që do të justifikonin këtë unifikim të qenurit prioritet? Aktualisht, edhe pa unifikim programesh, të paktën në nivelin e universitetit, ekziston levizja e lirë e pedagogëve dhe studentëve. Fatkeqësisht, po te lëmë mënjanë perspektivat e reja që hapen për tregun e librave mësimore, tregu i punës së Kosovës dhe Shqipërisë karakterizohen nga e njëjta problematikë, situatë që nuk ndihmon asnjërën palë të përdorë tjetrën për të lehtësuar papunësinë.

Arsimimi si armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë

Në këtë pikë PS vjen e ngjashme me PD por shumë më hermetike: asnjë fjalë kyce që të paktën të na ngacmojë fantazinë, asnjë informacion që të na mundësojë analizën apo dhe krahasimin me PD. Në mungesë të informacioneve konkrete, na ngelet të supozojmë se PS ka në strategjinë e saj politika që do të zbusin braktisjen e shkollës, do synojë një arsimim më të efektshëm që do ta bëjë të riun më te aftë për tregun e punës, do zgjerojë tregun e punës dhe do ta komplementojë atë me politika të orientura drejt punësimit. Apo jo?

Arsimi: Quo vadis?

E para që të bie në sy teksa lexon, analizon, krahason strategjitë arsimore që dy partitë më të mëdha i ofrojnë elektoratit në shkëmbim të votës është mospërputhja midis problemeve reale të arsimit dhe prioriteteve që kanë zgjedhur këto parti për të mikluar votuesin: PD luan kartën e teknologjisë - duke ja sjellë shqiptarit globalizmin në shtëpi, kurse PS përdor kartën emocionale të Kosovës dhe atë të integrimit Evropian - duke cuar shqiptarin tek globalizmi. Në këtë fushatë elektorale, të dyja partitë përpiqen të peshkojnë elektorat me përqindje: Partia Demokratike premton investime ne 6% te GDP, PS premton të paktën një minimum prej 5%. Të dyja lënë të nënkuptohet, se përqindjet e larta që propozojnë i zgjidhin vetëvetiu problematikat e arsimit.

Mënyra se si keto platforma politike për arsimin po i serviren elektoratit, j’u tradhëton të dyja partive dembelizëm dhe dëfton se partitë politike nuk duket ta ndjejnë se duhet të investojnë më shumë në sqarimin e strategjive arsimore: Ato serviren me paqartësi në formulime, jo realiste dhe të pambështetura në fakte. Ka një mungese totale të konsideratave kthim-investimi.

Zhvillimi i arsimit nuk është thjesht cështje investimesh; ai është, mbi të gjitha, cështje e politikave, cështje e vullnetit politik dhe e gadishmërise politike për të cuar përpara reformat në arsim. Ky parakusht bën të mundur që investimet në arsim të jenë efikase. Por është, mbi të gjitha, ky vullnet dhe kjo gadishmëri që i ka munguar politikës shqiptare gjatë 18 viteve të shkuara dhe që janë përgjegjës për këtë situatë që kemi sot në arsim.

Anashkalimi i problemeve kryesore të arsimit, përqëndrimi në prioritete dytësore, mungesa e politikave arsimore të shtruara për diskutim, të bëjnë të dyshosh se të dyja partitë politike nuk janë të sinqerta kur deklarojnë se arsimin e kanë prioritet. Kjo mungesë sinqeriteti të rrit dyshimin se arsimi, megjithë rritjen e dukshme të investimeve, do të vuajë një përzgjatje të kaosit dhe tranzicionit edhe në katër vitet e ardhshme. Pikërisht, kjo nuk duhet të ndodhë.


Autorja u eshte pafundesisht mirenjohese E.GJ., I.S., V.K. dhe E.R. per informacionet, kritikat, formulimet dhe sygjerimet me te cilat e ndihmuan dhe pasuruan kete artikull. Faleminderit.

11.2.09

Akademia e Shkencave dhe Indeksi h

Artan Borici

Shekulli

Vlerësimi i veprimtarisë shkencore të punonjësve akademikë, ka qenë dhe mbetet një objekt i rëndësishëm pune për komisionet e përzgjedhjes së këtyre punonjësve në institucionet e arsimit të lartë dhe të shkencës anembanë botës.
Tradicionalisht, vlerësimi më i përhapur dhe dominues i një kërkuesi shkencor, ka qenë numri total i botimeve shkencore.

Me të drejtë lind pyetja ne së këto botime, qofshin artikuj shkencorë apo libra e monografi, lënë gjurmë në jetën shkencore të bashkësisë apo të fushës shkencore ku bën pjesë autori në fjalë. Historikisht, përjashtuar rastet gjeniale dhe talenteve të përkryera, vepra e të cilëve kalon kufijtë akademikë, ndikimi, apo siç thuhet sot, impakti i shkencëtarëve është matur me reputacionin e tyre ndërmjet të njëjtëve, apo tek njerëz me influencë në jetën shoqërore apo politike.


Masë vlerësimi i reputacionit ka qenë dhe mbetet pjesëmarrja në projekte të rëndësishme, zgjedhja në forume drejtuese akademike, etj.
Revolucioni i pandalshëm në industrinë e silikonit ka bërë të mundur zotërimin e informacionit publik prej kujtdo.


Edhe në Shqipëri, është i pamendueshëm sot komunikimi, pa postën elektronike. Shkrimi i punimeve shkencore në formë elektronike, si dhe skanimi i punimeve të vjetra, ka hapur një dritare të re në vlerësimin sasior dhe cilësor të veprimtarisë botuese të punonjësve shkencorë.

Kështu, sot është e mundur të vlerësosh reputacionin apo ndikimin e veprës së një X autori, duke matur numrin e citimeve apo të referimeve të asaj vepre prej pjesës tjetër të botës. Duke u bazuar në këtë informacion të bollshëm, fizikani Jorge E.


Hirsch, propozoi një formulë që shërben si masë e vlerësimit të impaktit të punës së një autori (http://en.wikipedia.org/wiki/Hirsch_number). Sipas tij, një shkencëtar ka indeks h, në rast se h botime prej totalit të tij të botimeve, ka së paku h citime, ndërsa pjesa e mbetur e
botimeve, ka së shumti h citime.

Ne nuk do të ndalemi në detajet e përparësive dhe mangësive të kësaj mase të vlerësimit.


Por, tendenca në rritje për të përdorur një masë të tillë vlerësimi tregon se shoqëria e informacionit bën të mundur jo vetëm një transparencë më të madhe të vendimmarrjeve në punësimin e punonjësve akademikë, por krijon edhe masa vlerësimi globale, pavarësisht sa e zhvilluar apo e prapambetur është një shoqëri apo vend i caktuar.

Në këtë mënyrë vendoset një lloj demokracie edhe në vlerësimin e punës shkencore.

Për të treguar se sa afër apo larg jemi ne si vend në këtë drejtim, nuk është e nevojshme për të bërë shumë komente. Sidoqoftë, për efekt ilustrimi, nuk është e vështirë të matësh indeksin h të punonjësve akademikë shqiptarë.

Mjafton të shkosh në faqen http://scholar.google.com dhe të shkruash emrin e mbiemrin e shkencëtarit. Rezultati i kërkimit është lista e botimeve me numrin përkatës të citimeve. Ne kemi kryer një ushtrim të tillë për anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave.


Meqë faqja e internetit të Akademisë, http://www.akad.edu.al/, nuk e ka listën e anëtarëve, ne iu referuam shkrimit "Akademia e Shkencave, shtatori "starti" i veprimtarisë normale", botuar në shtypin e datës 9 gusht 2008. Kështu, në bazë të një numërimi të thjeshtë, për të llogaritur indeksin h, rezultojnë këto rezultate për anëtarët e rinj:

Adnan Kastrati ka indeksin më të lartë, 52, Arben Merkoçi, 12, Albert Doja, 5, Bahri Beci, Artan Fuga, 3, Muzafer Korkuti, Apollon Baçe, Neki Frashëri, 2 , Kolec Topalli, Floran Vila, Beqir Meta, Salvatore Bushati, Jani Vangjeli, 1, ndërsa të tjerët kanë indeks 0.


Sipas Hirsch-it, një indeks h në vlerat 10-12, do të thotë se kandidati është i denjë për të marrë një pozicion të parë definitiv si punonjës akademik, ndërsa një indeks 45 ose më shumë, do të thotë i denjë për të qenë anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave. Ilustrimi i mësipërm tregon se Akademia e Shkencave e RSH-së është shumë larg një standardi të tillë global. Megjithatë, vërehet me kënaqësi se në pranimet e reja, ajo, ka në radhët e saj një kalibër të tillë me indeks impakti 52.

Ndër të rinjtë kemi edhe një indeks impakti 12. Nuk është e vështirë të gjesh shkencëtarë shqiptarë me indekse të tilla impakti, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, por për shkaqe që mund të konsiderohen banale për një Akademi, siç janë keqinformimi ose mungesa e një fushate të hapur dhe transparente përzgjedhëse, ata kanë mbetur jashtë kësaj anëtarësie.

Reformimi i akademisë ka sjellë një risi në impaktin e saj ndërkombëtar, por masa e këtij impakti mbetet e ulët. Si përfundim, mund të themi se shansi që iu dha vendit për të reformuar tempullin e vet honorifik të dijes, mund të quhet i dështuar, në rastin më të keq. Në rastin më të mirë, shpëtoi shumë profesorë të nderuar prej pensionit të turpshëm prej 20 mijë lekësh!

5.2.09

Dije cilësore, universitet cilësor

Çfare cilësie kanë tekstet që ju jepen për përdorim studentëve në universitetet shqiptare?

Gazetari Andi Tela, në debatin e organizuar nga Televizioni Klan me ministrin e arsimit Zotin Fatos Beja, tregon para kamerës një libër atlasi të studentëve të gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Në të, emërtimet janë akoma ato të kohës së komunizmit; rasti më flagrant ai i qytetit të Kuçovës: në atlas ai figuron si Qyteti Stalin. Në një tekst tjetër, botuar në vitin 2007 nga një grup profesorësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës, i njëjti gazetar lexon një paragraf që të kujton statistikat komuniste. Studentët që i studiojnë këto tekste janë rreth 19 - 20 vjecarë, menjëfjalë, i përkasin një brezi që ka lindur në prag të ndryshimit të sistemit politik.

Zoti Beja, pas momentit të çudisë, u perpoq ta kalonte këtë episod me vërejtjen, se gabime ndodhin jo vetëm në librat që botohen në Shqipëri, por edhe në librat që botohen jashtë Shqipërisë. E vërtetë, gabime ndodhin, por rastet e evidentuara nga gazetari në fjalë i kalojnë kufijtë e një gabimi: ato janë pjesë e një dukurie. Tekste të vjetër, të dalë jashtë aktualitetit politik shqiptar, jashtë aktualitetit të teknologjisë apo dijes së sotme, gjenden në përdorim në shumë degë; si në universitete private ashtu edhe atë publik. Diku, në një universitet privat në Tiranë, studentët e arkitekturës studiojnë akoma tekste të viteve '80, ku mësojne teknologji ndërtimi të aplikuara atëbote. Një studenti shqiptar të inxhinierise, diku në një universitet zviceran, i sygjerohet nga profesori i lëndës që të harrojë cka ka mësuar në Universitetin e Tiranës në këtë lëndë sepse dija e marrë është tashmë e arkivuar.

E kuptoj zotin Beja kur, një moment më vonë, thotë që cilësia e një universiteti matet nga produkti i tij; cilësia e diplomës që prodhon. Por, elementi me i rëndesishëm që çon tek një diplomë cilësore është cilësia e dijes që jep institucioni i universitetit e, si rrjedhim, edhe cilësia e teksteve.

Por, le të shikojmë pak më tutje. Përveç dukurisë së përdorimit të teksteve të vjetra, në universitetet shqiptare kemi edhe një dukuri tjetër që ndeshet rëndom: shumë nga tekstet që blihen dhe përdoren nga studentët kanë për autorë vetë pedagogët e lëndës. Një vështrim në këto tekste të bën të qartë se në një pjesë të mirë të tyre, edhe kur nuk janë plagjatura të pastra, tekstet notojnë në plagjaturë: grafikët dhe figurat ilustruese, ashiqare të marra nga libra të huaj, nuk citohen se çfarë autoresie kanë e nga janë marrë; në to mungojnë referencat e literatures që është përdorur për të hartuar tekstin.

Lind pyetja: Kush e kontrollon cilësinë e teksteve që përdoren në universitetet shqiptare? Kush ua jep apo njeh autoritetin për të shkruar një tekst këtyre pedagogëve, profesorëve?

Eksperienca perëndimore, së cilës i referohemi rëndom, tregon se autoritetin për të qënë autor (apo njëri prej autorëve) të një teksti mësimor universitar profesorit nuk ja jep vetëm liria akademike por, mbi të gjitha, kontributi dhe vizioni i tij i shquar në një fushë të caktuar të shkencës; kontribut dhe vizion i pranuar e njohur nga komuniteti i studiesve të kësaj fushe. Eshtë ky komunitet që e integron në procesin mësimor këtë libër.

Po, edhe në perëndim profesorët e lëndeve mund të shkruajnë „nje tekst“ të tyrin; por këtu bëhet fjalë rëndom për një tekst në nivelin dhe cilesinë e dispencës, që synon reduktimin e informacionit të tekstit bazë mësimor në një skelet orientues, dhe/ose përmban njohuri shtesë nga kërkimi shkencor i profesorit që e jep këtë lëndë.

Zoti Beja, jo pa një lloj krenarie, tregoi për një iniciativë të re të institucionit të tij: Futjen në ciklin nëntëvjecar të teksteve shkollore të huaja, të perkthyera në shqip; tekste kryesisht të lëndëve ekzakte. Duam që dija bashkëkohore të arrijë edhe nxënësin shqiptar, – tha zoti Beja, – duam që të shtojmë edhe një alternativë tjetër në tregun e librit shkollor. Unë jam shumë dakort: dija bashkëkohore nga e cila Shqipëria u izolua për gati gjysëm shekulli duhet patjetër të hyjë jo vetëm në ciklin nëntëvjecar, por gjithkund: në të gjitha nivelet e sistemit arsimor shqiptar, edhe në universitete, private apo publike qofshin ato.

Një projekt i disa viteve më parë, me ndërmjetësinë e Ministrisë së Arsimit, bëri të mundur që të hapej një fond prej miliona lekësh dhe të botoheshin tekstet e sipërpërfolur të pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë. Ndoshta ka ardhur koha që Ministria e Arsimit të ndërmjetësojë, ashtu si edhe për ciklin nëntëvjeçar, për të hapur fonde edhe për përkthimin (ose edhe thjesht blerjen) e librave cilësore të nivelit universitar. Cilado zgjidhje të preferohet, perfitimi do ishte shumë i madh jo vetëm për studentët, për cilësinë e universiteteve dhe të diplomave të tyre por, mbi të gjitha, për vetë të ardhmen e këtij vendi.

14.7.08

Gjeni dhe gjenetika ne "Fjalorin e shqipes se sotme"

Se fundi, teksa kerkoja te perktheja nje fjale gjermane ne shqip, duke shfletuar neper fjalorin Gjermanisht-Shqip me autore Wilfried Fiedler & Ardian Klosi, syri me kapi fjalen gjen. Ne kete fjalor, perkthimi i kesaj fjale nga gjermanishtja ne shqip ishte i dhene si me poshte:

Gen [ge:n] (-s; e) n ---> gen (shqip) (Wilfried Fiedler & Ardian Klosi, Wörterbuch Deutch-Albanisch, Langenscheidt Verlag, 1997, faqe 267)

Perkthimi ne shqip si gen me konfuzoi, sepse besoja se ne shqip nuk i themi gen por gjen. Prandaj, per t’u sqaruar, hapa „Fjalorin e shqipes se sotme“, Akademia e Shkencave e Shqiperise, Instituti i Gjuhesise dhe Letersise, Botimet Toena, 2002, dhe ja ku e gjej:

GJEN, ∼ i, m, sh. E, ET, biol, Element perberes i kromozomeve te berthames qelizore, qe eshte percues i tipareve te trashegueshme ne organizmin pasardhes. Teoria e gjeneve. (faqe 429)

Pra, eshte gjen dhe jo gen. Me duket e cuditshme qe A. Klosi te kete preferuar gen ne vend te gjenit, dhe me duket akoma me shume e cuditshme kur kujtoj, se ne vitin 1997 fjala gjen nuk ishte e panjohur ne Shqiperi: ne degen e biologjise gjeni studiohej ne lenden e gjenetikes, ashtu sic studiohet edhe sot.

Mbas cudise se pare, cudia e dyte vjen nga perkufizimi i fjales gjen ne fjalorin e Institutit te Gjuhesise: „Element perberes i kromozomeve te berthames qelizore.“

Se pari, perdorimi i fjales element perberes te krijon idene se kromozomin e perbejne shume elemente dhe gjeni eshte nje prej tyre. E vertete: Kromozomin e perbejne shume elemente, por gjeni nuk eshte nje nga keta: gjeni eshte nje fragment kromozomi, eshte nje njesi, nje njesi qe mbart nje informacion te trashegueshem.
Se dyti, eshte e vertete: gjenet gjenden ne kromozomet e berthames qelizore. Por, kjo eshte vetem gjysem e vertete; sepse gjenet nuk gjenden vetem ne ADNne e berthames, ata gjenden edhe ne ADNne e mitokondrise; nje organel qe ndodhet ne citoplazme. Kjo eshte arsyeja qe ne shumicen e fjaloreve fjala gjen zakonisht perkufizohet: Gjeni eshte njesia e trashegimise.

Cudia e trete: Teoria e gjeneve. (Element perberes i kromozomeve te berthames qelizore, qe eshte percues i tipareve te trashegueshme ne organizmin pasardhes. Teoria e gjeneve.)

Teoria e gjeneve? Cila eshte kjo? Kush e ka formuluar? Kur? Une guxoj te them qe teoria e gjeneve nuk ekziston. Ne ndryshim nga fizika ku kemi, te themi, Teorine e relativitetit, ne gjenetike nuk ka teori gjenesh. Bile, mbas zhvillimeve te vrullshme te gjenetikes molekulare, sot eshte i veshtire edhe vete perkufizimi i gjenit; sepse ne kontekste te ndryshme perkufizohet ndryshe. Gje qe do te thote, qe perkufizimet per gjenin qe sot zgjidhen te perdoren neper fjalore, jane perkufizime minimale.

Nuk jane vetem pasaktesite qe me bejne pershtypje, por edhe fakti qe fjalori i shqipes se sotme eshte jashte zhvillimeve te sotme te gjenetikes. Nuk ka asnje fjale kyce qe te te orientoje drejt stadit te sotem te njohurive, drejt aplikimeve aktuale te fushes. Struktura e gjenit, shprehja e gjenit, klonimi i gjeneve, trashegimia e gjeneve, manipulimi i gjeneve, terapia e gjeneve – jane fjylekyce qe nuk perdoren vetem ne rutinen e nje laboratori te specializuar te fushes, por i gjen rendom edhe ne median e perditshme.

Nje faqe me mbrapa, fjalori jep shpjegimin e fjales gjenetike:

GjENETIK/E, ∼ f. Dege e biologjise qe studion zhvillimin e organizmave nga pikepamja e trashegimise se tipareve dhe e ndryshimeve te tyre; lende mesimore qe jep njohurite e kesaj shkence ne shkolle. Gjenetika e pergjithshme. Gjenetika e bimeve (e kafsheve). (faqe 430)

Per mendimin tim, edhe ky perkufizim eshte i pasakte: me zhvillim te organizmave nga pikepamja e trashegimise sot merret fusha e quajtur "Biologjia e zhvillimit" (developmental biology). Gjenetika, ne te kundert, perkufizohet rendom si: fusha e biologjise qe studion strukturen dhe funksionin e gjeneve, trashegimin e tyre ne organizmin pasardhes. Si fjale kyce per ta ilustruar une do kisha permendur: Gjenetika e popullatave, Gjenetike molekulare, Gjenetika e kafsheve, Gjenetika e bimeve, Gjenetika e njerezve, - per te bere, si ne rastin e gjenit, lidhjen me stadin aktual te zhvillimeve gjenetike sot.

4.12.07

Veteizolimi

Self, - shkruan miku im A., ne e-mailin e tij te radhes, - te lutem, a ma dergon pak kete artikull?

Miku im A. eshte pedagog ne Universitetin e Tiranes. U kthye ne Tirane pas nje eksperience akademike per t'u patur zili, ne institute te botes perendimore me emer; nga ato qe ne listat e universiteteve me te mira te botes, lista qe gazetat shqiptare i botojne me kaq zell e deshire; qendrojne ne vendet e para. E megjithate, edhe pse me prospektin e nje karriere akademike te shkelqyer ne xhep; miku A. vendosi te kthehej: ideali per t'i sherbyer atdheut te tij, deshira per te jetuar ne vendin ku ai flet dhe mendon ne gjuhen e tij ishte me e madhe.

Miku A. ngarkon ne kurrizin e tij nje thes te rende me artikuj te botuara ne revistat prestigjioze te fushes se tij, numri i te cilave eshte me i madh se numri i gjithe botimeve te katedres ku ai punon tani. Thesi vazhdon te rendohet; sepse edhe pse ne kushtet e Shqiperise, miku im vazhdon te punoje dhe te botoje; ndoshta pak me ngadale se me pare, por ai vazhdon. Vazhdon te jete i integruar ne zhvillimet e fushes se tij duke dhene e duke marre, duke botuar vete dhe duke lexuar ate qe bejne koleget e tij ne bote. Vetem se, leximi i puneve te kolegeve te tij nuk eshte nje mision i lehte. Per nje arsye te thjeshte: Universiteti i Tiranes nuk ju ofron pedagogeve, por as edhe studenteve, sherbimin e servirjes se literatures bashkekohore as ne formen e letres dhe as ate te internetit. Bile, edhe me keq, studimi i literatures se huaj eshte gati inekzistent si proces per pedagoget dhe fare inekzistent per studentet.

Por, jo vetem literatura e huaj eshte e huaj per Universitetin e Tiranes. Ne Shqiperi ekziston nje treg i vogel, simbolik, i shtypit shkencor lokal. P.sh., ekziston nje reviste e quajtur "Shkenca dhe Natyra" me nje nivel shume te dobet jo vetem te cilesise se botimit por edhe te materialeve te perkthyera ne te; revistat profesionale shkencore te ish-akademise, nje buletin per faqe te zeze te Fakutetit te Shkencave te Natyres; e gjera te kesaj natyre. Ndoshta "treg i vogel" nuk eshte fjala e pershtatshme sepse edhe kjo literature, edhe pse botohet, nuk perdoret dhe as duket se i sherben dikujt. Bile, ky kontribut shkencor lokal nuk u sillet per perdorim as studenteve.

Me nje fjale, kemi nje institucion si Universiteti i Tiranes, nje insitucion qe kultivon dijen; qe dijes bashkekohore i rri larg. Kemi nje institucion ku mungon biblioteka funksionale, biblioteka si vend i menaxhimit te dijes; i shkembimit te dijes, i qarkullimit te dijes. Lind pyetja: A eshte ne gjendje Universiteti i Tiranes te luaje rolin e edukuesit te profesionalistit te se nesermes? A eshte ne gjendje Universiteti te beje te mundur integrimin e dijes bashkekohore ne zhvillimet socialo-politike-ekonomike te vendit? A e ka luksin Shqiperia te vazhdoje te qendroje e izoluar ndaj zhvillimeve te teknologjise qe ndryshon perdite?

Duke degjuar fjalimet e klases politike udheheqese shqiptare te krijohet pershtypja se Universiteti eshte ne agenden e qeverise. Vetem se, duke konstatuar realitetin, njeriu cuditet se revolucioni i Universitetit shikohet vetem tek autonomia e tij apo tek futja e paktit te Bolognes. Nderkohe qe, nevoja e revolucionit te vertete qe prek pikerisht thelbin e institucionit te Universitetit si institucion ku ngjizet dija, duket se nuk po kuptohet jo vetem nga politikanet por as edhe nga vete institucioni. Sepse, ne thelb ne insitucionin e Universitetit kane ndodhur ndryshime shume te vogla; ne thelb Universiteti vazhdon te funksionoje si dikur: me te njejtet njerez, me te njejtin mentalitet, me te njejten literature.

Nderkohe, bota ka ecur perpara dhe vazhdon te ece perpara cdo dite. Nje veshtrim ne prurjet ditore te revistave profesionale shkencore te huaja te ben te kuptosh ritmin e shpejte, gati marramendes, me te cilen zhvillohen sot shkenca dhe teknologjia; nje ritem qe Shqiperise i kalon komplet tangent e per te cilin duket se nuk mban shenim asnjenjeri. Por jo vetem ritmi i zhvillimit te shkences e teknologjise po i kalon tangent Shqiperise: Shqiperise po i kalojne tangent edhe trendet e zhvillimit te se nesermes.

Miku im ben pjese tek ata te rinj qe duan te ndryshojne dicka. Ben pjese tek ata qe kerkon te hapi nje dritare te vogel nga ku ky ritem e keto trende te hyjne edhe brenda Shqiperise, te pakten per fushen e tij. Miku im ben pjese tek ata qe neglizhencen e shtetit dhe te institucionit e ka zevendesuar me perpjekjet e tij individuale per te gjetur fonde e financuar lidhjen me dijen. Ne saje te tij, departamenti i tij arrin te hedhi nje sy on line tek dy-tre nga revistat shkencore te fushes se tij. Vetem tek dy-tre, sepse per kaq arrin financimi. Per pjesen tjeter, ai perdor e-mailin dhe miqte e tij, qe si puna ime, punojne ne universitete ku pedagogut i eshte krijuar nje lidhje e palimituar tek dija; ku dita fillon me shfletimin e se rese qe vjen e te troket ne dere ne formen e etoc, sherbim qe dijen ta sjell ne dere me perpara se te jete botuar; ku studentet mbahen te informuar me zbulimin qe ndodhi jo me larg se dje.

Miku im nuk eshte i vetmi qe perpiqet te ndryshoje dijen, ta pasuroje ate dhe ta mbaje ate te fresket. Shume te rinj po kthehen e po perpiqen te realizojne idealet e tyre. Ndoshta ka ardhur koha qe shteti te zgjohet dhe te beje dicka per keta te rinj qe perpiqen te mbjellin nje fare te shendetshme e optimiste per te ardhmen. Hapja e nje fondi per revistat me prestigjoze shkencore do te ishte hapi i pare. Futja e studimit te detyrueshem te artikujve te rendesishem ne programet e universitetit do te ishte hapi i dyte. Jane hapa te vegjel dhe modeste por, gjithesesi, te cojne perpara.

7.9.07

Ndryshimi i curriculumeve...

... punonjësve të Universitetit - një domosdoshmëri për reformimin e sistemit universitar

Shumë është folur dhe po flitet për reformimin e sistemit universitar. Po bëhen ndryshime në ligjshmëri, po adaptohet pakti i Bolognes - përpjekje këto që tek e fundit prekin formën por jo domosdoshmërisht cilësine e mësimdhënies në universitet. Me përjashtime, universiteti shqiptar ofron sot një nivel mediokër njohurish, nuk kultivon kreativitetin, të menduarin e pavarur, nuk zhvillon aftësitë praktike të studentëve, nuk i bën ata të aftë të marrin pjesë si të barabartë në tregun ndërkombëtar të punes. E thënë shumë cinikisht, Universiteti Shqiptar është ndoshta i vetmi universitet në botë nëpër korridoret e të cilit, mbas orës 14.00 (dhe gjatë gjithë sezonit të pushimeve), lëvizin vetëm minjtë dhe roja i derës. Një nga arsyet e kësaj gjendjeje është niveli i ulët i curriculumeve të profesorëve dhe asistentëve, shumica e të cilëve janë edukuar dhe përgatitur në kushtet e izolimit të plotë të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, izolim jo vetëm politik por edhe shkencor. Si rrjedhim, ky brez, jo për faj të tyre, mund të kontribuojë në mënyre fare modeste në këtë etape të re në të cilën ka hyrë zhvillimi i Shqipërisë.
Është e pakuptueshme sot të vazhdohet me seleksionim pofesorësh dhe asistentësh me sistemin e kritereve të para 10 vjetëve. Është gati një domosdoshmëri që një brez i ri punonjësish të punësohet në Universitet, një brez që do të jetë në gjendje jo vetëm të ndryshojë atmosferën depresive por edhe ta bëjë këtë institucion të denjë për emrin që mban. Ky brez i ri duhet të ketë curriculume të njëhsueshme me atë të kusurit të botës: Të kenë titullin PhD, të kenë kaluar disa vite Post-Doktorature, të kenë një listë të konsiderueshme botimesh, të kenë botime në revistat prestigjioze të fushave ku punojnë, të kenë aftësi mësimëdhënie, të kenë mundësinë dhe aftësinë e vjeljes së fondeve që do të lejojnë ndërtimin dhe funksionimin e laboratorëve shkencore ku do të përgatitet një tjetër gjeneratë studentësh. Ajo çka e bën të mundshëm teknikisht realizimin e një ndryshimi të tillë, dhe që në të njëjtën kohë e bën të pajustifikueshëm mosrealizimin e tij, është fakti që sot janë me qindra shqiptarët që kanë bërë një karrierë të admirueshme akademike dhe që mund të thirren të kontribuojnë edhe për Universitetin Shqiptar.

Problemet dhe rrugëdaljet

Një zbatim radikal i kritereve të reja për curriculumet do të sillte armiqësimin midis brezave, një problem ky aspak i lehtë. Nga njëra anë brezi i vjetër, vetëkuptueshëm i identifikuar me atë që kanë arritur gjatë një jete, një karrierë që rrezikohet të shndërrohet në asgjë. Nga ana tjetër brezi i ri, me te ardhme që do t'i duhet të punojë në një atmosferë tepër të hidhur dhe shumë refraktare. Një eksperience të tillë Shqiperia e ka kaluar tashmë. 10 vjet më parë brenda "24 orëve" e gjithë burokracia e vjetër-e kuqe do të hidhej në rrugë e do te zëvendësohej me atë të renë-blunë, në përmbajtje po aq të vjetër sa edhe tjetra. E ndërsa për të rinjtë e për të vjetërit bota vazhdoi te vërtitej, për ata që ishin akoma të rinj dhe energjetikë për të dalë në pension por mjaftueshëm të vjetër për të filluar e për t'u adaptuar në një jetë të, bota u copëtua për të mos u bërë më. Përsëritja e një eksperience të tillë nuk është e nevojshme. Cilat do të ishin zgjidhjet? Zgjidhja ime do të ishte si më poshtë. Brezat e rinj të punësuar në Universitet duhet të inkurajohen të pasurojnë curriculimet e tyre e t'i bëjnë ato kompatibile me ato të kolegeve të tyre jashtë shtetit. Për ta nuk është vonë t'u hyjnë programeve të PhD. Profesorët e vjetër mund të nxirren më herët në pension dhe/ose (sipas meritave) të kalohen në statusin e Profesorit të Nderit, duke ju mundësuar kushte qe i lejojnë të studiojnë në ambjentet e univesitetit. Brezi as i ri dhe as i vjetër, por edhe më të vjetrit, fare mirë mund të inkuadrohen në mësimdhënie së bashku me atë të riun, duke ndihmuar njeri-tjetrin.

Një problem jo më i vogël se i mësipërmi është kthimi i akademikëve shqiptarë dhe integrimi i tyre. Ky brez, përpos profesionalisht në avantazh, është i edukuar me një mentalitet shumë të ndryshem, një liri akademike (akoma) të paimagjinueshme për punonjësit e universitetit dhe është mësuar me një liri financiare që i lejon të zhvillojë punën shkencore, kushte këto që Shqipëria nuk ja dhuron dot. Nuk po përmend fare pagesën qesharake me të cilën një profesor paguhet në Universitet. Në kushte të tilla duhet që të zhvillohen politika dinamike të tilla që nuk i mbajnë të burgosur këta akademikë në Shqipëri, politika që do ju mundësonin atyre vazhdimin e karrierës në vendet ku janë dhe, në të njëjtën kohë, integrojne dijen e tyre teorike-praktike në Shqiperi. Organizmi i leksioneve dhe punëve eksperimentale në blloqe disa javore do të ishte një zgjidhje dhe kompromis për të dy palët.

Ku çon një reformë e tillë?

Me një reformë të tillë do të mundësohet së pari, që studentët shqiptarë të mos largohen nga vendi dhe të marrin një diplomë të nivelit "Bachelor" cilësisht të krahasueshme me atë perëndimore. Së dyti, do t'u mundësonte studentëve që kane një titull "Bachelor" të jenë jo vetëm kandidatë të aftë për të konkurruar në programin "Master" të paraparë në "Bologna" por edhe kandidatë të aftë për industrinë. Së treti, një diplomë dinjitoze "Bachelor" do të jetë ndoshta edhe një atraksion dhe ftesë për investime në shumë degë të industrisë. Së katërti, do të kultivoje një edukatë të re pune dhe një model të ri individi për shoqërinë shqiptare krahas asaj të mafiozit, politikanit dhe kukullës televizive. Së pesti, do ta bëjë vetë universitetin shtetëror të fuqishëm përballë atyre private. Dhe së fundi, do të mundësonte një revolucion cilësor me minimumin e investimeve financiare.

(botuar fillimisht tek Shekulli)