29.1.13

Një vetëbesim i ri i shqiptarëve në Ballkan

Politikanët drejtues shqiptarë me përforcimin e retorikës nacionaliste po shkaktojnë dëme në politikën e jashtme

Gjatë festimeve të 100 vjetorit të ditëlindjes së Shqipërisë politikanët shqiptarë shfaqën papritmas  tone nacionaliste. Me këtë retorikë të re, e cila po shqetëson fqinjët, largohet edhe vëmendja nga problemet e brendshme

Oliver Jens Schmitt

"Prej këtu, prej Shkupit, ju bëj thirrje shqiptarëve të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo  muaj, çdo vit për bashkimin e tyre." Kështu u thirri Kryeministri shqiptar Sali Berisha më 25 nëntor 2012, gjatë një mitingu të madh në kryeqytetin maqedonas, pjesëmarrësve, mes të cilëve gjendeshin edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, zv/Kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferi, si dhe politikani shqiptaro-maqedonas dhe ish-udhëheqësi i guerrilasve Ali Ahmeti. Kryeqyteti maqedonas ishte zhytur në një det flamujsh shqiptarë.

"Një gjak, një gjuhë"

Ky fjalim u mbajt gjatë festimeve kushtuar njëqindvjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar më 28 nëntor 2012, festime të cilat krahas gëzimit që shkaktuan tek shqiptarët e Ballkanit dhe të Diasporës u shoqëruan edhe me tone të larta, të panjohura nacionaliste të politikanëve drejtues. Politikanë të rëndësishëm të Shqipërisë, me tone paksa më të ulëta ata të Kosovës dhe më të arsyeshme ata të Maqedonisë, përdorën një gjuhë që zakonisht e përdorin vetëm grupet radikale. Shqipëria shtrihet nga Preveza (Greqi) deri në Preshevë (një krahinë e Serbisë Jugore me shumicë shqiptare), nga Podgorica (kryeqyteti i Malit të Zi) deri në Shkup (me një pakicë të konsiderueshme shqiptare), deklaroi Berisha, i cili përdori edhe nocionin e "Shqipërisë etnike", "ku shqiptarët përbëjnë etninë dominuese dhe jetojnë pa ndërprerje".

Kryeministri kosovar tha se ekzistenca e dy shteteve shqiptare nuk ka qenë dëshira e shqiptarëve dhe se Shqipëria dhe Kosova do të ishin "më mirë" së bashku. Ali Ahmeti, me realitetin e brishtë të Maqedonisë në fokus, u tregua më i kujdesshëm e foli për të drejtat e shqiptarëve dhe për domosdoshmërinë e respektit të ndërsjellët ndëretnik. Polikanët shqiptarë që nuk janë në qeveri u treguan më të papërmbajtur: "Ne kemi një gjak, një gjuhë dhe një flamur", shkruajti Xhavit Halili, i cili dikur drejtonte nga Zvicra rezistencën shqiptare në Maqedoni.

Retorika e re politike e udhëheqësve shqiptarë në Ballkan nuk kaloi pa u vënë re. Vendet fqinje e panë frikën e tyre të krijimit të një Shqipërie të madhe, përdorur shpesh prej tyre gjithashtu për qëllime propagandistike, të vërtetuar. Politikanë të lartë, si p.sh. Ministri i Jashtëm grek, bojkotuan festimet në Tiranë. Nacionalistët, si Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i cili vetë, për qëllime të mbajtjes së pushtetit, përdor, pa përfillur fare dëmet në politikën e jashtme, nacionalizmin maqedonas kundër Greqisë dhe pakicave shqiptare, u shprehën kundër nacionalizmit triumfues shqiptar. Fjalët më të qarta i foli ambasadori amerikan në Tiranë, i cili e paralajmëroi qeverinë Berisha duke e sinjalizuar se SHBA nuk do të pranojnë asnjë ndryshim kufijsh në Ballkan.

Manovër për largimin e vëmendjes

Mbas euforisë mbarëkombëtare dëmet në politikën e jashtme janë të mëdha. Sepse që prej rrëzimit të diktaturës komuniste vendi konsiderohets si një faktor stabiliteti dhe e kishte orientuar veten qartësisht drejt politikës së NATO-s, e veçanërisht drejt Shteteve të Bashkuara. Hyrja në NATO dhe së fundi propozimi për dhënien Shqipërisë të statusit të kandidatit në BE, që u rishikua më pas prej Komisionit Evropian, ishin shpërblime për këtë qëndrim.  Përse qeveria shqiptare e vë në lojë reputacionin e mirë të politikës së saj së jashtme?

Vëzhguesit mendojnë se arsyeja janë zgjedhjet e qershorit 2013 në Shqipëri. Ashtu si në vendet fqinjë, Maqedoni p.sh., retorika nacionaliste heq vëmendjen nga problemet e vërteta të qeverive të kapura nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi dhe do të zhduket mbas zgjedhjeve. Por kjo nuk i shpjegon të gjitha sepse në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, janë krijuar parti radikale nacionaliste, të cilat në zgjedhje mund të bëhen të rrezikshme për partitë e konsoliduara.  Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, nën udhëheqjen e Kreshnik Spahiut, dhe Vetëvendosja në Kosovë, e drejtuar nga Albin Kurti, synojnë haptazi bashkimin e të dy vendeve. 

Aleanca Kuq e Zi dorëzoi në janar 2013 kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri. Vetë Aleanca u krijua në vitin 2011 si protestë kundër mënyrës se si po regjistroheshin minoritetet, veçanërisht ai grek, gjatë regjistrimit të popullsisë. Ajo agjiton kundër Kishës Ortodokse Shqiptare, sipas saj institucion grek, mitropoliti i së cilës, Anastasios Janulatos, është kërcënuar së fundi rëndë, kurse në Maqedoni ajo nxit kundër martesave mikse.
Nacionalizmi si shprehje e opozicionit radikal bëri me sa duket që Berisha, dhe Thaçi bashkë me të, të përpiqen të mbajnë me një retorikë të re zgjedhësit e zhgënjyer që kërcënojnë se do të largohen. Për këtë, sidomos demokratët e Berishës janë gati të mërzisin edhe SHBA-s edhe BE-së. Qeveria e Berishës ka lajmëruar se do u japë kosovarëve pasaporta shqiptare, gjë që opozita shqiptare e sheh si një formë të blerjes së votave. Por edhe udhëheqësi i opozitës Edi Rama i bie së njëjtës muzikë kur kërkon që Shqipëria të ndërtojë në Preshevë spitale për gratë shqiptare. Rama zhvilloi shpejt një koncept të tijin për bashkimin: Ky duhet të ndodhë brenda kuadrit të BE-së. Kjo nuk është e re, sepse edhe Berisha e përmend vazhdimisht integrimin euro-atlantik si rrugën për bashkim, të cilin ai e celebron si "një e drejtë e shenjtë".

Nacionalizmi shqiptar nuk është politikish i njësuar. Mes shteteve të vogla të Ballkanit, por edhe tek diaspora e madhe shqiptare ka shumë dallime. Socialisti Ben Blushi është një ndër të paktët intelektualë në politikën shqiptare që e interpreton nacionalizmin si një opozitë sistemi, ku armiku merr fytyra të ndryshme. Në Shqipëri ai drejtohet kundër partive të mëdha, në Kosovë kundër misionit të BE-së dhe "ndërkombëtarëve" në përgjithësi, në Maqedoni kundër kombit titullar maqedonas. Kjo çon në situatën paradoksale që në Shqipëri, p.sh., në të kundërt të Kosovës, një komisioner i BE pritet me krahë hapur.

Konstrukte të njohura

Intelektuali kritik më i rëndësishëm i Shqipërisë, Fatos Lubonja, flet për "nacional-evropianizmin". Ai nënkupton me këtë atë që elitat shqiptare, të dala prej kuadrove komuniste, nacionalizmin e tyre e qëndisën me retorikë evropianizmi, ashtu siç dikur kishin përdorur si mbulesë marksizmin. Dhe në fakt, një analizë e retorikës nacionaliste tregon se modelet e mendimit janë po ato të vjetrat. Koncepti hapësinor i Berishës i korrespondon idesë së një Shqipërie me katër vilajete, pra me provincën e madhe të Shkodrës Osmane të deri 1912-ës, Kosovën (me kryeqytet Shkupin), Bitolën dhe Janinën. Në vend të "Shqipërisë së madhe" përdoret nocioni i "Shqipërisë etnike" ose i "Shqipërisë natyrale". Veçanërisht Sali Berisha është ai që kultivon konceptin e një nacionalizmi "pozitiv": Shqiptarët vetëm mbrohen kundër agresioneve, nacionalizmi i tyre është "human" dhe "më i civilizuar" se ai i nacionalizmave "shoviniste" të fqinjëve. Miti i viktimës, një mit i perceptimit të vetvetes së nacionalistëve, i përhapur në të gjithë Ballkanin, plotësohet me imazhin e "popullit të vetmuar" (që kultivohet edhe prej grekëve dhe hungarezëve, gjithashtu të izoluar gjuhësisht) dhe me paranojën e rrethimit të kohëve komuniste. Kombi vjen dhe paraqitet, ashtu si edhe gjatë komunizmit, në hapësirë dhe kohë etnikisht homogjen. 

Më i madh apo më i mirë?

Klasifikimi i toneve të reja duhet shqyrtuar edhe në nivelin e politikës së jashtme dhe atij historik. Shqiptarët ndihen sot në Ballkan më të fortë se kurrë. Hashim Thaçi ishte i saktë kur e krahasoi situatën sot me atë të viteve 1999. Shqiptarët vështrojnë edhe dobësitë e vendeve që tradicionalisht i kanë parë si kundërshtarë, Serbia, e shkatërruar nga luftrat e humbura, dhe Greqia, e cila deri para pak kohësh kishte një influencë të madhe në vend.
Edhe raporti ndaj fuqive mbrojtësve perëndimore po ndryshon: Ashtu si pushtetarët shqiptarë të shekullit të  20-të, Berisha dredhon midis mbrojtësve të shumtë të politikës së jashtme, të cilët janë në të njëjtën kohë edhe dhënësit e parave. Përpara qeverisë turke flet për "gjakun e përbashkët" të turqve dhe shqiptarëve, përpara Papës paraqitet si pasardhës i heroit kombëtar Skënderbe. Para diplomatëve amerikanë, që përpiqen për ndarjen e shtetit të së drejtës nga dhuna, Berisha i lejon vetes shumë më tepër sesa Qeveria e Kosovës, e cila është fuqimisht e varur prej SHBA.

Festime euforike nacionaliste, retorikë fushate zgjedhore dhe zhvendosje tektonike në situatën politike të brendshme dhe të jashtme, të treja mblidhen bashkë në këtë dimër nacionalisto-shqiptar. Rezonanca tek masat është mbresëlënëse, por megjithatë jo e lehtë për t'u interpretuar. Rreth 1.5 milionë njerëz deri tani, statistikisht më shumë se gjysma e popullsisë, kanë vizituar brenda 45 ditëve ekspozitën e armëve (shumica e tyre të falsifikuara) të Skënderbeut të huazuara prej Austrisë.

Simbol i dytë i festimeve ishte "torta e madhe e pavarësisë" në Tiranë, shpërndarja e rregullt e së cilës dështoi prej trysnisë së njerëzve. Pamjet e njerëzve që gëlltisnin copa torte, që i paketonin ato në qese plastike dhe që në fund kërcenin mbi të apo gjuanin të tjerët me copa torte, janë në kontrast me fjalimet pompoze dhe tregojnë shumë më tepër për raportin e qytetarit me shtetin dhe dëshirat reale të shumicës së shqiptarëve. Intelektualët kritikë i bien drejt e në kokë: Alternativat janë ose një  Shqipëri më e madhe, ose një Shqipëri më e mirë. Elita politike ka zgjedhur për momentin, të paktën në retorikë, alternativën e parë.

Përktheu: Selfmaderadio