29.11.12

Kujtesa dhe amnezia në Shqipëri

Thomas Fuster
NZZ, International
28 nëntor 2012

(Një përmbledhje dhe përkthim i shpejtë i artikullit origjinal)

Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë, ngjarje që ofron mundësinë për një ballafaqim kritik me regjimin diktatorial të Hoxhës dhe fatin e të burgosurve politikë.
Në 10 tetor, Lirak Bejko mori një shishe plastike të mbushur me benzinë, e derdhi mbi rrobat e tij, mori një shkrepëse dhe i vuri zjarrin vetes. Brenda një sekonde, burri veshur me të zeza u shndërrua në një flakë që digjej para kamerave të televizioneve. Miqtë e tij të irrituar, që prej fundit të shtatorit të mbyllur në një grevë urie në një tendë të improvizuar, i hodhën sipër batanie dhe materiale të tjera për të shuar zjarrin. Por ndihma e tyre do të rezultonte e pasuksesshme. Në fillim të këtij muaji, Lirak Bejko vdiq prej plagëve në një spital të qytetit italian Bari.

Qeveri cinike

Këtë të mërkurë, në ditën e 100 vjetorit të pavarësisë,  njeriu më kot do përpiqet të gjejë emrin e Lirak Bejkos në fjalimet plot patos të politikanëve shtetare. Po kështu edhe emri Gjergj Ndreca - një i burgosur tjetër, që ashtu si Bejko, por disa ditë para tij i vuri zjarrin vetes. Motivi i dy të burgosurve dhe i njëzet grevistëve të tjerë, të cilët e mbyllën grevën në tetor, pasi shumica e tyre kishin humbur ndjenjat, është tejet legjitim: Ata kërkojnë që qeveria më në fund të respektojë e zbatojë ligjin. Bëhet fjalë për ligjin e miratuar në 2007, ligj që rregullon  marëdhënien me të burgosurit politik të regjimit Hoxha. Bejko, Ndreca dhe bashkëgrevistët e tjerë i përkasin kësaj kategorie. Ligji parashikon që ata të kompensohen më 14 Euro për çdo ditë që ata kanë kaluar në burg.  Por qeveria vendosi që ky kompensim të ndahet në 8 këste, një këst për vit duke u paguar faktikisht në 5 vite vetëm një këst. Edhe pse grevistët kanë të drejtë, qeveria refuzon të hyjë në dialog me ta. Duke injoruar tërësisht legjitimitetin e motiveve të tyre, kjo temë do të përdorej edhe një herë për një luftë ndërpartiake. Kryeministri Sali Berisha i Partisë Demokratike bën Edi Ramën e Partisë Socialiste opozitare përgjegjëse për këtë eskalim. Kështu, Rama jo vetëm që i manipuloi grevistët por edhe shpreson që ta përdori flakën në trupat e tyre për të thithur vota në 2013. Një përgjigje më cinike për vetedjegien është vështirë të imagjinohet.

Politikë e polarizuar

Ulërima e pashpresë e të burgosurve dhe reagimi cinik i qeverisë tregon dy konstante të politikës shqiptare. Se pari, përmbajtja e çdo lloj përballjeje mbytet në mënyrë automatike në sherrin e pafund mes demokratëve dhe socialistëve. Kompromiset dhe bashkëpunimi u jane të dyja partive të huaja. Që prej rënies së diktaturës nuk ka ndodhur kurrë që një parti politike të pranoje humbjen në zgjedhje. Përkundrazi, partia që humb zgjedhjet, qoftë kjo PD apo PS vë në pyetje legjitimitetin e vetë zgjedhjeve dhe u kthehet strukturave të ngurta.
Së dyti ky refuzim i diskutimeve me grevistët tregon se sa të vështirë e kanë shqiptarët përpunimin e trashëgimisë së Hoxhës. Viktimat e tij nuk gjejnë as sot mbështetje dhe sipas Oliver Schmitt, profesor ne Universitetin e Vienes, nuk ka praktikish asnjë lloj kërkimi serioz mbi Hoxhën, që të mos jetë i lidhur me politikën.
Për një amnezi të tilla ka disa arsye:
Së pari, duhet përmendur vazhdimësia e fortë e elitave politike dhe shoqërore. Sipas Schmitt, viktimat e Gulagut komunist shohin se si ata që i dënuan, qofshin këta gjykatës, hetuesa, agjentë sigurimi apo efektiva burgu - jo vetëm nuk kanë perfunduar në burg, por madje dekorohen për karrierën e tyre. 

"Plani B" i komunisteve

Patjetër që shqiptarët, kudo ata qofshin,  kanë këtë të mërkurë arsye të festojnë. Por, siç ndodh rëndom në përvjetore të tillë, ky 100 vjetor ofronte edhe një mundësi për vetëreflektim. Dhe këtu do të duhej të njihej dhe pranohej se mbi katër dekada tëekzistëncës së këtij shteti mbizotëron akoma qyrku i heshtjes. Dhjetëra mijëra ish të burgosur ndihen një herë më shumë të tradhëtuar prej shtetit. Ky regjim është "Plani B" i komunisteve, i thoshte para disa kohëve Skënder Tufa i Shoqatës së të burgosurve politikë agjensisë së lajmeve Birn. Nuk mund të formulohet më saktë frustrimi me demokracinë gjysmake të Shqipërisë.