Showing posts with label Opinione. Show all posts
Showing posts with label Opinione. Show all posts

2.12.13

Mirësevini në Shqipërinë Evropiane


Kliko mbi foto
Në 6 tetor 2013 vdiq në një park të Durrësit Sofia Skëndo, 87 vjeç. Sofia ishte bërë e njohur për publikun shqiptar nga raportimet e medias si „gruaja e moshuar që jetonte në rrugë“. Në fakt, jetonte prej vitesh në parkun mu përballë Bashkisë së Durrësit, përpara syve të shtetit, kalimtarëve, të pasanikëve, të pronarëve të firmave të ndërtimit, të klerit dhe të NGO-ve. Sofia nuk e kishte zgjedhur vetë këtë „stil jetese“, e kishin detyruar. E kishte detyruar, më saktë, e kishte hedhur në rrugë vetë shteti shqiptar, që e nxorri nga shtëpia ku ajo kishte kaluar jetën e saj, për t’ja kthyer këtë pronarit.
Sofia nuk ishte një rast i vetëm. Petrite Xhaferi, 76 vjeç, dhe vajza e saj Majlinda u nxorrën më 20 shtator 2013 me forcë nga policia e Rajonit Nr. 2 në rrugë. Ndërtesa, ku Petrite Xhaferi kishte kaluar 60 vite të jetës së saj, do i kthehet gjithashtu pronarit. Nga të shtatë familjet që duhet të dalin nga kjo ndërtesë, policia përzgjodhi të bëjë "shembull" atë më të dobtën, atë të Petrites. Prej më shumë se dy muajsh, 76 vjeçarja e sëmurë dhe vajza e saj jetojnë, ashtu siç deri në tetor Sofia Skëndo, në qiell të hapur, përpara syve të shtetit, kalimtarëve, pronarëve të mëdhenj e të vegjël, pronarëve të firmave të ndërtimit, organizatave bamirëse dhe organizatave për mbrojtjen e grave. Dhe, po ashtu si në rastin e Sofia Skëndos, apelet mediatike e kanë lënë shtetin të pandjeshëm.
Askush nuk di të thotë me siguri, se sa familje janë nxjerrë në rrugë gjatë aktit të rikthimit të pronave pronarëve, në Tiranë dhe nëpër rrethe. E sigurt është, se sidomos mbas miratimit të Aktit Normativ Nr. 3, të datës 1.08.2012, "për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara", numri i familjeve, që po hidhen në rrugë, po shtohet. Avokati i Popullit, Totozani, në një deklaratë të tij, bërë publike pas vdekje së Sofia Qëndros konstaton, me shqetësimin më të madh, "se plagët sociale të paralajmëruara prej tij, me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ, sa vijnë dhe përkeqësohen, deri edhe në akte të dëshpëruara të njerëzve të pashpresë për ti dhënë fund jetës, sikurse ka ndodhur në gusht në Kavajë apo edhe në një rast tjetër gjatë shtatorit në Durrës“.
Problematika e këtij Akti qëndron në faktin, se ai, teksa parashikon lirimin e pronave për t’ja kthyer ato pronarëve, të pastrehëve u ofron vetëm një zgjidhje, atë të dhënies së një kredie me interes zero. Por, për një pjesë të të pastrehëve, marrja e kësaj kredie është, së pari, krejt e pamundur, sepse ata u përkasin kategorive që asnjë institucion bankar nuk u jep kredi: pensionistë dhe të papunë; dhe, së dyti, sepse nuk kanë mundësi reale financiare për ta shlyer një kredi edhe në rast se mund ta përfitonin atë. Aq më prekare bëhet kjo situatë në rastin e kategorisë së të moshuarve, një kategori, e cila, pasi ka paguar qeratë e banesave ku ka kaluar jetën dhe pasi i ka dhënë shoqërisë një jetë të tërë pune dhe taksash, edhe atë të mbrojtjes sociale, detyrohet t’i jetojë ditët e fundit të jetës në rrugë, pa patur mundësinë që të vdesë me dinjitet.
Në muajin shkurt 2013, Avokati i Popullit i ështe drejtuar me një rekomandim të posaçëm ish-Kryeministrit, z. Berisha, lidhur me këtë çështje, duke i kërkuar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm ligjore për zgjidhjen e emergjencës, që tashmë akti normativ ka krijuar me hyrjen në fuqi. Por asgjë nuk ndodhi. As z. Berisha, as qeveria që ai drejtoi, as Kryebashkiaku Basha nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje serioze për të zbutur problemet sociale, që krijuan me ligjet që miratuan vetë. Mosinteresi për zbatimin e politikave sociale është një konstante e politikës shqiptare të 23 viteve të fundit. Si politikat sociale, ashtu edhe financimet e qeverive shqiptare që i kanë bashkëshoqëruar, kanë qenë përveçse jo transparente, edhe prioriteti i fundit i çdo qeverie. Zakonisht, kjo temë përmendet gjatë fushatave zgjedhore, kur të gjitha partitë politike luftojnë të fitojnë vota, çdo votë, edhe të atyre që janë nevojë, duke u premtuar  zgjidhjen përfundimtare të problemeve shumëvjeçare - „zgjidhje përfundimtare“, që shtyhen për në kalendat greke sapo fushatat zgjedhore përmbyllen me një fitues. Siç po ndodh në mënyrë të përsëritur edhe me Qeverinë Rama: 100 ditë pas ardhjes në pushtet, nuk ka ndërmarrë asgjë për të zgjidhur problemin e këtyre të pastrehëve.
Petrite dhe Majlinda Xhaferi, dhe të tjerë si ato, jetojnë sot, në këto ditë të ftohta e të lagështa dhjetori, në rrugë, të pafuqishme përballë një shteti që i dëgjon dhe nuk reagon. Përballë një shteti që na përsërit çdo ditë se nuk ka fonde, por i nxjerr ato siç nxjerr magjistari lepujt nga sqetullat, kur vjen puna e llustrimit të imazhit të saj evropian; për të ftuar artistë- e mjekë-imazhe, nga e gjitha bota, për të organizuar darka e festime solemne, që krijojnë një realitet virtual të paqenë. Petritet dhe Majlindat jetojnë në rrugë, në një shtet për të cilin thuhet, se ka rreth 500 banesa sociale, që nuk i kanë hapur kurrë dyert, përballë një shteti ku me mijëra banesave rrinë bosh, prej vitesh, anembanë Shqipërisë. Majlindat dhe Petritet janë përballë një shteti, që refuzon të njohë e të zgjidhë problemet e tij sociale – ose, thëne hidhur – përballë një shteti, që ia delegon zgjidhjen e tyre rrugës dhe vdekjes! Shpresa për një rilindje të shtetit social po vanitet me çdo ditë që kalon.
Sofia Skëndo vdiq. Përpara na presin vdekjet e paralajmëruara të Petriteve dhe Majlindave që kanë pësuar të njëjtin fat si ajo. Eshtë koha të veprojmë si komunitet qytetarësh, për të parandaluar këto tragjedi e për t’u dhënë një zë më të fortë këtyre njerëzvë të harruar. Për veprim thërret edhe lëvizja qytetare "Mjaft Nëpërkëmbjes", e cila ka hartuar një peticion drejtuar instancave të ndryshme të shteti shqiptar, që po qarkullon prej dy ditësh në internet. Eshtë një nga përpjekjet e para në këto 23 vitet, për të krijuar një ndërgjegjësim komunitar, një përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarit; një përpjekje për të ushtruar presion komunitar ndaj një shteti refraktar dhe arrogant.
Një përpjekje, që, duke folur me fjalët e peticionshkruesve:

Nuk d
ëshiron viktima të tjera të shtetit. Që kërkon një shtet social, që funksionon si një mekanizëm rregullues, si arbitër i drejtë midis të gjitha palëve. Që kërkon, që shteti, nëpërmjet isntitucioneve të tij, të bëjë atë për të cilën është betuar edhe para kushtetutës: Të garantojë dinjitetin e njeriut, të drejtat e tij!

25.6.13

Çudia LSI?

Pyetja që dominon diskutimin publik pas rezultateve të zgjedhjeve të 2013 është ajo e rritjes gati 400% e mandateve të LSI. Paradoksi që konstatoj unë, e bashke me mua shumë të tjerë, është se teksa vota popullore dënon një klasë politikë autokratike e të korruptuar, Sali Berishën e koalicionin e tij qeverisës, pjesë e të cilës deri para dy muajsh ishte edhe Ilir Meta dhe LSI, kjo votë e shpërblen Ilir Metën me një rritje masive. Flasim për Ilir Metën, hajdutin e parë të historisë së Shqipërisë, vjedhjen e të cilit e ka parë në ekranet e televizionit një shtet i tërë, e për mosdënimin e të cilit u angazhua një shtet i tërë. Për të cilin, Edi Rama dhe partia e tij organizuan demonstratën ku u vranë 4 persona (pa u dënuar kush). E prapë, populli, për të cilin nga fitimtarët na thuhet se dënoi Sali Berishën, se kërkonte "ndryshimin", se dëshiron Shqipërinë "europiane", se kërkonte të "rilindte", zgjedh të përfaqësohet politikish, të përfaqësohet në imazhin e saj "europian" (kujdes, jo "evropian"!), "të rilindë" me një hajdut të dokumentuar shumë mirë e shumë të përfolur.

Cilat janë arsyet që LSI arriti të ketë një fitore të tille? Përtej retorikave të fituesve, unë mendoj se kjo fitore e LSI shpjegohet me:

1. pozicionin e saj sandwich. Ky pozicion i mundëson LSI që përpara zgjedhësve ta përkufizojë veten gjithmonë si fituese në zgjedhje. Ajo është në pozicionin që i lejon vetes të zgjedhë se ne cilin kah politik do të jetë fitorja e ardhshme (dhe të vendosë kushtet e saj). Madje, ky pozicion i mundëson LSI, që të jetë një strehë e ngrohtë dhe e sigurtë për hajdutët dhe kriminelët në gjirin e saj (këta madje ja dalin pa lagur edhe kur i kapin me "presh në dorë", e madje-madje edhe kur një shtet i tërë i sheh duke vjedhur - siç ishte rasti i dora vetë Ilir Metës).

2. kombinimin e një LSI-je gjithmonë fituese me profilin e Ilir Metës si një njeri "i zoti", që ja ka dalë jo vetëm të mbijetojë, e të mbijetojë në mënyrë shumë të suksesshme politikisht e ekonomikisht, por që ja ka dalë të ndihmojë të mbijetojnë, e të mbijetojnë me shumë sukses edhe ata që e votojnë e i shërbejnë, përfshi kontrabandistë e mafiozë të profilit të lartë.

3. blerjen e votës dhe shërbime sociale zgjedhore: në rrjetet sociale njerëzit raportojnë për kandidatë për deputetë që kanë paguar për çdo votë (si shembull konkret sillet rasti i deputetit të LSI-se në Kukës).

4. nevojën për punë, nevojën për të mbijetuar, e për disa për të mbijetuar sukseshëm në një vend me papunësi të madhe e me një ekonomi të dobët. Është tashmë anektodike që LSI punëson jo vetëm individin, por edhe gjithë familjen e tij (kjo përkthehet në vota të sigurta, në një elektorat të sigurt - 100'000 kokë e numëronte elektoratin e tij Ilir Meta para zgjedhjeve të fundit) - këtu bëhet fjalë për punësim në sektorin shtetëror, tashmë të ndarë në parcela-parcela klienteliste sipas "sukseseve" të partive fituese - (sektori publik tashmë është një Cosa Nostra e partive politike). Kjo nevojë, e kombinuar me një mentalitet të imponuar në këto 20 vite - sipas gjasave edhe më shumë se kaq -, se këtë ekzistence e ke të garantuar kur je nën sqetullen e një partie, e kombinuar edhe me një profil "të besueshëm" të Ilir Metes (i zoti, ja hodhi edhe Sali Berishës, ky iku, Ilir Meta mbeti, prite kur t'ja vëri stërkëmbëshin edhe Ramës), kane shtyrë një pjesë të elektoratit që ekzistencën e tij deri tani e siguronte nga sqetulla e Berishës dhe/apo një pjesë të elektoratit të përjashtuar deri tani nga këto shërbime, që të votojë për një "ofertë" më të suksesshme, për Ilir Metën.

"Vota plebishitare" që dënoi Berishën (dhe shpërbleu Meten) ishte, në sytë e mi, jo edhe aq për "sistemin e tij autokratik", por sepse ky "tradhëtoi" sistemin e klientelizmit, sepse e përqendroi atë në duart e pak klaneve, tek fëmijet e tij - duke harruar femijët e popullit, në kushtet kur kriza ekonomike u bë gjithnjë e më dominante në jetën dhe kuletën e njeriut. Pra, ishte një dënim për zvogëlimin e demokratizimit të klientelizmit.

Në këtë linjë mendimi, nuk çudit që Edi Rama (PS) nuk ka patur rritje substanciale të elektoratit: ky nuk e ka reputacionin e Sali Berishës (njeri i besës) e as reputacionin e Ilir Metës (njeri punëtor, ja ben yzmetin punës). Edi Rama tërheq elitaristët, kulturalistët, imazhistët dhe europianistët (jo evropianistet!) - një klan shumë te ngushtë - por në popullin e gjerë perceptohet antipatik e, mbi të gjitha, i pabesë - nuk ka asnjë garanci me të.

Kështu që "nevoja për ndryshim", "nevoja për një imazh europian" siç u pëlqen analistëve klientelistë të PS ta quajnë fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 2013, e, që në thelb i detyrohet pranisë së LSI në këtë koalicion, e sidomos rritjes masive të votave që e kanë përzgjedhur këtë forcë politike, reflekton në thelb një nevojë për një ofertë klienteliste më të mirë, "më demokratike" - ku përfitojnë e vjedhin të gjithë. Një nevojë për një parti politike që çfarë do që të ndodhë, do të jetë gjithmonë fituese, duke e optimizuar, kështu, në pafundësi "çështjen" e punësimit/ekzistencës për këtë pjesë të elektoratit. 

Shqiperia po rilind. Me Ilir Metën dhe LSI. Bëhuni pjesë e saj. 

-->

20.11.11

Pyetje

Tek gazeta Shekulli, 17.11.2011, hasa këtë letër publike, titulluar "Letër zotit Lanksch", shkruar nga Bardhyl Demiraj, drejtues i katedres se albanologjise ne Universitetin e Münichut. Eshtë një letër që më irriton, jo vetëm për gjuhën e tonin e përdorur, por edhe për përmbajtjen e varfër, për mungesën e argumentimit, për frymën gjykuese, lincuese të saj. Letra tenton t'i përgjigjet një komenti sqarues me titull "Për raportin Camaj-Kadare", që z. Hans-Joachim Lanksch kishte botuar një ditë më parë në të njëjtën gazetë, sqarim në të cilin ai përpiqej të evidonte një pasaktësi në rrëfimet e Helena Kadaresë në librin e saj të kujtimeve "Kohë e pamjaftueshme", lidhur me marëdhëniet Camaj-Kadare përshkruar në këtë libër. Midis të tjerash më irritoi ky paragraf në letrën e cituar :
"A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, or Hans i mjerë!: kujt i intereson dhe sa i shërben vërtet së vërtetës ajo e vërtetë, të cilën ty të gënjen vërtet mendja se po e nxjerr vërtet në dritë të vërtetë? E akoma më keq: a është interesuar vërtet në Gjermani a në Munih, pikërisht aty ku jeton ti vërtet, ndonjë gjerman i vërtetë që të njohë atë të vërtetë që trumbeton ti?"

Pyetje që më lindën gjatë dhe pas leximit të kësaj letre:
  • Si është e mundur që një edukator (!) i brezit të ri, edukator i elitave të së ardhmes të quajë mjeran dikë që i intereson e vërteta? Të përbuzë të vërtetën? 
  • Cfarë u edukon ky edukator studentëve të tij? Gjënjeshtrën? Të gënjejnë? Të ndërtojnë imazhe gënjeshtare? 
  • Cfarë u mëson ky edukator studentëve të tij? U mëson që përpara ligjit dhe të vërtetës nuk jemi njësoj, sepse ai që ka më shumë reputacion shoqëror, më shumë pushtet nuk duhet t’u bindet normave morale dhe kontratës së përbashkët të legjitimuar në kushtetutë? 
  • A tregon të vërtetën ky individ-akademik në punimet e tij shkencore?
  • Cfarë po kundërargumenton ky profesor? Ky akademik? Cilin nga faktet e sjella nga z. Lanksch, në komentin sqarues "Për raportin Camaj-Kadare" po vë në dyshim, cilës prej tyre po i kundërsjell fakte të tjera, nga burime të tjera?
  • Po e quajmë profesor dhe akademik, por si mund ta quajme intelektual dikë që nuk kërkon të vërtetën, por kërkon ta varrosë atë? Si mund ta quajmë intelektual dikë që vret publikisht (sepse kjo letër nuk është ftesë për debat; ështe gjykim/fletërrufe publike) dikë që mëton të operojë me të vërtetën?

25.8.11

Për hir të veprës, vetes dhe lexuesit


Lexova së fundi një libër të Dürrenmattit, "Premtimi" (në origjinal, Das Versprechen"). Eshtë një libër i njohur i tij, i filmuar (realizuar shumë mirë) edhe nga Sean Penn para disa vitesh, nën titullin "The pleadge". Nuk e kam lexuar librin në origjinal dhe subjektin e tij e njihja nga filmi i sipërpërmendur. Pra, librin e lexova pas filmit dhe jo nga origjinali, por nga përkthimi në shqip. Përkthyesi i librit është Ardian Klosi, i cili këtë herë nuk e ka shkruar emrin e tij në kapak të librit, duke ja lënë këtë nder vetëm Dürrenmattit; koston e përkthimit të "Premtimit" e ka mbuluar "traduki", kurse koston e botimit "Prohelvetia" (po i përmend faktet e kostos se m'u duk kuriozitet që mbulimi i kostos së botimit të librave të një shtëpie botuese të bëhet nga fondacione dhe jo nga vetë shtëpia botuese, në këtë rast, K&B. A është edhe vetë shtëpia botuese, në një rast të tillë, një lloj fondacioni, me një mision të caktuar kulturor, por pa qëllime fitimi?).

Klosi është munduar të bëjë diçka të re, më duket mua, të fusë një traditë të re, atë të ilustrimit. Them e re, e mbase gabohem, sepse nuk më kujtohet që në rininë time, apo për kohën që kam jetuar e jetoj në realitetin shqiptar, që librat artistike që kam lexuar të kenë pasur ilustrime me skica vizatimore (ato për fëmije, po). Ilustrimi i librave artistike me vizatime është një traditë që e kam hasur në realitetin gjerman të librave për të rinj të viteve 1950-1960, kurse sot ndeshet rrallë.


Dürrenmatti vetë ka pikturuar, dhe jo keq, e megjithatë, romanet e tij, me sa di, nuk i ka ilustruar me vizatime, edhe pse thuhet që skicimin e ngjarjeve ai fillimisht e bënte në formën e vizatimeve përpara se ta hidhte në makinën shtypëse në gërma. Kush e ka ilustruar atëherë përkthimin e Dürrenmattit në shqip? Gëzim Qendro. Përse jo, xhanëm? - mendova! Mbase Klosi e ka parë një botim të tillë të Dürrenmattit si një mundësi për ta bërë më tërheqës, më të prekshëm për të rinjtë, për ta ofruar të riun tek libri. E mbase jo vetëm të riun, edhe më gjerë. Si një vlerësues i letërsisë së Dürrenmattit dhe letërsisë në përgjithësi, nuk mund të them asgjë, përveçse të duartrokas një qëllim të tillë dhe çdo përpjekje që krijon lexues.

Klosi nuk është përkthyes i keq dhe leximi rrjedh. Merita më e madhe e tij më duket përpjekja për të futur në përdorim fjalë të reja, për të rifutur në përdorim fjalë të harruara, apo dialektizma. Por, për herë të dytë, pas edhe leximit të „Skënderbeut“ të Oliver Schmittit, të përkthyer po nga Klosi (këtë herë me emrin e tij në kapak, poshtë atij të Schmittit), konstatoj se librat që Klosi përkthen dhe i boton vetë kanë shumë gabime ortografike, në mënyrë të pafalshme shumë; ka konstrukte që nuk janë formuluar mirë në shqip, ka lapsuse. Që Klosit si përkthyes mund t'i ndodhin këto gjëra nuk më cudit, i ndodh mbase cdo përkthyesi, dhe ca më tepër kur ai është nën presionin e kohëse dhe mbase edhe të lekut. Ajo që më cudit është kur puna e përkthyesit nuk redaktohet e as nuk korrektohet. Si ndodh që një shtëpi botuese nuk i korrekton dhe redakton librat që boton? Si reagon përkthyesi ndaj një neglizhence të tillë? Vetëm se, përgjigja e këtyre pyetjeve bëhet e sikletshme kur konstaton se përkthyesi është edhe botuesi. Në fund të leximit të „Premtimit“ rimendova atë që kisha menduar pasi mbarova „Skënderbeun“: Shtëpia botuese K&B ka nevojë urgjente të punësojë një korrektor dhe një redaktor, për t'i bërë nder autorëve që përkthen (Dürrenmattit dhe Schmitt, të paktën), vetes dhe  lexuesit, e sidomos të rinjve, lexuesve të së ardhmes (në fakt, mësuesja e letërsisë që ju sygjeron „Premtimin“ si lexim nxënësve të saj, duhet t’ju kërkojë të gjejnë edhe gabimet ortografike. Në një ton më ironik: kjo mund të jetë një rrugë efektive për të mësuar drejtshkrimin më të mirë të gjuhës shqipe nëpër shkolla!).

Por! Mbi të gjitha!

Problematike janë ilustrimet e Qendros. Historia e librit „Premtimi“ ngrihet mbi vrasjen e një fëmije, një vajze të vogël 7 vjeçare. Gjasat duken që „në lojë“ të jetë një kriminel serial, pra, dikush që në intervale kohe të ndryshme përsërit të njëjtin krim, vret një vajzë rreth 7 vjec. Të gjitha janë bionde, me dy gërsheta të gjata dhe veshin fustan të kuq. Skena e krimit paraqitet gjithashtu e ngjashme në të gjitha vrasjet e serisë: vajzat gjenden në pyll (lokalitete t
ë ndryshme), të zhveshura – fustani i kuq hedhur mënjanë -  dhe të copëtuara me një brisk të madh rroje. Vrasësi nuk lë pothuajse asnjë gjurmë (përvecse viktimës). Nuk ka praktikisht asnjë dëshmitar. E vetmja shenjë, gjurmë, është një vizatim, një vizatim që vajza e vrarë në krye të historisë së „Premtimit“ ka bërë një javë para se të vritej dhe që gjendet e varur në murin e klasës së bashku me vizatimet e fëmijëve të tjerë. I gjithë skenari i investigimit ndërtohet mbi këtë vizatim, mbi figurat-simbole të vizatuara nga vajza e vogël.

Edhe ky vizatim  vjen „i riprodhuar“ nga Qendro në librin e përkthyer dhe botuar nga Klosi - mbase me synimin për ta bërë lexuesin e ri shqiptar të ndihet në rolin e komisarit të policisë, të mendojë e të ndjejë me të. Mirëpo Qendro (dhe gjykojeni edhe vetë nga fotografimet që po sjell, këqyrni vizatimin e fëmijës sipas Qendros dhe lexoni në paralel përshkrimin e vizatimit sipas Dürrenmattit, shënjuar me shigjetë të kuqe) nuk e respekton tekstin e librit, dhe sjell një vizatim që, në fakt, është zbrazur nga një pjesë e simboleve që, tek e fundit, janë përcaktues në vetë ndërtimin e plotit të romanit, vizatim që në thelb nuk inspiron për asgjë e që, thjesht, do ta kishte lënë botën letrare pa „Premtimin“, të paktën, pa këtë „Premtim“. Lind pyetja, çfarë roli, për çfarë shërben atëherë një ilustrim, nëse ai nuk është në koherencë me historinë që tregohet në roman? Dhe përsëri: Nëse shtëpia botuese do të kishte redaktuar librin, ndoshta, gabimet e ilustrimeve të Qendros, ashtu si edhe ato të përkthyesit, mund të ishin mënjanuar. 

Eshtë e lavdërueshme përpjekja për të sjelle letërsi cilësore në Shqipëri. Veçse, këto përpjekje duhen kombinuar edhe me përpjekjen për përgjegjësi ndaj veprës, dhe këtu rreshtohen jo vetëm cilësia e përkthimit, por edhe respektimi i vërtetësisë së ngjarjes dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Nëse veprat nuk vijnë me një drejtshkrim korrekt, nëse nuk respektohet ngjarja e autorit në ilustrime – atëhere kjo nuk bën asgjë përveçse saboton vetë qëllimin e përkthyesve dhe të shtëpive botuese për të ftuar lexuesin tek libri i mirë e për të krijuar tradita të reja leximi. Që një papërgjegjësi e tillë konstatohet tek dy individë të artikuluar të kulturës shqiptare është zhgënjyese.

6.5.10

Për pushtet a vdekje

Lufta e PS për kutitë është alibia për të prishur ekuilibrat politikë, është një përpjekje për ta çuar shtetin në krizë e për ta detyruar pushtetin aktual ta bëjë edhe PS pjesë të (përfitimeve) saj. Me çdo mjet, pa iu trembur më konfrontacionit të drejtpërdrejtë.
Tingëllon gati si një barcaletë historia e një arkitekti, që edhe tre muaj pas punësimit, nuk kishte marrë asnjë rrogë. „Do shkoj të ankohem“, - kishte thënë arkitekti kurajoz, dhe i kishte kërkuar Koço Kokëdhimës, punëdhënësit të tij, një takim. Kur u kthye në zyrë, tek kolegët e tij, edhe ata prej muajsh të papaguar, ai iu përgjigj syve të tyre kuriozë: „Çdo gjë në rregull: Koçoja më ngriti në përgjegjësi dhe ma rriti edhe rrogën“. Por muajt kaluan, dhe arkitekti i ngritur në përgjegjësi e me rrogë më të lartë nuk mori asnjë qindarkë. Pas gati gjysëm viti punë të papaguar, ai u largua.
Jo kaq paqësisht e kanë zgjidhur situatën e tyre, dy javë më parë, punonjësit e televizionit të Koço Kokedhimës. „O na jep rrogat, o nuk t’i kthejmë pajisjet“. Me pajisje e kishin fjalën për ato të televizionit. Ngjarja kaloi pa vëmendjen e medias, ndoshta sepse pavarësisht se nga cili kamp janë të rreshtuar, gazetarët dhe pronarët e tyre janë të ndjeshëm ndaj problemeve të njëri-tjetrit. Sidomos problemeve financiare. Tek e fundit, ajo që e paguan gazetarinë shqiptare është biznesi i ndërtimit, apo biznese të tjera paralele të pronarëve të gazetave. Dhe fati i ketyre bizneseve është pafundësisht i lidhur me politikën.
Koco Kokëdhima është një mbështetës i deklaruar i Edi Ramës dhe nuk është sekret që bizneset e sukseshme të Kokëdhimës i detyrohen loyalitetit të Ramës. Këtë lloj pozicionimi strikt të Kokëdhimës në krahë të Ramës ai po e paguan me vetë biznesin e tij. Rubineti i Bashkisë prodhon gjithmonë e me pak lekë për të kënaqur financiarisht mbështetësit e Ramës, teksa Berisha ua ka zvogëluar territorin e përfitimit financiar në hiç.
Ashtu si edhe Rama, Berisha ka kuptuar se arma më e fortë për të mbajtur pushtetin nuk është grushti, por paraja. Kjo para rrjedh nga rubineti i qeverisë vetëm për mbështetësit e saj. Por jo vetëm kaq. Me ane të ligjeve dhe gjobave që rrjedhin prej tyre, Berisha bën të mundur që edhe ato pika lekësh që rrjedhin nga rubineti i Bashkisë për mbështetësit socialistë të thahen fare.
Kështu, aktualisht gazeta Korrieri ka në kurrizin e saj gjoba për të paguar për shkelje të ligjeve. Kuptohet, Korrieri e ka merituar gjobën, por në biznesin e medias, edhe pse ligjet shkelen nga të gjithë, ligji dhe gjobat veprojnë në mënyre selektive. Edhe pronarët e Korrierit janë pronarë firmash ndërtimi dhe, ashtu si në rastin e Koço Kokëdhimës, mbështetës të deklaruar të Edi Ramës. Si gazetarët e Shekullit, edhe gazetarët e Korrierit kanë muaj që nuk marrin rrogë. Në fakt, ashtu si edhe tek Shekulli, gazetarët që punojnë tek Korrieri, kanë kohë që përjetojnë rroga që vonojnë t’u derdhen në konton bankare.
Berisha e ka filluar politikën e shkatërrimit financiar të kundërshtarit menjëherë pas riardhjes në pushtet, në mandatin e tij të parë. Por këtë politikë efektive Berisha ia kishte vjedhur vetë kundërshtarit të tij, Edi Ramës që kishte bërë pjesë të biznesit të ndërtimeve vetëm ata që i shërbyen pushtetit të tij, duke shkatërruar financiarisht ata sipërmarrës, ndërtues e arkitektë që ishin të lidhur me klanin e Berishes. Në këtë luftë për pushtet, i humburi i momentit është Rama dhe klasa e biznesmenëve që i shërben. Shpresa e papërmbushur e kësaj klase biznesmenësh se me kalimin e pushtetit qëndror në duart e Rames ata do të përqëndronin pushtetin ekonomik, po bëhet gjithmonë e më e vogël. Ndoshta kjo shpjegon se përse lufta politike e opozitës po bëhet gjithmonë e më agresive. Lufta e PS për kutitë është alibia për të prishur ekuilibrat politikë, është një përpjekje për ta çuar shtetin në krizë e për ta detyruar pushtetin aktual ta bëjë edhe PS pjesë të (përfitimeve) saj. Me çdo mjet, pa iu trembur më konfrontacionit të drejtpërdrejtë.
Ndërsa të huajt mundohen të sjellin arsyen në politikën shqiptare, media po orientohet gjithmonë e më shumë nga kahu i fituesit, Berishës. Askush nuk do të pësojë fatin e Shekullit dhe Korrierit. As Vizion+. Ky, kohët e fundit po ristrukturohet për të ruajtur balancën politike në raportimin e lajmit. Një nga masat e para të ketij balancimi thuhet se është largimi i Mero Bazes.

15.7.09

Ornela Vorpsi: Vendi ku nuk vdes kurre

Librin e Ornela Vorpsit, "Vendi ku nuk vdes kurre", e hapa me një kureshtje të madhe, kureshtje e krijuar nga diskutimet e shumta, teper të polarizuara, qe kam lexuar kryesisht në internet. Per kritiken, kryesisht ate italiane, Ornela Vorpsi perfaqeson një brez të rinj shkrimtaresh shqipare qe shkruajne në gjuhe të huaj, e qe shohin vendin e tyre, Shqiperine, me sy kritik. Vepra e saj nuk ka kaluar pa u vene re si nga kritika letrare, ashtu edhe nga agjensite e ndryshme qe shperndajne cmime letrare.

Kritika shqiptare eshte nxjerre jashte lojes: Vorpsi refuzon ta botoje vepren e saj në shqip; në menyre eksplicite Vorpse refuzon, sidomos, të perktheje në shqip "Vendi ku nuk vdes kurre". Sipas një interviste të dhene per shtypin gjerman, Vorpsi pranon se kjo eshte deshira e familjes se saj: libri eshte teper personal dhe familja i ka kerkuar qe ky liber të mos perkthehet kurre në shqip. "Une jam njeri familjar," vazhdon Vorpsi, "njeri qe e dua shume familjen dhe, e pranoj, në kete kerkese i jam dorezuar vullnetit te saj: do e respektoj."

Lexuesit shqiptare, të cilet librin e Vorpsit "Vendi ku nuk vdes kurre" e kane lexuar ne italisht (gjuha me të cilen eshte shkruar libri fillimisht) apo frengjisht, ndahen në dy grupe: grupi qe mendon se Vorpsi eshte një mashtruese e madhe dhe grupi qe mendon se Vorpsi eshte shkrimtare e mire.

Se fundi, "Vendi ku nuk vdes kurre" eshte perkthyer edhe në gjermanisht nën titullin „Das ewige Leben der Albaner“. Eshte, në kete gjuhe, qe une e lexova librin. Me poshte eshte nje perpjekje e imja per te dhene opinionin tim mbi te.


Libri i Vorpsit hapet me një dedikim, arroganca e te cilit nuk mund të të lere indiferent:
„Ich widme dieses Buch dem Wort Bescheidenheit, das im albanischen Wörterbuch nicht vorkommt. So ein Mangel kann sonderbare Auswirkungen haben auf die Entwicklung eines Volkes.“ (Ia dedikoj kete liber fjales modesti/perulesi, e cila nuk gjendet në fjalorin e shqipes, një mungese e tille mund të kete influenca/konsekuenca të vecanta ne zhvillimin e një populli.)
Në qender të librit eshte vete rrefyesja, Ornela, e cila në kapituj të ndryshem të librit merr emra të ndryshem femrash. Autorja pershkruan ketu një faze të vecante e të rendesishme per formimin e karakterit të njeriut e, si rrjedhim, edhe të sajin, ate të pubertetit, ate kur ajo nga një femije shnderrohet në grua. Bota e kesaj femije/vajze/gruaje eshte teper klaustrofobike dhe, per menyren se si e shoh une boten dhe jeten, gati patologjike. Kemi një vajze qe rritet kryesisht mes femrash; nene, gjyshe, teze, qe i perserisin në menyre te vazhdueshme kesaj femije, vajze apo grua se eshte një kurve; se të qenurit e bukur nuk eshte vetem se dera tek kurveria; se një dite, kur ky femije të behet grua, se një dite kur të vije koha, ajo do u kthehet në shtepi me barkun e mbushur. Qe ky eshte fati i shkruar i ketij femije e di edhe gjyshi, një avokat mbrojtes i edukuar jashte; ky e therret te mbesen Mata Hari dhe mbesa e ka të qarte, qe ky epitet i vihet sepse ka potencialin e një Mata Hari per të terhequr meshkujt. Te gjithe, gra dhe gjysh, nuk ngurojne t'i thone ne korr te mbeses se ajo me te atin do hapin nje dyqan ku ne nje tabele do shkruhet (me falni qe nuk e perkthej dot ne shqip, eshte teper vulgare):
VATER & TOCHTER
ARSCH ZU VERKAUFEN - LIEBESDIENSTE ALLER ART

Babai i vajzes, eshte një burre qe rreh të shoqen - gjurmet e kesaj dhune jane stamposur perjetesish në tapetin e bardhe të shtepise, një njolle gjaku e dale nga koka e se emes, qe as uji, as sapuni dhe as koha nuk e zhbejne; vetem largimi nga shtepia. Pervec kesaj, ai perkedhel dhe puth te bijen deri ne bezdisje. A e abuzon seksualisht i ati te bijen? Asgje nuk thuhet ne menyre eksplicite.

Babai i autores perfundon per disa vite ne burg, i tradhetuar nga shoku i ngushte, per arsye te paqarta: ishte reklamimi i tij ndaj patateve qe mungojne ne treg para vitit te ri?, apo sepse pushtetari P. Shehu donte ta kishte rrugen e lire per ne krevatin e mamase? Vorpsi, adoleshentja, insiston te mesoje te verteten e mamase dhe te cliroje ndergjegjen e saj; autorja edhe te lexuesit: P. Shehu nuk kishte kerkuar kurre asgje prej saj. Pra, ngelen patatet. Apo, eshte thjesht deshira e Vorpsit qe te jete keshtu? Sidoqe te jete, femija, vajza, gruaja nuk ndjen asgje per babain. Ku t'i kete rrenjet kjo humbje dashurie? Tek drama e femijes qe duhet te zgjedhe midis dashurise se mamase dhe babait? Apo, tek abuzimi i sygjeruar?

Kur femija, vajza, gruaja del në rruge ajo vihet ose nen shenjestren e burrave qe e dhunojne verbalisht (kembet, seksi, burrat, akti, kurveria), ose nen shenjestren e gruas ziliqare e xheloze. Kjo, gruaja tjeter, eshte ajo e ndershmja; e ndershme sepse eshte e shemtuar, me qime, si burre, e të cilen nuk do ta penetroje askush: e ndershme nga halli. Kjo grua tjeter shfaqet here si zyshe Dhoksia qe e rref autoren-vajze me vizore; here si komshija qe qan të perdalen Bukurie dhe vajzen e saj (moshatare e autores), Ganimeten, gjithashtu kurve; here si komshija qe hyn në shtepine e dy të perdalave pasi keto i kane interneruar per moral të keq; here në fytyren e gruas se dyte të babait.
Babi u martua. Gruaja e tij eshte 38 vjec. Ai me tregoi, se ajo ishte akoma e virgjer. ... „Ajo eshte e shemtuar“, pranon babi, „por një grua e mire ... Une kam fjetur vetem njehere me të, qe ta lija me barre. Por ajo eshte kaq e shemtuar, saqe une nuk mund të fle me me të, bile fleme qe tani me krevate të ndara.“ Nuk e kam idene se perse ai m’i tregon mua të gjitha keto, por me në fund e kuptoj. Ai shpreson qe une t’ja tregoj keto mamase. Gruaja e tij ngeli me barre, me një here të vetme.
Femra e bukur ka një gur të madh në qafe: fatin e saj si kurve. Dhe vdekjen e pashmangshme. Ne vendin ku nuk vdes kurre, të vetmet qe vdesin jane femrat e bukura. Blerta dhe Dorina, të bukura, inteligjente; të dyja ngelen me barre nga dashuria qe i braktisi, të dyja e gjeten prehjen tek „Gjiri i kurvave“, aty ku uji i liqenit krijon një vorbull marramendase qe të merr brenda e nuk të nxjerr me perjashta. Bukuria dhe Ganimeti, permendur me siper, vdesin gjithashtu; keto preferojne një tel kabllo në vend të ujit. Nena e Kristines, vetem 26 vjec, me barkun të mbushur plot nga një i panjohur, vdes gjate abortit, ulur. Në vendin ku nuk vdiset kurre, insiston autorja, njerezit të respektojne vetem kur vdes. Nga ky rregull bile nuk perjashtohen as grate kurva. Me perjashtim të nenes se Kristines. „Pak me vone erdhi vellai i Kristine dhe na shpjegoi: Mire ju be, kurves.“

Në kete bote klaustrofobe, shumgje rrotullohet rreth seksit; rreth dhunes seksuale të ushtruar nga meshkujt ndaj femres se cdo moshe, në cdo forme. Vorpsi ishte një femije kur e ndjeu kete dhune në formen e saj verbale, Ganimetja ishte femije kur meshkujt e rruges e merrnin në preher dhe ferkonin gjenitalet e tyre pas trupit të saj feminor, kurse Elona ... Elona e provoi shijen e abuzimit seksual nga Babako, gjyshi i shoqes se saj të ngushte Rudina; nga Babako qe eshte mbi 85 vjec, i gdhendur nga rrudhat qe e bejne të duket sikur nuk ka pasur asnjehere rini; nga Babako me kapele Panamaje qe e ka blere kur ishte në Amerike e qe rregjimi ja toleron sepse eshte shume i moshuar, pa dhembe ideologjike; nga Babako me kapelen e pavdekshme, simbol të latifondisteve, qe nje here në jave pret viziten e kurves se re, (të cilen e kane zili komshijet e ndershme), qe ndoshta mendon se eshte vetem një cike kurve, sepse edhe Babako eshte vetem një cike mashkull (aq e ka takatin një 85 vjecar); nga Babako qe ka gjithmone një kuti me llokume per të joshur vajzat e reja qe ja sjell në shtepi mbesa: Nje llokume per ta prekur vajzen e vogel, Elonen, apo dyqind leke, me mire?

Shqiperia nuk eshte vetem vendi ku nuk vdes kurre e ku shumgje rrotullohet rreth seksit. Shqiperia eshte vendi ku, duke perjashtuar Tiranen, per të cilen punon e gjithe Shqiperia, njerezit hane vetem një lloj buke, të gatuar me uje, miell misri dhe qepe.

Në kete vend perrallat jane të gjitha me partizane, si psh, perralla e partizanit qe gelltit traktin e partise, qe e torturojne e qe, para se ta ekzekutojne ,ngre grushtin lart duke bertitur: të rroje Partia, poshte nazistet. Nese perrallat jane me kafshe, atehere „luani eshte partizani, ujku dhe cakalli jane fashistet italiane ose nazistet, dhe në fund të perralles luani i ha gjithmone ujkun dhe cakallin.“
„Në kete menyre mesova – dhe tani e dini edhe ju – qe deti Jon (ky det me blu të qarte si kristali, qe ndahet midis Shqiperise, Greqise dhe Italise se Jugut), qe ky det i dashur dhe uje kristali quhet keshtu, sic quhet, sepse një here e një kohe na paskerka pasur një partizan me emrin Jon. Kur ky dha jeten per atdheun, gjaku i tij ngjyrosi detin me një ngjyre të kuqe të erret. Pyes veten, se si quhej ky det perpara se sa të ngjyrosej me gjakun e Jonit. Me sa duket nuk kishte emer deri diten kur e pagezuan partizanet.“
Në kete vend burrat ulen qe në pike të mengjesit se bashku, e thajne etjen me raki, e dezinfektojne trupin me speca dhe ullinj, e keshtu, trupat e tyre behen kaq të fuqishem sa ata nuk vdesin kurre.

Shqiperia eshte vendi ku grate hyjne në jeten e tyre bashkeshortore me ulerima (heulend), ashtu sic hyjne edhe bebet në jete.

Shqiperia eshte vendi ku, kur burrat ikin me sherbim apo ne burg, u kerkojne grave te qepin vaginen qe te ndihen te sigurt se ato nuk i ka prekur askush me dore.

Shqiperia eshte vendi ku te japin marmalade vetem kur je me nje kembe ne varr, perndryshe harroje.

Shqiperia eshte vendi ku një vaksine nuk eshte thjesht vaksine; se bashku me viruset e dobesuar qe te mbrojne nga semundjet vdekjeprurese, ti merr edhe hepatitin. Shqiperia eshte vendi ku, hepatitin doktori e diagnostikon si Lepra!

Shqiperia eshte vendi, qe edhe pse e ka ndaluar ligjerisht religionin lejon, megjithate, qe tre dervishe të varrosen në varreza kolektive, publike, e të paraqiten me turban ne fotografine perkujtimore. Varret e tyre gjenden në një varreze ku të vdekurit jane harruar nga të gjallet, ku të vdekurve u ka dale bari tre pash mbi dhe (ashtu sic do t’i dali edhe mamase se autores, sepse, sipas tradites ne kete familje, nenat besojne se vajzat e tyre jane një gjarper). Tek varret e ketyre dervisheve, të vetmit të pastruar e mirembajtur e plot me lule, vijne njerezit per të kerkuar mrekulline; jane keta fatkeqe në kerkim të mrekullise fetare qe i mirembajne keto varre. Sigurisht, varreza ka punonjes shteterore qe i mirembajne. Bile, një punonjese e tille i thote autores kurioze, „po ti e di qe kjo eshte e ndaluar, qe eshte e rrezikshme“. Sigurisht, sigurisht.

Shqiperia eshte vendi ku per të treguar se burri qe shtrihet per toke ka vdekur perfundimisht, doktori i can mishin me thike, e pasi kthehet nga gruaja e shokuar e të vdekurit i thote, një i gjalle do ishte hedhur tani perpjete. E, pasi ben kete shpjegim kaq llogjik, iken duke e lene të vdekurin shtrire per toke. I vdekuri nuk meriton humanizem.

Shqiperia eshte vendi ku mesuese Nurija, per të shkuar në fshatin ku ndodhet shkolla qe jep mesim, i duhet t’i hipi një treni pa dyer e pa dritare. (flasim per vitet 80)


Libri eshte i ndare në kapituj, ku autorja avash-avash zbulon të keqen e ketij vendi. Dhe, e keqja e ketij vendi eshte e tille, qe në cdo kapitull vjen e behet me e keqe. Behet aq e keqe, sa vdekja praktikisht behet e vetmja alternative ne jete. Ose librat.

Autorja nuk eshte vetem e bukur, ajo eshte edhe e kultivuar. Në shtepine e saj ka shume libra, një biblioteke ku ajo sherbehet me Ana Kareninen, Madame Bovary; me Kuprin, Turgenjew, Lermontov, Jessenin dhe Tschehov. Autorja rrefen se ishte teresisht në varesine e librave-droge. Sa vjec ishte autorja kur i lexonte keto libra? Koha eshte gjeja qe me pak mund të fiksosh në romanin e Vorpsit, diku ajo eshte 6 vjec, diku 12, diku 13, diku 14 (jo rrallehere lexuesi ka perballe vete autoren/gruan). Le të themi qe, keto autore kaq të nderuar, autorja i ka lexuar midis moshes 12 dhe 14 vjec. Por, autorja na rrefen se ajo nuk eshte e vetmja. Dhoma e pritjes se Rudines eshte plot e perplot me libra. „Libra, gjithandej libra. Rudina lexon histori per të rritur dhe ka gjithmone dicka per të treguar.“ (Hm, a nuk ishin per te rritur edhe historite qe lexonte autorja?)

Por, mbi të gjitha, autorja dashuron perrallat. E, meqe ato, sic e lexuat me siper, ishin të gjitha me partizane, autorja i kerkon ato atje ku, ty dhe mua lexues, na shkon mendja me pak. Perrallat e Grimit i vijne autores nga duart e Nurijes. Kjo eshte një mesuese fshati, në një fshat jashte Tiranes (ku ajo shkon me trenin pa dyer dhe dritare). Autorja jone i jep byzylyke e xhevahire të kushtueshme, të trasheguara në familje nga brezi në brez, xhevahire të se emes Nurijes e kjo, si shkembim, i jep perrallat e vellezerve Grimm, qe i merr askund tjeter por në shkollen e fshatit: pikerisht, ne kete fshat qe autorja nuk ja thote as emrin, ndodhet thesari i perrallave të ndaluara.

Por, asgje, asgje, nuk ja kalon drames se paraqitur ne kapitullin „Der Garten der Kindheit“ (Kopshti i femijerise). Pasi kane mbaruar se lexuari tragjedine „Romeo e Xhuljeta“ dy vajza rreth 13-15 vjece, kusherira, dalin në kopesht të imitojne ndeshjen midis Romeos dhe Tibaldos. Kerkojne te gjejne dicka te ngjashme me shpata, e i gjejne ne nje amphore, ne nje qoshe te harruar ne kopshtin e mbushur me peme hurme. Nen presionin e se gjyshes se shokuar nga "shpatat" e vajzave, ato i rifusin ato ne amphore, e mbulojne ate me myshk, dhe largohen. Të nesermen, kembet i cojne vajzat prape ke amphora, por ajo eshte bosh. Autorja na rrefen se "shpatat" ishin ... eshtra, eshtra të verteta, të njerezve të vertete. Ishin eshtrat e një të riu 17 vjecar, dajes së autores, i cili, kur shkoi per pushime tek të afermit, dashurohet me një sllave të bukur te cilen e pa pertej gardhit me tela të kufirit. E dashuroi kaq shume djali sllaven, ashtu si edhe Romeo Xhuljeten, aq sa beri ate qe nuk mund të imagjinohej: e ndoqi nga pas, kaperceu telat. Por e vrane. E vrane dhe e lane per 10 dite në rruge qe ta shikonin të gjithe. Nuk ishte vetem. Pas 10 ditesh, një i aferm e rremben trupin e 17 vjecarit, te dekompozuar shume dhe e ema e të vrarit e fshehu ate në amphoren ku e gjeten vajzat.

Perpiqem të imagjinoj një amphore, gryka maksimumi me diametrin e një koke, perpiqem të imagjinoj se si e fusin një të ri, të pakten 1.50 m të gjate, e shpatulla mbi 50 cm të gjera në një gryke amphore. E pamundur. Ka vetem një mundesi: ta kene copetuar trupin e djalit e ta kene futur copa copa në amphore, ku i vdekuri gjate viteve eshte dekompozuar teresisht e i kane ngelur vetem kockat. Sa e madhe te kete qene kjo amphore per ta mbajtur gjithe ate volum mishi ne kompozim e kockash? Nuk arrij, gjithashtu, të kuptoj se si mund të mbash femijen të vdekur e të pakallur në dhé kur ke një kopesht të tere e mund ta varrosesh ku te duash, e t’i besh gjithe adetet, e ta lesh tet bir të prehet ne paqe. E, sidomos, kjo, ne nje vend, qe sic e permend edhe autorja, gjithe respektin e le per te vdekurin.

Nuk arrij, mbi te gjitha, të kuptoj se si dy 13 vjecare qe lexojne Turgenjevin dhe Sheakspirin; qe arrijne te kuptojne e vuajne dramen e Romeos dhe Xhuljetes, nuk njohin kockat, se si nuk kane pare kurre në jete të tyre kocka. Kjo me behet akoma me e pakuptueshme kur kujtoj, se qe në fillim të librit autorja me ka thene:
„Filloi me një grip të pafajshem, ashtu sic i kap të gjithe femijet. Une duhej të rrija në krevat dhe shfletoja libra. Kusherira ime, dy vite me e madhe, me solli një liber të anatomise se njeriut. Libri me thithi të teren; paraqitjet plot ngjyra të muskujve, të kockave, të damareve të gjate e blu ... Pra, keshtu qenkerkemi ndertuar. Mish dhe kocka, e kuptuat? .... Une kam frike, ma, kam frike të jem vetem prej mishi dhe kocke.“ (autorja ishte 6 ose 7 vjec)

Libri "Vendi ku nuk vdes kurre" eshte libri i një autoreje të traumatizuar, te coroditur dhe vanitoze. Kemi një heroine/viktime të bukur, qe e dhunojne gjithe kohes, qe eshte shume e kultivuar e qe të konfronton ty si lexues me nje mori titujsh librash e autoresh, me emra artistesh - i keni pare pikturat e Bosch, pyet direkt lexuesin Vorpsi diku në kapitullin e pare të librit dhe i sygjeron qe ngjarjet e librit t'i imagjinoje si piktura te ketij piktori – qe i tradhetojne Vorpsit një gjendje pubertere; qe i tradhetojne Vorpsit vete mungesen e „Bescheidenheit“, ate "Bescheidenheit", mungeses te së ciles në fjalorin e shqiptareve Vorpsi i dedikon vete librin; qe i tradhetojne Vorpsit deshiren per te celebruar veteveten duke perdorur Shqiperine dhe komunizmin si platforme.

Ky eshte një liber me të cilin autorja ben ate qe ka pesuar vete: ashtu sic mejdisi ku eshte rritur e identifikonte Vorpsin me të keqen, e dhunonte, pra, verbalisht, po ashtu edhe Vorpsi po dhunon kete mjedis, kete vend, Shqiperine, vendin ku nuk na u vdiska kurre, dhe e identifikon me te keqen, me ligesine.

Mbi të gjitha, ky eshte një liber efektesh, ku si efekt perdoret e keqja, e cila në cdo kapitull qe vjen, behet me e keqe (e perseri libri nuk i shpeton se qenuri tejet i merzitshem e monoton). Eshte një Shqiperi ku jetojne njerez të drejtuar nga instiktet e tyre seksuale dhe e keqja; eshte nje vend ku e keqja ka kapur themelin e vete jetes shoqerore, familjen; nje Shqiperi ku te gjithe, burra e gra, shnderrohen dikur dhunuesa; eshte një Shqiperi të cilen ekzotike e ben e keqja.

Ngjarjet e libri te Vorpsit jane shume plakative, nuk kane thellesi; pervecse mire apo keq, nuk te japin asnje mundesi te depertosh ne boten e personazheve; perse keta njerez jane keshtu si jane, perse e trajtojne femijen/vajzen/gruan ashtu si e trajtojne, si reagojne palet e ndryshme te kesaj historie, te kesaj shoqerie ne gjithe elementet e hierarkine e saj. Ne jemi lene me ekspozime ngjarjesh dhe me opinionin e Vorpsit. Ne fakt, leximi i ketij libri dikur te behet nje lloj lufte me shkrimtarin; ku une si lexues mpreh vigjilencen sepse me eshte krijuar ndjesia qe ky shkrimtar po me manipulon, po me genjen.

Vorpsi thote ne nje interviste per Deutsche Welle se ne librin e saj e nxerr Shqiperine lakuriqe. Pertej sinqeritetit qe mbart nje qellim i tille, pyetja eshte: per cfare lakuriqesie po flasim? Vorpsi, ne opinionin tim, e nxjerr Shqiperine lakuriqe, por po aq lakuriqe sa edhe nje kurve qe rri ne dritaret e rruges se kuqe te Amsterdamit; pra, lakuriqesi si objekt voyerizmi. Vorpsi edhe kesaj lakuriqesie i ve doren dhe e manipulon (pervec Tiranes, pjesa tjeter e Shqiperise ha vetem nje lloj buke, te gatuar me uje, miell misri dhe qepe) qe te krijoje ate imazh qe i permbush me shume pritjet e klientit qe rri perjashta. Nje veshtrim ne recensat e huaja qe i jane bere letersise shqiptare te botuar jashte ketyre 18 viteve te bind, se letersia shqiptare shitet vetem si letersi e nje vendi ekzotik; me i varfer i evropes, komunist, mbuluar me bunkere, i izoluar dhe i panjohur per pjesen tjeter te botes, me nje sistem te eger, nje vend arkaik, - te gjitha keto klishe, qe kane pjesen e tyre te verteta, e qe permbushen nga Vorpsi ne menyre shembullore. Ketij kokteili Vorpsi i shton edhe seksin, te gjitha format e abuzimit seksual. Per fat te keq te letersise se vendeve si Shqiperia, histori te tilla te bazuara ne efekte e ekzotike jane ato qe perendimi na blen e i komercializon, jane formula e suksesit qe mban shkrimtarin e tipit Vorpsi ne loje, qe e kultivon.

"Vendi ku nuk vdes kurre" i Ornela Vorpsit, eshte nje liber i shkruar keq; nje liber qe perdor manipulimin, sygjestionimin dhe, bile, edhe genjeshtren; eshte nje liber bardh e zi, e per mendimin tim modest, aspak letersi.

(e ripunuar)

8.7.09

Gjyshi i Boit

ENVER HOXHA - Boi, vajza që e marrosi.

Ky titull hap faqen e parë të një prej shtojcave të së përditshmes së Tiranës, Panorama, atë të “Unë gruaja”. Artikulli që e shoqëron na informon, se babai i Boit (Boi është shkurtimi i emrit Valbona), Sokoli, është kujdesur të nxjerrë në dritën e diellit ditarin intim të babait të tij, Enver Hoxha, ditar, ose një pjesë ditari, që i kushtohet raportit të tij me mbesën Valbona. Bëhet fjalë për një ditar të mbajtur për rreth 6 vjet, e që fillon nga lindja e Boit. Nga shtojca e Panorames, “Unë gruaja”, mësojmë për një Enver Hoxhë të emocionuar nga lindja e mbesës, për një Enver Hoxhë sentimental e zemërdredhur pas cdo shqetësimi të Boit, për një Enver Hoxhë tërësisht të dedikuar pas Valbonës; me një fjalë, një gjysh i shkëlqyer. Bëhet fjalë për Enver Hoxhën, të cilit sot i thërrasim diktatori, e që, po t’i besojmë edhe këtij ditari, duket se ka pasur vetëm një dashuri absolute, atë për Valbonën.

Valbona Hoxha nuk është mbesa e vetme e Enver Hoxhës. Botimet e tij, lexime të detyruara për brezin tim, nganjëherë ngjyroseshin edhe me foto private të familjes Hoxha, një familje e madhe, me plot nipa e mbesa. Por ishte Boi, pikërisht Boi, ajo që i ngjiti më shumë Enver Hoxhës.

Marrëzia e Enver Hoxhës për Valbonën ka qenë e ditur për brezin tim, ka qenë një temë diskutimi. Ishte pikërisht ky dedikim i vecantë i Enver Hoxhës, qe tek në vinte nëpërmjet thashethemeve, që na bëri të mos e harronim Valbonën sic harruam mbesat e nipat e tjerë; që na bënte ta ndiqnim me sy sa herë ajo shfaqej në bulevard të dielave, ta gjurmonim sa herë e dallonim rrugëve të Tiranes, t’i komentonim të gjitha fazat e rritjes së saj. Ndoshta, projektonim te Valbona dëshirën tonë për të qenë ajo, ndoshta teksa ishim aq afër saj na krijohej ideja se ishim afër atij, ndoshta projektonim tek ajo ëndërrën për të patur një gjysh kaq të vecantë si ai, per të qenë kaq me fat si ajo, kaq e përkedhelur si ajo.

Tre të njohurat e mia, A., O., dhe G., moshatare të Boit, nuk patën kurrë fatin të kishin një gjysh që i përkëdhelte, që marrosej pas tyre. Gjyshët e tyre gjyshi i Valbonës i kishte futur në burg, ku ndoshta edhe vdiqën duke endërruar herë pas here një shëtitje të pafajshme me mbesat dhe nipat e tyre. Gjyshët e tyre, ata që e mbijetuan, kur dolën nga burgu, mbesat i gjetën gra. Gjyshët e tyre, kur dolën nga burgu, i gjetën mbesat si njerëz të huaj: koha e gjatë e ndarjes nuk ua kishte mundësuar kultivimin e raportit gjysh-mbesë. Tre moshataret e Boit, edhe pse ishin vetëm mbesa, i morën me një makinë të madhe e i cuan në fund të botës. Tre moshataret e Boit nuk e kanë njohur kurrë se cdo të thotë dashuri pa kufi: në fundin e botës ato i priste përcmimi total.

Dikur, në atë kohë, jo vetëm fundi i botës, por të gjithë i përcmonim këta njerëz që Enver Hoxha i fuste në burg e ua syrgjynoste familjet. Të paktën, shumica prej nesh. Ata që nuk i përcmonin hapur, i injoronin. Këta ishin armiqtë, e kur nuk i shihnim si armiq, i shihnim si humbësit e mëdhenj; si njerëz të paaftë për ta ruajtur veten nga ky fat; si njerëz që e kishin fajin vetë. Dhe, për të hequr shijen e keqe të këtij konfrontimi, kryesisht virtual, ne kishim gjithmonë Boin. Boi po rritej e po bëhej një gocë e bukur. Bëmë Mama të të ngjaj. Bëmë Baba të të ngjaj. Bëmë Gjysh të të ngjaj. Të gjitha ishin të aplikueshme për Boin.

Enver Hoxha ka vdekur. Për të larë paksa ndërgjegjen, të gjithë, kolektivce, i hodhëm dikur një grusht baltë. Shkrimtarë të rinj po profilohen duke shkruar për diktatorin. Politikanët, gjithashtu, e përdorin nganjëherë hijen e tij për të na trembur. Por, Boi, mbesa e Enverit, është akoma midis nesh. Ajo është rritur. Eshtë e bukur. E shëndetshme. Eshtë martuar. Ka fëmije. Në vazhdojmë ta pergjojmë kur ecën rrugëve të Tiranës, ta admirojmë si dikur Mbesën e Enverit, ta komentojmë për bukurinë dhe trupin, për ligjet e trashëgimisë. E, nëse qëllon që për një moment ta harrojmë, tabloidet e Tiranës na mbajnë në kontakt me të rejat nga Boi, si psh, sa herë në javë shkon Boi në palestër për të ruajtur bukurinë e trupit të saj.

Tre të njohurat e mia nuk jetojne në Tirane. Nuk jetojnë fare në Shqiperi. I kanë kthyer shpinën këtij vendi që u ka shkatërruar, as më pak dhe as më shumë, vetë jetën. Nuk e njohin njëra-tjetrën, dhe historitë i kanë të ndryshme. Por i bashkon dicka. I bashkon drama e njeriut që është lindur dhe rritur i përcmuar. Dramë që nuk ka psikofarmak që t’ua lehtësojë, dramë që nuk ka psikoanalist t’ua shërojë; dramë që u ka vrarë dicka fare-fare fundamentale të shpirtit të njeriut, dicka në tabanin e asaj që e bën njeriun njeri, dicka që ka të bëjë me vetëvlerësimin e njeriut, me perceptimin e dashurisë, të respektit; me dhënien dhe marrjen e dashurise dhe respektit. Drama që nuk ua kanë lejuar të ndertojnë dhe sot e kësaj dite një jetë, një jetë që do t’i mbronte nga drama hije që nuk do u shqitet më kurrë derisa të vdesin.

Sa vajza të tilla, mbesa potenciale, të gjyshërve potenciale, janë shkatërruar nga gjyshi i Valbonës? Nuk e patën fatin të merrnin dashurinë që ajo mori? Unë nuk e di, askush nuk e di; askujt nuk i intereson. Në mënyre ndoshta të pavetëdijshme, ne këto vajza, baballarët e tyre, gjyshërit e tyre, vazhdojmë t’i përcmojmë e injorojmë; sepse përcmimi dhe injorimi janë shumë thellë brenda nesh. Tek jetët e tyre të shkatërruara ne sot gjejmë një alibi për t’i përfolur përsëri, për t’i mbajtur larg, për t’i izoluar; sepse interesimi për to/ta dhe jetën e tyre do të na rikujtonte se ne jemi bashkëfajtorë në shkatërrimin e këtyre jetëve, do të na bënte të vetëdijshëm për përmasat e dramës, do të na bënte të merreshim sinqerisht me përgjigjen (që kaq shumë i shmangemi) e pyetjes: Cilët jemi përtej maskës? Cfarë kemi bërë?

Midis opsionit për të kuptuar e ndjerë dramën e tjetrit, dramë ku edhe ne anonimet nuk jemi pa faj, dhe shijimit të estetikës së trupit elegant të Valbona Hoxhës, ne kemi zgjedhur këtë të fundit. Panorama i ngre pak më lart shijet e saj. Ajo nuk e vë veten vetëm në shërbim të reklamimit të palestrave ku bën stërvitje Boi, sic bëjnë tabloidët e tjerë dhe thashethemet; ajo shkon më larg. Gazeta elitare Panorama përpiqet t'i japi trupit të stërvitur mirë të Boit edhe pak shpirt. Por, mbi të gjitha, ajo përpiqet t'i japë edhe vetë Enver Hoxhës shpirt: Enver Hoxha nuk na paskërka qenë vetëm diktator, ai na paskërka qenë edhe një njeri me zemër të ndjeshme, një gjysh i mrekullueshëm.

Enver Hoxha paskërka qenë më largpamës nga c'e kishim kujtuar. Duke folur në terma ekonomike, Enver Hoxha, duke zgjedhur Valbonën si debulesë të zemrës së tij, duke celebruar dashurinë e tij për mbesën në publik; duke krijuar mitin e Boit, ka bërë edhe investimin më të mirë të jetës së tij. Sepse, është pikërisht nëpërmjet këtij investimi, Boit, që elita shqiptare e risjell Enver Hoxhën përsëri në mes nesh, këtë here të revizionuar në formën e një miti të ri, njerëzor; në mitin e gjyshit të Boit.


25.6.09

Origjinaliteti është mëkat

Nga Aleksander Kaczorowski
Gazeta Wyborcza


Karriera ndërkombëtare e Ismail Kadaresë është një ilustrim i shkëlqyer i vërejtjeve të Milan Kunderës mbi letërsinë e të ashtuquajturve „kombe të vegjël”.
Pikësëpari, përdor kundrejt tyre një trajtim preferencial, që me kalimin e kohës, kthehet kundër vetë të interesuarve. „Një shkrimtar jo i keq, si shqiptar që është”, - dëgjojmë, dhe me këtë kuptojmë se një shkrimtar shqiptar nuk mund të jetë interesant, përveçse, për shkak të vendit të lindjes, koniukturës politike aktuale, apo biografisë dramatike.
Së dyti, botuesit parapëlqejnë librat, me stil të thjeshtë, (sepse është e vështirë të gjenden përkthyes të mirë, të gjuhëve të rralla), dhe me formë jo origjinale, që të jetë më e lehtë skalitja e slloganit „Kafka shqiptar”, ose „Becket-i kroat”. Është e qartë, që askush nuk i trajton këto sllogane seriozisht; në fund të fundit, nga shkrimtarët e vendeve të vogla, kërkohet vetëm që të jenë zanatcinj të mirë dhe të flasin rrjedhshëm anglisht, gjermanisht, apo frengjisht.
Për arsye se – dhe kjo është arsyeja e tretë – origjinaliteti në rastin e shkrimtarit nga një vend i vogël është mëkat. Një shkrimtar mesatar, (mediokër) që krijon në gjuhën e vet ekzotike, ka shanse më të mëdha që të depërtojë (të ndihet) në Perëndim, se sa një kolegu i tij me më shumë talent. Mjafton që të përfitojë nga konvencionet dhe modelet e provuara, ashtu sikurse vepron edhe Kadare.
Kur mendoj për këtë shkrimtar, më vijnë ndër mend, autorë të tillë – sot komplet të harruar, - si Tadeush Breza (1905-1970) apo Jan Dobracinski (1910-1944). Megjithëse veprat e tyre u botuan dhe iu dhanë çmime në vitet më të këqija të PRL (Repulika Popullore e Polonisë), ata perceptoheshin në popull, sikur ishin kundër regjimit; dhe në sfondin e dhjetra „grafomanëve” të tjerë, linin përshtypjen e autorëve të shkëlqyer. Në brezin tim „Zyra” (1960) e Brezas – një novelë demaskuese e tipit „kafkian” kundër Vatikanit – bënte pjesë në repertorin e leximeve të detyrueshme shkollore; disa romane të Dobracinskit, me „gjermanët” në krye i kam lexuar me vullnet të plotë. Këta nuk ishin aspak libra të këqinj, sidomos nëse i lexoje në moshën 15 vjec, por nëse sot, dikujt do t’i shkrepej t’i prezantonte si autorë të përndjekur prej regjimit komunist, opozitarë dhe t’i propozonte për kandidatë të çmimeve letrare ndërkombëtare, do të ndjehesha, ndoshta njësoj siç ndjehm tani që kam përpara „Pallatin e ëndrrave” të Ismail Kadaresë.
Autori, i lindur në vitin 1936, ka studiuar në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në Institutin Gorki në Moskë. Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me BRSS, ai u khye në vend, ku ka punuar si gazetar dhe ka shkruar romanin debutues „Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (në vitin 1963, botimi në gjuhën polake i vitit 1984). Heroi i saj është një oficer italian, i cili kthehet pas shumë vitesh në Shqipëri, për të zhvarrosur eshtrat e ushtarëve të vet, të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është romani më i njohur dhe ndoshta më i arrirë i Ismail Kadaresë. Shumë prej krijimeve të autorit është frymëzuar nga mitologjia greke (në të cilën autori madje gjen gjurmë shqiptare), si p.sh. në romanin „Përbindëshi”, (botimi polak i vitit 2000). Romane të tjerë, e gjejnë frymëzimin tek historia shqiptare, („Dosja H”, botimi polak i vitit 1994). Në gjuhën polake është përkthyer gjithashtu (nga përkthimi francez) romanin „Prilli i thyer” (botimi polak i vitit 1988) dhe „Kush e solli Doruntinën” (botimi polak i vitit 1991). Të gjithë këta romane kanë një tipar të përbashkët: mbështeten në ide të shkelqyera, por të parealizuara.
„Pallati i ëndrrave” nuk përbën përjashtim. Aksioni i librit luhet në perandorinë osmane, në një kohë të papërcaktuar; gjithsesi koha ishte e tillë, kur ende përdoreshin karrocat. Heroi nis një punë në institucionin me emrin „pallati i ëndrrave” i cili merret me mbledhjen dhe interpretimin e ëndrrave të pjestarëve të perandorisë. Ky personazh bën një karrierë të menjëhershme, por autori nuk shqetësohet edhe aq shumë, të na tregojë se përse ndodh një gjë e tillë. Nuk është e vështirë, që një gjë të tillë ta kuptojmë vetë, - ky është thjesht preteksti (në mungesë të një tjetri më të mirë) që shkrimtari të ketë mundësi ta udhëheqë lexuesin në departamentet e radhës të këtij institucioni.
Nëse dicka mund të rezultojë nga leximi i këtij libri, është ndoshta fakti se Kadare ka lexuar „Procesin” e Franc Kafkës, dhe ndoshta edhe „1984” të Xhorxh Oruellit; ajo që në fakt të habit me të vërtetë, është informacioni i dhënë në fund të librit, se autori e ka shkruar këtë libër për rreth pesë vjet të mira (1976-1981).
Ky libër nuk është as i mirë, dhe as tepër tepër i keq. Është thjesht mesatar - ashtu sikurse është e gjithë krijimtaria e ketij aturori shqiptar. Nuk do të isha munduar shumë me të, nëse shtëpia botuese nuk do ta kishte rekomanduar me fjalët : „shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, rrëfen një botë, të cilën nuk e kishte ëndërruar as Oruelli”. E ekzagjeruar. Përveç kësaj në shtypin anglosakson mund të lexosh se romani përbën një përshkrim metaforik të regjimit totalitar të Enver Hoxhës.
Vetëm se në këtë rast duhet pyetur se çfarë mendojnë për këtë njerëzit që vërtet janë degdisur burgjeve shqiptare. Kadare ka thurrur asokohe krijime që e lëvdonin diktatorin. Sikur vetëm të përmendet poema „Pashallarët e kuq” të cilën vetë Hoxha e quajti si tepër servile dhe e ndaloi publikimin e saj. Gjë që Kadare e ka përdorur pas shumë vitesh, duke u hequr në Perëndim si një prej viktimave të regjimit, dhe duke fituar në vitin 90, azil politik në Francë.
Disa vjet më parë, e përshkroi këtë histori, eseisti shqiptar Fatos Lubonja, por ama askujt në Paris nuk i shkoi ndërmend, që për këtë arsye ta dërgonte Kadarenë mbrapsh në atdhe (sic kanë patur ndërmend të bëjnë autoritetet hollandeze me deputeten, Ayaan Hirsi Ali, së cilës i hoqën nënshtetësinë, kur vite më parë kishte gënjyer zyrtarët e imigracionit; përfundimisht somalezja, bashkëpunëtorja e regjisorit Theo Van Gogh, u largua për në Amerikë, në vitin 1994).
Jo vetëm kaq, por vitin e shkuar, Ismail Kadare, mori çmimin e dhënë për herë të parë Man Booker International. Një juri prej tre anëtarësh, vendosi se Kadare e meriton më shumë këtë çmim se Gabriel Garcia Marquez, Philip Roth, Milan Kundera, Gunter Grass, apo Stanislav Lem. Epo, ashtu siç thonë në New York, life is not just – jeta nuk është e drejtë. Prandaj, nuk do të habitesha edhe sikur Ismail Kadare të merrte edhe çmimin Nobel.


*Autori është zëvendës-redaktor i përgjithshëm i të përjavshmes "Forum" dhe bën kritikun e librave për gazetën më të madhe polake Gazeta Wyborzca. Kjo është kritika qe ka dalë pas botimit kete vit ne Poloni të Pallati i Endrrave


14.4.09

Në emër të popullit

1. Gazeta Le Monde, 26 Prill 1985

Zoti Drejtor,

Nuk mund të mos jua shkruaj këtë letër pasi lexova në gazetën “Le Monde” artikujt e botuar ditët e fundit me rastin e vdekjes së udhëheqësit të popullit shqiptar, Enver Hoxhës.
Është pa dyshim e drejta e gazetarëve tuaj të kenë mendimin e tyre mbi rendin shoqëror të një vendi, për idetë që ai mbron dhe për politikën e tij. Por është krejtësisht e padenjë që të fyhet një popull në çastet e zisë e të dhimbjes së tij, siç ndodh në artikujt e gazetës suaj. Populli shqiptar është një popull me histori të gjatë e të vështirë, prandaj ai e di më mirë përse hidhërohet, si ta shprehë hidhërimin dhe për kë duhet të mbajë zi.
Emri i Enver Hxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja çfarë e përcakton madhështinë e figurës së tij, dhe, për pasojë, se sa i madh është hidhërimi.
Për mua si dhe për kolegët e mi, ishte me të vërtetë e habitshme që gazeta “Le Mond”, duke mos u mjaftuar me disinformimet e këtyre shkrimeve abuzive, nuk mungoi t’i japë vend në këtë rast deklaratës së një krimineli të tillë, si birit të ish – mbretit Zog, të kësaj fantazme qesharake që kërkon të rikthejë në Shqipëri fronin monarkik, atë fron që Franca juaj e rrëzoi dy shekuj më parë, gjë për të cilën është me të vërtetë krenare. Vetëm keqdashësit mund t’i dëshirojnë Shqipërisë kthim mbrapsht të historisë së saj.
Do t’ju isha mirënjohës po ta botonit këtë letër, në qoftë se kini mundësi. Ju lutem, zoti drejtor, sigurinë e konsideratës sime më të lartë.

Ismail Kadare

2. Një pasdite me shokun Enver Hoxha, 1988

Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale, por një pjesë sui generis, që nuk përfshihet në librat, fjalimet, ditaret, porositë e letrat e tij, por është e shpërndarë në qindra, në mijëra nje¬rëz. E megjithëse e tillë, kjo pjesë e veprës, këto kujtime që ai ka lënë, biseda, fjalë, gjeste, pamje, gjendje shpirtërore, janë një pasuri e tërë që ndihmojnë për të plotësuar e ndriçuar anë të tëra të personalitetit të tij si udhëheqës, burrë shteti, mendimtar marksist, filozof, shkrimtar dhe njeri.
Kujtimet për të nuk kanë nevojë për zbukurime, ato kanë nevojë vetëm për saktësi, sepse duke qenë të sakta ato e kanë vetvetiu brenda edhe bukurinë dhe thellësinë dhe pe¬shën e vërtetë. Prandaj ata që kanë pasur fatin të kenë kuj¬time me të, janë të ndërgjegjshëm se ç'thesare të çmuara mbajnë në duar, thesare, pasurinë e të cilave duhet t'ua zbu¬lojnë të gjithëve.


Në verë të vitit 1961 klima letrare në vendin tonë ishte sa e gjallë edhe e komplikuar. Të angazhuar në luftën e madhe që bënte populli e Partia për përballimin e bllokadës së re revizioniste, që porsa kishte filluar, forcat krijuese ishin. në një aktivitet të plotë. Ishte e natyrshme që në këto kushte, kur kërkoheshin rrugë të reja zhvillimi për ta bërë letërsinë tonë edhe më shumë të lidhur me problemet e kohës, të ki¬shte mjaft debate e polemika, disa herë të mprehta.
Klima letrare u komplikua nga disa keqkuptime që lin¬dën gjatë debateve lidhur me traditën dhe novatorizmin në letërsinë shqipe të realizmit socialist. Polemika, e cila shpërtheu edhe në shtypin letrar, kishte rrezik të çonte drejt ndar¬jes artificiale të shkrimtarëve në të rinj e në të vjetër, gjë tepër e dëmshme, sidomos në kushtet ku po ndodhej vendi ynë, kur më tepër se kurrë kërkohej forcimi i unitetit.
Në një atmosferë të tillë, në korrik të vitit 1961 në Tiranë u organizua një mbledhje e madhe e gjithë forcave krijuese. Mbledhja do të ishte vendimtare për t'i dhënë zgjidhje apo një zhvillim të mbarë debatit që po vlonte prej kohësh. Por mbledhja merrte një rëndësi edhe më të madhe, sepse në të asistonte shoku Enver Hoxha.
Mbledhja u bë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Në një pjesë të materialeve të saj u pasqyruan ato keqkup¬time e teprime që ishin shfaqur gjatë polemikës së deri atëhershme. Duhet thënë se për ne, shkrimtarët e rinj, gjendja ishte jo pak e vështirë. Nga disa autoritete të kritikës e të le¬tërsisë u bënë shkrime disa herë të pamerituara ndaj nesh. Kishte rrezik të thellohej ndarja artificiale në “të rinj” e “të vjetër” dhe zhvillimi i letërsisë sonë të ngadalësohej prej koncepteve konservatore.
Shoku Enver, i cili asistoi në të gjitha seancat, dëgjonte me vëmendje diskutimin e secilit.
Në një nga pushimet, një shok, që ishte në presidium më tha:
- Përse nuk flet askush prej jush? Me sa kuptova unë nga biseda e tij në pushim, shoku Enver dëshiron t'ju dëgjojë edhe ju të rinjve.
Këto fjalë sikur më hoqën në çast një farë mpirje që më kishte zënë gjatë kësaj mbledhjeje. Nxora një letër dhe fi¬llova të përgatitem me shpejtësi.
Në seancën e pasdites kërkova fjalën. Isha i pari që po flisja nga “të rinjtë” dhe merret me mend që auditori priste me interes se si do t'u përgjigjeshim ne shumë kritikave që u , bënë.
Në kohën që zura vend për të folur përpara mikrofonit, shoku Enver, i cili me siguri e kishte kuptuar tronditjen shpir¬tërore të shkrimtarëve të rinj në këtë mbledhje, tha:
- Ja, tani t'ju dëgjojmë edhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur.
Fjalët e tij ma dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i tij, shtova mjaft fraza që nuk i kisha, të shkruara.
Pas meje folën edhe të tjerë. Shoku Enver vazhdonte të dëgjonte me vëmendje çdo diskutim. Tani ai dhe gjithë mble¬dhja kishin dëgjuar të dy palët polemizuese. Duhet thënë se teprime e keqkuptime kishte nga të dy anët, edhe nga ne “ të rinjtë ”, por, megjithatë, nuk mund të thuhej se të dy palët kishin të drejtë ose të dy palët kishin gabim. Dikush kishte në thelb të drejtë e dikush jo.
Ishte pikërisht ky thelb që kapi në mënyrë të shkëlqyer shoku Enver në fjalimin e tij që pritej me padurim. Ai i bëri një zbërthim të thellë marksist-leninist problemit, foli për raportin dialektik midis traditës dhe novatorizmit, shpjegoi se shkrimtarët e rinj s'ka si të kenë interesa të tjera nga ato të popullit e të Partisë, se ata janë të lidhur me vendin e me kohën, dhe se ndarja në “ të rinj ” e “ të vjetër ” nuk i shërben askujt.
Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm në gjithë jetën letraro-artistike. U shpërndanë menjëherë keqkup¬timet që kishin lindur gjatë debatit, u lanë mënjanë etiketat e kota që i kishin vënë njëri-tjetrit, u kuptuan se shumë probleme të ngritura në valën e polemikës ishin fiktive dhe se gjithë shkrimtarët, të rinj e të vjetër në moshë, punonin për një qëllim.
E çliruar kështu, në sajë të ndërhyrjes së Udhëheqësit prej një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim të ri e të vrullshëm, në kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që prisnin shkatërrimin e saj. Takimi dhe fjalimi i shokut Enver me shkrimtarët e artistët në korrik të vitit 1961, hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe. Mund të thuhet me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të viteve ‘60 ia detyron lancimin e tij këtij fjalimi.



Kam pasur fatin ta takoj disa herë shokun Enver, në raste të ndryshme, në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancash të Kuvendit Popullor. Megjithëse të shkurtra, ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, por veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me të në vitin, 1971, në shtëpinë e tij.
Në një ditë marsi, bashkë me time shoqe dhe vajzën e vogël, u ndodhëm atje për vizitë. Na priti shoqja Nexhmije, me vajzën. Shoku Enver nuk ndodhej në shtëpi dhe ne nuk e dinim në do të kishim fat ta takonim apo jo.
Ishim duke biseduar gjallërisht, kur u hap një nga dyert e sallonit dhe në të, i gjatë dhe i qeshur, u duk shoku Enver. Meqenëse unë isha përballë derës, e pashë i pari kur hyri dhe, u ngrita menjëherë në këmbë, duke i habitur për një grimë bashkëbiseduesit, të cilët me siguri kanë thënë me vete: “ç'pati ky”? .
Pastaj të gjithë kthyen kokat andej nga kishte hyrë shoku Enver.
- Të vij dhe unë? - tha ai duke qeshur. - S'besoj se ju prish muhabetin.
Megjithëse disa herë gjatë kohës që po bisedonim dhe sa herë që më dukej se dëgjoja zhurmën e ndonjë makine, për¬fytyroja se si mund të vinte, asnjëherë nuk mund të përfytyroja një ardhje më të natyrshme, të gëzueshme e njerëzore.
Ai u ul midis nesh, duke krijuar aty për aty një atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt. Na pyeti me radhë për shënde¬tin, e mori në prehër vajzën tonë 6 vjeçe dhe i tha, duke përdorur një fjalë të vjetër gjirokastrite:
- Ngalasëm ti, të të ngalas edhe unë (përqafomë ti, të të përqafoj edhe unë).
Shoku Enver më pyeti se ç'kisha në dorë kohët e fundit dhe unë i thashë se kisha në shtyp një roman për Gjirokastrën me titull “Kronikë në gur”.
- Do ta lexoj me kënaqësi, - tha ai. - Gjirokastra është pasionante dhe këtë e themi jo se jemi andej, - shtoi, duke vështruar me një buzëqeshje, ngacmuese të tjerët, - por se kështu është vërtet. Apo jo? Por në mos gaboj, ti ke botuar një tregim me këtë subjekt.
-Po - iu përgjigja. – “Qyteti i Jugut”, por mendova ta zgjeroj e ta shndërroj në një roman.
-Mirë ke bërë. - Ai heshti një grimë, pastaj vazhdoi: ¬-Kam edhe unë nja njëqind e ca faqe shënime për Gjirokastrën.-Ta dija që po bëje një roman, mund të t'i jepja t'i shfrytëzoje, se unë s'besoj se do të kem kohë ta shkruaj atë libër (Ishte fjala me sa duket për librin “Vitet e vegjëlisë”, që e mbaroi dhe e botoi disa vite më vonë).
S'dija me ç'fjalë ta falenderoja për besimin si dhe për fisnikërinë e këtyre fjalëve, sepse duhej të ishin tepër të rralla rastet në botë kur një autor të dhuronte aq bujarisht librin e tij të pabotuar për ta shfrytëzuar dikush tjetër.
Kur shoku Enver më pyeti me se po merresha aktualisht iu përgjigja se po shkruaja diçka për prishjen me sovjetikët.,
Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin “Dimri i madh”, por në përgjigjen time, në vend të fjalës “roman” thashë “diçka” dhe këtë e bëra pa menduar, si një mbrojtje instiktive nga që ende s'isha i sigurt se do ta përballoja temën e madhe së cilës i kisha hyrë.
Për fat, apo ndoshta nga që unë i thashë fjalët nëpër dhëmbë, shokut Enver nuk i tërhoqi vemendjen ky detaj.
- Hm, sovjetikët, - tha ai. E ke lexuar në azhanse ç'ka thënë ditët e fundit Radio-Moska për ty? - dhe qeshi me të madhe.
Unë e kisha lexuar dhe ishte vërtet për të qeshur. Midis marrëzive të tjera, Radio-Moska në një nga emisionet e saj kishte thënë se gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë e kishin bojkotuar letërsinë dhe nuk shkruanin më në shenjë mallëngjimi dhe proteste për prishjen me sovjetikët. Për të mbush boshllëkun e krijuar, vazhdonte Radio-Moska shteti shqiptar kishte nxitur ca pseudoshkrimtarë të rinj si një farë I. Kadare me shokë, që të shkruanin e të botonin veprat e tyre që ishin aq skematike e pa kurrfarë vlere artistike, sa që u ngjanin kryeartikujve të gazetave.
Nuk më kishte shkuar mendja se kjo mendjelehtësi e Radio-Moskës do të më bënte një shërbim të madh e të pa pritur: hapjen prej shokut Enver të bisedës se çfarë kish ndodhur në Moskë dhjetë vjet më parë.
Pas të qeshurës, ai u mvrenjt dhe tundi kokën ngadalë, si të thërriste një kujtim jo të këndshëm.
Pastaj ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton ndryshëm nga ai që kishte folur gjer atëherë, të rëndë e menduar. Ai foli për udhëtimin e tij në Moskë atë dimër pa harruar dhe për disa nga takimet e tij me “hrushovianët” duke bërë krahasimin e tyre me takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod me Kosiginin në darkën e Kremlinit në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vilën ku ish rezidenca e delegacionit tonë, për “vizitat” e mysafirëve të natës, Mikojanit, Torezit e të tjerë.
Do të dëshiroja që ai të fliste me orë të tëra për këtë, po për fat të keq ëndrra ime për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh qendror i së cilës ishte ai vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër, dhe unë s'pata guxim ta pyesja për Moskën.
Më vonë, gjatë procesit të punës për romanin unë shfrytëzova gjallërisht arkivat, u njoha me dokumentet e Partisë, me procesverbalet e Mbledhjes së Moskës, si dhe me dëshmitë e ndryshme të personelit, sidomos të fjalimit të shokut Enver, të porosive, shënimeve të tij në marxhinalet e faqeve, të kurbua¬ra lart ose poshtë për arsye të ngushticës së vendit, të cilat u ngjanin degëve të lisave që i lëkund stuhia. Dhe vërtet në të gjitha ato fjalë, replika, rreshta e shënime ndihej fuqishëm stuhia e kohës.
E megjithatë duhet ta them se biseda e rastësishme e sho¬kut Enver më dha mua si shkrimtar diçka të pazëvendësueshme ¬nga asgjë tjetër për romanin që po shkruaja. Krejt atmo¬sfera e pjesës së dytë të veprës me nëntitullin “Mysafirë në kështjellë”, vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, simfonizmi, tragjizmi dhe pesha e saj, e kanë zanafillën e tyre te ajo bisedë e udhëheqësit. Në bisedën e tij kishte një kolorit të jashtëzakonshëm: me një frazë apo një nënvizim ai jepte rrë¬zëllimin e llampadarëve të festës mbi darkën e Kremlinit, apo detajet tinzare mbi fytyrën e Mikojanit, qetësinë monumentale darkës me Stalinin apo komicitetin e figurës së Hrushovit. Dhe mbi të gjitha biseda e tij, sado e rastit të ishte, ngër¬thente fuqishëm gjithë dimensionet e dramës.
Më vonë, kur puna për romanin po avanconte, disa shokë të mi shkrimtarë më sugjeruan të kërkoja mundësinë për një takim me shokun Enver, por unë nuk guxova ta bëj këtë; kisha gjithmonë druajtjen se mos nuk e mbaja dot premtimin për të realizuar një vepër që të ishte e denjë për ngjarjen e madhe, kisha dhe një arsye tjetër, edhe më të rëndësishme. Unë kisha punuar në shtypin letrar dhe e dija se shoku Enver e kishte ndaluar në mënyrë të prerë të shkruhej për figurën e tij. Në qoftë se unë do të arrija të realizoja një takim me të për veprën që po shkruaja, ç'do të ndodhte sikur ai, gjatë bisedës, të merrte vesh se unë e kisha atë personazh qendror historik në romanin tim? Ai do ta ndalonte një gjë të tillë dhe kjo do të ishte një katastrofë për romanin tim.
Po le të kthehem te takimi me shokun Enver.
Pas bisedës për Moskën, ra fjala për fuqinë shpirtërore të popullit tonë dhe për lashtësinë e tij. Më pyeti nëse e kisha lexuar një libër të francezit Zaharia Majani për etruskët dhe gjuhën shqipe, dhe kur unë i thashë se e kisha dëgjuar, por nuk e kisha lexuar më tha se do të ma jepte. Dërgoi dikë ta merrte, duke i thënë:
- E kam lënë sipër oxhakut.
Biseda u bë prapë e lirë dhe e gëzueshme dhe në një çast u kthye përsëri te Gjirokastra, te Sokaku i të marrëve, qe ishte ndoshta rruga e vetme në botë me këtë emër dhe që ne e njihnim aq mirë, si edhe te plakat e mençura, në kundërshtim me emrin e sokakut, të shtëpive gjirokastrite.
- Vetëm nga tregimet e tyre për mënyrën e ndriçimit të shtëpive, për futjen e vajgurit apo evoluimin e llampave mund të nxjerrësh përfundime interesante të karakterit social- ekonomik, - tha shoku Enver.
I habitur dëgjova të fliste për to, në një mënyrë që nuk e kisha lexuar asgjëkundi.
(Pasi u ktheva në shtëpi dhe shënova në një fletore gjithçka që dëgjova prej tij për ngjarjen e Moskës, në një flete të veçantë shënova “Projekt për një novelë. Në formë kronike. Vajguri, kripa, jetët, vdekjet, gjyqet, ekonomia, breznitë”. Ishte bërthama e novelës që shkrova më vonë “Breznia e Han¬konatëve”, e cila ishte veçanërisht e dashur për mua, veç të tjerash, edhe për historinë e gjenezës së saj).
Kishim ardhur për një vizitë të shkurtër pasdite dhe ora po shkonte 8.30. Megjithëse kishim dëshirë të madhe të rrinim ende, ne morëm leje të largoheshim. Para se të iknim shoku Enver na dhuroi gjithashtu librin e Zaharia Majanit “La fin du mistère etrusque”.
Ishim në këmbë në çastin që do të ndaheshim kur ai i tha shoqes Nexhmije:
- Shko në bibliotekë dhe zgjidh diçka tjetër.
Shoqja Nexhmije u kthye pas pak me veprat komplete të Balzakut në frëngjisht.
- O, e mbushe me Balzak! - bëri shaka shoku Enver.
Ishte shakaja e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me ra¬portin midis letërsisë realiste të shekullit XIX dhe asaj ba¬shkëkohore, diskutime në të cilat Balzaku ishte në qendër të kundërvënieve dhe që nuk kishin kaluar pa një farë jehone edhe te ne.
Duke e falënderuar për librat e dhuruar, unë i thashë shokut Enver se pavarësisht se isha shkrimtar bashkëkohor, e pëlqeja shumë Balzakun.
- Po si do t'i ngrini gjithë këto libra? - tha shoku Enver kur po ndaheshim. Ai iu drejtua shoqes Nexhmije: -¬Shiko për një makinë për t'i çuar mysafirët gjer në shtëpi.
Këto ishin çastet e fundit nga ky kujtim i paharruar.

Ismail Kadare

(Nxjerrë nga libri “Kujtime për Enverin” 1988)

3. Reflektim

Sot eshte 11 prill. 24 vjet me pare vdiq Enver Hoxha. Eshte nje dite pervjetori, per ca ashtu, dhe per ca keshtu. 24 vjet pas vdekjes se Enver Hoxhes, dhe 19 vjet pas renies se Diktatures, ne, pjellat e atij sistemi, e gjejme veten duke celebruar "The survival of the fittest". Dikur, the survival of the fittest, Kadareja shembulli par excellence, beri te mundur qe duke u lene te perdorej, te perdorte vete sistemin per te rritur "fittnesin" e tij. Ne te vertete, nuk ishte vetem Kadareja por e gjithe elita shqiptare - elita qe vete sistemi e seleksionoi per te tille, i dha forme, e perdori dhe e la ta perdorte.

E vertete, Kadare, nuk ishte disident. "Une nuk jam disident. Une nuk isha idiot te vija jeten time dhe ate te familjes sime ne rrezik" – tha Kadare, në 24 shkurt, në Kaufleute Zürich. Ishte ftuar per promovimin e librit të tij të fundit, per të cilin nuk tha asnje fjale. Pas leximit rutine të një pjese të zgjedhur, vijoi një monolog 1 oresh ku Kadare denoncoi diktaturen, ku u irritua perseri qe Enver Hoxha, të cilit i kushtoi jo pak rreshta, të cilin ua shiti publikut per heroin e radhes (takimi me komandantin, sa mbreselenes), e mbante veten per intelektual. E tmerrshme. Sigurisht, Kadareja nuk ishte idiot, në fakt, asnjeri nga ne: si pjese e biologjise, homo sapiens sapiensi, u pershtatet, adoptohet kushteve rrethanore dhe perpiqet te beje me te miren per te mbijetuar vete, per te riprodhuar, per te siguruar mbijetesen e pasardhesve. Kjo eshte me se e kuptueshme. Pikerisht, se mungonin idiotet, se idiotet u kastruan, se idiotet nuk ishin model, se homoja ishte me e fuqishme se sapiensi, ne perjetuam, ndertuam ate sistem qe pastaj polli keta bij; edhe mua, edhe ty.

Ne ishim te gjithe bashkefajtore dhe bashkevuajtes. Por, te gjithe jemi vene ne gare per te qene bashkevuajtes: te gjithe! Krimineli i djeshem, spiuni, elita qe u perdor dhe perdori - qe heshti, te rinjte e enverit. Te gjithe sot tregojme dhe denoncojme diktaturen, jemi ne kerkim te metafores me te forte, te ekzotikes me terheqese. Pak a shume si ne garen e xhungles nga ku therrasim: I am a superstar, get me out. The survival of the fittest. Askush nuk do te kete te beje me "bashkefajtorin" - kjo eshte thjesht alibia per te folur ne publik, per t'u rreshtuar prane bashkevuajtesit tjeter.

Si bij te ketij sistemi ne nuk bejme asgje me shume se celebrojme modelet qe na formuan: the survival of the fittest. Eshte ky model qe mbizoteron sot ne shqiperi akoma, eshte akoma modeli qe ju mesohet te rinjve. Ashtu si dikur, i riu i sotem eshte pa zgjedhje, ashtu si dikur i riu i sotem preferon homon sesa sapiensin, ashtu si dikur, per te qene survival of the fittest, i riu behet pjese e pushtetit, perdoret dhe e perdor.

Kemi nevoje per idiotet, per ata qe e bejne homon sapiens, per ata qe cojne mendimin perpara, per ata qe nuk duan të jene thjesht „The survival of the fittest“, per ata qe avantazhin e homos sapiens sapiensit per të menduar, nuk e abuzojne duke e vene në funskion të fittesit të tij personal. Kemi nevoje per idealiste, per njerez të principeve, per njerez qe udhehiqen nga morali: per njerez me shtylle vertebrore. Kur ky model të ravijozohet si alternative në Shqiperi, ndoshta mund t’ja lejojme vetes vanitetin per t’u perhumbur mbas estetikes se fjales dhe per t’u harruar.

Per sa kohe qe në nuk jemi aty, le të vazhdojme të bejme ate qe jemi duke bere – le te flasim per historite me zhurmues. Kjo leter, reale apo jo, eshte një episod (nga ata qe nuk e kerkon kush), thjesht një episod i trashegimise qe mbartim mbi vete- Le të qeshim, ashtu sic qeshim e argetohemi me episodet e deritanishme. Kjo eshte anektoda e radhes. Une jam bashkevuajtesi i radhes, rrefuesi i radhes i historive me zhurmues.

Duke pritur per idiotet.

Selfmade Radio