9.8.06

Te cmendur mbas teknologjise

Hapësira sibernetike mund të konsiderohet si një lloj toke e lirë, ku njerëzit vijnë dhe vetëshërbehen. Si të gjithë, edhe shqiptarët nuk i kanë shpëtuar tundimit të saj. Një kërkim i shpejtë në Google të ballafaqon me faqe të tëra shqiptare, që nga shtypi i ditës online e deri tek klube emigrantësh. Edhe pse të ndryshme në emra, faqet shqiptare kanë një emërues të përbashkët: ato imitojnë njëra-tjetrën, marrin të njëjtën fytyrë, të njëjtën përmbajtje. Temat më të dashura për shqiptarët e emigruar ngelen politika dhe origjina. Zakonisht janë të njëjtët njerëz që qarkullojnë nga një faqe në tjetrën, përsërisin vetëvetën disaherë në tema po kaq herë të përsëritura. Kjo është ndoshta arsyeja që pas një farë kohe njeriut i humbet interesi për t'iu rikthyer faqeve shqiptare. Por, për fat të mirë, ka edhe përjashtime. Njëra prej tyre quhet Pr-tech.net. Pr-tech përfaqëson shkurtimin e fjalëve Prishtina dhe teknologji. Pyetja ime e parë për autorët e kësaj faqeje lidhet pikërisht me emrin: përse Pr-tech?

Pr-Tech është një grup të rinjsh shqiptarë që i janë përkushtuar zhvillimit teknologjik të trojeve shqiptare. Po, po ... mirë e lexuat ... zhvillimit të teknologjisë së Kosovës, Shqipërisë e më gjerë. Qëllimi i Pr-Tech-ut është "infektimi" i rinisë shqiptare me virusin shkencoro-teknologjik derisa të arrihet epidemia. Fatkeqësisht ky lloj virusi, virusi i njohurisë dhe fuqisë teknologjike, ende nuk është prezent tek shqiptarët në masë që dëshirojmë t'a shohim. Një gjë e tillë mund të vërehet tek mungesa e informatave të mirëfillta e konstruktive për teknologji e shkencë në gjuhën tonë. Pr-Tech e vërejti këtë mungesë dhe mundohet që të përhapë këtë virus edhe përmes internetit, duke publikuar punime, shkrime, mësime të shkurta në kompjuterikë e inxhinieri në përgjithësi por edhe dhe lajme për Nanoteknologji, Bioteknologji, Shkenca Materiale, Energjetikë, Mjedis dhe Ekologji, Fizikë, Astronomi, Paleontologji, Medicinë, Antropologji, Ajër-Hapësirë, Transport dhe Teknologji Luftarake. Punimet zakonisht janë punë që ne (gjithë kontribuesit) bëjmë nëpër universitete gjatë vitit shkollor, të cilat i përkthejmë e i përshtatim për Pr-Tech në gjuhën shqipe. Qëllimi është që të krijohet një faqe ku mund të gjendet literaturë edukative-shkencore në gjuhën shqipe për studentë të nivelit të universitar.

Një vështrim i faqes Pr-tech të bind se këta të rinj e kanë me shumë seriozitet. Lajme gati të përditshme nga fusha të ndryshme të shkencës, por edhe mbulime speciale mbi tema të nxehta si ndryshimet klimaterike apo politikat e Linuxit, mësime praktike mbi tema si teknologjia e kompjuterave. Nuk mund ta mohoj se faqja të krijon mundësinë të arratisesh në një bote të bukur, ku çdo gjë është në rregull, ku teknologjia flet shqip dhe ku ëndërrat shqiptare për të qënë pjesë e zhvillimit teknologjik janë të prekshme. Kush janë njerëzit që i përgatisin këto materiale?

Pr-Tech është një grup të rinjsh shqiptar, të gjithë studentë (disa i kanë mbaruar studimet) dhe të gjithë në anë të ndryshme të botës. Pr-Tech u themelua nga pesë shokë edhe pse si grup filluam që të shoqërohemi e punojmë qysh në shkollë të mesme (1999-2001), ku edhe aspiratat e ngjashme na bënë që të lidhemi më shumë njëri me tjetrin dhe të krijojmë diçka si Pr-Tech. Por nuk mbetëm të vetmuar; neve na u bashkangjiten shumë të rinj të tjerë me aspirata të njëjta të cilët ndajnë, shkruajnë e përkthejnë punime nga universitetet e shkollat e tyre nga mbarë bota. Kontribuesit kanë origjinë nga të gjitha trevat shqiptare e shumë prej tyre kontribuojnë nga ShBA e Evropa Perëndimore, gjë qe na mundëson edhe të shkëmbejmë përvojat e universiteteve të ndryshme. Lista e plotë e kontribuesve mund të shihet në faqen tonë (http://www.pr-tech.net/profilet/).

Ne në Pr-Tech jemi të gjithë studentë edhe pas studimeve. Tre prej nesh studiojmë në ShBA, një në Zvicër dhe një në Prishtinë. Kontribuesit e tjerë, siç e cekëm më lartë, vijnë nga ShBA, BE-ja, dhe trojet Shqiptare. Në përgjithësi, të gjithë studiojmë lëmi inxhinierike, shumica në lëmin e shkencave kompjuterike, inxhinieri elektrike/kompjuterike, matematikë dhe biznes. Kemi mungesë të studentëve të bioinxhinierisë, fizikës, kimisë dhe shkencave njerëzore si antropologjia. Përveç studimeve, punojmë në kompani dhe institucione të ndryshme inxhinerike si praktikantë ose të rregullt. Qëllimi kryesor është që të gjitha eksperiencat t’i aplikojmë në vendin tonë.

Gjatë viteve të fundit numri i studentëve shqiptarë që kanë preferuar universitetet e huaja është rritur në mënyre të ndjeshëm. Po të besojmë statistikat e botuara herë pas herë në shtypin shqiptar, vetëm në Itali nisen çdo vit rreth 2000 studentë dhe këta vetëm nga Shqipëria. Interesant ngelet dukuria që kurioziteti i publikut për këta studentë reduktohet tek vendi ku studiojnë, degët që ndjekin apo bursat që marrin dhe mënyrën se si i marrin. Shumë pak kuriozitet tregohet për interesat dhe pasionet e këtyre studentëve, përse i bejnë studimet që bëjnë, çfarë gjejnë interesante në projektet që ndjekin. Prandaj, nuk mund të rri pa i pyetur Pr-tech-sat që të bëjnë një përshkrim të shkurtër të punëve shkencore që bejne ose të atyre që do te deshironin të bënin.

Momentalisht ekipi i Pr-Tech-ut ka orientime të ndryshme për shkak të largësisë, prandaj punojmë në projekte të ndryshme. P.sh. Genc K. është duke zhvilluar një aplikacion për statistika automatike të serverëve të organizatës The Global Fund në Gjenevë. Krenari punon për një kompani në ShBA që merret me inxhinieri RF (Radio Frekuencë) dhe bën analizimin e sinjaleve të standardeve të ndryshme për celular si GSM, CDMA2K, 802.11, WCDMA dhe EDGE. Betimi vazhdon të punojë si student në Institutin e Hulumtimeve të Marsit në ASU.edu, për të zhvilluar softuerin që përkrah instrumentin Themis në fluturaken Mars Odyssey të Nasa (http://themis.asu.edu). Bleroni vazhdon të punojë si këshilltar-IT dhe punon/hulumton me pajisje për telefoni përmes internetit (VoIP), ndërsa Genc D. vazhdon të merret rregullisht me aplikimin e inxhinierisë softuerike në biznes. Vitin e ardhshëm shumica e themeluesve të Pr-Tech-ut do të mbarojë studimet, kështu që planifikojmë që të kemi edhe projekte që kërkojnë prezencë fizike në vendet e duhura.

Një nga problemet më të mëdha të Universiteteve shqiptare është infrastruktura. Mungojnë jo vetëm laboratorët kaq të domosdoshem për zhvillimin e aftësive praktive të studentëve por edhe librat. Librat që ekzistojnë nuk janë veçse përkthime të shëmtuara, shpesh me autorësi të përvetësuar dhe aspak aktuale. Pyes Pr-tech: Studentët në trojet tona nuk kanë, midis të tjerash, as libra. Si duhet ta gjejnë ata rrugën drejt dijes?

Pikërisht për këtë Pr-Tech mundohet t’a shfrytëzoje potencialin e internetit. Mjedisi digjital për shkëmbim të informatave është shumë më i shpejtë, por edhe më i përhapshëm, dhe për këtë arsye duhet të përdoret në masë maksimale. Është e vërtet që materiali i shtypur nuk mund të zëvendësohet me atë digjital (librat janë më lehtë për t’i lexuar), por kjo është fillimi dhe shpresojmë se veprimtaria jonë do të zgjerohet

Eshtë bërë një dukuri e zakonshme që profesorët dhe shkencëtarët lënë profesionin e tyre për t'iu kushtuar politikës. Nga njëra anë është e kuptueshme dëshira e mirë për të marrë pjesë aktive në tranzicion, për të dhënë më të mirën e për ta bërë këtë tranzicion sa më të lehtë. Nga ana tjetër ky zhvillim ka çuar, midis të tjerash, në uljen e interesit për shkencën dhe në uljen e reputacionit të figurës së shkencëtarit. Eshtë shumë e vështirë të bësh shkencë në Shqipëri dhe të respektohesh nga komuniteti për këtë lloj kontributi. Mekanizmat që bëjnë të mundur një gjë të tillë nuk ekzistojnë. Ndërsa si politikan njeriu është shumë shpejt dhe pa shumë mundime atje ku janë drejtuar të gjitha dritat. Vëtë këta shkencëtarë e profesorë, tashmë të afirmuar në politikë, me indiferencën e tyre ndaj shkencës janë bashkëfajtorë në degjenerimin e mëtejshëm të shkencës dhe në vonimin e integrimit të Shqiperisë në revolucionin teknologjik që përjeton sot perëndimi. Shkurt: politika ka vrarë shkencëtarin. Jam kurioze të di në se Pr-tech sheh shpresa për ringjallje.

Fatëkeqësisht, politika është bërë pjesë e integruar e jetës sonë. Nëse kemi qëllim që të ecim përpara, dhe që bota të na shikon me respekt, e para së gjithas ne njëri tjetrin, duhemi t’i largohemi politikës në masë më të madhe. Politika e ka vendin në vendet vendim-marrëse, në zyret dhe institutet qeveriatre, e jo në perspektivat e qytetarëve.
Shpresa për ringjallje ka sepse ka vullnet për këtë. Pr-Tech është vetëm një shembull, ka edhe shumë të tjerë. Një ringjallje e tillë kërkon bashkëpunim mes individëve, gjë që Pr-Tech është duke e stimuluar aq sa mundet (vet Pr-Tech është rezultat i bashkëpunimit të personave në vende të ndryshme). Kjo edhe pritet mbasi që shkenca vetë është bashkëpunim dhe punë.


Edhe një pyetje të fundit: Ku do shkoni?

Ne nuk do të ndalemi, kjo është e pamundur sepse ka shumë punë për të kryer. Ne nuk do të ndalemi edhe kur ky "virus" të arrijë përmasa epidemike, ashtu që të forcohemi si popull/shtet. Kemi filluar me web-faqe dhe projekte digjitale dhe do të organizojmë konferenca të shpeshta shkencore për studentë në Kosovë e Shqipëri ku do të kemi mundësi (më të mëdha) për “infektimin” e rinisë. Shumë nga pjesëtarët e Pr-Tech punojnë nëpër projekte të ndryshme, gjë që është duke krijuar fusha të reja të veprimit. Ne fund te kesaj interviste donim te shtonim edhe nje fjale te fundit: Pr-Tech është ide, jo vetëm faqe interneti apo punë e disa personave, por është diçka që tenton të shndërrojë dhe ndryshojë gjendjen e tanishme në trojet tona. Bota është duke ndryshuar, e njëkohësisht edhe ne me të. Si popull kemi shumë punë përpara, që të fitojmë respektin dhe admimirin ndaj të tjerëve e në radhë të parë ndaj vetvetes, me punë e jo me fjalë. Madje edhe kjo mund të jetë motoja e Pr-Tech-ut - “Më shumë punë, e më pak fjalë”. Ne duhet të orientohemi edhe në teknologji e jo vetëm në shkenca shoqërore, ku po investohet më shumë në rajon. Kjo punë bëhet me kënaqësi dhe në këtë botë e cila po ndryshon përgjigjja qëndron në kokat e njerëzve, në njohuri dhe vullnet e jo në resurse tokësore të cilat vazhdimisht po harxhohen në këtë planet. Shtetet Shqiptare kanë mundësi të shumta të përparojnë dhe të shndërrohen në fuqi serioze të Europës Lindore. Vullneti ekziston, njerëzit ekzistojnë, njohuria ka filluar të pasurohet. Me veprimet tona dhe të tjerëve realizimi i këtij vizioni do të arrihet.

Intervista eshte botuar fillimisht ne Ezeta. Ribotohet nga selfmaderadio me lejen e Ezetes dhe autorit.