13.2.09

Ceshtja Oliviera

Prej dy ditesh, Zvicra eshte shnderruar ne nje qender vemendjeje. Jo per miliardat e humbura nga dy bankat e saj me te medhaja me fame nderkombetare UBS dhe Credit Swiss, dhe as nga humbjet ne po te njejten shkalle e nje firme sigurimesh, po me kaq fame sa dy bankat e siperpermendura, Swiss Re. Jo. Kete here Zvicren e ka bere qender vemendjeje Ceshtja Oliviera.

Zonja Oliviera (26 vjec), nje juriste braziliane qe punon ne Zürich prej dy vitesh, eshte sulmuar ne nje stacion periferie te qete te Zürichut nga tre burra (njeri prej te cileve ka nje shenje kryqi nazist ne qafe), te cilet e kane futur diku mes shkurresh dhe i kane gerrvishtur lekuren e barkut, kembeve dhe fytyres me nje thike. Te gervishturat nuk jane dosido; midis tyre dallohen qarte inicialet e Partise Popullore Zvicerane, SVP. Gruaja, pasi burrat e kane lene te lire e jane larguar, ka shkuar ne nje banje aty afer ku edhe ka abortuar (rezultat i dhunes se pesuar) embrionet tre muajshe te binjakeve qe mbartete ne bark. Dikur, nje burre e ka gjetur dhe ka lajmeruar policine. Kjo eshte historia e treguar nga zonja Oliviera.

Ndersa policia e Zürich-ut kerkon te hetoje ngjarjen jashte vemendjes se shtypit, babai i zonjes, nje politikan i njohur ne Brazil, ja raporton revolten e nje babai te lenduar nga tragjedia qe i ka ndoshur se bijes gazetes me te madhe brazialiane. Prej saj, ngjarja mori dhene e arriti boten. Arriti edhe Zürich-un.

Ngjarja na ka shokuar te gjitheve. Padyshim. Ky qytet i bekuar eshte simboli i qetesise dhe sigurise per cdo te dashuruar mbas tij, ku neonazistet nuk para jane te dukshem e pranishem pervecse diten e 1 Majit, kur zhvillohet perleshja tradicionale me te majtet ekstreme te Bllokut te zi.

Ndersa Brazili ka reaguar me emocione te kuptueshme, Zvicra qendron relativisht racionale.

Policia kerkon te dije me saktesi ne se humbja e femijeve ka ndodhur vertet pas sulmit apo perpara. Dhe pastaj, ajo S e shkruar mbrapsht ne bark, ne nje reflektim pasqyre, teksa eshte shkruar korrekt ne te gjithe trupin ... a thua ta kete bere agresori? Pyetje qe, edhe pse racionalisht korrekte, kane ndezur emocionet e gruas dhe familjes se saj dhe e shnderruan agresionin ne nje ceshtje globale.

Po, a eshte e mundur qe nje njeri ta inskenoje vete nje agresion te tille? Psikologet e therritur ne ndihme nga media zvicerane pohojne, se eshte e mundur dhe praktike e njohur ne rastet e grave qe kane humbur femije. Ne se zonja Oliviera i ka humbur femijet me pare, trauma e pesuar ndoshta e ka bere te kerkoje nje vemendje te tille. Alibija e neonazisteve dhe SVP te besueshme.

Po, a eshte e mundur qe nje femer te sulmohet ne nje qender te banuar mire te Zürich-ut, ku neonazistet nuk jane dukur ndonjehere? E mundshme. Ngjarja ka ndodhur menjehere pas votimit per levizjen e lire te njerezve nga Bullgaria dhe Rumania, votim pro levizjes se lire te njerezve te ketyre vendeve ne Zvicer. Nje humbje e madhe e SVP qe ishte kunder dhe eshte historikisht kunder levizjes se lire te njerezve nga vendet e lindjes dhe botes se trete, e mban qendrime armiqesore ndaj emigranteve. Oliviera, edhe pse ne dukje mund te merrej per nje vendase, ate mbremje ishte duke folur ne telefon me te emen.

Policia zvicerane refuzon te jape me shume te dhena per arsye hetimi. Brazili po ushtron presion emocional. Ndersa ne, jemi te kapur ne surprize dhe refuzojme te bejme tifozllik per hipoteza.

Ne nje gje te gjithe jemi te nje mendje: nese ngjarja eshte e vertete, fajtoret duhen denuar ne menyre shembullore. Jo vetem kaq, por si shoqeri duhet te ballafaqohemi perseri me temat e neonazisteve, armiqesise ndaj te huajve dhe te propagandes agresive kunder te huajve te perdorur nga SVP. Kjo e fundit, viktime e vetevetes, zyrtarisht eshte prononcuar sot kunder krimit: cdo njeri qe jeton ne Zvicer duhet te respektohet. Nese vertetohet se krimi ka ndodhur dhe se autoret e krimit jane anetare te SVP, ata do te perjashtohen menjehere nga partia. Mbi ta duhet te veproje ligji!

Te gjithe po presim.