11.2.09

Akademia e Shkencave dhe Indeksi h

Artan Borici

Shekulli

Vlerësimi i veprimtarisë shkencore të punonjësve akademikë, ka qenë dhe mbetet një objekt i rëndësishëm pune për komisionet e përzgjedhjes së këtyre punonjësve në institucionet e arsimit të lartë dhe të shkencës anembanë botës.
Tradicionalisht, vlerësimi më i përhapur dhe dominues i një kërkuesi shkencor, ka qenë numri total i botimeve shkencore.

Me të drejtë lind pyetja ne së këto botime, qofshin artikuj shkencorë apo libra e monografi, lënë gjurmë në jetën shkencore të bashkësisë apo të fushës shkencore ku bën pjesë autori në fjalë. Historikisht, përjashtuar rastet gjeniale dhe talenteve të përkryera, vepra e të cilëve kalon kufijtë akademikë, ndikimi, apo siç thuhet sot, impakti i shkencëtarëve është matur me reputacionin e tyre ndërmjet të njëjtëve, apo tek njerëz me influencë në jetën shoqërore apo politike.


Masë vlerësimi i reputacionit ka qenë dhe mbetet pjesëmarrja në projekte të rëndësishme, zgjedhja në forume drejtuese akademike, etj.
Revolucioni i pandalshëm në industrinë e silikonit ka bërë të mundur zotërimin e informacionit publik prej kujtdo.


Edhe në Shqipëri, është i pamendueshëm sot komunikimi, pa postën elektronike. Shkrimi i punimeve shkencore në formë elektronike, si dhe skanimi i punimeve të vjetra, ka hapur një dritare të re në vlerësimin sasior dhe cilësor të veprimtarisë botuese të punonjësve shkencorë.

Kështu, sot është e mundur të vlerësosh reputacionin apo ndikimin e veprës së një X autori, duke matur numrin e citimeve apo të referimeve të asaj vepre prej pjesës tjetër të botës. Duke u bazuar në këtë informacion të bollshëm, fizikani Jorge E.


Hirsch, propozoi një formulë që shërben si masë e vlerësimit të impaktit të punës së një autori (http://en.wikipedia.org/wiki/Hirsch_number). Sipas tij, një shkencëtar ka indeks h, në rast se h botime prej totalit të tij të botimeve, ka së paku h citime, ndërsa pjesa e mbetur e
botimeve, ka së shumti h citime.

Ne nuk do të ndalemi në detajet e përparësive dhe mangësive të kësaj mase të vlerësimit.


Por, tendenca në rritje për të përdorur një masë të tillë vlerësimi tregon se shoqëria e informacionit bën të mundur jo vetëm një transparencë më të madhe të vendimmarrjeve në punësimin e punonjësve akademikë, por krijon edhe masa vlerësimi globale, pavarësisht sa e zhvilluar apo e prapambetur është një shoqëri apo vend i caktuar.

Në këtë mënyrë vendoset një lloj demokracie edhe në vlerësimin e punës shkencore.

Për të treguar se sa afër apo larg jemi ne si vend në këtë drejtim, nuk është e nevojshme për të bërë shumë komente. Sidoqoftë, për efekt ilustrimi, nuk është e vështirë të matësh indeksin h të punonjësve akademikë shqiptarë.

Mjafton të shkosh në faqen http://scholar.google.com dhe të shkruash emrin e mbiemrin e shkencëtarit. Rezultati i kërkimit është lista e botimeve me numrin përkatës të citimeve. Ne kemi kryer një ushtrim të tillë për anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave.


Meqë faqja e internetit të Akademisë, http://www.akad.edu.al/, nuk e ka listën e anëtarëve, ne iu referuam shkrimit "Akademia e Shkencave, shtatori "starti" i veprimtarisë normale", botuar në shtypin e datës 9 gusht 2008. Kështu, në bazë të një numërimi të thjeshtë, për të llogaritur indeksin h, rezultojnë këto rezultate për anëtarët e rinj:

Adnan Kastrati ka indeksin më të lartë, 52, Arben Merkoçi, 12, Albert Doja, 5, Bahri Beci, Artan Fuga, 3, Muzafer Korkuti, Apollon Baçe, Neki Frashëri, 2 , Kolec Topalli, Floran Vila, Beqir Meta, Salvatore Bushati, Jani Vangjeli, 1, ndërsa të tjerët kanë indeks 0.


Sipas Hirsch-it, një indeks h në vlerat 10-12, do të thotë se kandidati është i denjë për të marrë një pozicion të parë definitiv si punonjës akademik, ndërsa një indeks 45 ose më shumë, do të thotë i denjë për të qenë anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave. Ilustrimi i mësipërm tregon se Akademia e Shkencave e RSH-së është shumë larg një standardi të tillë global. Megjithatë, vërehet me kënaqësi se në pranimet e reja, ajo, ka në radhët e saj një kalibër të tillë me indeks impakti 52.

Ndër të rinjtë kemi edhe një indeks impakti 12. Nuk është e vështirë të gjesh shkencëtarë shqiptarë me indekse të tilla impakti, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, por për shkaqe që mund të konsiderohen banale për një Akademi, siç janë keqinformimi ose mungesa e një fushate të hapur dhe transparente përzgjedhëse, ata kanë mbetur jashtë kësaj anëtarësie.

Reformimi i akademisë ka sjellë një risi në impaktin e saj ndërkombëtar, por masa e këtij impakti mbetet e ulët. Si përfundim, mund të themi se shansi që iu dha vendit për të reformuar tempullin e vet honorifik të dijes, mund të quhet i dështuar, në rastin më të keq. Në rastin më të mirë, shpëtoi shumë profesorë të nderuar prej pensionit të turpshëm prej 20 mijë lekësh!