6.6.07

Rasti i 11357?

Sapo lexova gazeten e sotme (Tages Anzeiger). Ne faqen 15, ne qoshen me te djathte, lexoj nje lajm te vogel: "Policet e Kantonit (Zürich) kane kapur te henen ne mbremje, ne lagjen 6, dy tregetues shqiptare te droges. Policet arriten t'ju kapin dy shqiptareve 165 gram heroine dhe 3800 Franka. Dyshja qarkullonte ilegalisht ne Zvicer"

Ky eshte nje lajm qe del shpesh ne gazete, per shqiptare qe shesin drogen, qe jane sa ilegale po aq anonime. Keta jane shqiptare qe vijne nga Italia, ilegalisht (sipas nje intinerari te fiksuar mire nga eksperienca paraprake) dhe pa asnje dokument me vete per t'ju shpetuar komputerave te policise. Vijne me nje qellim te vetem: te shesin droge, sepse cmimi dhe tregu jane me te favorshem se ne Itali. Nuk vijne asnjehere vetem, por dyshe, ose treshe. Disa kane edhe nga nje baze lokale, ku depozitojne mallin dhe kalojne naten. Vijne, shesin dhe ikin. Kur jane me fat. Leket i dergojne ne atdhe dhe i investojne neper aktivitete te ndryshme apo shtepira. Vijne, shesin dhe i kapin. Kur jane pa fat. I mbajne ne burg ca dite dhe i kthejne ne Shqiperi me xhepa bosh e duar thate.

Dikur, gjate rruges, me Swissair, per ne Shqiperi, vendi me qelloi prane dy te rinjve shqiptare. Kisha hapur dhe po lexoja nje artikull pune, kur erdhi stuardesa dhe i pyeti te rinjte se cfare donin te merrnin. As njeri dhe as tjetri nuk dinin as gjermanisht dhe as anglisht. U futa ne loje dhe bera perkthyesen. Je shqiptare?, - me pyeti ai qe ishte ulur prane meje. Cfare eshte kjo qe po lexon? Ja shpjegova. E pyes se nga vjen. Me thote, - nga Londra. Ec e ec muhabeti dhe zbulova se kishin ikur nga Shqiperia shume te rinj, nuk e kishin mbaruar shkollen tetevjecare, kishin harruar te shkruanin dhe te lexonin dhe jeten e fitonin duke shitur droge. Deri diten qe i kishte kapur policia. Tani po i kthenin ne atdhe. I pyeta se c'do benin tani qe po ktheheshin ne Shqiperi? Qeshen nen buze, pane njeri-tjetrin dhe pastaj m'u pergjigjen: do ikim prape.

Sa here qe lexoj lajme si ky i sotmi, me dalin perpara sysh ata dy te rinjte e aeroplanit. Dhe ndjej dhimbje si per ta ashtu edhe per te gjithe ata te rinj qe kane zgjedhur kete rruge. Me vjen keq per femijerine e tyre te nderprere, per rinine e tyre te pashijuar, per jeten e tyre te perfunduar rrugeve, mes ankthit dhe brutalitetit.