26.6.09

Goditja ose skena te nje martese

E goditi mu në mes të shpatullave; u ngrit si rrufe, goditi, u shtri prapë dhe ja futi me gjumë. Ajo u ul ndenjur në anën e saj të krevatit, me gjumin të prishur, me dorën mbi dhimbjen në mes të shpatullave dhe me vështrimin tek ai.
Ai. Pacifisti më i madh i botës. Që nuk vriste asnjë merimangë. Asnjë silberfisch. Asnjë bubuzhel. Ai që i kapte me butësi qëniet e vogla, cfarëdotëishin, dhe i nxirrte me kujdes jashtë nga dritarja per të qetësuar frikërat e saj. Pikërisht ai, u ngrit si një hije në errësirën e natës dhe e goditi. Me anën e pellëmbës së djathtë. Mu në mes të shpatullave. Po të kishte qenë thikë do ta kishte ndarë në dysh në mënyrë simetrike.

Sa vjet kishin së bashku? 10 vjetë bashkëjetesë, 7 martesë. Martesa është e destinuar të dështojë, i thoshte ishi i saj, që cinizmin e ëmbëlsonte me aventura të shkurtra e të zjarrta dashurore.
Martesa është burg, si mund të jesh e lumtur në një burg?
Eshtë burgu që kam zgjedhur vetë, që e kemi zgjedhur vetë. Jemi të lumtur.
Ti e beson këtë që thua?
Po, ajo e besonte.

Nga c’ëndërr vinte kjo goditje? A ishte ëndërr? Cfarë ishte atëherë? Agresione të akumuluara? Frustrime seksuale të pashprehura? Kriza e vitit të shtatë? A thua kishte ardhur? Ai e kishte puthur përpara se të flinin, si gjithmonë. I kishte thënë tëduashumë, si gjithmonë. I kishte thithur erën e flokëve, si gjithmonë. I ishte mbështjellë rreth trupit, si gjithmonë. Me sy gati përgjume i kishte pëshpëritur jamnjeriumëilumturibotës, si githmonë. Jo, nuk kishte vënë re asgjë të vecantë.

Kur doli dielli ai hapi sytë e u shtriq. E pa atje në anë të krevatit dhe iu afrua. E puthi. Mirëmëngjes, do një kafe?, dhe vazhdoi më tutje. Ajo e ndoqi nga pas. U ul në tavolinë dhe priti kafenë. E rrufiti paksa. Mori frymë thellë.

Përse më godite?
Të kam goditur?
Në mes të shpatullave.
Godita dikë që nuk të linte rehat. Në ëndërr.
Më godite mua.
Ke qëlluar në krahun e gabuar. Të vrava shumë?
Dhimbja ngeli për një kohë të gjate.
Më fal. Nuk të godita ty. Ai i cmenduri nuk po të linte rehat.
Qëkur ke filluar të godasësh për mua? Mbas kaq vitesh?
Ishte një psikopat. Po të ndiqte. Ti erdhe në krahët e mi. Unë të mbeshtolla. I thashë të largohet por ai filloi të të terhiqte me force. Unë i bërtita. Ai nuk dëgjoi. Nuk më ngeli vetëm ta godisja. E godita. Atë.
Kush ishte ai? Ishi?
Nuk e di. Një i cmendur. Pse ishi?
Sepse folëm për të para se të flinim.
S’e besoj.
Ai vazhdoi ritualet e mëngjesit. Pa orën. Ika, u bëra vone. E puthi.
Ajo piu kafenë deri në fund.