Takim vendimtar në Kremlin
Regjimi i Kremlinit ishte terbuar. Molotow do ta dënonte sjelljen e Beogradit në një telegram të formuluar shumë ashpër dhe do të arrinte që Tito të tërhiqej nga marshimi për në Shqipëri. Shumë shpejt, udhëheqjes jugosllave do t’i vinte kërkesa për t’u paraqitur për një sqarim të domosdoshëm në Moskë. Beogradi pranoi menjëherë dhe dërgoi një delegacion të lartë, të përfaqësuar nga Edvard Kardelj, anëtar i politbyrose jugosllave dhe numri dy mbas Titos.
Në këtë takim fatvendosës, që u zhvillua më 10 shkurt 1948 në Kremlin, do të ftohej edhe një delegacion bullgar. Arsyeja ishte zemërimi i Moskës me Georgi Dimitrov, udhëheqësin e Partise Komuniste Bullgare, i cili në një fjalim publik kishte hedhur idenë e bashkimit të vendeve të lindjes në një konfederacion. Idea e Dimitrovit, që nuk ishte diskutuar më parë me Mosken, ngjalli një interes të madh në perëndim, sepse udhëheqësi komunist bullgar kishte futur në projektin e tij edhe Greqinë.
Akuzat u formuluan nga Molotow. Pikë mbas pikë ai do të shpjegonte të gjitha gabimet e shokëve nga Ballkani dhe do t’ua bënte të qartë se në të ardhmen vendimet për politikën e jashtme do të duhej të diskutoheshin me Kremlinin. Për habinë e të ardhurve, Stalini do të prononcohej negativisht për luftën civile greke dhe do të përfundonte se cështja greke ka pak gjasa të ketë sukses dhe, për më tepër, sjell vetëm ndërlikime nderkombëtare. Me këtv, ai u sinjalizoi jugosllaveve dhe bullgarëve që ndihma e tyre për komunistet grekë duhej të ndërpritej.
Pjesmarrësit, jugosllavët dhe bullgarët, u treguan shumë të disiplinuar gjatë takimit dhe pranuan gabimet e tyre. Ndvrsa bullgarët më pas ranë në qetësi, Titoja vazhdoi të ndiqte politikën e tij në Ballkan më tutje. Vetëm disa ditë mbas takimit të Moskës, Titoja do takonte përfaqësues të lartë partizanë grekë dhe do t’u siguronte atyre mbështetje të mëtejshme. Kjo mbështetje e Titos erdhi në një moment kur situata në kufirin jugosllav-grek ishte tensionuar keq. Ambasadori Lawrentew, në bisedë me ministrin e jashtëm jugosllav do të informohej se për shkak të provokacioneve të pritshme nga ana e monarko-fashistëve greke, Beogradi e kishte futur të gjithë trupën e armatosur në gatishmëri lufte.
Ca më pak mendonte Jugosllavia nga heqja dorë prej ambicies së saj për Shqipërinë. Por, duke qenë se Tito nuk donte ta provokonte më tej Bashkimin Sovjetik, inciativa për futjen e trupave jugosllave në territorin e Shqipërisë duhej të vinte nga Shqipëria – dhe me të vërtetë, Tirana do të paraqiste këtë iniciativë në Moske. Në këtë kohë, Tirana ishte tërësisht nën ndikimin e Beogradit.
Në mars të 1948, Plenumi i tetë i Partisë Komuniste Shqiptare do të miratonte një resolutë në të cilën, orientimi i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë deklarohej si vijë zyrtare e Partisë. Paralelisht, të deleguarit do të nënshkruanin një dokument sekret ku përshkruhej në një formë të detaluar bashkimi i ushtrisë shqiptare me atë jugosllave.
26.6.08
Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (3)
Labels: Dje