25.6.08

Shqipëria midis Stalinit dhe Titos (2)

Një vdekje dhe pasojat e saj


Në cështjen e kursit të politikës së jashtme, Politbyroja shqiptare ishte e përcarë. Ndërsa ministri i brendshëm Koci Xoxe insistonte për një afrim me Jugosllavinë, Nako Spiru, ministër i ekonomisë dhe industrisë, ishte përfaqësues i linjës sovjetike. Enver Hoxha lëkundej midis dy pozicioneve, por ndoqi, megjithatë, deri në prishjen jugosllave-sovjetike në vitin 1948, një politikë të qartë projugosllave.

Tensionet në Politbyronë shqiptare do të mpreheshin në nëntor të vitit 1947, kur Beogradi do ta akuzonte Tiranën për ndjekje të një kursi armiqësor ndaj Jugosllavisë. Nën ndikimin e Xoxes, Hoxha do të lejonte fillimin e një hetimi kundër Spirut. Ky, - sipas interpretimit të palës Jugosllave – vrau veten pak pas fillimit të hetimit. Askujt nuk do i shkonte ndërmend në këtë moment që vdekja e Spirut, i cili kishte kontakte intensive me personelin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, do t’i shërbente shpërthimit të konfliktit midis Moskës dhe Beogradit.

Ngjarjet në Shqipëri, e detyruan Stalinin që të merrte situatën vetë në dorë. Në fund tv dhjetorit 1947, ai i kërkon Titos me telegram që të dergonte në Moskë “një njeri të besuar, si psh, Djilas ose edhe dikush tjetër, që e njeh mirë situatën në Shqipëri“. Në mesin e janarit 1948, Milovan Djilas, anëtar i politbyrosë jugosllave dhe njeri nga njerëzit më të afërm të Titos, mbërriti në Moskë dhe po në të njëjtën mbrëmje kreu bisedime me Stalinin dhe Ministrin e Jashtëm Wjatceslaw Molotow. Stalini e solli diskutimin menjëherë tek vdekja e Spirut dhe i bëri të qartë Djilas shqetësimet e tij për zhvillimet në Ballkan. Por, mbas kësaj, diktatori sovjetik do të fliste pro bashkimit të Jugosllavise me Shqipërinë, dhe do shtonte me ambivalencën e tij të mirënjohur, që të dyja vendet do të duhet të presin deri sa të gjendej „një moment i përshtatshëm“.

Dokumentet sovjetike nuk e tregojnë shumë qartë arsyen se përse Stalini kërkonte që të pritej për këtv bashkim. I rëndësishëm për zhvillimet e tjera ishte fakti që Djilas, në raportin e tij nga Moska, do të shprehej pozitiv për rezutatet e bisedës së tij me Stalinin.

Tito u ndje i mbështetur në politikën e tij me Shqipërinë. Po në të njëjtën ditë në të cilën ai mori telegramin e Djilas, ai do t’i drejtohej Hoxhës me kërkesën për të vendosur trupa jugosllave në zonën e qytetit të Korcës, në Shqipërine juglindore. Si arsye, Tito do të përmendte kërcënimin e Shqipërisë nga Monarko-fashistët grekë.


Edhe pse kontaktet midis Beogradit dhe Shqipërisë do të zhvilloheshin në sekret, ato nuk do të ngeleshin të tilla për Kremlinin. Vetëm një ditë pasi Hoxha kishte telegrafuar miratimin e tij për vendosjen e trupave jugosllave, do të mbërrinte në Moskë një shënim i ambasadorit sovjetik në Beograd, Anatoli Lawrentew, në të cilën tregoheshin planet jugosllave.