26.1.08

Nje hap me prane jetes artificiale

Dikujt qe i ndjek me vemendje zhvillimet e biologjise molekulare, nuk mund t' i kete shpetuar pa lexuar, ne prestigjiozen "Science" online te dates 24 janar 2008, nje artikull me titullin "Complete chemical synthesis, assembly and cloning of a Mycoplasma genitalium genome". E perkthyer ne shqip, titulli thote: "Sinteza e plote kimike, renditja dhe klonimi i genomit te Mycoplasma genitalium".

Mycoplasma genitalium, eshte nje bakterie qe paraziton rruget genitale dhe transmetohet gjate aktit te pambrojtur seksual nga njeri partner tek tjetri. I parrezikshem per jeten, por gjithesesi i mundueshem, bakteria luftohet vetem me antibiotik. Pertej ketij fakti, interesi per mycoplasmen ne boten e gjeneticieneve qendron tek madhesia e vogel e gjenomit te saj; gjenomi me i vogel qe ndodhet ne ndonje qelize te gjalle e afte te shumefishoje veteveten: 485 gjene, te organizuara ne nje kromozom te gjate 582,970bp (cift bazash, germa).

E pra, ne kete artikull raportohet riberja e gjenomit te kesaj bakterie duke filluar nga kater tullat elementare, ndryshe germat, qe ndertojne, formulojne nje gjen: A (adenine), T (thymine), C (cytosine) dhe G (guanine). Ky eshte gjenomi i pare artificial ne historine e njerezimit. Ky eshte nje moment historik. Ky eshte nje moment qe hap dyer mbrapa se ciles deri tani qendronte vetem science fiction.

Vizioneri mbrapa kesaj ngjarjeje eshte Craig Venter; njeriu qe dekodoi, lexoi gjenomin e njeriut ne vitin 2000. Edhe pse, vetem me dekodimin e gjenomit njerezor Venter ka siguruar nje vend ne historine e shkences, ambicjet e tij nuk mbaruan atje. Projekti aktual i tij synon asgje me pak se sa krijimin e nje jete artificiale; nje jete te designuar nga njeriu.

Sintetizimi i gjenomit te mycoplasmes eshte vetem faza e pare e ketij projekti: faza qe etabloi tekniken e sintetizimit te nje gjenomi ne kufijte e gjysem milion bp, teknike qe theu rekordin e deritanishem te limituar tek sintetizimi i nje pjese prej 32000bp. Faza e dyte e projektit eshte etablimi i nje teknike qe do te beje te mundur futjen e ketij gjenomi sintetik brenda nje bakterie mycoplasme te ciles i eshte hequr paraprakisht ADN-ja, gjenomi. Craig Venter dhe grupi i tij, nuk ka arritur akoma te rifuse ne jete nje bakterie ku eshte transplatuar gjenomi sintetik. Por, kjo eshte thjesht ceshtje kohe. Ne momentin qe realizohet futja ne jete e gjenomit sintetik, fillon faza e trete e projektit: pastrimi, apo reduktimi, i gjenomit te mycoplasmes nga gjenet e teperta; gjenet pa te cilat bakteria mund te jetoje. Mycoplasma ka rreth 100 gjene qe po t'i heqesh nga gjenomi vec e vec, nuk influencojne jeten e bakteries. Megjithate, pyetja pergjigjen e se ciles kerkojne shkencetaret eshte: sa nga keto 100 mund te hiqen njekohesisht pa influencuar jeten.

Qellimi final i kesaj faze eshte te krijohet nje minigjenom i afte te jetoje me nje minimun kostoje. Ne se ky qellim realizohet atehere fillon nje epoke e re per boten njerezore: epoka e designimit. Sepse, ne kete minigjenom te thjeshtuar artificial, Venter & co, kerkojne te fusin, apo implantojne, gjene qe mund t'i kryejne njeriu sherbime te ndryshme, p.sh., te pastrojne ajrin nga dioksidi i karbonit, te perdoren per te prodhuar lende djegse me kosto te ulet per makina apo medikamente.

Ne nje ekspedite te krahasueshem me udhetimin legjendar te Charles Darwin me anijen Beagle, Craig Venter ndermori ne 2004 ate qe ai e quan "Global Ocean Sampling Expedition". Qellimi i kesaj ekspedite: zbulimi i miniorganizmave te reja, zbulimi i gjeneve me funksione akoma te panjohura. Me tekniken e tij te dekodimit, te perfeksionuar me gjenomin gjigand te njeriut (3 bilion germa), Craig Venter i dekodon gjenomet e mikrorganizmave te reja, u analizon funksionet gjeneve dhe seleksion ato gjene qe ai i quan "te dobishem".

Ne njeren ane sintetizimi i gjenomit minimal, ne anen tjeter zbulimi i gjeneve te dobishem; projekti madhor i designimit te jetes artificiale ne sherbim te njeriut po i afrohet nje hap e me shume qellimit te tij. Dhe, ne se te gjitha keto probleme teknike jane zgjidhur, pyetja qe lind fare natyrshem eshte: Sa larg jemi prej gjenomit sintetik, artificial te njeriut? Manipulimit te tij? Craig Venter ecen shume shpejt!

Per kete lajm mund te lexoni edhe tek blog shkenca.