21.1.08

6, 7, 8, 9

ose mendime (rrefime) numerike.


6. Ngrohja globale

Si ishte: Ne pyjet me bore ka jete.
Si eshte: Ne pyjet me jete nuk ka bore.

7. Fizionomi ideologjike

Nje gje shume interesante ve re ne Zvicer. Politikanet ju ngjajne edhe ne fizionomi ideologjive qe perfaqesojne.

A. Partia Socialdemokrate perfaqesohet kryesisht nga dy tipe grash: a) tipi me floke te shkurtra, fytyra te hequra me veshtrim picrrues dhe buze te holla, b) tipi me floke te zeza me onde, gjithmone me buzekuq te ndezur, me varese me rruaza te medha dhe kryesisht te kuqe dhe pallto gjithmone prej shajaku.

B. Partia jeshile perfaqesohet edhe kjo nga gra, qe ne perputhje te plote me ideologjine e tyre i ngjajne natyres se eger, te patrazuar nga njeriu. Floket pa frizure, te pangjyrosur dhe nje veshtrim tejet skeptik si ai i zyshave te rrepta (pa shkop ne dore).

C. Partia e kapitalisteve perfaqesohet prej burrave te cileve ua nuhat qe prej posterit suksesin financiar. Fytyra te zgjuara e te pastra, veshtrim i sigurt, nje buzeqeshje paksa flirtuese, kostum i shtrenjte dhe nje qendrim te pastresuar ku spikat njera dore e futur ne xhep.

D. Partia popullore e Blocherit ku spikatin dy lloje burrash: a) teknokrati me fizionomi pasive birre dhe b) fshatari me fytyre te imet, rrudha dielli e sy te vegjel. Qe te dyve ua nuhat qe ne fytyre mentalitetin "Kujt kujtoni se pa ja hidhni ju?" dhe krenarine e "une jam populli".

Provoni tani te gjeni se c'ideologjie i perkasin politikanet shqiptare. Une u perpoqa dhe, sinqerisht, nuk gjeta ndonje ndryshim as ne veshjet e tyre e as ne fizionomite e tyre. Te gjithe i ngjajne njeri-tjetrit. Te njejtat tipe fizionomish qe gjen tek socialistet qarkullojne edhe tek demokratet. Fakt qe me beri te mendoj se, thelle-thelle tregon shume per politiken shqiptare: si politike e perdorur per interesin e individit-politikan dhe jo per interesin e ndonje ideologjie, apo programi te lidhur me keto ideologji. Gje qe do te thote, qe diten qe politikanet tane do fillojne te mos i ngjajne me njeri-tjetrit do te jete dita e ktheses se madhe.

8. Pakete turistike

Mbas pushimeve romantike te Sarkozy & Bruni te dokumentuara me saktesi nga shtypi nderkombetar; papritur rruget, tramet, muret e Zürich-ut u mbushen me prospekte turistike qe te ftojne me shume dashamiresi t'i kalosh edhe ti pushimet e tua romantike ne Egjypt, Jordani e me radhe. Kesaj i thote te jetosh ne nje hap me kohen.

9. Kush e mori Jeanne d'Arc?

Mikesha ime franceze Jeanne d'Arc ka rene ne dashuri me zviceranin Wilhelm Tell. Dhe gjithe miqesia u gezua. U gezua sepse Jeanne d'Arc vjen nga nje familje shume konservatore franceze per te cilen beqaria e vajzes se madhe 26 vjecare ishte nje kafshate e pakaperdishme. Sidomos, kur motra e dyte u tregua shume e shkathet dhe ja beri bam (u martua) qe ne moshen 23 vjec, dhe motra e trete 21 vjecare eshte e fejuar qe prej nje viti. Jeanne d'Arc ka edhe nje moter te katert, por ajo sapo mbaroi gjimnazin dhe nuk ka hyre akoma ne zonen e rreptesise. Keshtu pra, Jeanne d'Arc gjeti Wilhelm Tellin dhe ju hoqi atyre te shtepise nje barre te madhe nga qafa. Por, nderkohe i vuri nje barre te madhe shoqerise. Sepse. Papritur darkat me Jeanne d'Arc dhe Wilhelm Tellin si te ftuar u shnderruan ne monologje pa fund te Z. Wilhelm Tell.

Z. Wilhelm Tell ka gjithe ato gjera per te treguar per veten dhe talentet e tij: teknika e tij fantastike e perdorimit te harkut, saktesia milimetrike e gjuajtjes se molles ne koken e te birit (dhe te Jeanne D'arc), siguria e tij mbinjerezore ne suksesin e tij ... e me radhe. Ne se Wilhelm Tell harron ndonje element te CV se tij te gjate nderhyn Jeanne d'Arc, me zerin e saj te embel e syte plot shkelqim: Wilhelm, perse nuk na tregon se si ja tregove zanatciut te shigjetes se si ta bente shigjeten. Ose, Wilhelm perse nuk na tregon se si u ngrite per liri kur ishe vetem 10 vjec. Dhe keshtu, darke mbas darke, monumenti i Wilhelm Tellit ngrihet madheshtor, gjenial, i plotfuqishem perpara syve tane te lodhur, por edhe atyre plot admirim te Jeanne d'Arc krenare. Kur degjojme zerin e Jeanne kujtohemi qe, prit pak, edhe ajo eshte ketu dhe fillojme ta pyesim: Jeanne, si te shkojne ty betejat? Mire, pergjigjet shume shkurt ajo dhe ju rikthehet prape betejave te Wilhelm Tellit. Kjo nuk eshte me Jeanne e dikurshme; e interesuar per jeten, per veten, per ne.

Ndersa te gjithe kane zhvilluar nje alergji patologjike per Herr Wilhelm Tell, efektet e alergjise kane prekur edhe miqesine tone me Jeanne. Distancat jane rritur e perfshijne 9 male, 9 fusha e 9 lumenj. Larg, shume larg ka ikur Jeanne d'Arc-a jone. Po aq larg sa edhe Doruntina. Pyetjes se pazgjidhur se "Kush e solli Doruntinen?" i eshte shtuar edhe pyetja tjeter po kaq e pazgjidhshme "Kush e mori Jeanne d'Arc?".