Dikujt qe i ndjek me vemendje zhvillimet e biologjise molekulare, nuk mund t' i kete shpetuar pa lexuar, ne prestigjiozen "Science" online te dates 24 janar 2008, nje artikull me titullin "Complete chemical synthesis, assembly and cloning of a Mycoplasma genitalium genome". E perkthyer ne shqip, titulli thote: "Sinteza e plote kimike, renditja dhe klonimi i genomit te Mycoplasma genitalium".Mycoplasma genitalium, eshte nje bakterie qe paraziton rruget genitale dhe transmetohet gjate aktit te pambrojtur seksual nga njeri partner tek tjetri. I parrezikshem per jeten, por gjithesesi i mundueshem, bakteria luftohet vetem me antibiotik. Pertej ketij fakti, interesi per mycoplasmen ne boten e gjeneticieneve qendron tek madhesia e vogel e gjenomit te saj; gjenomi me i vogel qe ndodhet ne ndonje qelize te gjalle e afte te shumefishoje veteveten: 485 gjene, te organizuara ne nje kromozom te gjate 582,970bp (cift bazash, germa).E pra, ne kete artikull raportohet riberja e gjenomit te kesaj bakterie duke filluar nga kater tullat elementare, ndryshe germat, qe ndertojne, formulojne nje gjen: A (adenine), T (thymine), C (cytosine) dhe G (guanine). Ky eshte gjenomi i pare artificial ne historine e njerezimit. Ky eshte nje moment historik. Ky eshte nje moment qe hap dyer mbrapa se ciles deri tani qendronte vetem science fiction.Vizioneri mbrapa kesaj ngjarjeje eshte Craig Venter; njeriu qe dekodoi, lexoi gjenomin e njeriut ne vitin 2000. Edhe pse, vetem me dekodimin e gjenomit njerezor Venter ka siguruar nje vend ne historine e shkences, ambicjet e tij nuk mbaruan atje. Projekti aktual i tij synon asgje me pak se sa krijimin e nje jete artificiale; nje jete te designuar nga njeriu.
Sintetizimi i gjenomit te mycoplasmes eshte vetem faza e pare e ketij projekti: faza qe etabloi tekniken e sintetizimit te nje gjenomi ne kufijte e gjysem milion bp, teknike qe theu rekordin e deritanishem te limituar tek sintetizimi i nje pjese prej 32000bp. Faza e dyte e projektit eshte etablimi i nje teknike qe do te beje te mundur futjen e ketij gjenomi sintetik brenda nje bakterie mycoplasme te ciles i eshte hequr paraprakisht ADN-ja, gjenomi. Craig Venter dhe grupi i tij, nuk ka arritur akoma te rifuse ne jete nje bakterie ku eshte transplatuar gjenomi sintetik. Por, kjo eshte thjesht ceshtje kohe. Ne momentin qe realizohet futja ne jete e gjenomit sintetik, fillon faza e trete e projektit: pastrimi, apo reduktimi, i gjenomit te mycoplasmes nga gjenet e teperta; gjenet pa te cilat bakteria mund te jetoje. Mycoplasma ka rreth 100 gjene qe po t'i heqesh nga gjenomi vec e vec, nuk influencojne jeten e bakteries. Megjithate, pyetja pergjigjen e se ciles kerkojne shkencetaret eshte: sa nga keto 100 mund te hiqen njekohesisht pa influencuar jeten.
Qellimi final i kesaj faze eshte te krijohet nje minigjenom i afte te jetoje me nje minimun kostoje. Ne se ky qellim realizohet atehere fillon nje epoke e re per boten njerezore: epoka e designimit. Sepse, ne kete minigjenom te thjeshtuar artificial, Venter & co, kerkojne te fusin, apo implantojne, gjene qe mund t'i kryejne njeriu sherbime te ndryshme, p.sh., te pastrojne ajrin nga dioksidi i karbonit, te perdoren per te prodhuar lende djegse me kosto te ulet per makina apo medikamente.
Ne nje ekspedite te krahasueshem me udhetimin legjendar te Charles Darwin me anijen Beagle, Craig Venter ndermori ne 2004 ate qe ai e quan "Global Ocean Sampling Expedition". Qellimi i kesaj ekspedite: zbulimi i miniorganizmave te reja, zbulimi i gjeneve me funksione akoma te panjohura. Me tekniken e tij te dekodimit, te perfeksionuar me gjenomin gjigand te njeriut (3 bilion germa), Craig Venter i dekodon gjenomet e mikrorganizmave te reja, u analizon funksionet gjeneve dhe seleksion ato gjene qe ai i quan "te dobishem".
Ne njeren ane sintetizimi i gjenomit minimal, ne anen tjeter zbulimi i gjeneve te dobishem; projekti madhor i designimit te jetes artificiale ne sherbim te njeriut po i afrohet nje hap e me shume qellimit te tij. Dhe, ne se te gjitha keto probleme teknike jane zgjidhur, pyetja qe lind fare natyrshem eshte: Sa larg jemi prej gjenomit sintetik, artificial te njeriut? Manipulimit te tij? Craig Venter ecen shume shpejt!
Per kete lajm mund te lexoni edhe tek blog shkenca.
26.1.08
Nje hap me prane jetes artificiale
Labels: Shkenca dhe Jeta
22.1.08
10. Jeta dhe vdekja jane si dy vellezerit siameze
Jeta dhe vdekja jane si dy vellezerit siameze. Jetojne kurriz me kurriz. Edhe pse vdekjen nuk e shohim perdite, mundesia e shfaqjes se saj eshte aty; cdo sekonde te jetes sone.
E hene me diell. Nisem se bashku me femijet per ne drejtimin e cerdhes. Eshte nje mengjes shume ftues; dielli eshte aty, era e mire e ajrit eshte aty. Im bir, Joniboni, eshte ne maje te bicikletes se tij likeabike. Une eci paralel me te duke shtyre karrocen me Erabella brenda. I hipim tramit - 4 stacione me tutje eshte cerdhja. Rutine e perditshme; nganjehere monotone e nganjehere me nuanca.
Ne tram, Joniboni me kerkon t'i kendoj nje kenge; macoku-camarrokun. Kendoj me ze te ulet deri sa arrijme tek stacioni ku duhet te zbresim. Zbresim. Mami, ma kendo edhe njehere macokun, - thote plot gaz i vogli tashme maje bicikletes se tij. Pasi te kemi kapercyer vijat e verdha, - ja kthej une. Ai pranon.
Kalimi i rrugeve, kur nuk ka semafore, funksionon sipas rregullit: mbreti eshte kalimtari. Menjefjale, ne momentin qe kalimtari ve kemben tek vijat e verdha, makinat jane te detyruara te ndalojne e te presin deri sa te gjithe kalimtaret te kene kaluar matane. Zotat e makinave e pranojne kete rregull, disa plotesisht te ndergjegjshem e disa se nuk kane se c'bejne. Midis tyre ka edhe nga ata qe ndryshojne ligjin ne kah te kundert: mbreti eshte zoti i makines dhe ne momentin qe ti si kalimtar ve kemben mbi vizat e verdha, i zoti i makines vendos qe ti duhet ta terheqesh kemben mbrapsht e te presesh sus ne ane te rruges deri sa ai te kete kaluar. Keto lloj pikash, edhe pse jane shume komforte per kalimtarin sepse te mundesojne nje kalim te shpejte te rruges, jane te rrezikshme dhe mbushin statistikat e policise me numra te vdekurish. Per kete arsye, kalimtari mbret perdor shume marifete qe te mos shnderrohet ne nje shifer ne mbreterin e tij.
Marifeti im eshte: ve kemben tek vija, i hedh nje sy shoferit ne distance duke i sinjalizuar qe po kaloj. Pastaj bej nje hap me tej, per te zhdukur cdo keqkuptim, e i them tim biri: fluturo. Dhe, ndersa makina pret, ai fluturon me bicikleten e tij e une e ndjek nga pas me hap te shpejte. Funksionon gjithmone. Deri kete te hene.
Fluturo, - i them tim biri. Ai ben para dhe vendoset para karroces. Nje gjatesi biciklete plus nje gjatesi karroce femijesh bejne diku tek dy metra. E pra, teksa ishim dy metra ne mbreterine tone, shoferi qe ja kisha sinjalizuar kalimin vendos te vazhdoje udhetimin e tij. Pa e ulur shpejtesine, ai niset me nje devijim te vogel per nga pjesa e rruges akoma e lire. Por, edhe im bir vazhdon fluturimin. Une jam jashte fuqive te mia per te kontrolluar situaten. Perpara se une te mund te bej nje gje, koha eshte me e shpejte dhe i sjell te dy, makinen dhe bicikleten, prane njeri-tjetrit, prane sa nje qime. Shoferi manovron ne milisekonden qe mund te kishte qene tragjike mbi trotuar, ndersa ciklisti fluturues ben nje kthese nga e majta per te shmangur perplasjen. Une shoh tragjedine perpara se ajo te ndodhe. Shoh kete jete te dashur, qe eshte im bir, te me iki permes gishterinjve qe nuk e mbajne dot me. Ndjej tmerrin te shfaqet ne trajten e nje ulerime, nje ulerime qe pikenisjen nuk e ka ne kraharor por diku thelle, nga ca skuta qe nuk i di njeri se ku jane. Thelle, shume thelle. Per nje moment jeta ka ndaluar ne vend. Une mbyll syte. Nuk degjoj asgje. Black out. Hap perseri syte. Ciklisti fluturues vjen drejt meje, me sheh me sy te trembur dhe me pyet: mami, pse bertite?
Kjo eshte ajo gjeja me femijet: nuk e ndjejne rrezikun, jo si ne te rriturit. Rrezikun e perkufizojne me reagimin e prinderve. Im bir kupton se dicka e keqe duhet te kete ndodhur. Sepse une ulerita. Sepse njerezit perreth kishin ndaluar te shokuar. Sepse dy burrat afer nesh i bertiten nga pas makines qe u zhduk diku mbrapa nje pallati: "Arschloch!" dhe pastaj vrapuan ne drejtimin tone. Une permendem. Marr karrocen dhe ciklistin dhe kaloj rrugen. Ndaloj, marr fryme thelle. Edhe njehere. Edhe njehere.
Im bir rri prane meje. Une ulem prane tij. Perqafohemi. U trembe? - e pyes. Po, - thote ai dhe fillon te qaje. Filloj edhe une te qaj. Qajme ashtu, koke me koke. Une qaj tmerrin dhe gezimin, ai qan per mua dhe per ate dickane qe ai ndoshta e ndjen por nuk e di tamam se cfare eshte. Qetesohem dhe i them se nuk ka ndodhur gje e keqe, prandaj le te vazhdojme rrugen. Nisemi ne heshtje. Macokun e harruam.
Pak me tutje, nje i rritur me biciklet e hap rrugen per ne, teksa na parakalon. Im bir fillon te qesh me te madhe. Une e shoh e cuditur. E pe ate burrin si e hapi krahun, mami? Sa per te qeshur!? Dhe vazhdon te qeshe e te perserisi fjaline. Nuk kishte asgje komike ne veprimin e burrit qe na parakaloi, por me sa duket kjo ishte menyra e tij per t'i nxjerre jashte apo zevendesuar emocionet e keqia. Filloj qesh edhe une, e qeshim te dy bashke edhe me shume. Perreth nesh ajri - akoma ftues dhe dielli i fuqishem.
Teksa i them mirupafshim, dhe nisem per ne udhen e parkut qe me con ne pune, nuk rresht se menduari per jeten dhe vdekjen qe jane kaq prane. Per vdekjen qe e harrojme por qe mund ta shfaqi koken cdo sekonde. Per shijen dhe vleren e jetes pasi vdekja te ka kaluar edhe kete here shume afer por pa te marre as ty dhe as dashurite e tua. Dhe mbush mushkerite me ajrin e fresket, ja kthej fytyren diellit dhe vazhdoj te eci.
Labels: Mendime numerike, Rrefime
21.1.08
6, 7, 8, 9
ose mendime (rrefime) numerike.
6. Ngrohja globale
Si ishte: Ne pyjet me bore ka jete.
Si eshte: Ne pyjet me jete nuk ka bore.
7. Fizionomi ideologjike
Nje gje shume interesante ve re ne Zvicer. Politikanet ju ngjajne edhe ne fizionomi ideologjive qe perfaqesojne.
A. Partia Socialdemokrate perfaqesohet kryesisht nga dy tipe grash: a) tipi me floke te shkurtra, fytyra te hequra me veshtrim picrrues dhe buze te holla, b) tipi me floke te zeza me onde, gjithmone me buzekuq te ndezur, me varese me rruaza te medha dhe kryesisht te kuqe dhe pallto gjithmone prej shajaku.
B. Partia jeshile perfaqesohet edhe kjo nga gra, qe ne perputhje te plote me ideologjine e tyre i ngjajne natyres se eger, te patrazuar nga njeriu. Floket pa frizure, te pangjyrosur dhe nje veshtrim tejet skeptik si ai i zyshave te rrepta (pa shkop ne dore).
C. Partia e kapitalisteve perfaqesohet prej burrave te cileve ua nuhat qe prej posterit suksesin financiar. Fytyra te zgjuara e te pastra, veshtrim i sigurt, nje buzeqeshje paksa flirtuese, kostum i shtrenjte dhe nje qendrim te pastresuar ku spikat njera dore e futur ne xhep.
D. Partia popullore e Blocherit ku spikatin dy lloje burrash: a) teknokrati me fizionomi pasive birre dhe b) fshatari me fytyre te imet, rrudha dielli e sy te vegjel. Qe te dyve ua nuhat qe ne fytyre mentalitetin "Kujt kujtoni se pa ja hidhni ju?" dhe krenarine e "une jam populli".
Provoni tani te gjeni se c'ideologjie i perkasin politikanet shqiptare. Une u perpoqa dhe, sinqerisht, nuk gjeta ndonje ndryshim as ne veshjet e tyre e as ne fizionomite e tyre. Te gjithe i ngjajne njeri-tjetrit. Te njejtat tipe fizionomish qe gjen tek socialistet qarkullojne edhe tek demokratet. Fakt qe me beri te mendoj se, thelle-thelle tregon shume per politiken shqiptare: si politike e perdorur per interesin e individit-politikan dhe jo per interesin e ndonje ideologjie, apo programi te lidhur me keto ideologji. Gje qe do te thote, qe diten qe politikanet tane do fillojne te mos i ngjajne me njeri-tjetrit do te jete dita e ktheses se madhe.
8. Pakete turistike
Mbas pushimeve romantike te Sarkozy & Bruni te dokumentuara me saktesi nga shtypi nderkombetar; papritur rruget, tramet, muret e Zürich-ut u mbushen me prospekte turistike qe te ftojne me shume dashamiresi t'i kalosh edhe ti pushimet e tua romantike ne Egjypt, Jordani e me radhe. Kesaj i thote te jetosh ne nje hap me kohen.
9. Kush e mori Jeanne d'Arc?
Mikesha ime franceze Jeanne d'Arc ka rene ne dashuri me zviceranin Wilhelm Tell. Dhe gjithe miqesia u gezua. U gezua sepse Jeanne d'Arc vjen nga nje familje shume konservatore franceze per te cilen beqaria e vajzes se madhe 26 vjecare ishte nje kafshate e pakaperdishme. Sidomos, kur motra e dyte u tregua shume e shkathet dhe ja beri bam (u martua) qe ne moshen 23 vjec, dhe motra e trete 21 vjecare eshte e fejuar qe prej nje viti. Jeanne d'Arc ka edhe nje moter te katert, por ajo sapo mbaroi gjimnazin dhe nuk ka hyre akoma ne zonen e rreptesise. Keshtu pra, Jeanne d'Arc gjeti Wilhelm Tellin dhe ju hoqi atyre te shtepise nje barre te madhe nga qafa. Por, nderkohe i vuri nje barre te madhe shoqerise. Sepse. Papritur darkat me Jeanne d'Arc dhe Wilhelm Tellin si te ftuar u shnderruan ne monologje pa fund te Z. Wilhelm Tell.
Z. Wilhelm Tell ka gjithe ato gjera per te treguar per veten dhe talentet e tij: teknika e tij fantastike e perdorimit te harkut, saktesia milimetrike e gjuajtjes se molles ne koken e te birit (dhe te Jeanne D'arc), siguria e tij mbinjerezore ne suksesin e tij ... e me radhe. Ne se Wilhelm Tell harron ndonje element te CV se tij te gjate nderhyn Jeanne d'Arc, me zerin e saj te embel e syte plot shkelqim: Wilhelm, perse nuk na tregon se si ja tregove zanatciut te shigjetes se si ta bente shigjeten. Ose, Wilhelm perse nuk na tregon se si u ngrite per liri kur ishe vetem 10 vjec. Dhe keshtu, darke mbas darke, monumenti i Wilhelm Tellit ngrihet madheshtor, gjenial, i plotfuqishem perpara syve tane te lodhur, por edhe atyre plot admirim te Jeanne d'Arc krenare. Kur degjojme zerin e Jeanne kujtohemi qe, prit pak, edhe ajo eshte ketu dhe fillojme ta pyesim: Jeanne, si te shkojne ty betejat? Mire, pergjigjet shume shkurt ajo dhe ju rikthehet prape betejave te Wilhelm Tellit. Kjo nuk eshte me Jeanne e dikurshme; e interesuar per jeten, per veten, per ne.
Ndersa te gjithe kane zhvilluar nje alergji patologjike per Herr Wilhelm Tell, efektet e alergjise kane prekur edhe miqesine tone me Jeanne. Distancat jane rritur e perfshijne 9 male, 9 fusha e 9 lumenj. Larg, shume larg ka ikur Jeanne d'Arc-a jone. Po aq larg sa edhe Doruntina. Pyetjes se pazgjidhur se "Kush e solli Doruntinen?" i eshte shtuar edhe pyetja tjeter po kaq e pazgjidhshme "Kush e mori Jeanne d'Arc?".
Labels: Mendime numerike
19.1.08
1,2,3,4,5 ...
... ose mendime numerike.
1. Pranvere ne mes te dimrit
13 grade celsius. Kjo eshte temperatura sot ne Zürich. Dielli ndricon per shtate pale qejfe dhe rete qe jane verdalle nuk ja kane prishur akoma humorin. Nje dite pranvere ne mes te janarit nuk mundet se vecse te perjetohet si nje dite pranvere ne mes te janarit. Plot ceremonira. Hapje dritaresh per ta sjelle pranveren brenda ne shtepi, veshje te bukura, makjazhe, buzeqeshje te instaluara ne fytyrat tek e cila zbehja e djeshme eshte zevendesuar me nje skuqje te lehte, te lehte si era qe na ledhaton. Njerezit kane dale jashte si bubuzhelet dhe e ngrohin diten edhe me shume me kontaktet sociale qe jane kaq te kollajshme e te kerkuara ne nje dite si kjo. Tregu i fshatareve eshte shnderruar ne nje feste te medha ngjyrash, ererash, zarzavatesh dimri dhe pranvere te parakoheshme, frutash ekzotike dhe pafundesi tulipanesh. Ne dite si kjo jeta, dhe sidomos shpresa, marrin nje hop te lehte pozitiv - i domosdoshem per ditet e dimrit qe mund te vijne ne te ardhmen.
2. Klasifikim miqsh
Kur njeriu behet me femije, pervecse enderres se deshiruar e te plotesuar, konstatohen edhe disa deme dytesore. Keto, i konstatojme zakonisht gjate mbremjesh me miq ku e kaluara mbllacitet avash midis rrufitjeve te veres. Miqte. Keta jane humbja me e madhe. Sepse, papritur realizon se nje pjese e miqve te dikurshem me te cilet kaloje nje pjese te konsiderueshme kohe, dhe konsumje nje sasi te konsiderueshme vere; nuk jane dukur per nje kohe te gjate. Ose, e riperkufizojne miqesine me ty ne forme kartolinash urimi: ditelindjesh apo festash. Pasi ben nje lloj refleksioni, perfundon me listen e kategorizimit te miqve qe A) nuk vijne dhe B) te atyre qe vijne. Ne kategorine A hyjne:
a) feministe radikale; qe besojne se cdo burre eshte nje "ticking bombe". Pasi kane shpresuar se raporti nuk do te mund ta kapercente vitin e pare, dhe pasi te dhane nje shans ta mbyllje ate vitin e dyte, i hoqen shpresat perfundimisht teksa pane fundin e vitit te trete te vinte pa asnje lloj ndryshimi (permiresimi). Pas shtimit edhe te femijeve, mbi fotografine e kujtimeve rendon pesha e kryqit.
b) forever young&urban; miq qe per asgje ne bote nuk duan ta nderrojne menyren e jeteses. Teksa te konsideronin akoma gjate kohes se ciftit pa femije, te anashkalojne kur femijet prishin qetesine e diskutimeve pa fund filozofike, politike, sociale e kulturore te mbremjeve pa fund. Zakonisht ne vend te tyre tani shfaqet nje kartoline nga Maledivet, apo Vietnami, apo Kuba, apo ... ku duken gjurmet e jetes pakokecarje zgjimesh ne mes te nates. Por, nganjehere, marrin mundimin te te ftojne edhe per darke, por me nje kusht te vogel ... pa femije, ju lutem.
c) desperate singles; keta zakonisht shfaqen vetem nje here ne vit, dhe pastaj per pjesen tjeter te vitit mallkojne veten per kete vizite, sepse ju kujton se kjo eshte jeta qe do te deshironin te kishin dhe nuk e kane gjetur akoma; dhe pas mallkimit fillon dhe i vret ndergjegja; sepse tek e fundit askush nuk ua ka fajin, dhe atehere eshte bere nje vit nga takimi i kaluar, dhe i bien perseri telefonit dhe ftojne veten per darke. Me keta miq kerkohet nje takt i vecante, dhe ndoshta nuk eshte keq te hiperbolizohen veshtiresite e femijeve, problemet e pagjumesise; krizat e ciftit (ne se nuk ka, krijohen) qe ne fund pamja te mos duket shume idilike dhe ai tjetri te mos ndihet shume keq. Tek e fundit te gjithe vuajne, dhe vuajtja kolektive eshte shume me e pranueshme se lumturia e njeshit.
Miq qe vazhdojne te te vizitojne akoma (ketu duhet thene qe ne fillim: jane te gjithe cifte), pra miq te kategorise B, jane:
a) cifte qe jane ne plane per te bere femije dikur se shpejti dhe ulin frikerat per kete hap te madh ne jete duke projektuar tek idili i tjetrit idilin e tyre te ardhshem.
b) cifte qe jane akoma shume larg te berurit femije dhe qe kane shume kohe. Keshtu qe, midis filmave, diskove, udhetimeve neper bote, mbremjeve me te rinj te tjere qejfmosprishur, gjejne gjithmone edhe nje vend per ty. Keta jane zakonisht miq ideale, sepse femijet jo vetem qe nuk i merzisin por edhe i bejne shoke. Keshtu, qe papritur te gjithe jemi te lumtur: ne kemi shoke, femijet kane shoke - shoke te perbashket. Bile-bile, keta jane edhe miqte e vetem qe kur ndahemi tek dera dhe shkembejme komplimetat reciproke te ofrojne te bejne babysitterin, sepse helbete prinderit kane nevoje te ndihen akoma te rinj e te dashuruar. Amen!
c) cifte ne pritje te femijeve: keta zakonisht vijne per te riqarkulluar eksperience, adresa cerdhesh e kopshtesh, rroba kalamajsh, keshilla dhe marifete. Dhe, ne te ardhmen e afert keta behen miq te kategorise d).
d) cifte me femije. Keta kane ekzaktesisht te njejtat probleme me miqte e tyre, dhe ndajne edhe shume probleme te jetes se perditshme. Ndoshta per te dy keto arsye me keshtu miqsh lidhesh jashte mase shume. Darkat fillojne zakonisht me heret dhe mbarojne edhe me heret. Por, jane darka shume te ngrohta dhe te zhurmshme. Teksa kalamajte gjejne njeri-tjetrin, prinderit e tyre perpiqen te rigjejne temat e dikurshme te diskutimit. Vetem se, diskutimet rralle mbarojne apo konkludojne: gjithmone femijet do e gjejne nje sebeb per te na nxjerre nga koncepti.
3. Ndryshime radikale ne jeten pas te 30ve. Te gjithe konstatojme se nuk e mbajme shume veren si dikur. Nese dikur nje shishe per person ishte nje normalitet, tani gjysma e shishes eshte shume. Ndryshimi i dyte radikal eshte deshira per te fjetur sa me shume dhe humbja e interesit total per diskot. Vetem se, qe te gjithe ndjehemi te kapur midis dilemes per te degjuar nevojat e trupit dhe jehonave te se kaluares. Dileme qe perfundon zakonisht me tejkalim pije dhe pak ore gjume dhe nje lodhje rraskapitese e humor te keq. Kjo pasohet pastaj me nje vendim per te mos e perseritur me dhe nje perpjekje per t'u ndjere i rritur teksa shkon naten tjeter ne oren 22.00 ne krevat. Per ta rifilluar perseri ciklin nga e para nje dite me pas.
4. Es isch mir glich
Dje, gjate nje mbremje, zbulova veren me emrin me te pershtatshem. Ishte kaq e dukshme, kaq e dukshme sa qe e vetme pyetje qe te vjen eshte, po si nuk na kishte vajtur mendja me pare? Emri i veres eshte ne zvicerancen gjermane "es isch mir glich", qe e perkthyer ne anglisht eshte dicka si "I don't care", ose ne shqip, "pak rendesi ka". Zakonisht kjo eshte pergjigja me e shpeshte perpara nje banaku ku sherbehet vere kur te pyetet: cfare vere deshironi te pini; te bardhe apo te kuqe. Sigurisht, pergjigja nuk e sqaron sherbyesin fare dhe vetem se e ve ate ne pozite te sikletshme sepse i duhet te marri vendim per ty e shijen tende. Por, dikush u tregua shume i zgjuar dhe futi doren poshte banakut dhe nxorri qe atje nje shishe me vere as te bardhe dhe as te kuqe por roze (quhet Rosé), ne etiketen e se ciles ishte shkruar "es isch mir glich". Me qe ra fjala, ishte shume e mire per ta shoqeruar me antipasten.
5. Komfort
Fale ngrohjes globale ne pistat e skive nuk te duhet me te vishesh e ngjishesh me rrobat e austronauteve (rrobat e skive) por mjafton nje T-shirt me menge te shkurtra.
51/2. Pa rendesi
Sot per darke vijne miq te kategorise 2Bc.
Labels: Mendime numerike, Rrefime
14.1.08
Kerkohet nje emer
I shkreti arush polar. I braktisur nga e ema. I lene vetem ne meshire te fatit. I lene ne duart e njerezve. Prinderit e tij te rinj, te species Homos sapiens sapiens, kane qelluar, megjithate, te mire. E mbajne ngrohte. E ushqejne me qumesht (ndoshta lope, ndoshta artificial). E pastrojne. Dhe e shohin tek rritet me zemer te ngrire. Nga frika se mos ngordhe. Sepse, arushet polare jane teper tekanjoze, mbijetojne vetem ne prani te nenes se tyre. Bashke me prinderit e sojit tjeter, vuan edhe gjithe Gjermania. Bashke me te edhe Zvicra dhe Austria. Dje arushi u be gjashte javesh.
Emisionet e lajmeve te zones gjermanofolese, qe me shume se emisione lajmesh jane shnderruar ne emisione infotainment, na mbajne perdite te informuar per fatin e arushit te vogel polar. Dhe na kerkojne ndihme. Per t'i gjetur nje emer.
Arushi i vogel pa emer - ylli i ri mediatik. Dhe me shfaqjen e tij na risolli kujtimin e Knudit, nje tjeter arush polar me fame boterore. Vella race, jo gjaku. Vella fati. Sepse edhe Knudin e vogel te kopshtit zoologjik te Berlinit e ema e la ne meshiren e fatit. E la ne meshiren e ngrohtesise se Homo sapiens sapiens. Dhe njeriu nuk e la ne mes te rruges. Perkundrazi, i dha mundesi te jetoje e te prodhoje leke per njeriun. Arushi Knud hyri ne zemrat dhe mendjet tona, hyri ne konsumin tone. Knudi si pellush, si porcelan, si poster. Knudi ne kopshtin zoologjik. Knudi si personazh i librave. Knudi si personazh mediatik. Perkrah Knudit te gjithe duatebehemedheunenjeyllmediatik: Gjermania kerkon superstarin, Stefan Raab kerkon superstarin qe mund ta tallim, Heidi Klum kerkon supermodelen, Zvicra kerkon alfanjeriun e suksesshem, Austria kerkon milionierin qe di t'u pergjigjet pyetjeve.
Midis gjithe ketyre lajmeve, harrojme lajmin per femijet e Homos sapiens sapiensit qe nenat i lene te braktisur prane dyersh spitalesh apo kishash. Keta femije te braktisur dhe pa emer, ne ndryshim nga femijet e species Ursus maritimus, nuk kane as fytyre. Na kalojne komplet anonime. Dhe sapo shfaqet arushi pa emer, apo Knudi, i harrojme plotesisht. Ah, a nuk kemi plot halle te tjera qe ta prishim gjakun me femijet jetime te njerezve te pandergjegjshem? A thua, duhet ta mbajme mendjen gjithmone tek anet e erreta te jetes njerezore? A thua, nuk kemi gjithe ate stres perdite qe te rrime te helmatosim shpirterat edhe me femijet jetime te komshiut ketu apo atje tutje?
Arushet jane te mire. Sepse nuk jane si ne. Por jane edhe pak si ne. Melodrama e braktisjes se femijes, po ... kete e ndjejme edhe ne. Dhe kur e kapim veten gafil me psheretima per fatin e keq te nje arushi ndjejme, ne vend te refleksionit, miresine te na zgjohet, miresine qe na mban te lidhur me fatin e tij. Te arushit pa emer. Sepse arushi akoma nuk ka emer. Nje emer te bukur qe ta beje melodramen perfekte. Dhe ... perfitimin financiar maksimal.
Labels: Opinione
9.1.08
Une besoj
A beson ne COOP? - pyet vajza 9 vjecare para meje, dhe pernjehere skuqet; mbyll syte e turperuar dhe riformulon pyetjen: A beson ne Gott (Zot)?
Natyrshem, qesha me gabimin e vajzes qe pyetjen ma adresoi teksa ndoshta ishte duke menduar, qe kur te largohej prej Zotit tim te shkonte tek COOP-i rimues i GOTT dhe te harxhonte ato pak franga - leke xhepi, racioni javor i parave qe prinderit rendom ua japin femijeve ne Zvicer, per t'ua edukuar kulturen e perdorimit te lekut dhe artin e konsumit.
COOP, shkurtim i fjales cooperative, eshte nje lloj MAPO-je zvicerane qe, se bashku me MIGROS, mbushin shtepite tona me cdo gje qe ka nevoje e perditshmja. I falemi per dite: per buken, per qumeshtin dhe produktet e tij, per kafen e mengjesit, per veren e darkes, per pelenat e bebeve e deri tek corapet e grave. Eshte atje, cdo dite, cdo muaj, cdo stine e cdo vit. E gatshme. Miqesore. Me oferta. Eshte vendi ku zhvillohet jeta sociale e komshijve, qe perndryshe ju kalojne njeri-tjetrit paralel. Eshte vendi ku i thone miremengjes e mirembrema njeri-tjetrit kulturat e ndryshme. Eshte nje vend ku besimtaret e ndryshem jane shume tolerant ndaj njeri-tjetrit. Eshte vendi ku, edhe pse konstant nen muziken e radios, njoftimeve per ulje cmimesh e te qara bebesh, mbizoteron qetesia absolute sociale. Qetesia akustike rivendoset vetem kur dyert e tij mbyllen; diku pas ores 20.00.
Jo, - i pergjigjem vajzes me buzeqeshje, - Jo! Nuk besoj. Dhe i konfirmoj asaj ate qe ajo e dinte tashme nga prinderit e saj, por qe donte ta ridegjonte prej gojes sime.
Po ti, - e pyes, - a beson ne Zot? Vajza ngre supet, rudh fytyren dhe heziton. Nuk e di, - thote pastaj, - me duket se jo.
Nuk ka ndonje surprize per mua, pergjigja e saj. Eshte pergjigja e zakonshme qe merr nga femijet dhe te rinjte vendas. Per ta besimi eshte i lidhur drejtperdrejt me kishen. Dhe sot, frekuentimi dhe praktikimi i ritualeve nuk eshte aspak i modes. Ose duke folur me gjuhen e ketij brezi, nuk eshte kull (cool).
Largimi nga kisha dhe ritualet eshte nje tradite qe e kane filluar prinderit e ketyre femijeve. Prandaj dhe sot kishat e medha dhe pompoze jane te zbrazeta dhe mbajne ne barkun e tyre vetem pak njerez; kryesisht brezi i vjeter dhe te huaj. Brezi i prinderve te femijeve, rritur nen rite strikte dhe frekuentim detyrues; rebelimin e tij dhe nevojen per distance ua ka injektuar edhe femijeve. Kisha, edhe pse jo e zhdukur teresisht nga jeta e njerezve eshte aty per te pagezuar femijet, per t'i mbajtur ata formalisht si anetare te komunitetit, per te organizuar martesat dhe vdekjet.
Brezat e sotem nuk kane me nevoje per autoritetin e Kishes. Nuk kane nevoje per rregulla strikte, per rrefime mekatesh dhe per denime. Nevoja per liri individuale eshte me e madhe se nevoja per t'ju bindur autoritetit qe nuk ta njeh individualitetin. Delja, edhe pse paqesore, nuk eshte me model.
Lirine e fituar brezat e sotem e shpenzojne ... per konsumim. Modelet e sotme jane modele qe konsumojne dhe qe ate qe konsumojne e shnderrojne ne vlere statusi. Sa me shume konsumim aq me shume status. Aktiviteti kryesor sot eshte pikerisht endja neper dyqane, edhe kur nuk blihet. Aq i rendesishem eshte bere ky aktivitet saqe edhe psikologet e kane itnegruar ate ne teorite e shpjegimit te formimit te teenagerve te sotem dhe ne oret e keshillimit. Po! Endja neper dyqane, konfrontimi me dilemen e blerjes, konfrontimi me boten perballe qe konsumon eshte sot baza e procesit te perpunimit te dilemave te rritjes, te perkufizimit te unit!
Nuk eshte e lehte koha jone. Eshte shume e shpejte dhe ne shpejtesine e saj njeriu humbet lehte ekuilibrin, rrugen. Dhe atehere, kush eshte per te atje, qofte per te ofruar nje moment qetesie, nje moment pauze? Falja ne supermarkata ka nje efekt qetesues te shkurter. Kur ai mbaron krizat jane prape aty. Ku duhet te qetesohet njeriu, mbas cilave vlerave duhet te kapet qe te krijoje qetesine afatgjate? Familja? Edhe familja eshte nje vend i pasigurt sot; sepse ne ndryshim nga dikur, sot alternativa e daljes nga familja eshte shume ndjellese; nje qark i shkurter mbas cdo problemi. 50% e familjeve te krijuara prishen me nje lehtesi qe nuk mund te te lere pa nje moment reflektimi. Sporti dhe ekspozitat e artit? Po, edhe ato te qetesojne.
Une, ateistja, qetesine e gjej mbi te gjitha, ne Kishen e zbrazet. E gjej ne nje qoshe paksa te fshehur, ku me lene te rri rehat, te mbyll syte e te qetesoj mendimet. Ku i largohem realitetit te shpejte. Ku arrij te marr fryme e ta ndjej frymemarrjen time. Ku jam me veten. Ku jam une. Individi. Vetempervete me individin. Eshte nje moment magjik i ngjyer pak me misticitetin e kishes dhe historise se saj te saturuar ne ajer dhe ne muret e dekoruar. Keto jane momente ku une ndjej kembet perseri te forta ne toke. E kur i ndjej te forta kembet, marr perseri rrugen nga dera dhe i afrohem jetes perjashta. Jetes qe vertitet si fuge marramendese. Eci dhe une mes te tjereve me drejtimin drejt dyqanit, sportit, galerise. Drejt konsumit. Sepse. Po! Une besoj ne COOP!
Labels: Rrefime
6.1.08
Ich bin nicht Blöd
Ne dhomen e tim biri, ne keto dite pushimesh fillim viti, zhvillohen luftera te pergjakshme (pa gjak), ndodhin monstruozitete. Kunder njeri-tjetrit: barbapapas dhe piratet e Karaibeve. Barbapapas jane nje familje: Barbapapa, Barbamama dhe 7 femijet e tyre. Nje familje me ngjyra ylberi dhe shpirt kristiani; gjithmone ne sherbim te se mires, gjithmone me nje zgjidhje te mbinatyrshme ne xhep, gjithmone fitimtare kunder se keqes. Nje gjetje e viteve '70, Barbapapas gati te harruar, po pesojne nje ringjallje se fundmi. Ashtu sic u ringjallen edhe piratet e Karaibeve, te harruar diku ne nje muzeum te vogel ne Nassau dhe te shnderruar ne ikona fale Hollywoodit dhe Johny Depp. Piratet e Karaibeve ishin shume mizore dhe aspak romantike, naive, anarkiste, dandy-tipa ala Johny Depp. Kete e ndjen edhe im bir qe per piratet di aq pak sac mund te dije nje 3 vjecar qe nuk sheh filma me pirate dhe as nuk degjon historira me pirate. Por, ne duart e tij piratet sillen si manekinat e instaluar ne muzeun e Nassaut: te eger dhe barbare; pa skrupuj. Perpara tyre edhe barbapapat - gati zota - jane te vdekur! Piratet i vrasin, masakrojne barbapapat; ata ringjallen per t'u rivrare perseri, po aq makabrisht, diten tjeter.Qe te dy, piratet dhe barbapapat, vijne ne dyqane dhe pastaj ne shtepine time dhe te shume te tjereve; direkt e nga Kina, aty ku eshte transferuar se fundmi industria e prodhimit te lodrave te shume koncerneve evropiane dhe amerikane. 80% e gjithe lodrave qe u shiten per krishtlindje ne dyqanet zvicerane ishin nga Kina dhe prodhuar ne nje krahine te vetme, ne Guangdong. Ne nje reportazh impresionues, gazetari Wolgang Bauer tregon per kinezin Yu, dhe per mijera kineze te tjere Yu qe punojne ne fabriken e "gjakut dhe djerses"; fabrike qe me shume se fabrike eshte nje park i madh industrial ne nje qytet te quajtur Dongguan. Turne 16 oreshe ne 6 dite jave mbushin jeten e kinezit Yu. Kohe gjate se ciles ai nuk ka me konceptin e hapesires dhe kohes. I vendosur ne seri prane Yu-ve te tjere, ai perpunon me shpejtesine e xhirimit te lodrave ne tavolinen levizese, serine e lodrave. 16 ore, ne fund te se cilave pervecse konceptit te hapesires dhe kohes, punetori Yu humbet edhe ndjesine e te paturit gishta dhe duar. Mundi i tij vetem 70 Euro. Rezistenca fizike ne kushte te tilla pune vetem gjashte muaj. Alternativa: lere ose merre.
Yu eshte, ashtu si mijerat e Yu-ve te tjere, nje ishfshatar qe i eshte larguar tokes se paleverdisshme dhe qe nuk ushqen. Eshte nje njeri qe ka ardhur drejt qytetit industrial per te gjetur shpresen e ushqimit te panderprere. Por, ndoshta edhe me shume se kaq. Ndoshta edhe disa enderra. Vetem se, qyteti industrial, teksa i merr Yu-se kapitalin e tij te vetem - fuqine fizike - i realizon atij vetem nje minimum enderrash, kryesisht te karakterit konsumist. Dhe, kur Yu i rraskapitur nuk mundet te punoje me, qyteti industrial i tregon atij deren: per andej nga ka ardhur, ose drejt ferrit.Une, konsumenti i pangopur perendimor, nen moton "Ich bin nicht Blöd" (Une nuk jam budalla, eshte slogan i famshem i nje firme discount te quajtur "Mediamarkt") ose e thene ndryshe "Bli me shume, paguaj me pak"; teksa blej lodrat pa fund bej te mundur dy gjera: i blej prodhimin e Yu-se, dhe i jap mundesine Yu-se te vazhdoje te prodhoje per te zevendesuar ate qe kam blere me pare. Ne saj te aktivitetit tim konsumist une bej te mundur jo vetem c'industrializimin e perendimit, por edhe jetesen e Yu. Sa me shume te blej une, aq me shume pune ka Yu; aq me shume fabrika do ndertohen per te punesuar Yu-te ne pritje te nje pune. Por, e pare ne nje plan me te gjere, une i mundesoj Kines nje zhvillim marramandes industrial, zhvillim qe ben t'u leshoje goja leng gjithe investoreve globale.
Kjo analize me ben mua si konsumist te kem nje ndergjegje te qete, sepse efekti perfundimtar eshte tejet pozitiv. Une vete, i shpetoj presionit te konsumizmit duke u bere pjese e tij. Duke u bere pjese e tij une nuk dua te jem me budalla e te ble me cmime te larta kur kam mundesi qe ta optimizoj lekun tim duke blere me te njejten vlere me shume produkte. Duke rritur presionin per cmime te ulta une ndihmoj ne cindustrializimin e vendit tim dhe bej te mundur industrializimin e Kines (apo vendeve ne pritje te fatit te saj); bej te mundur financimin e jetes se Yu.
Yu, qe punon ne kushte skllaverie, i dorezohet kufijve te rezistences fizike dhe le punen pas gjashte muajsh. E hidhur. Por, ky eshte vetem nje efekt dytesor; apo sic i thone gjermanisht: "Kollateralschaden". Por, kur une si konsumator mesoj nje fakt te tille fillon dhe me bren ndergjegja. Paksa. Dhe mendoj: edhe kjo brejtje ndergjegje eshte "Kollateralschaden". Eshte dytesore. Por, deri diku e ndreqshme.
Filloj te seleksionoj nga lodrat e tim biri lodra qe ai nuk i do me. I paketoj dhe ja dergoj punetorit Yu. Tek e fundit, edhe femijet e tij kane nevoje per lodra. Dhe pastaj filloj dhe shijoj zhvillimin e tim biri, rolet qe ai luan me piratet dhe barbapapat; sepse lodrat - thone pedagoget e femijeve - jane te rendesishme, te domosdoshme per zhvillimin intelektual te femijeve. Brejtja ime e ndergjegjes eshte qetesuar: pirati tek une i ka lene hapesire edhe barbapapase.
Kolaterallschaden-Yu, qe humbi gjate rruges se zhvillimit industrial, do zevendesohet me nje tjeter Yu. Pas disa brezash Yu, Kina do kete ecur perpara aq shume sa Yu-ja vete do jete bere pjese e konsumatorit "Ich bin nicht Blöd" qe ndihmon zhvillimin industrial te nje vendi tjeter. Dhe atehere, ai do jete, keshtu si une; duke shijuar luften e humbur te barbapapave dhe piratet triumfuese te femijes se tij. Barbapapate do ringjallen serisht dhe cdo gje fillon nga e para. Brejtja e ndergjegjegjes, si cdo kollateralschaden, do venitet mbas shkelqimit te vitrinave te suksesit.
Labels: Rrefime
3.1.08
Te gjithe lumenjte rrjedhin (disa edhe thahen)
Diten e pare te shkolles, profesori Z., diku ne nje auditor; ne nje nga fakultetet e universitetit te Tiranes, e kishte zakon te na jepte edhe literaturen qe do te studionim gjate semestrit apo vitit ne vazhdim. Zakonisht, literatura perfaqesohej nga nje dispence e shtypur ne makine, ne leter te verdhe e te trashe, ku me shume e ku me pak me gabime. Dhe, me pas shtonte si me gjysem zeri se, nese kishim mundesi per ta gjetur, mund te studionim edhe librin XY; ne anglisht ose italisht ose frengjisht. Kuptohet, libri nuk ekzistonte ne shitoret e Shqiperise dhe mund te gjendej vetem jashte shtetit. Me vone do te kuptoja se behej fjale per nje liber-baze-bibel, me te cilin studionin gjithe studentet ne universitetin e huaj ku shkova me pas, e jo vetem aty por kudo pervec nesh ne Shqiperi, ku libri gjendej si nje kopje e vetme ne biblioteken e profesorit Z.. Me vone do zbuloja se problemet ne provimet tona, por edhe pergjigjet e sakta te tyre, vinin direkt nga faqet e ketij libri fantazme.
Profesori Z. kishte studiuar jashte shtetit, ku edhe kishte blere e studiuar ne menyre te detyrueshme librin XY. Si ai, ne kishim edhe dy-tre profesore te tjere qe kishin studiuar jashte; e ishin kthyer menjehere mbas studimeve ne Shqiperi direkt e ne auditore perballe nesh, me librat e famshem e te panjohur per ne ne bibliotekat e tyre personale: libra qe vinin e na vizitonin eksluzivisht neper provime ne forme pyetjesh apo problemesh.
Per ne ngeleshin per perdorim te perditshem ato, dispencat, dhe shenimet. Kjo pune per vite me radhe, edhe ne pike te dimrit, kur kontakti i duarve te mardhura nga te ftohtit me letren akoma me te ftohte te fletores se shenimeve i ngjasonte shpimit te gjilperave direkt e ne mish. Ne anen e brendshme te dores sime te djathte, aty ku realizohej kontakti i dores me fleten e fletores, nxirrte gjithmone koken nje shtrese e ashper qelizash lekure.
Atehere, mendonim vetem nje gje: nje dite do te bej namin! Vetem te vije ajo dite kur une te behem pedagoge dhe do ndryshoj gjithcka. ... Ose te pakten dicka! Kete patjeter!
Kete deshire te fshehur pati edhe kolegia ime, qe perkunder meje, ndenji aty ne Shqiperi dhe arriti te behej pedagoge ne po ate fakultet. E sapoemeruar, kolegia me dergon nje email ku me kerkon ndihme: i duhej nje projekt, nje projekt qe do te ndryshonte thelbesisht cilesine e njohurive. Energjia e saj ishte ngjitese. Enderrat e mia te dikurshme akoma te gjalla. Pas nje bashkebisedimi intensiv arritem ne perfundimin se duhej filluar nga A-ja e gjerave: duhej investuar tek librat! Tek librat – bibla. Tek ato librat-fantazma qe profesoret tane te nderuar mbanin ne bibliotekat e tyre e i perdornin per te na seleksionuar ne provim. Mjaft me me dispenca te shpifura. Mjaft me me njohuri qe jepen gojarisht si te ishin legjenda!
Plani ishte i thjesht dhe shume llogjik: per cdo bible 50 kopje, kaq eshte numri maksimal i studenteve. Biblat do te depozitoheshin ne biblioteken e Fakultetit ku do te terhiqeshin nga studentet ne fillim te cdo viti e ku do te risilleshin mbas perfundimit te lendes. Per cdo brez, per te pakten pese vite, librat do te ishin ne biblioteke te perdorshme. Pas 5 vitesh, koha kur librat rinovohen nga autoret, mund te bliheshin librat e rinovuar. Sigurisht, librat duhet te ishin ne anglisht, sepse keshtu studentet do te mesonin nga belaja edhe anglishten. Kostoja e projektit per 5 vite 30.000 Sfr. Burimi i lekeve Ambasada Zvicerane.
Pasi i hodhem te gjitha idete ne leter, pasi pershkruam projektin; pasi shkruam bukur-bukur koston e projektit, dhe pasi u shkrua edhe letra per ta derguar ne Ambasade; kishim arritur ne piken me te rendesishme dhe emocionuese te projektit: realizimin e tij. Kolegia ime duhej qe kete projekt ta paraqiste ne Ambasaden Zvicerane. Dhe, pikerisht atehere, koleges sime i jepet nje burse 3 mujorshe per ne nje universitet perendimor. Qellimi i burses se saj: studimi i librit - bibel XY, dhenia e mundesise se vezhgimit te procesit te mesimedhenies, pjesemarrja ne jeten shkencore. Projekti yne u fut ne nje syrtar te zyres se saj te re ne pritje te kthimit te se zonjes.
Nuk e di se cfare ka ndodhur gjate atij tre mujorshi. Por, kolegia ime projektin nuk e ka zene me ne goje. Nuk e ze ne goje as kur e ze une. Heshtje. Totale. Nderkohe, ajo mbaroi kursin e specializimit dhe u kthye ne fakultet. Me vete solli edhe librin XY, dhurate nga universiteti mikprites, te cilin ajo e futi ne biblioteken e saj. Diten e pare te shkolles, kolegia ju shperndan dispencat e lendes studenteve. Keto jane rishtypur ne formate librash, e ne leter me te mire se ajo e dikurshmja, fale nje projekti te nje programi per arsimin te Bashkimit Europian. Dhe ... ne fund ... ajo me gjysem zeri ju thote studenteve se, nese kane mundesi ta gjejne, mund te studiojne edhe librin YX; ne anglisht ose italisht ose frengjisht.
Labels: Rrefime
Subscribe to:
Posts (Atom)