10.12.07

Babagjyshi i vitit te ri dhe Samichlaus

Edhe nje here gjume dhe vjen Samichlaus - thote i vogli. Tund koken bindshem, hap syte qe i shkelqejne me shume se zakonisht dhe me kap doren, si per te qene i sigurt se e verteta qe po shqipton dhe e kerkon te rikonfirmuar prej meje, nuk do largohet nga dora ime; por as e tija. Nuk eshte Samichlausi i tij i pare, por i pari qe ai e kupton; Samichlausi i pare qe ndoshta do i ngelet ne kujtese per gjithe vitet qe do vijne me pas. Samichlausi nga ku do filloje rrugen tradita ne te pavetedijshmen e tij.

Samichlausi qe ne Zurich vjen cdo 6 dhjetor eshte teresisht Samichlausi i tij. Une jam rritur pa te. Samichlausi im quhej Babagjyshi i Vitit te Ri dhe vinte cdo 31 dhjetor, diten kur nderroheshin vitet; diten kur Babagjyshi i Vitit te Ri qe shkoi ja linte stafeten Babagjyshit te Vitit te Ri qe vinte. Babagjyshi kishte nje pallto te kuqe, te gjate deri ne fund te kembeve, ose pantallona dhe xhup dimri te kuqe. Ne koke gjithmone nje kapele te gjate, po te kuqe qe mbaronte me nje topth te bardhe; te bardhe si mjekra e tij e gjate, e bardhe si debora qe e imagjinonim te shperndare neper fusha e male; si debora qe e imagjinonim te binte lehte-lehte me kristale magjike filigrame ne dekorin ku Babagjyshi i Vitit te Ri shperndante dhuratat.

Samichlausi i tim biri eshte ne dukje gati identik me babagjyshin im. Por, ndryshe nga Babagjyshi ai eshte gjithmone i shoqeruar nga Schmutzli (shmucli) i zi, qe une po i them pisanjosi. Pisanjosi ka rroba me ngjyre te zeze, nje mjeker te zeze dhe nje liber te madh nen sqetull. Brenda ne liber ai regjistron te gjitha gabimet qe bejne femijet qe ai i spiunon gjate gjithe vitit. Po, ai vishet me rroba te tjera, futet mes femijeve; neper dhomat e tyre e kudo qe ata shkojne dhe mban shenim. Femijet nuk e shohin pisanjosin sepse ... ndoshta i besojne dhe ne mirebesim bejne edhe gabime dhe camarrlliqe te moshes. Pisanjosi ja raporton pastaj gabimet Samichlausit dhe ky, pasi mendohet mire, vendos ne se femija e ka merituar dhuraten e tij.

Babagjyshi im ishte shume bujar; cfaredo gabimi qe te kisha bere une me sillte gjithmone nje dhurate. 31 dhjetori ishte dita me e sigurt e vitit, ishte dita ime. Nganjehere dhuraten ma linte ne tavoline, e nganjehere poshte bredhit. Nganjehere e madhe, e nganjehere e vogel. Por, gjithmone e mirepritur. Shpesh Babagjyshi vinte edhe tek puna e prinderve dhe na perkedhelte edhe me dhurata te tjera. Keto vite ishin shume te vecanta, te paharrueshme; ishin vitet e bollekut, ndoshta sepse ne keto vite kishte rene bora; ajo qe zakonisht vetem e imagjinonim.

Samichlausi i tim biri vjen personalisht ne dhomen e tim biri, se bashku me pisanjosin. Shkembejne duart, buzeqeshjet dhe fillon rituali. Cdo gje shkon mire. Samichlausi pyet per lodrat e shperndara ne dhome, librat ne raft; per miqte e shoket. I vogli fluturon nga gezimi. Me energji dhe mburrje i tregon Samichlausit cdo gje qe ndodhet ne territorin e tij; kafshet ne stalle, masken e tigrit, stacionin e madh te trenit. I tregon pastaj gjithe njollat e zeza ne lukuren e tij te bardhe te kembeve: gjurmat e heroizmit te tij feminor, gjurma qe behen edhe me te medha, edhe me blu nga legjendat qe ai i tregon me nje fryme, duke i ngrene fjalet. Samichlausi eshte i mahnitur; dhe ne cdo mahnitje stimulon tim bir per legjenda te reja. Sa mire sikur bota te kishte vetem Samichlaus. Por, per dreq aty eshte edhe pisanjosi. Ai pastron gryken me nje kolle te ftohte, hap regjistrin dhe imponon heshtjen. Im bir fshihet mbas kurrizit tim.

Babagjyshi im zakonisht vinte naten kur une flija. Por, atehere kur vinte tek puna e prinderve, ishte shume i qeshur. Qeshte edhe kur ne benim budallalliqe. Edhe atehere kur te rriturit nuk kishin me durim me ne. Ja kapnim doren dhe i thoshim se sa xhan e kishim, si per t'ja bere me te lehte dhurimin. I kercenim rreth e perqark deri sa na merreshin mend. Dhe atehere, kur nuk kishim me fuqi te vraponim, fillonim dhe kendonim:

Ja na erdhi viti i ri sa jam i gezuar
Por si une cdo femije pret per ta festuar
Bora zbardhi tejpertej fusha edhe male
Viti i ri do te na gjeje me kenge e me valle

E stolisa bredhin tim me lodra dhe yje
Era jashte le te fryje, le te fryje ne pyje
Plot dhurata perseri do te sjelle per mua
Babagjyshi i vitit te ri, oh sa fort te dua

Dhe pastaj vinte momenti i madh. Lodrat e shumepritura.

Pisanjosi mbaron listen e verejtjeve. Samichlausi e keshillon tim bir qe t'ja vere veshin verejtjeve te pisanjosit. Por, kjo eshte pjesa me e parendesishme per te. Syte e tij jane ngulur tek thesi, duart mezi mbahen. Samichlausi vendos qe im bir i meriton dhuratat dhe i zgjat thesin. Ky eshte momenti i tij. Dhe lodrat e tij. Misteri i tyre zbulohet brenda nje sekonde. Gezimi eshte rikthyer perseri.

Lodrat e mia ishin kryesisht kineze: kuti kursimesh dera e se ciles mbrohej nga nje qen llapegjate, nje kale me krife te gjate e te madhe qe ecte kur e kurdisja, nje veze qe pasi i shtypja nje buton fillonte te rrotullohej dhe gjate rrotullimit hapej duke zbuluar nje zog te vogel ne mes, nje kukull mbi te cilen u kryen eksperimente nga me monstruozet, kuba druri qe po te kombinoheshin bashke rrefenin historira, topa plastike dhe shume pistoleta e pushke.

Lodrat e tim biri jane vendase, por prodhohen edhe ato ne Kine. Makina, lapsa ngjyrimi dhe libra, kuba druri me te cilat ndertohen pallate, trena qe ecin pasi ju shtyp nje buton. Im bir perplas duart dhe qesh me buzet vesh me vesh. Dhe une e ndjej: Samichlausi eshte dhe do ngelet i tij.

Im bir nuk do ta takoje asnjehere babagjyshin tim te vitit te ri. Babagjyshi im eshte vetem ne kujtesen time, ne kengen time, ne traditen time. Tradite qe tek im bir dikur do jete nje rrefenje qe ai do ta degjoje me goje hapur e sy te medhenj, e ndoshta edhe me nje qeshje cudie. Tradite qe tek ai do vije e thjeshtuar si nje ritual ceremonie festive perreth tavolines se vitit te ri, ku njerezit me nje gote shampanje ne dore i urojne njeri-tjetrit "Gezuar vitin e ri".

Samichlaus pyet tim bir nese ai do t'i kendoje ndonje kenge apo t'i recitoje ndonje vjershe. Po, - kercen ai perpjete. Shkon tek kasetofoni dhe ve kengen time te babagjyshit te vitit te ri. Me kap doren dhe me kerkon ta kendojme bashke. Dhe kendojme. Per bredhin, boren, eren qe fryn, lodrat, dhe Babagjyshin. Qe e kemi aq xhan. Ne fantazine tone. Samichlausi nuk kupton asnje fjale. Nuk kupton, qe per nje moment kohe ai eshte Babagjyshi im i Vitit te Ri. Babagjyshi im qe im bir akoma e kujton per Samichlaus. Babagjyshi im i vdekur dhe ringjallur. Me 6 dhjetor.