28.2.07

Jeta vazhdon (1)

Nuk ka moment me te bukur dhe me te rendesishem ne jete se sa momenti i te mesuarit se ne trupin tend eshte mbjelle nje jete e re, qe do te rritet e jetoje brenda teje per gati 40 jave e, me se fundi, do t'i bashkangjitet jetes tende te perditshme me te gjitha elementet e saj, gezimet, hidherimet, deshperimet, lumturimet, te qeshurat, te qarat, harresat dhe kujtimet. Ky eshte momenti kur njeriu merr pergjegjesi te plote jo vetem per jeten e tij, por edhe per jeten e dikujt tjeter. Ky eshte momenti kur njeriu ndihet i kompletuar.

Une nuk do ta harroj kurre menyren se si ky moment erdhi tek une 4 vjet te shkuara. E zhytur ne magjepsjen e punes se perditshme nuk i kisha kushtuar rendesi disa shenjave te vecanta ne trupin tim, shenja qe nuk ju kishin shpetuar te tjereve. E pyetur rutine se mos isha shtatezane, megjithese e bindur se ky ishte nje budallallek i radhes i miqve qe ju pelqen te bejne shakara, vendosa te beja nje test. Shprehja e fytyres sime, mbasi pashe rezultatin e testit, duhet te kete qene e hatashme fare, sepse njerezit edhe sot e kesaj dite ma kujtojne. E megjithate, ai momenti i rendesishem, ai momenti i bukur, i magjishem, momenti qe te lidh pergjithmone ne nje bote te thelle emocionesh, erdhi vetem pas ekos se pare. Ajo qe pashe nuk ishte nje luleshtrydhe, nuk ishte nje topth, por nje minibebe e zhvilluar gati komplet, me koke, duar e kembe. Me shtylle kurrizore, me brinje, gishteza. E, mbi te gjitha: me nje zemer te vockel qe rrihte me nje ritem te shpejte, ritem qe ja induktoi edhe zemres sime. Ne se ka dicka magjike ne kete bote, ky eshte momenti. Ajo qe ndodh ne kete moment te vogel kohe te ndryshon perjetesisht, te jep permasa te tjera, te ben nje njeri tjeter.

Patrizia eshte komshija ime e dhjete viteve. Ka studiuar juridik dhe ka bere nje karriere te admirueshme. Bashkejeton me te dashurin e saj, Danin, qekur nuk mbahet mend. Jemi te gjithe gati moshatare. Gjate ketyre viteve e kemi pyetur shpesh veten ne se ata te dy kishin vendosur te mos kishin me femije ashtu sic bejne, fatkeqesisht, shume cifte me karriere te sukseshme ketu. Por, disa muaj me pare, teksa u takuam si gjithmone neper shkalle, me thote qe presin nje femije. U gezova shume, me te vertete shume dhe i them ne kembim se edhe ne presim nje femije. Qeshem dhe u kenaqem nga koincidenca. Femija i saj duhet te vije ne jete vetem 4 jave mbas femijes sone. Do jene moshatare dhe, ndoshta, edhe miq.

Kam tendencen te besoj qe Jon Alban, im bir, ka qene nje influence e madhe per vendimin e tyre. Joni eshte nje femije hokatar, qe i pelqen te qeshe, qe ju futet njerezve menjehere ne zemer. Qe nga momenti qe arriti te eci dhe te shqiptoje fjalet e para nuk ka pushuar se beruri vizita fqinjeve tane simpatike te cilet i konsideron si shoket e vet. Jam te Dani dhe Patrizia, - thote dhe ju ngjitet cap-e-cap shkalleve. Dhe ata, Patrizia e Dani, ndiheshin shume te perkedhelur qe ishin te zgjedhurit e tij, qe ai ju besonte dhe, si rrjedhim, ju lejonte t'i afroheshin. "Patrizia, do vish te bejme cup-e-cupe bashke ne vaske? Te lutem! - pyet im bir duke zgjatur buzet perpara me perkedheli e duke bere sy te bukur ne drejtim te Patrizias. Dhe Patrizia shkrihet gazit dhe i premton se njehere tjeter patjeter do bejne banje bashke, por sot jo, sot nuk ka kohe.

Mami, cfare po ben bebi tani? - pyet Joni. I them se sapo eshte zgjuar nga gjumi dhe po shtriq kembet e duart. Ja marr doren e vogel dhe ja ve mbi barkun e stermadh qe eshte deformuar nga kembet dhe duart e bebit. Nuk e di se cfare tamam mendon nje 3 vjecar, se si e koncepton nje bebe ne bark, apo se si i interpreton shqelmat qe hedh nje bebe imagjinare, por ajo qe shoh eshte e qeshura e tij. Bebi eshte mistrec, - komenton, dhe vazhdon ta mbaje doren tek barku. Jo, - i them. - Bebi nuk eshte mistrec. Bebi nuk ka shume vend sepse eshte bere i madh. Ajo qe une nuk them eshte qe, sado mistrec te jete bebi, levizjet e tij ne bark, edhe pse shpesh me sikletosin, jane per mua nje lajm i mire: Bebi jeton.

Edhe bebi i Patrizias jeton. Akoma. Eshte rritur dhe leviz. Patrizia e ndjen, se bashku me Danin prekin me dore levizjet e bebit, ashtu sic bejme edhe. Por Patrizia dhe Dani nuk e dine ne se duhet te gezohen apo jo. Sepse nuk e dine ne se femija e tyre i shumedeshiruar do te arrije te jetoje deri ne fund te shtatezanise. Nuk e dine ne se do te arrije te mbijetoje ne boten e thate. Sepse femija i tyre i pare ka nje nga ato deformime qe jane shume te rralla, dhe sepse jane kaq te rralla jane te pasigurta. Kur une dhe im shoq shohim ekot rutine ne ekran na shfaqet nje bebe e mireformuar, qe leviz, thith gishtin e imazhet e se ciles cdo here na bejne te na mbushen syte me lot. Kur Patrizia dhe Dani shohin bebin e tyre ne eko shohin nje pamje makabre: nje bebe organet e se ciles nuk jane ne bark por perjashta. Te rrethuara nga nje cipe qe i ben te duken si te futura ne nje thes qe qendron perpara nje barku te zbrazet, organet e brendshme bejne nje jete eksterne, jashte trupit. Me lidhje te padukshme trupi e ushqen thesin me gjak dhe lende ushqyese dhe i mban keshtu ne jete. Patrizia me tregon se ne 50 vitet e fundit jane ndeshur rreth 20 raste te tilla, rasti i fundit perpara dy vitesh. Askush nuk ka siguri per jeten apo per vdekjen e bebit. Mjeket thone se shumica jetojne mire per sa kohe qe jane ne bark. Por kur dalin duhet t'i nenshtrohen nje operacioni qe mundeson futjen e organeve brenda. Gjysma e bebeve arrijne ta mbijetojne nje procedure te tille. Gjysma jo. Rasti i fundit nuk mbijetoi.

PS: Fotoja eshte marre nga flickr