30.3.12

Shaka cinike paraelektorale

"Do t'ju lexoj një mesazh që më erdhi rrugës", - tha Rama, kreu i PS-së në një takimin me simpatizantë të Partisë Socialiste, - "Dodë Miri, nga Gurzi i Lacit,  më ka shkruar këtë sms :
"Zoti Rama, ju falenderoj perzemersisht per kontributin qe po jepni per te burgosurit politike dhe per pronaret, dhe qe jeni bere shkak per perfshirjen e moshes 75 vjec per perfitimin e parave, se une qe po te shkruaj, kam bere 22 vjet burg politik dhe kam 11 te pushkatuar nga regjimi i Enver Hoxhes dhe deri sot nuk kam marre asgje. Do te mbeshtes Partine Socialiste, politikisht dhe me respekt Dode Miri, familjarisht".
Lajmi u përhap rrufeshëm në median e shkruar dhe atë virtuale, sepse siç evidenton blogu ResPublica:
" ... duhet të jetë hera e parë – kjo bën më së shumti përshtypje – që në inbox-in e celularit të kryetarit të PSSH-së (ish Partia e Punës) vjen një mesazh nga një njeri që ka bërë 22 vjet burg gjatë regjimit komunist.
Është po ResPublica - gati e vetmja që e mban entuziazmin e këtij "momenti historik" nën frena - ajo që përqëndron vështrimin diku tjetër:
"Të bën përshtypje dhe fakti që Rama ka vendosur ta bëjë publike, e ta përdorë për qëllime politike, një sms që i ka ardhur në rrugë private. Rama nuk ka si ta dijë se Doda nuk shqetësohet prej publikimit të këtij mesazhi (nëse nuk i ka marrë leje, kuptohet). Është dhunim i privacy-së." (ResPublica.al, 27.03.2012)
Pa perënduar dielli, TV Klan kërkon, gjen dhe interviston Dodë Mirin, i cili pohon për publikun e këtij televizioni se nuk është ai shkruesi i sms-së, ai nuk di as të përdorë telefonin. Përgënjeshtrimin e tij ai e mbyll këtë herë me pohimin, se ai nuk mund të jetë ne krahun e persekutorëve; ai është me Partinë Demokratike.
Gazeta Metropol e komenton kështu përgënjeshtrimin e Dodë Mirit (dhe njësoj e komenton edhe TV Klan në faqen e lajmeve të shkruara):
"Pas emrit të lakuar nga Rama për një SMS në adresë të tij ka reaguar Dodë Miri nga fshati Gorre i Kurbinit, i persekutuar nga regjimi komunist, të cilit kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i referohej së e mbështeste duke lexuar dhe një mesazh telefonik të mbërritur në numrin e tij. Pas kësaj deklarate Miri është ndier i trazuar sërish. Në një moshë 80-vjeçare, ai deklaron se nuk di të shkruajë e të lexojë mesazhe dhe se nuk ka dijeni se si emri i tij ka përfunduar te goja e Ramës. Miri, një burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar, është ndier i shokuar me lajmin e bërë publik nga Korça, pasi nuk pranoi t’u bashkohet persekutorëve, që i vranë 11 persona dhe i burgosën dhe internuan dhjetëra të tjerë. Në këtë mënyrë, teksa sqaroi për disa herë radhazi faktin se jo vetëm që nuk di të shkruaj e të lexojë mesazhe në telefon, Miri nuk fshehte çudinë e tij se si ndodhi e gjithë kjo situatë." (Metropol, 27.03.2012)
Përgënjeshtrimit të TV Klan, z. Rama i përgjigjet me dy mesazhe të njëpasnjëshëm në Twiter:
”Ja si shpifin mediat e pushtetit pasi bejne presion mbi njerezit!Mesazhi i Dod Mirit per mua ne cel: "
"Eshte e qarte se i eshte bere presion per te mohuar komunikimin me mua e per ta kthyer mish per top: ("
Dhe, për të provuar se nuk është ai qe gënjen, boton një foto të sms-së së mbërritur në telefonin e tij prej "Dodë Mirit".
ResPublica e komenton këtë përgënjeshtrim poashtu në linjën e z. Rama, pa e fshehur një lloj ndjenje triumfi:
"Disa komentues e përqeshnin këtë ‘ndjeshmëri’ tonën. Por e vërteta është se shënimi ynë ishte më shumë se sa një ndjeshmëri për privacy-në e individit. Jemi në Shqipëri, ku njerëzit ta japin mbështetjen dhe solidaritetin në rrugë private, ngaqë po ta bëjnë faqe botës ndjellin belara e presione mbi veten. Pikërisht kjo frikë e ka bërë autorin e asaj sms-je ta përgënjeshtrojë fët e fët ngjarjen. “Nuk kam bërë ndonjë mesazh për kreun e PS-së; numri është i imi, por nuk di kush e ka bërë atë sms”, ka thënë ai për të përditshmen shqiptarja.com. Dhe në fund bën një deklaratë të fortë luajaliteti politik: “Unë jam me Partinë Demokratike”. (ResPublica.al, 28.03.2012)
Kush është Dodë Miri, i "persekutuari politik" që ka bërë 22 vjet burg; "ky burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar që nuk mund të bëhet pale me persekutuesit e tij"; ky njeri të cilit "mediat e pushtetit dhe mediat pranë tij i kanë bërë presion"; "personi që nga frika se publikimi faqe botës i sms-it privat mund t'i ndjelli belara dhe presione  e përgënjeshtroi fët e fët ngjarjen"?
Qartësisht, Z. Rama nuk e dinte kur u nxitua dhe e botoi sms-in. Nuk është e qartë nëse gazetarët e ResPublikës e dinin apo jo, apo nëse e mësuan pak përpara se të shkruanin për belarat dhe presionin që sjell mbi Dodë Mirin një sms i tillë. Tv Klan dhe mediat e shkruara pranë saj, si media pranë pushtetit, mbase e dinin. Ata që e kanë ditur dhe e dinë janë të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të komunizmit: Dodë Miri ka qenë një nga spiunët e mirënjohur, i përdorur rëndom edhe si dëshmimtar i rremë në proceset e inskenuara gjyqësore. Tek Peshku pa Uje ky informacion është bërë i ditur që në qershor të 2008, nëpërmjet tregimit të Fatos Lubonjës "Nuriu". Një përshkrim më të plotë të Dodë Mirit Lubonja e bën në romanin "Ridënimi", dedikuar Fadil Kokomanit dhe Vangjel Nezhos, ku Doda është njëri nga dëshmitarët e rremë, mbi dëshmitë e të cilëve F. Kokomani dhe V. Lezho u dënuan me vdekje. Më poshtë një fragment i shkurtër nga libri (faqe 196):
"Datëlindja 1935, dënuar për agjitacion dhe vjedhje"
Doda ishte më simpatiku nga të gjithë spiunët e kampit. Qe një trupmadh tepër i pashëm dhe shumë i dashur e komunikues me të gjithë. Këtë ia jepte një dozë sinqeriteti që nuk e përmbante dot. Kur kthehej nga gjyqet ai e thoshte hapur se kishte dalë dëshmimtar i rremë, por shtonte, si duke qeshur, se ai nuk ishte tjeter vecse një figurant që përdorej për të mbuluar spiunët vërtet të rrrezikshëm, ata të fshehtit, që kampi i mbante për burra të mirë. Ishte dënuar 20 vite dhe kishte vite që e kryente këtë rol. Edhe për të thuhej se kishte qenë agjent qysh në jetën e lirë, sepse, duke qenë familja e tij nga familjet më të persekutuara, nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të mbijetuar. Qahej vazhdimisht që ky rol figuranti ishte zanati që i kishte rënë për hise në jetë, por nuk ishte e thjeshtë kështu. Kjo "qarje" ishte pjesë e dinakërisë së tij. Ai e kryente me dëshirë këtë zanat, madje dhe e kërkonte, sepse kjo i jepte të drejtë të pretendonte copën e shpërblimit, punën si depoxhi në depon e ushqimeve, për të cilën vdiste.
Të burgosurit politikë, dikur votues të sigurtë të PD-së, po i kthejnë asaj të zhgënjyer krahët. Ndoshta ka qenë kjo situatë që e ka bërë z. Rama të entuziazmohet nga mundësia e lindjes  së shpresës për vota aty ku nuk pritej, aq sa të harrojë të informohet (qoftë edhe për t'u siguruar që sms-ja nuk është e trilluar). Dodë Miri përfaqëson një nga rastet sa të komplikuara aq edhe të shpeshtë në realitetin e trishtuar e tragjik të burgjeve e kampeve në Shqipërinë komuniste, ku mbylleshin kundërshtarët reale e virtuale të regjimit. A është Dodë Miri një i persekutuar politik? A mund ta mbajë këtë status dikush që mbijetesën e tij e siguroi duke spiunuar e dëshmuar bashkëvuajtësit e tij?
A mund të ndërtohet çështja e shpërblimit të burgosurve dhe të persekutuarve politikë mbi rastin e Dodë Mirit, të cilin, ironikisht, të dyja palët e trajtojnë si të burgosur politik, duke ja fshehur me qëllim ose nga padija të kaluarën?
Po ata, ata që Dodë Miri i ka spiunuar, u ka dalë dëshmitarë nëpër gjyqet e inskenuara, çfarë mendojnë e çfarë ndjejnë?