26.3.12

Aleanca Kuq e Zi parti turke?

Në numrin e kësaj jave, revista Mapo ka botuar në kapakun e saj një titull sensacional: Projekti neo-otoman, Aleanca Kuq e Zi, një parti turke. Artikullin që pason titullin, autori Alfred Lela, e hap me pyetjet intriguese:
Pse u shoqërua me mister vizita në Washington e Kreshnik Spahiut dhe kush e mundësoi atë? Kush është ndërmjetësi mes Kreshnik Spahiut dhe interesave turke në Shqipëri? A janë të interesuar amerikanët për një rimëkëmbje të Perandorisë së dikurshme Osmane? A ka ardhur koha që pas infrastrukturës së biznesit, arsimit dhe ideve turke, Ankaraja të përfaqësohet edhe politikisht në Shqipëri? Neo-otomanizmi, një doktrinë apo një shpikje?<--break->
Pyetje, përgjigja ndaj të cilave më shumë se sa me fakte, mbushet me fantazitë apo me paranojën e artikullshkruesit. Sipas Alfred Lelës, fakti që një turk ka ndërmjetësuar në ftesën e Spahiut për në Amerike, një udhëtim i paguar po prej turqve (i pa dokumentuar gjithësesi) dhe një aktivitet i dendur gjatë 2011 i qendrës turke "Prizmi" (një fondacion kulturor që kontribuon në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor), ku kanë marrë pjesë shumë anëtarë të elitës kulturore dhe politike të Tiranës, janë provat se Aleanca Kuq e Zi është parti turke. Në të njëjtën mënyrë, Lela, pasi "vërteton" se Aleanca është një parti turke, "zbulon" edhe një trekëndësh aleancash, atë të: Spahiu - Tokçelik/Gylen - Amerika. Me fjalët e Lelës:
Trekëndëshi është, së pari, një bashkim interesash politiko-socialo-financiarë. Gylen është një teoricien i mundësisë për dialog e paqtim mes feve e kulturave dhe një nismë e tillë ka, sigurisht, valencë dhe mbështetje globale. Në rastin e Shqipërisë ky trekëndësh lëviz brenda një gjeometrie tjetër. Është tashmë një doktrinë politike e pranuar edhe nga ministri i Jashtëm turk, njëherësh teoricien i saj, ideja për rikthimin e ndikimit turk në Ballkan, në zonat dikur të pushtuara nga otomanët. Shtrirja e një rrjeti të fuqishëm biznesesh turke në Shqipëri, shoqëruar edhe me institucione arsimore, si kolegje, medrese e universitete ka kaluar tani, me sa duket, në një fazë dhe ekzigjencë të re e më kërkuese: përfaqësimi politik. Nëse interesat greke në Shqipëri, tradicionalisht, janë parë si të përfaqësuara nga Partia Socialiste, ato turke janë identifikuar me Partinë Demokratike. Me sa duket, diçka ka lëvizur në zemberekun e këtij raporti dhe bartësit e doktrinës neo-otomane duan ta shohin ndikimin e tyre përtej një raporti Berisha-Erdogan.
Provat për të vërtetuar ekzistencën e trekëndëshit Lela i gjen tek fakti që:
Turqia është një vend që kërkon ekspansion ose rikthim te sfera e dikurshme e influencës, ku pjesë të Ballkanit dhe bota arabe ishin nën zotërimin e saj. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e refuzimit të vazhdueshëm europian ndaj kërkesës së Turqisë për t’u bërë anëtare e Bashkmit Europian. Për një rastësi apo fat gjeopolitik, Turqia, një aleat i vjetër i amerikanëve, ka edhe mbështetjen e Washington-it. Amerikës i shkon për shtat një sferë influence turke brenda së cilës rrinë Shqipëria, Kosova e Bosnja, kjo sepse Washington-i do ta përdorë si pasqyrë të ‘botës së mirë muslimane’. Kjo do t’i përgjigjej më së miri dilemës ngacmuese e kundërthënëse ‘a janë kompatibël Islami dhe Demokracia?’ Po, janë! - do të ishte përgjigjja dhe Turqia me satelitët e saj e dëshmojnë këtë. Pax Americana mund të gjejë një përgjigje, të paktën të pjesshme, te ky realitet i cili mundësohet edhe përmes neo-otomanizmit. Amerika dhe Perëndimi janë duke u marrë ende me fuçinë e barutit që shpërtheu pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. David Fromkin, një historian amerikan, ka shkruar një libër voluminoz me këtë temë dhe ndoshta titulli e përkufizon më mirë paktin ose paqen e britanikëve me otomanët, që çoi në shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe krijimin e një harte të re e të trazuar në Lindjen e Mesme: Paqja që i dha fund të gjitha paqeve.  
Artikulli i Lelës shoqërohet edhe me intervistat e Agron Gjekmarkaj (Prof. i kulturave në UET, opinionet raciste të të cilit ngjallin kuriozitet mbi temat dhe argumentat mbi kulturat qe ky profesor ligjëron në auditoret e universitetit), Piro Misha (të cilit rezultatet e studimeve bashkëkohore mbi Perandorine Osmane dhe trashëgiminë e saj i kalojnë majtas dhe djathtas si era); Enis Sulstarova dhe Eda Derhemi, të cilët përpiqen të dekonstruojnë jo vetëm mitin e neo-otomanizmit por edhe pyetjet tendencioze të intervistuesit.
Cila është arsyeja që një pacavure e tillë, që nuk plotëson as edhe një kriter gazetaresk; një artikull që në rastin më të mirë mund ta kategorizosh si një teori konspirative, dhe në rastin më të keq një muhabet klubi shoqëruar me avuj rakie, zë faqen e parë të një reviste që pretendon të rehabilitojë median profesioniste (të paktën kjo është retorika)? Kemi të bëjmë këtu me një përpjekje për të denigruar lëvizjen Aleanca Kuq e Zi duke përdorur gogolin e Turqisë (asaj osmane dhe kesaj neo-otomane)? Kemi të bëjmë këtu me interesa të tjera? Psh, ekonomike? Eshtë fakt që turqit kanë investuar shumë në arsim në Shqipëri dhe shkollat turke ngelen edhe sot e kësaj dite pika terheqëse për fëmijët e pasanikëve, elitave kulturore e politike shqiptare. Mos kemi të bëjmë këtu me biznesmenë të arsimit që kërkojnë, nëpërmjet gogolit Turk, të prishin reputacionin e investimeve turke në arsim? Apo kemi të bëjmë thjesht me një tjetër gazetar të painformuar, jo profesionist e plot paragjykime që kërkon të ngrejë karrierën e tij mbi një variacion të njohur e të dashur?