Shqipëria e ka të vështirë të përpunojë të kaluarën e
saj
Ndërsa në shtetet e Evropës Lindore përpunimi faktik dhe
moral i komunizmit ka filluar të paktën pjesërisht, në Shqipëri nuk
ndodh pothuaj asgjë. Shoqëria është akoma shumë e
kushtëzuar nga koha e Enver Hoxhës për të guxuar të hedhë vështrimin e saj në
tmerret e së kaluarës.
Tridhjetë vjet më parë, Republika Popullore
e Shqipërisë ishte Korea e Veriut e Evropës. Diktatori Enver Hoxha, sundues që
prej 1944-ës, e izoloi vendin dhe banuesit e tij nga pjesa tjetër e botës.
Shqiptarët e izoluar u indoktrinuan se ishin avangardët e komunizmit botëror,
ruajtësit e vetëm të ortodoksisë së vërtetë marksiste-staliniste pas devijimit
të Bashkimit Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit dhe largimit të Kinës prej
mësimeve të Maos. Kësisoj, Shqipëria ishte e rrethuar prej armiqve, nga
"imperialistët" në Perëndim, "monarkofashistët" në Greqi,
"titistët" jugosllavë në lindje dhe veri. Edhe brendapërbrenda
"popullit të rrethuar" rrinin në pritje kundërshtarët, të cilët duhet
të luftoheshin pa mëshirë, mbi të gjithë "poliagjentët", si Mehmet
Shehu, bashkëluftëtari i fundit i Hoxhës nga koha e partizanëve në Luftën e
Dytë Botërore dhe për shumë vite ministër i brendshëm dhe kryeministër, i
akuzuar në 1981 si spiun i shumë fuqive të huaja dhe, sipas gjasave, i
shtrënguar të vrasë veten. Frika e rrethimit u vizualizua me ndërtimin e
qindra mijërave bunkerëve, një deri katër vetësh, prej të cilëve do të
sulmoheshin pushtuesit. Kritikët e programit absurd ushtarak
dhe ekonomik u ekzekutuan në vitet '70.
Vazhdimësi e fortë elitash
Bota
përtej nuk merrte asnjë informacion mbi luftën për pushtet të komunistëve
shqiptarë apo mbi kushtet e jetës së qytetarëve. Kështu, Shqipëria u kthye në vendin më të mistershëm të
Evropës, një vend rreth të cilit edhe vetë atyre pak specialistëve shpesh nuk
ju ngelej veçse
të spekulonin. Perëndimi e vështronte me rrënqethje këtë diktaturë, që sa e
parrezikshme ishte për fqinjët e tij, aq penetruese ishte në jetën e njerëzve
të kyçur
në Shqipëri. Vetëm pak grupe të vogla maoiste-leniniste, si
p.sh. ato në Republikën Federale Gjermane, e glorifikonin vendin si një parajsë
socialiste mbi tokë.
Çfarë
dimë sot rreth Shqipërisë enveriste? Përgjigja është deziluzionuese: Në
Shqipëri, historianët e lidhur me partinë i shmangen Epokës së Komunizmit.
Varianti zyrtar i historisë paraqitur nga Akademia Shqiptare, për t'iu shmangur
çdo
lloj saktësimi të termave dhe, si rrjedhim, edhe vlerësimit ideologjik, flet
për "kohën e pasluftës". Vazhdimësia e elitave në politikë dhe në
shkencë është e fortë. Nëse flitet për epokën komuniste, kjo ndodh në mënyrë tepër
të politizuar dhe emocionale. Ai përpunim kritik që ndodh i dedikohet
iniciativës së disa intelektualëve të angazhuar të shoqërisë civile si Fatos
Lubonja dhe Revista e tij "Përpjekja" ose Ardian Klosi, ndarë pak
kohë më parë nga jeta. Këta, dhe kolegët e tyre, kur kërkojnë një debat mbi
pasojat e diktaturës shumëvjeçare përballen shpesh
me urrejtje të pastër.
Lexuesi
shqiptar gjendet përballë një bulevardizimi të fortë të kujtesës, që kryhet nga
gazetarë të orientuar nga sensacioni dhe ish kuadro të partisë, që në kujtimet
e tyre përshkruajnë merita të pretenduara personale para vitit 1991 dhe
persekutimin e tyre të supozuar më pas. Kur publicisti Blendi Fevziu botoi para
pak kohësh biografinë e parë të Diktatorit, libri i mbushur plot anekdota pati një
sukses të madh tek publiku. Por simpatizantët e regjimit u irrituan me zë të
lartë; në Ferizajn kosovare, madje, libri u dogj, shenjë se Enver Hoxha, si një
udhëheqës i fortë, nuk glorifikohej vetëm në epokën jugosllave.
Arkivat
e shërbimit sekret, të frikshmit Sigurimi, vazhdojnë të qëndrojnë kryesisht të
mbyllura. Prej viteve nëntëdhjetë ato përdoren si prej kundërshtarëve të
papajtueshëm "socialistëve" postkomunistë ashtu edhe prej
"demokratëve" në krye të pushtetit, të cilët përtej retorikës janë po
aq të lidhur me regjimin e Hoxhës, mbi të gjitha, për të diskretituar
kundërshtarin politik. Trashëgimia e rrjetit të plotë të spiunëve të regjimit
të Hoxhës përfaqëson sot një dollap helmesh të shoqërisë shqiptare, prej të
cilit ushqehen thashetheme dhe dyshime.
Edhe
jashtë Shqipërisë interesi dhe dija mbi diktaturën e Hoxhës janë minimale. Se
sa i vështirë është klasifikimi i sistemit e tregoi një takim i historianëve të
rinj bashkëkohorë në fillim të vitit në Vienë: teksa për RDGJ dhe Çekosllovakinë
e viteve shtatëdhjetë - tetëdhjetë shkenca flet për "shtete
socialiste" dhe e sheh të tejkaluar tashmë teorinë e totalitarizmit,
vlerësimi i historianit të ri shqiptar, se Shqipëria duhej konsideruar si një
sistem totalitar ngjalli çudi e, madje,
refuzim.
Shoqëria e transformuar
Ashtu
si në regjimet e tjera komuniste, edhe në rastin e Shqipërisë
interpretimet luhaten midis theksimit të dhunshmërisë së regjimit dhe
ndryshimeve që ka arritur një "diktaturë
modernizuese". Është e padiskutueshme
që komunistët e transformuan shoqërinë e tyre: Industrializimi, një nga
kolektivizimet më radikale të tokës në Evropën Lindore, ndërtimi i një
infrastrukture arsimore, shkencore dhe transporti, alfabetizimi i një populli
gati të paarsimuar, ndalimi i feve dhe barazia formale e gruas e ndryshuan
rrënjësisht shoqërinë që në 1945 ishte akoma osmane.
Por
regjimi ndërtoi edhe një sundim të terrorit. Ai erdhi në pushtet i dalë nga një
luftë civile (1941-1945) kundër partizanëve jo komunistë me mbështetjen e
Jugosllavisë së Titos; eliminoi elitat e vjetra kulturore dhe shoqërore; veproi
në mënyrë klanore dhe mirëmbajti deri në vitet tetëdhjetë
kampe ndëshkimore, ku me mijëra detyroheshin të punonin në kushtet e një
skamjeje të tmerrshme. Emigracioni u ndalua kurse migrimi brenda vendit u
kufizua radikalisht: Populli shqiptar, migrues klasik, u burgos me plot
kuptimin e fjalës. Regjimi u imponoi shtetasve të tij orientime të ndryshme:
Mbas Jugosllavisë (deri më 1948) pasoi Bashkimi Sovjetik (deri më 1961) e më
pas Kina maoiste (deri 1978) si fuqi proteksioniste, të cilat sollën parà për
mbështetjen e ndërtimit të industrisë dhe ideologjisë, parà të cilën Shqipëria
nuk ishte gati t'i kthente, gjë që shpjegon shumë herë më mirë sesa histeria
ideologjike prishjen me fuqinë proteksioniste të radhës.
Shqipëria
importoi "revolucionin kulturor" të Maos por i dha atij edhe
karakteristika të vetat: Duke filluar prej viteve shtatëdhjetë nacionalizmi
arriti kulmin e tij dhe prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve u kthye në
doktrinë shtetërore. "Njeriu i ri" i llojit shqiptar nuk duhej vetëm
të kapërcente të gjitha pengesat e natyrës, të kishte ndërgjegje klasore, të
ishte i shëndetshëm dhe i fuqishëm ashtu si modeli i tij shembull sovjetik dhe
kinez, por ai duhet të ishte edhe një nacionalist i bindur dhe ateist.
Dekretimi i ndalimit të fesë më 1968, i
cili u zbatua me një brutalitet të jashtëzakonshëm, e ktheu Shqipërinë, të
paktën zyrtarisht, në shtetin e vetëm ateist të botës. Stalinizmi dhe nacionalizmi, me theksin tek ky i
fundit, përbënin ideologjitë bazë të regjimit. Brenda këtij nuk mungonte as
larja e hesapeve mes kuadrove të lartë të partisë që i tërheq vazhdimisht
historianët tek komunizmi: Hoxha, në "spastrimet" e tij, ndiqte me
zell shembullin e Stalinit. Në këtë kontekst harrohet shpesh fakti që viktimat
e tij ishin vetë gjithashtu përgjegjës për krime të rënda. Nomenklatura e Hoxhës
i ngjante në shumë aspekte asaj të Stalinit: Një klan që kishte në dorë edhe pushtetin
edhe të mirat materiale.
Në Shqipëri
mbizotëron sot më shumë interesi tek personat sesa tek çështjet e strukturave sociale. Për shembull, se si ndërtimi i një metalurgjiku gjigant
e shndërroi qytetin osman të Elbasanit në një kombinat dhe qytetarët e tij në
rrotëza të një mekanizmi industrial sapo ka filluar të hulumtohet. Mbetet akoma
për t'u analizuar nëse barazimi i brohoritur propagandistik i gruas solli
vërtet një përmirësim apo thjesht një ngarkesë të dyfishtë në familje dhe në
pune. Se si izolimi i vendit
ndryshoi edhe vetë jetën private të njerëzve po bëhet gjithmonë e më e qartë:
nga frika, shpesh heshtej edhe në rrethin më të ngushtë familjar.
Sigurimi kishte
vendosur një sundim të terrorit. Kontrolli i regjimit mbi çdo gjë që ndodhte i ngjante skenave Orwell-iane, si p.sh. kur klasa
punëtore mallkonte me parulla urrejtjeje grupet e politikanëve të rrëzuar.
"I jemi betuar Partisë dhe shokut Enver se do t'u qëndrojmë besnikë dhe se
jemi gati t'u falim jetën tonë, sepse jetën dhe fatin ia dedikojmë
Partisë."
Raporte të
shërbimit sekret tregojnë edhe se ku gjendeshin rezervatet e vogla të privates,
veçanërisht në periudhën e fundit të regjimit: Në zonat kufitare njerëzit i
drejtonin antenat nga vendet fqinje dhe u justifikoheshin kontrolluesve se drejtimin e
kishte ndryshuar era. Në fshehtësi praktikoheshin madje edhe rite fetare. Por
edhe pse hapësirat private ishin tepër modeste, në fillim të viteve tetëdhjetë
Partia përforcoi luftën kundër asaj pak prone private që i kishte mbetur fshatarit.
Kësisoj, me përjashtim të nomenklaturës së furnizuar mirë në lagjen e rrethuar
të "Bllokut", që e përkëdhelte veten me qumësht të freskët dhe spaghetti italiane, në fund të kohës së
Hoxhës në Shqipëri mbizotëronte varfëria e madhe dhe mungesa e furnizimeve.
E mbrujtur me trashëgiminë e Hoxhës
Për të kuptuar
Shqipërinë e Hoxhës duhet të dimë më shumë për njerëzit që mbështetën atë dhe
ndërtimin e komunizmit, që kontribuan në luftën pa mëshirë kundër atyre që
mendonin ndryshe. Botëkuptimi manichais-t (manikeist) i Hoxhës shpjegon pjesërisht
paaftësinë për dialog e kompromis të elitës së sotme politike. Asaj nuk i bie
në sy se sa shumë e mbrujtur është me trashëgiminë e Hoxhës. Për këtë asaj do i
duhet të mësojë që të flasë mbi të kaluarën (edhe mbi atë personale) dhe që të
gjejë një gjuhë për atë që ka ndodhur. Por koha e Hoxhës ka mbrujtur të gjithë
shoqërinë shqiptare. Prandaj, çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe
të sotmen e Shqipërisë nuk është tek vështrimi nga udhëheqësi komunist, por tek
pyetja se cilët ishin njerëzit e thjeshtë që kontribuan për komunizmin. Deri
atëherë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mos i hedhin sytë në këtë
pasqyrë.
Përktheu: Selfmaderadio