Tek gazeta Shekulli, 17.11.2011, hasa këtë letër publike, titulluar "Letër zotit Lanksch", shkruar nga Bardhyl Demiraj, drejtues i katedres se albanologjise ne Universitetin e Münichut. Eshtë një letër që më irriton, jo vetëm për gjuhën e tonin e përdorur, por edhe për përmbajtjen e varfër, për mungesën e argumentimit, për frymën gjykuese, lincuese të saj. Letra tenton t'i përgjigjet një komenti sqarues me titull "Për raportin Camaj-Kadare", që z. Hans-Joachim Lanksch kishte botuar një ditë më parë në të njëjtën gazetë, sqarim në të cilin ai përpiqej të evidonte një pasaktësi në rrëfimet e Helena Kadaresë në librin e saj të kujtimeve "Kohë e pamjaftueshme", lidhur me marëdhëniet Camaj-Kadare përshkruar në këtë libër. Midis të tjerash më irritoi ky paragraf në letrën e cituar :"A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, or Hans i mjerë!: kujt i intereson dhe sa i shërben vërtet së vërtetës ajo e vërtetë, të cilën ty të gënjen vërtet mendja se po e nxjerr vërtet në dritë të vërtetë? E akoma më keq: a është interesuar vërtet në Gjermani a në Munih, pikërisht aty ku jeton ti vërtet, ndonjë gjerman i vërtetë që të njohë atë të vërtetë që trumbeton ti?"
Pyetje që më lindën gjatë dhe pas leximit të kësaj letre:
- Si është e mundur që një edukator (!) i brezit të ri, edukator i elitave të së ardhmes të quajë mjeran dikë që i intereson e vërteta? Të përbuzë të vërtetën?
- Cfarë u edukon ky edukator studentëve të tij? Gjënjeshtrën? Të gënjejnë? Të ndërtojnë imazhe gënjeshtare?
- Cfarë u mëson ky edukator studentëve të tij? U mëson që përpara ligjit dhe të vërtetës nuk jemi njësoj, sepse ai që ka më shumë reputacion shoqëror, më shumë pushtet nuk duhet t’u bindet normave morale dhe kontratës së përbashkët të legjitimuar në kushtetutë?
- A tregon të vërtetën ky individ-akademik në punimet e tij shkencore?
- Cfarë po kundërargumenton ky profesor? Ky akademik? Cilin nga faktet e sjella nga z. Lanksch, në komentin sqarues "Për raportin Camaj-Kadare" po vë në dyshim, cilës prej tyre po i kundërsjell fakte të tjera, nga burime të tjera?
- Po e quajmë profesor dhe akademik, por si mund ta quajme intelektual dikë që nuk kërkon të vërtetën, por kërkon ta varrosë atë? Si mund ta quajmë intelektual dikë që vret publikisht (sepse kjo letër nuk është ftesë për debat; ështe gjykim/fletërrufe publike) dikë që mëton të operojë me të vërtetën?
20.11.11
Pyetje
Labels: Opinione