29.11.12

Kujtesa dhe amnezia në Shqipëri

Thomas Fuster
NZZ, International
28 nëntor 2012

(Një përmbledhje dhe përkthim i shpejtë i artikullit origjinal)

Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë, ngjarje që ofron mundësinë për një ballafaqim kritik me regjimin diktatorial të Hoxhës dhe fatin e të burgosurve politikë.
Në 10 tetor, Lirak Bejko mori një shishe plastike të mbushur me benzinë, e derdhi mbi rrobat e tij, mori një shkrepëse dhe i vuri zjarrin vetes. Brenda një sekonde, burri veshur me të zeza u shndërrua në një flakë që digjej para kamerave të televizioneve. Miqtë e tij të irrituar, që prej fundit të shtatorit të mbyllur në një grevë urie në një tendë të improvizuar, i hodhën sipër batanie dhe materiale të tjera për të shuar zjarrin. Por ndihma e tyre do të rezultonte e pasuksesshme. Në fillim të këtij muaji, Lirak Bejko vdiq prej plagëve në një spital të qytetit italian Bari.

Qeveri cinike

Këtë të mërkurë, në ditën e 100 vjetorit të pavarësisë,  njeriu më kot do përpiqet të gjejë emrin e Lirak Bejkos në fjalimet plot patos të politikanëve shtetare. Po kështu edhe emri Gjergj Ndreca - një i burgosur tjetër, që ashtu si Bejko, por disa ditë para tij i vuri zjarrin vetes. Motivi i dy të burgosurve dhe i njëzet grevistëve të tjerë, të cilët e mbyllën grevën në tetor, pasi shumica e tyre kishin humbur ndjenjat, është tejet legjitim: Ata kërkojnë që qeveria më në fund të respektojë e zbatojë ligjin. Bëhet fjalë për ligjin e miratuar në 2007, ligj që rregullon  marëdhënien me të burgosurit politik të regjimit Hoxha. Bejko, Ndreca dhe bashkëgrevistët e tjerë i përkasin kësaj kategorie. Ligji parashikon që ata të kompensohen më 14 Euro për çdo ditë që ata kanë kaluar në burg.  Por qeveria vendosi që ky kompensim të ndahet në 8 këste, një këst për vit duke u paguar faktikisht në 5 vite vetëm një këst. Edhe pse grevistët kanë të drejtë, qeveria refuzon të hyjë në dialog me ta. Duke injoruar tërësisht legjitimitetin e motiveve të tyre, kjo temë do të përdorej edhe një herë për një luftë ndërpartiake. Kryeministri Sali Berisha i Partisë Demokratike bën Edi Ramën e Partisë Socialiste opozitare përgjegjëse për këtë eskalim. Kështu, Rama jo vetëm që i manipuloi grevistët por edhe shpreson që ta përdori flakën në trupat e tyre për të thithur vota në 2013. Një përgjigje më cinike për vetedjegien është vështirë të imagjinohet.

Politikë e polarizuar

Ulërima e pashpresë e të burgosurve dhe reagimi cinik i qeverisë tregon dy konstante të politikës shqiptare. Se pari, përmbajtja e çdo lloj përballjeje mbytet në mënyrë automatike në sherrin e pafund mes demokratëve dhe socialistëve. Kompromiset dhe bashkëpunimi u jane të dyja partive të huaja. Që prej rënies së diktaturës nuk ka ndodhur kurrë që një parti politike të pranoje humbjen në zgjedhje. Përkundrazi, partia që humb zgjedhjet, qoftë kjo PD apo PS vë në pyetje legjitimitetin e vetë zgjedhjeve dhe u kthehet strukturave të ngurta.
Së dyti ky refuzim i diskutimeve me grevistët tregon se sa të vështirë e kanë shqiptarët përpunimin e trashëgimisë së Hoxhës. Viktimat e tij nuk gjejnë as sot mbështetje dhe sipas Oliver Schmitt, profesor ne Universitetin e Vienes, nuk ka praktikish asnjë lloj kërkimi serioz mbi Hoxhën, që të mos jetë i lidhur me politikën.
Për një amnezi të tilla ka disa arsye:
Së pari, duhet përmendur vazhdimësia e fortë e elitave politike dhe shoqërore. Sipas Schmitt, viktimat e Gulagut komunist shohin se si ata që i dënuan, qofshin këta gjykatës, hetuesa, agjentë sigurimi apo efektiva burgu - jo vetëm nuk kanë perfunduar në burg, por madje dekorohen për karrierën e tyre. 

"Plani B" i komunisteve

Patjetër që shqiptarët, kudo ata qofshin,  kanë këtë të mërkurë arsye të festojnë. Por, siç ndodh rëndom në përvjetore të tillë, ky 100 vjetor ofronte edhe një mundësi për vetëreflektim. Dhe këtu do të duhej të njihej dhe pranohej se mbi katër dekada tëekzistëncës së këtij shteti mbizotëron akoma qyrku i heshtjes. Dhjetëra mijëra ish të burgosur ndihen një herë më shumë të tradhëtuar prej shtetit. Ky regjim është "Plani B" i komunisteve, i thoshte para disa kohëve Skënder Tufa i Shoqatës së të burgosurve politikë agjensisë së lajmeve Birn. Nuk mund të formulohet më saktë frustrimi me demokracinë gjysmake të Shqipërisë.

28.11.12

Kombi optimist


Feuilleton, Neue Zürcher Zeitung, 28 nëntor 2012

Një përmbledhje dhe një përkthim i shpejtë i artikullit origjinal.

Ndërsa në Serbi bie në sy depresioni dhe fakti se parrullat nacionaliste nuk kanë më efekt, tek shqiptarët, të ndarë në disa shtete, mbizotëron optimizmi. Por, ndërsa tek serbët depresioni është i kuptueshëm: lufta dhe humbja e saj në vitet '90, humbja e Kosovës, tek shqiptarët, në vështrim të parë, optimizmi të duket i çuditshëm. Sepse Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet më të varfëra të Evropës: nuk prodhojnë dhe eksportojnë pothuaj asgjë, me qindramijëra kanë imigruar nga rajonet malore drejt qyteteve, shteti është në duart e karteleve të pushtetit të cilët shkëmbejnë votat dhe bindjen e qytetarit me vende pune, drejtësia është e dobët dhe e korruptuar. Në Kosovë, përveç të tjerave, ndërtimi i shtetit nuk ka mbaruar as nga brenda e as nga jashte. EU që nuk i beson shtetit të ri ka atje një mision policor dhe gjyqësor të vetin kompetencat e të cilave ndërhyjnë thellë në sovranitetin e shtetit të ri. Plot 5 vende të EU refuzojnë vendosjen e plotë të marëdhenieve diplomatike.

E megjithatë, kjo frymë optimizmi në territoret shqiptare ka arsye të forta: Kurrë më parë në histori shqiptarët nuk kanë pasur kaq shumë liri për të vetëvendosur dhe kaq pushtet politik. Në 1990 u rrëzua diktatura staliniste e Hoxhës. Në 1999 Beogradi tërhoqi mbrapsht nga Kosova, nën detyrimin e trupave të Natos, rregjimin e aparthaidit, në 2001 shqiptarët e Maqedonise detyruan pranimin e grupit të tyre si  të dytin në Maqedoni, dhe në 2008 u shpall pavarësia e Kosovës.  Për të ardhur deri këtu ka qenë një rrugë e gjatë.

Prej 1990 po zhvillohet një shoqëri panshqiptare e komunikimit (sipas O. Schmitt). Kjo nuk ngelet vetëm tek përmirësimi i rrugëve: Tirana, Prishtina dhe së shpejti Shkupi do të lidhen me autostrada, ndërtimi i të cilave ka marrë pjesën më të madhe të buxhetit. Eshtë ndërtuar një media panshqiptare ku pasqyrohet e gjithë albanosfera. Lëvizjet politike dhe partitë shkëmbejnë kontakte me njëra tjetrën dhe shfaqen së bashku nëpër aktivitete. Pyetja se çfarë forme politike do të marrë kjo albanosferë mbetet e hapur. Politikanët shprehen me shumë nënkuptime, duke u përpjekur nga njëra anë të mos prekin tabunë e perëndimit për mos ndryshim kufijsh dhe nga ana tjetër që të fitojnë sa më shumë votues.  Së pari në Kosovë, e më pas në Shqipëri e Maqedoni, shumica kërkon bashkim. "Kufijtë fizike duhet të bëhen të parëndësishëm", - thotë Sali Berisha. Kjo mund të nënkuptohet edhe si kufij të hapur për vendet e EU-së, por edhe si bashkim i shqiptarëve në një shtet. Kjo është një tjetër arsye për optimizëm mes nacionalistëve shqiptarë. Në ndryshim nga Bosnja apo Maqedonia, ekzistenca e të cilave varet nga hyrja apo jo në EU, bashkimi i shqiptarëve mund të ndodhe me ose pa EU.
Optimizmi i shqiptarëve ka edhe një arsye demografike. Kosova është vendi më i ri i Evropës dhe popullsia vazhdon të rritet. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Në Shqipëri rritja është stabilizuar. Pyetësorët tregojnë se shqiptarët jane të pakënaqur në raport me politikën, por ato tregojnë gjithashtu se ata besojnë në të ardhme. Në ndryshim nga sllavët, shqiptarët janë të bindur se ditët më të mira i kanë përpara.

Mobilizimi i vazhdueshëm nacionalist ka edhe çmimin e tij. Raporti me shumicën e fqinjëve është delikat. Vetëkuptueshëm që për këtë fajtorë nuk janë vetëm shqiptarët . Në veri të Kosovës konfrontacionet janë në rend të ditës. Nga kjo situatë përfitojnë politikanët që fshehin interesat e tyre klienteliste pas parrullave patriotike. Por ky mobilizim nacionalist frenon mbi të gjitha ndërtimin e një shoqërie civile. Në shoqëri, të cilat e perceptojnë veten si shoqëri nacionaliste ka shumë pak vend për ata që mendojnë ndryshe. Interesat politike dhe shoqërore të minoriteteve dhe të grave mund të injorohen shumë kollaj. Mbartësit e mendimit ndryshe mund të bien shumë kollaj nën kategorinë e "tradhëtarit". Kultura politike e diktaturës dhe ajo e guerriljeve vazhdon akoma të jetojë. Këtë e tregon edhe krahasimi i dy lëvizjeve civile. "Mjaft", një lëvizje civile për emancipimin e qytetarit, që luftonte për ekologjinë dhe planifikimin urbanistik të qyteteve pësoi një vdekje të butë, pasi u kooptua nga partia socialiste opozitare. Në të kundërt të saj, Vetëvendosja, lëvizje nacionaliste e majtë, vazhdon të jetë akoma e suksesshme. Kjo e kombinon kritikën kundër elitave të korruptuara dhe perëndimit kolonialist me idenë e Shqipërisë së Madhe.
Kjo tregon se mendimi ndryshe gjen mbështetje vetëm nën kostumin e një nacionalizmi të fortë. Kështu që ngelet detyrë e brezave të ardhshëm të zgjidhin paradoksin mes nacionalizmit dhe emancipimit të shoqërisë. Kjo bëhet gati e pamundur pa diasporën, pa të rinjtë e përhapur kudo nëpër botë, të arsimuar mirë dhe me eksperienca mbi/ndërkufitare.

16.8.12

Sundimi i tmerrit


Shqipëria e ka të vështirë të përpunojë të kaluarën e saj

Ndërsa në shtetet e Evropës Lindore përpunimi faktik dhe moral i komunizmit ka filluar të paktën pjesërisht, në Shqipëri nuk ndodh pothuaj asgjë. Shoqëria është akoma shumë e kushtëzuar nga koha e Enver Hoxhës për të guxuar të hedhë vështrimin e saj në tmerret e së kaluarës.

Oliver Jens Schmitt, Neue Zürcher Zeitung, Feuilleton, Fq. 49, 21 Juli 2012 (Online: k
ëtu


Tridhjetë vjet më parë, Republika Popullore e Shqipërisë ishte Korea e Veriut e Evropës. Diktatori Enver Hoxha, sundues që prej 1944-ës, e izoloi vendin dhe banuesit e tij nga pjesa tjetër e botës. Shqiptarët e izoluar u indoktrinuan se ishin avangardët e komunizmit botëror, ruajtësit e vetëm të ortodoksisë së vërtetë marksiste-staliniste pas devijimit të Bashkimit Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit dhe largimit të Kinës prej mësimeve të Maos. Kësisoj, Shqipëria ishte e rrethuar prej armiqve, nga "imperialistët" në Perëndim, "monarkofashistët" në Greqi, "titistët" jugosllavë në lindje dhe veri. Edhe brendapërbrenda "popullit të rrethuar" rrinin në pritje kundërshtarët, të cilët duhet të luftoheshin pa mëshirë, mbi të gjithë "poliagjentët", si Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i fundit i Hoxhës nga koha e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore dhe për shumë vite ministër i brendshëm dhe kryeministër, i akuzuar në 1981 si spiun i shumë fuqive të huaja dhe, sipas gjasave, i shtrënguar të vrasë veten. Frika e rrethimit u vizualizua me ndërtimin e qindra mijërave bunkerëve, një deri katër vetësh, prej të cilëve do të sulmoheshin pushtuesit. Kritikët e programit absurd ushtarak dhe ekonomik u ekzekutuan në vitet '70. 

Vazhdimësi e fortë elitash

Bota përtej nuk merrte asnjë informacion mbi luftën për pushtet të komunistëve shqiptarë apo mbi kushtet e jetës së qytetarëve.  Kështu, Shqipëria u kthye në vendin më të mistershëm të Evropës, një vend rreth të cilit edhe vetë atyre pak specialistëve shpesh nuk ju ngelej veçse të spekulonin. Perëndimi e vështronte me rrënqethje këtë diktaturë, që sa e parrezikshme ishte për fqinjët e tij, aq penetruese ishte në jetën e njerëzve të kyçur në Shqipëri. Vetëm pak grupe të vogla maoiste-leniniste, si p.sh. ato në Republikën Federale Gjermane, e glorifikonin vendin si një parajsë socialiste mbi tokë.  
Çfarë dimë sot rreth Shqipërisë enveriste? Përgjigja është deziluzionuese: Në Shqipëri, historianët e lidhur me partinë i shmangen Epokës së Komunizmit. Varianti zyrtar i historisë paraqitur nga Akademia Shqiptare, për t'iu shmangur çdo lloj saktësimi të termave dhe, si rrjedhim, edhe vlerësimit ideologjik, flet për "kohën e pasluftës". Vazhdimësia e elitave në politikë dhe në shkencë është e fortë. Nëse flitet për epokën komuniste, kjo ndodh në mënyrë tepër të politizuar dhe emocionale. Ai përpunim kritik që ndodh i dedikohet iniciativës së disa intelektualëve të angazhuar të shoqërisë civile si Fatos Lubonja dhe Revista e tij "Përpjekja" ose Ardian Klosi, ndarë pak kohë më parë nga jeta. Këta, dhe kolegët e tyre, kur kërkojnë një debat mbi pasojat e diktaturës shumëvjeçare përballen shpesh me urrejtje të pastër. 
Lexuesi shqiptar gjendet përballë një bulevardizimi të fortë të kujtesës, që kryhet nga gazetarë të orientuar nga sensacioni dhe ish kuadro të partisë, që në kujtimet e tyre përshkruajnë merita të pretenduara personale para vitit 1991 dhe persekutimin e tyre të supozuar më pas. Kur publicisti Blendi Fevziu botoi para pak kohësh biografinë e parë të Diktatorit, libri i mbushur plot anekdota pati një sukses të madh tek publiku. Por simpatizantët e regjimit u irrituan me zë të lartë; në Ferizajn kosovare, madje, libri u dogj, shenjë se Enver Hoxha, si një udhëheqës i fortë, nuk glorifikohej vetëm në epokën jugosllave. 
Arkivat e shërbimit sekret, të frikshmit Sigurimi, vazhdojnë të qëndrojnë kryesisht të mbyllura. Prej viteve nëntëdhjetë ato përdoren si prej kundërshtarëve të papajtueshëm "socialistëve" postkomunistë ashtu edhe prej "demokratëve" në krye të pushtetit, të cilët përtej retorikës janë po aq të lidhur me regjimin e Hoxhës, mbi të gjitha, për të diskretituar kundërshtarin politik. Trashëgimia e rrjetit të plotë të spiunëve të regjimit të Hoxhës përfaqëson sot një dollap helmesh të shoqërisë shqiptare, prej të cilit ushqehen thashetheme dhe dyshime.  
Edhe jashtë Shqipërisë interesi dhe dija mbi diktaturën e Hoxhës janë minimale. Se sa i vështirë është klasifikimi i sistemit e tregoi një takim i historianëve të rinj bashkëkohorë në fillim të vitit në Vienë: teksa për RDGJ dhe Çekosllovakinë e viteve shtatëdhjetë - tetëdhjetë shkenca flet për "shtete socialiste" dhe e sheh të tejkaluar tashmë teorinë e totalitarizmit, vlerësimi i historianit të ri shqiptar, se Shqipëria duhej konsideruar si një sistem totalitar ngjalli çudi e, madje, refuzim.

Shoqëria e transformuar

Ashtu si në regjimet e tjera komuniste, edhe në rastin e Shqipërisë interpretimet luhaten midis theksimit të dhunshmërisë së regjimit dhe ndryshimeve që ka arritur një "diktaturë modernizuese". Është e padiskutueshme që komunistët e transformuan shoqërinë e tyre: Industrializimi, një nga kolektivizimet më radikale të tokës në Evropën Lindore, ndërtimi i një infrastrukture arsimore, shkencore dhe transporti, alfabetizimi i një populli gati të paarsimuar, ndalimi i feve dhe barazia formale e gruas e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë që në 1945 ishte akoma osmane.
Por regjimi ndërtoi edhe një sundim të terrorit. Ai erdhi në pushtet i dalë nga një luftë civile (1941-1945) kundër partizanëve jo komunistë me mbështetjen e Jugosllavisë së Titos; eliminoi elitat e vjetra kulturore dhe shoqërore; veproi në mënyrë klanore dhe mirëmbajti deri në vitet tetëdhjetë kampe ndëshkimore, ku me mijëra detyroheshin të punonin në kushtet e një skamjeje të tmerrshme. Emigracioni u ndalua kurse migrimi brenda vendit u kufizua radikalisht: Populli shqiptar, migrues klasik, u burgos me plot kuptimin e fjalës. Regjimi u imponoi shtetasve të tij orientime të ndryshme: Mbas Jugosllavisë (deri më 1948) pasoi Bashkimi Sovjetik (deri më 1961) e më pas Kina maoiste (deri 1978) si fuqi proteksioniste, të cilat sollën parà për mbështetjen e ndërtimit të industrisë dhe ideologjisë, parà të cilën Shqipëria nuk ishte gati t'i kthente, gjë që shpjegon shumë herë më mirë sesa histeria ideologjike prishjen me fuqinë proteksioniste të radhës.
Shqipëria importoi "revolucionin kulturor" të Maos por i dha atij edhe karakteristika të vetat: Duke filluar prej viteve shtatëdhjetë nacionalizmi arriti kulmin e tij dhe prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve u kthye në doktrinë shtetërore. "Njeriu i ri" i llojit shqiptar nuk duhej vetëm të kapërcente të gjitha pengesat e natyrës, të kishte ndërgjegje klasore, të ishte i shëndetshëm dhe i fuqishëm ashtu si modeli i tij shembull sovjetik dhe kinez, por ai duhet të ishte edhe një nacionalist i bindur dhe ateist.
Dekretimi i ndalimit të fesë më 1968, i cili u zbatua me një brutalitet të jashtëzakonshëm, e ktheu Shqipërinë, të paktën zyrtarisht, në shtetin e vetëm ateist të botës. Stalinizmi dhe nacionalizmi, me theksin tek ky i fundit, përbënin ideologjitë bazë të regjimit. Brenda këtij nuk mungonte as larja e hesapeve mes kuadrove të lartë të partisë që i tërheq vazhdimisht historianët tek komunizmi: Hoxha, në "spastrimet" e tij, ndiqte me zell shembullin e Stalinit. Në këtë kontekst harrohet shpesh fakti që viktimat e tij ishin vetë gjithashtu përgjegjës për krime të rënda. Nomenklatura e Hoxhës i ngjante në shumë aspekte asaj të Stalinit: Një klan që kishte në dorë edhe pushtetin edhe të mirat materiale. 
Në Shqipëri mbizotëron sot më shumë interesi tek personat sesa tek çështjet e strukturave sociale. Për shembull, se si ndërtimi i një metalurgjiku gjigant e shndërroi qytetin osman të Elbasanit në një kombinat dhe qytetarët e tij në rrotëza të një mekanizmi industrial sapo ka filluar të hulumtohet. Mbetet akoma për t'u analizuar nëse barazimi i brohoritur propagandistik i gruas solli vërtet një përmirësim apo thjesht një ngarkesë të dyfishtë në familje dhe në pune.  Se si izolimi i vendit ndryshoi edhe vetë jetën private të njerëzve po bëhet gjithmonë e më e qartë: nga frika, shpesh heshtej edhe në rrethin më të ngushtë familjar. 
Sigurimi kishte vendosur një sundim të terrorit. Kontrolli i regjimit mbi çdo gjë që ndodhte i ngjante skenave Orwell-iane, si p.sh. kur klasa punëtore mallkonte me parulla urrejtjeje grupet e politikanëve të rrëzuar. "I jemi betuar Partisë dhe shokut Enver se do t'u qëndrojmë besnikë dhe se jemi gati t'u falim jetën tonë, sepse jetën dhe fatin ia dedikojmë Partisë." 
Raporte të shërbimit sekret tregojnë edhe se ku gjendeshin rezervatet e vogla të privates, veçanërisht në periudhën e fundit të regjimit: Në zonat kufitare njerëzit i drejtonin antenat nga vendet fqinje dhe u justifikoheshin kontrolluesve se drejtimin e kishte ndryshuar era. Në fshehtësi praktikoheshin madje edhe rite fetare. Por edhe pse hapësirat private ishin tepër modeste, në fillim të viteve tetëdhjetë Partia përforcoi luftën kundër asaj pak prone private që i kishte mbetur fshatarit. Kësisoj, me përjashtim të nomenklaturës së furnizuar mirë në lagjen e rrethuar të "Bllokut", që e përkëdhelte veten me qumësht të freskët dhe spaghetti italiane, në fund të kohës së Hoxhës në Shqipëri mbizotëronte varfëria e madhe dhe mungesa e furnizimeve.

E mbrujtur me trashëgiminë e Hoxhës

Për të kuptuar Shqipërinë e Hoxhës duhet të dimë më shumë për njerëzit që mbështetën atë dhe ndërtimin e komunizmit, që kontribuan në luftën pa mëshirë kundër atyre që mendonin ndryshe. Botëkuptimi manichais-t (manikeist) i Hoxhës shpjegon pjesërisht paaftësinë për dialog e kompromis të elitës së sotme politike. Asaj nuk i bie në sy se sa shumë e mbrujtur është me trashëgiminë e Hoxhës. Për këtë asaj do i duhet të mësojë që të flasë mbi të kaluarën (edhe mbi atë personale) dhe që të gjejë një gjuhë për atë që ka ndodhur. Por koha e Hoxhës ka mbrujtur të gjithë shoqërinë shqiptare. Prandaj, çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë nuk është tek vështrimi nga udhëheqësi komunist, por tek pyetja se cilët ishin njerëzit e thjeshtë që kontribuan për komunizmin. Deri atëherë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mos i hedhin sytë në këtë pasqyrë.



 Përktheu: Selfmaderadio

30.3.12

Shaka cinike paraelektorale

"Do t'ju lexoj një mesazh që më erdhi rrugës", - tha Rama, kreu i PS-së në një takimin me simpatizantë të Partisë Socialiste, - "Dodë Miri, nga Gurzi i Lacit,  më ka shkruar këtë sms :
"Zoti Rama, ju falenderoj perzemersisht per kontributin qe po jepni per te burgosurit politike dhe per pronaret, dhe qe jeni bere shkak per perfshirjen e moshes 75 vjec per perfitimin e parave, se une qe po te shkruaj, kam bere 22 vjet burg politik dhe kam 11 te pushkatuar nga regjimi i Enver Hoxhes dhe deri sot nuk kam marre asgje. Do te mbeshtes Partine Socialiste, politikisht dhe me respekt Dode Miri, familjarisht".
Lajmi u përhap rrufeshëm në median e shkruar dhe atë virtuale, sepse siç evidenton blogu ResPublica:
" ... duhet të jetë hera e parë – kjo bën më së shumti përshtypje – që në inbox-in e celularit të kryetarit të PSSH-së (ish Partia e Punës) vjen një mesazh nga një njeri që ka bërë 22 vjet burg gjatë regjimit komunist.
Është po ResPublica - gati e vetmja që e mban entuziazmin e këtij "momenti historik" nën frena - ajo që përqëndron vështrimin diku tjetër:
"Të bën përshtypje dhe fakti që Rama ka vendosur ta bëjë publike, e ta përdorë për qëllime politike, një sms që i ka ardhur në rrugë private. Rama nuk ka si ta dijë se Doda nuk shqetësohet prej publikimit të këtij mesazhi (nëse nuk i ka marrë leje, kuptohet). Është dhunim i privacy-së." (ResPublica.al, 27.03.2012)
Pa perënduar dielli, TV Klan kërkon, gjen dhe interviston Dodë Mirin, i cili pohon për publikun e këtij televizioni se nuk është ai shkruesi i sms-së, ai nuk di as të përdorë telefonin. Përgënjeshtrimin e tij ai e mbyll këtë herë me pohimin, se ai nuk mund të jetë ne krahun e persekutorëve; ai është me Partinë Demokratike.
Gazeta Metropol e komenton kështu përgënjeshtrimin e Dodë Mirit (dhe njësoj e komenton edhe TV Klan në faqen e lajmeve të shkruara):
"Pas emrit të lakuar nga Rama për një SMS në adresë të tij ka reaguar Dodë Miri nga fshati Gorre i Kurbinit, i persekutuar nga regjimi komunist, të cilit kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i referohej së e mbështeste duke lexuar dhe një mesazh telefonik të mbërritur në numrin e tij. Pas kësaj deklarate Miri është ndier i trazuar sërish. Në një moshë 80-vjeçare, ai deklaron se nuk di të shkruajë e të lexojë mesazhe dhe se nuk ka dijeni se si emri i tij ka përfunduar te goja e Ramës. Miri, një burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar, është ndier i shokuar me lajmin e bërë publik nga Korça, pasi nuk pranoi t’u bashkohet persekutorëve, që i vranë 11 persona dhe i burgosën dhe internuan dhjetëra të tjerë. Në këtë mënyrë, teksa sqaroi për disa herë radhazi faktin se jo vetëm që nuk di të shkruaj e të lexojë mesazhe në telefon, Miri nuk fshehte çudinë e tij se si ndodhi e gjithë kjo situatë." (Metropol, 27.03.2012)
Përgënjeshtrimit të TV Klan, z. Rama i përgjigjet me dy mesazhe të njëpasnjëshëm në Twiter:
”Ja si shpifin mediat e pushtetit pasi bejne presion mbi njerezit!Mesazhi i Dod Mirit per mua ne cel: "
"Eshte e qarte se i eshte bere presion per te mohuar komunikimin me mua e per ta kthyer mish per top: ("
Dhe, për të provuar se nuk është ai qe gënjen, boton një foto të sms-së së mbërritur në telefonin e tij prej "Dodë Mirit".
ResPublica e komenton këtë përgënjeshtrim poashtu në linjën e z. Rama, pa e fshehur një lloj ndjenje triumfi:
"Disa komentues e përqeshnin këtë ‘ndjeshmëri’ tonën. Por e vërteta është se shënimi ynë ishte më shumë se sa një ndjeshmëri për privacy-në e individit. Jemi në Shqipëri, ku njerëzit ta japin mbështetjen dhe solidaritetin në rrugë private, ngaqë po ta bëjnë faqe botës ndjellin belara e presione mbi veten. Pikërisht kjo frikë e ka bërë autorin e asaj sms-je ta përgënjeshtrojë fët e fët ngjarjen. “Nuk kam bërë ndonjë mesazh për kreun e PS-së; numri është i imi, por nuk di kush e ka bërë atë sms”, ka thënë ai për të përditshmen shqiptarja.com. Dhe në fund bën një deklaratë të fortë luajaliteti politik: “Unë jam me Partinë Demokratike”. (ResPublica.al, 28.03.2012)
Kush është Dodë Miri, i "persekutuari politik" që ka bërë 22 vjet burg; "ky burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar që nuk mund të bëhet pale me persekutuesit e tij"; ky njeri të cilit "mediat e pushtetit dhe mediat pranë tij i kanë bërë presion"; "personi që nga frika se publikimi faqe botës i sms-it privat mund t'i ndjelli belara dhe presione  e përgënjeshtroi fët e fët ngjarjen"?
Qartësisht, Z. Rama nuk e dinte kur u nxitua dhe e botoi sms-in. Nuk është e qartë nëse gazetarët e ResPublikës e dinin apo jo, apo nëse e mësuan pak përpara se të shkruanin për belarat dhe presionin që sjell mbi Dodë Mirin një sms i tillë. Tv Klan dhe mediat e shkruara pranë saj, si media pranë pushtetit, mbase e dinin. Ata që e kanë ditur dhe e dinë janë të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të komunizmit: Dodë Miri ka qenë një nga spiunët e mirënjohur, i përdorur rëndom edhe si dëshmimtar i rremë në proceset e inskenuara gjyqësore. Tek Peshku pa Uje ky informacion është bërë i ditur që në qershor të 2008, nëpërmjet tregimit të Fatos Lubonjës "Nuriu". Një përshkrim më të plotë të Dodë Mirit Lubonja e bën në romanin "Ridënimi", dedikuar Fadil Kokomanit dhe Vangjel Nezhos, ku Doda është njëri nga dëshmitarët e rremë, mbi dëshmitë e të cilëve F. Kokomani dhe V. Lezho u dënuan me vdekje. Më poshtë një fragment i shkurtër nga libri (faqe 196):
"Datëlindja 1935, dënuar për agjitacion dhe vjedhje"
Doda ishte më simpatiku nga të gjithë spiunët e kampit. Qe një trupmadh tepër i pashëm dhe shumë i dashur e komunikues me të gjithë. Këtë ia jepte një dozë sinqeriteti që nuk e përmbante dot. Kur kthehej nga gjyqet ai e thoshte hapur se kishte dalë dëshmimtar i rremë, por shtonte, si duke qeshur, se ai nuk ishte tjeter vecse një figurant që përdorej për të mbuluar spiunët vërtet të rrrezikshëm, ata të fshehtit, që kampi i mbante për burra të mirë. Ishte dënuar 20 vite dhe kishte vite që e kryente këtë rol. Edhe për të thuhej se kishte qenë agjent qysh në jetën e lirë, sepse, duke qenë familja e tij nga familjet më të persekutuara, nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të mbijetuar. Qahej vazhdimisht që ky rol figuranti ishte zanati që i kishte rënë për hise në jetë, por nuk ishte e thjeshtë kështu. Kjo "qarje" ishte pjesë e dinakërisë së tij. Ai e kryente me dëshirë këtë zanat, madje dhe e kërkonte, sepse kjo i jepte të drejtë të pretendonte copën e shpërblimit, punën si depoxhi në depon e ushqimeve, për të cilën vdiste.
Të burgosurit politikë, dikur votues të sigurtë të PD-së, po i kthejnë asaj të zhgënjyer krahët. Ndoshta ka qenë kjo situatë që e ka bërë z. Rama të entuziazmohet nga mundësia e lindjes  së shpresës për vota aty ku nuk pritej, aq sa të harrojë të informohet (qoftë edhe për t'u siguruar që sms-ja nuk është e trilluar). Dodë Miri përfaqëson një nga rastet sa të komplikuara aq edhe të shpeshtë në realitetin e trishtuar e tragjik të burgjeve e kampeve në Shqipërinë komuniste, ku mbylleshin kundërshtarët reale e virtuale të regjimit. A është Dodë Miri një i persekutuar politik? A mund ta mbajë këtë status dikush që mbijetesën e tij e siguroi duke spiunuar e dëshmuar bashkëvuajtësit e tij?
A mund të ndërtohet çështja e shpërblimit të burgosurve dhe të persekutuarve politikë mbi rastin e Dodë Mirit, të cilin, ironikisht, të dyja palët e trajtojnë si të burgosur politik, duke ja fshehur me qëllim ose nga padija të kaluarën?
Po ata, ata që Dodë Miri i ka spiunuar, u ka dalë dëshmitarë nëpër gjyqet e inskenuara, çfarë mendojnë e çfarë ndjejnë?

27.3.12

Librashitësit e kryeqytetit

Blerja e një libri mund të qëllojë një ndërmarrje shumë frustruese. Unë, psh, më duhet gati të luftoj me librashitësin tim të preferuar për të blerë librat që dua. Midis meje dhe tij zhvillohet prej vitesh gati i njëjti dialog:
Mos e ble atë, nuk është gjë, harxhon paratë dhe kohën kot.
Po kishte një kritikë të mirë në shtyp, - ja kthej unë.
Mbledh buzet, më ngul vështrimin "po, mirë, ti kaq naive je që u beson kritikave në shtyp?" dhe pastaj u drejtohet rafteve të mbushura dëng, aq sa librat kanë filluar të shtrembërohen nga pesha e njëri-tjetrit dhe, kur kthehet, më zgjat nja katër-pesë libra.
Lexo këta, më thotë, se janë të mirë.
Librashitësi im i njeh të gjithë titujt dhe përmbajtjet e librave që shet në dyqanin e tij, dhe mendon se klienti i tij duhet të përzgjedhë midis mijërave të titujve vetëm librat e mirë, "që janë me pikatore!".
Një tjetër lloj frustrimi nga i imi ka përjetuar Mark Marku, i cili shkon në një nga libraritë e shumta të Tiranës dhe kërkon të blejë "Historia e bukurisë", të Umberto Ekos. Marku vërtet di titullin e librit që kërkon të blejë dhe emrin e autorit, por ai nuk di ngjyrën e librit, gjë që con në një tensionim të shpejtë të situatës dhe "akuza" të ndërsjellta:
Zonjë, kërkoj librin Historia e bukurisë, të Umberto Ekos. A mund të ma gjeni?
-Librin Historia e dashurisë thatë?  Nuk kemi ndonjë libër të tillë.
-Një libër të tillë mund të mos e keni, por unë nuk po kërkoj Historinë e bukurisë, madje as Historinë e marrëzisë të Michel Foucault-së që ju me siguri duhet ta keni, po kërkoj Historinë e bukurisë…
-Dale, dale mos u nxeh dhe mos më fyej, tek e fundit nuk ka ndonjë dallim të madh.
-Së pari, unë nuk po nxehem. Së dyti, dallimi është shumë i vogël, megjithatë shumë i rëndësishëm: janë dy tituj të ndryshëm, së treti pse po ju fyej?
- Po ja me atë Historinë e marrëzisë. Nëse aludon për mua se jam e marrë, e ke gabim, ke gjetur personin e gabuar.
- Libri Historia e marrëzisë ekziston me të vërtetë zonjë, autori i tij është një filozof modern francez dhe nuk kam pse të mendoj se jeni e marrë. Tek e fundit ka vetëm pak minuta që ju njoh.
-Ok, si e kishte emrin autori: Coelho?
-Jo zonjë, Umberto Eko, nuk të thotë gjë ky emër?
-Sa emra dëgjoj unë në ditë…Ti e ke kollaj, merr një libër dhe ikën.
-Ke të drejtë, s’më kishte shkuar në mend një gjë e tillë. E keni, apo nuk e keni?
- Dale, dale të shoh një herë. Çfarë ngjyre kishte ky Eko?
-Ngaqë është italian, i bardhë duhet të jetë, megjithatë ka aq shumë qime në fytyrë, sa nuk jam i sigurt për pigmentin e lëkurës.
-Të lutem zotëri mos u tallni. Nuk po pyes për ngjyrën e Etos, Ekos apo si e ka emrin ky burri që ka shkruar atë librin që kërkoni ju, po ju pyes për ngjyrën e librit.
-Po nuk ia mbaj mend ngjyrën moj zonjë. Nuk i mbaj mend librat nga ngjyra.
-Po kujtohu njëherë…
-Nuk më kujtohet, faleminderit, po iki.
-T’ju ofroj një libër tjetër. Kemi plot libra të tjerë më të bukur dhe më të lirë se ky libri i Ekos, mirë e shqiptova emrin?
-Shumë mirë e shqiptove. Të lumtë. Por ata librat e tjerë më të mirë dhe më të lirë nuk i dua. Faleminderit.
Librashitësit janë të cuditshëm, - them unë buzagaz, sa herë dal nga libraria ime e preferuar. Librashitësit tanë janë vërtet të çuditshëm, - thotë me habi edhe Marku, pasi ka vërejtur habinë e librashitëses, teksa konstaton se ky librablerësi, Marku, o do të blejë Historinë e Bukurisë së EKos, o s'ka (dhe nuk i di as ngjyrën!). Dhe kushedi sa do habitet shitësja e tij kur të lexojë (nëse) tek gazeta Mapo, që me siguri e shet në librarinë e saj, atë që Mark Marku mendon për këtë lloj librashitësish:
... zonja në fjalë nuk kishte asnjë lidhje me librin. Fare mirë ajo mund të ishte shitëse frutash, sallami, peshku, buke apo sporteliste në një supermarket. Kjo tashmë është një marrëdhënie që përsëritet shpesh në libraritë tona. Librashitësit tanë nuk lexojnë. Ata shesin. Në këtë pikë ndryshojnë nga shitëset e tjera vetëm në një pikë: shitësi i frutave e njeh sadopak shijen e frutave që shet, ai i sallamit e njeh njëfarësoj shijen e sallamit e kështu me radhë, kurse shitësi i librave ndodh shumë rrallë ta ketë një shije të mallit që shet, pasi nuk e provon kurrë.
Cfarë mendon librashitësi im për këtë rast? Eshtë koha për t'i bërë një vizitë.

26.3.12

Sygjerim



Pasi pashë këtë fragment lajmesh më erdhi krejt natyrshëm sygjerimi i mëposhtëm:
Edi Rama duhet ta shpallë veten homoseksual. Kështu Berisha do të ketë më shumë mirëkuptim për Ramën dhe do të luftojë për të drejtat e tij.


Aleanca Kuq e Zi parti turke?

Në numrin e kësaj jave, revista Mapo ka botuar në kapakun e saj një titull sensacional: Projekti neo-otoman, Aleanca Kuq e Zi, një parti turke. Artikullin që pason titullin, autori Alfred Lela, e hap me pyetjet intriguese:
Pse u shoqërua me mister vizita në Washington e Kreshnik Spahiut dhe kush e mundësoi atë? Kush është ndërmjetësi mes Kreshnik Spahiut dhe interesave turke në Shqipëri? A janë të interesuar amerikanët për një rimëkëmbje të Perandorisë së dikurshme Osmane? A ka ardhur koha që pas infrastrukturës së biznesit, arsimit dhe ideve turke, Ankaraja të përfaqësohet edhe politikisht në Shqipëri? Neo-otomanizmi, një doktrinë apo një shpikje?<--break->
Pyetje, përgjigja ndaj të cilave më shumë se sa me fakte, mbushet me fantazitë apo me paranojën e artikullshkruesit. Sipas Alfred Lelës, fakti që një turk ka ndërmjetësuar në ftesën e Spahiut për në Amerike, një udhëtim i paguar po prej turqve (i pa dokumentuar gjithësesi) dhe një aktivitet i dendur gjatë 2011 i qendrës turke "Prizmi" (një fondacion kulturor që kontribuon në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor), ku kanë marrë pjesë shumë anëtarë të elitës kulturore dhe politike të Tiranës, janë provat se Aleanca Kuq e Zi është parti turke. Në të njëjtën mënyrë, Lela, pasi "vërteton" se Aleanca është një parti turke, "zbulon" edhe një trekëndësh aleancash, atë të: Spahiu - Tokçelik/Gylen - Amerika. Me fjalët e Lelës:
Trekëndëshi është, së pari, një bashkim interesash politiko-socialo-financiarë. Gylen është një teoricien i mundësisë për dialog e paqtim mes feve e kulturave dhe një nismë e tillë ka, sigurisht, valencë dhe mbështetje globale. Në rastin e Shqipërisë ky trekëndësh lëviz brenda një gjeometrie tjetër. Është tashmë një doktrinë politike e pranuar edhe nga ministri i Jashtëm turk, njëherësh teoricien i saj, ideja për rikthimin e ndikimit turk në Ballkan, në zonat dikur të pushtuara nga otomanët. Shtrirja e një rrjeti të fuqishëm biznesesh turke në Shqipëri, shoqëruar edhe me institucione arsimore, si kolegje, medrese e universitete ka kaluar tani, me sa duket, në një fazë dhe ekzigjencë të re e më kërkuese: përfaqësimi politik. Nëse interesat greke në Shqipëri, tradicionalisht, janë parë si të përfaqësuara nga Partia Socialiste, ato turke janë identifikuar me Partinë Demokratike. Me sa duket, diçka ka lëvizur në zemberekun e këtij raporti dhe bartësit e doktrinës neo-otomane duan ta shohin ndikimin e tyre përtej një raporti Berisha-Erdogan.
Provat për të vërtetuar ekzistencën e trekëndëshit Lela i gjen tek fakti që:
Turqia është një vend që kërkon ekspansion ose rikthim te sfera e dikurshme e influencës, ku pjesë të Ballkanit dhe bota arabe ishin nën zotërimin e saj. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e refuzimit të vazhdueshëm europian ndaj kërkesës së Turqisë për t’u bërë anëtare e Bashkmit Europian. Për një rastësi apo fat gjeopolitik, Turqia, një aleat i vjetër i amerikanëve, ka edhe mbështetjen e Washington-it. Amerikës i shkon për shtat një sferë influence turke brenda së cilës rrinë Shqipëria, Kosova e Bosnja, kjo sepse Washington-i do ta përdorë si pasqyrë të ‘botës së mirë muslimane’. Kjo do t’i përgjigjej më së miri dilemës ngacmuese e kundërthënëse ‘a janë kompatibël Islami dhe Demokracia?’ Po, janë! - do të ishte përgjigjja dhe Turqia me satelitët e saj e dëshmojnë këtë. Pax Americana mund të gjejë një përgjigje, të paktën të pjesshme, te ky realitet i cili mundësohet edhe përmes neo-otomanizmit. Amerika dhe Perëndimi janë duke u marrë ende me fuçinë e barutit që shpërtheu pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. David Fromkin, një historian amerikan, ka shkruar një libër voluminoz me këtë temë dhe ndoshta titulli e përkufizon më mirë paktin ose paqen e britanikëve me otomanët, që çoi në shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe krijimin e një harte të re e të trazuar në Lindjen e Mesme: Paqja që i dha fund të gjitha paqeve.  
Artikulli i Lelës shoqërohet edhe me intervistat e Agron Gjekmarkaj (Prof. i kulturave në UET, opinionet raciste të të cilit ngjallin kuriozitet mbi temat dhe argumentat mbi kulturat qe ky profesor ligjëron në auditoret e universitetit), Piro Misha (të cilit rezultatet e studimeve bashkëkohore mbi Perandorine Osmane dhe trashëgiminë e saj i kalojnë majtas dhe djathtas si era); Enis Sulstarova dhe Eda Derhemi, të cilët përpiqen të dekonstruojnë jo vetëm mitin e neo-otomanizmit por edhe pyetjet tendencioze të intervistuesit.
Cila është arsyeja që një pacavure e tillë, që nuk plotëson as edhe një kriter gazetaresk; një artikull që në rastin më të mirë mund ta kategorizosh si një teori konspirative, dhe në rastin më të keq një muhabet klubi shoqëruar me avuj rakie, zë faqen e parë të një reviste që pretendon të rehabilitojë median profesioniste (të paktën kjo është retorika)? Kemi të bëjmë këtu me një përpjekje për të denigruar lëvizjen Aleanca Kuq e Zi duke përdorur gogolin e Turqisë (asaj osmane dhe kesaj neo-otomane)? Kemi të bëjmë këtu me interesa të tjera? Psh, ekonomike? Eshtë fakt që turqit kanë investuar shumë në arsim në Shqipëri dhe shkollat turke ngelen edhe sot e kësaj dite pika terheqëse për fëmijët e pasanikëve, elitave kulturore e politike shqiptare. Mos kemi të bëjmë këtu me biznesmenë të arsimit që kërkojnë, nëpërmjet gogolit Turk, të prishin reputacionin e investimeve turke në arsim? Apo kemi të bëjmë thjesht me një tjetër gazetar të painformuar, jo profesionist e plot paragjykime që kërkon të ngrejë karrierën e tij mbi një variacion të njohur e të dashur?