5.3.08

Emra dhe rruge


20. Marta dhe Luiza


Marta dhe Luiza jane dy gra rreth te 80ve. Jetojne ne nje fshat te rrethinave te Vlores fshehur mbrapa kodrave; nje nga ato fshatrat ku ha pula strall dhe ku te duhet nje kale per ta arritur. Apo nje gomar. Ose, nje makine e forte qe e perballon strallin dhe gropat pa fund. Marta dhe Luiza jetojne ne nje shtepi-kaba guri, dy kateshe. Pa njeri. Femijet ju kane ikur jashte shtetit. Kane ndertuar jeten atje. Kane futur gra neper shtepite e tyre. Kane bere femije qe gjallerojne shtepine e madhe dhe te heshtur te fshatit te Vlores ne vere; kur vijne me pushime.

Kjo eshte shtepia ku hyne nuse, ketu e gjashtedhjete vjet me pare; ne fillim Luiza dhe pak me vone Marta. Burrat e tyre: vellezer. Asnjera prej te dyjave nuk lindi femije dhe burrat ju vdiqen te rinj; ne fillim ai i Martes dhe pastaj ai i Luizes. Thone, se fati i keq i dy vellezerve u vendos nje dite prilli. Dite, kur ata ktheheshin nga nje rruge e gjate. I kishte kapur nje stuhi e marre gerxheve te thata me shkurre te ashpra. Kishin filluar vetetimat, rrufete. Dy vellezerit kishin gjetur nje guve te panjohur per te futur koken. Rrefenjat thone, se ajo dite i beri te dy vellezerit sterile e ju shkurtoi jeten. Se cfare ka ndodhur ate dite ne ate guve nuk e di kush. Cilido qofte sekreti, ai prehet se bashku me te dy vellezerit ne varret e tyre prane e prane, poshte nje rrapi te vjeter sa vete fshati.

Marta adoptoi nje djale nga shtepia e femijes. Luiza adoptoi vajzen e motres. I rriten femijet me njera-tjetren e me nje mije kusure. Dikur femijet u rriten, e si gjithe dynjaja; moren rruget fillimisht drejt qytetit e me pas drejt anes tjeter te detit. Marta dhe Luiza vazhduan te jetonin ne shtepine-kaba, ne fshatin ku kishin ngelur prinder pa femije. Jeten e veshtire ishin mesuar ta perballonin, edhe pse nuk ishin me te reja. Edhe shtepia nuk po e perballonte me moshen: filluan t'i binin tjegulla e mure. U zhvendosen ne katin e pare, aty, ne dhomat ku ndriconte here dielli e here drita elektrike. Ashtu, me njera-tjetren, vazhdonin te jetonin rutinen e perditshme: milnin lopen, pastronin shtepine, punonin bacen, mbushnin uje tek burimi i fshatit, prishnin tek dyqani i vogel i fshatit pensionet e tyre, takonin bashkefshataret e ndanin me ta pershendetjet e hallet e rastit.

Dikur femijet u bene me femije e u kujtuan per shtepine leneshe te fshatit. Ribene katin e dyte dhe catine. I dhane nje dore katit te pare. E lidhen shtepine me nje rruge pa balte me rrugen e vetme te fshatit. Ujin e cuan tek dera e shtepise. Pastaj, sollen grate e tyre me femijet dhe i dhane shtepise perseri jete. Kur iken per ne vendet e tyre te reja, moren edhe Marten dhe Luizen me vete. Nuk ishin ndare ndonjehere. Filluan te komunikonin me telefon, e kur telefoni nuk mjaftonte; shkruanin letra, ashtu me shkrim kembepule qe i bente te skuqeshin por edhe te qeshnin.

U be nje mot qe nuk ishin pare. Moti i dyte ishte duke mbaruar. I kishin te gjitha c'kishin deshiruar te kishin, e prape nuk ndiheshin si ne shtepine e tyre. E para shkroi Marta, - Me ka marre malli per fshatin, per shtepine e per kohen kur ishim zonja ne shtepine tone. Luiza e mori ne telefon e i tha, se nuk pushonte se enderruari per ato kohera. Dhe, vendosen.

U kthyen ne shtepine-kaba, te rinovuar e moderne; me cezmen ke dera, me rrugen pa balte. Zonja ne shtepine e tyre. Kur kane kohe, ulen tek pragu i shtepise; rrufitin nga nje kafe turke dhe hedhin veshtrimin tek rrapi i vjeter sa fshati, poshte te cilit prehen burrat e tyre vellezer. Qe i presin.

21. Brunilda

Ishte 15 vjec kur u dashurua me te. Ai, i biri i nje te arratisuri. Familja e saj, pjese e nomeklatures, ishte kunder. Ajo nuk e degjoi dhe iku. Familja e saj e mohoi dhe ruajti statusin ne nomeklature. Mamaja e tij u be edhe e saja.

Linden dy femije; nje vajze dhe nje djale dhe ishin te lumtur. Femijet ishin akoma te vegjel kur ai vendosi te shkonte tek i jati. E kapen teksa po perpiqej te kalonte kufirin verior. Ajo e mori vesh lajmin te nesermen. U ul ne divanin ku ishte ulur edhe mamaja e tij, dhe ndenji pa folur me duart te lidhura ne peqi.

Nga internimi e shpetoi ndarja zyrtare prej tij. Mamaja e tij e kuptoi dhe nuk i tha gje. Atij i dhembi me shume se sa burgu. Prinderit e saj e ritakuan por pa e afruar shume; femijet e tij nuk i deshen. Ate, tani qe ishte e ndare, nuk e takonte me dot aq sa do te donte. Ai do te rrinte perjetesisht aty.Si ish-gruaja e nje te denuari i dhane nje pune me te mire. Femijet po rriteshin. Plaget po mbylleshin.

Dhe atehere ndodhi kthesa. Kohet ndryshuan. Ai doli nga burgu nje dite dimri dhe trokiti ne dere. Deren ja hapi e ema. Ajo e ndjeu por nuk mundi te levizte. Ndenji dhe e priti tek dera e dhomes se saj. Duke u dridhur.

Nuk ishin me te njejtet. Midis tyre kishte dhimbje dhe shume mosbesim. U perpoqen te rinjiheshin. Nuk funksionoi. Ai iku, ne nje drejtim te panjohur. Askush nuk e di ku. Ajo e kerkoi, e kerkoi. Por me kot. Atehere, mblodhi femijet dhe ato pak placka qe kishte; dhe iku edhe ajo ne nje vend me shpresa per femijet e saj.

22. Ida

Statusi civil

E martuar me nje zviceran
Pa femije

Edukimi dhe puna

1994-1999 Gjimnazi
1999-2004 Studime ne Biologji, Universiteti i vendit ish-komunist
2004-2007 Artiste ne Zürich

Kjo eshte, e shkurtuar, biografia profesionale e Ides. Biografia qe shoqeron letren ne te cilen ajo kerkon vendin bosh te laborantes ne nje laborator shkencor te Universitetit te Zürich-ut. Profesori i hedh nje sy, kupton qe Ida nuk ka eksperience dhe ja delegon pergjigjen negative sekretares se tij. Sekretarja ulet para kompjuterit, hap programin me te cilin do shkruaj pergjigjen negative dhe; si gjithmone, i hedh nje sy biografise. Ngre vetullat e syve skeptike lart, dhe pyet veten me cudi: biologe ne nje vend ish-komunist, artiste ne Zvicer?

Shkon ne Google, fut emrin e Ides ne kerkim dhe e gjen. Ne nje klub striptize ne qender te qytetit. E sheh vajzen e re dhe te bukur gjysem lakuriq ne fotografine e reklames, revoltohet; ngrihet me nxitim, shkon tek profesori dhe ja rrefen te tera. Ky, pasi meson dhe sheh te vertetat; ja rrefen ato gjate kohes se drekes punonjesve dhe studenteve te tij. Pasi mbarojne dreken, shkojne te gjithe tek google dhe shijojne; mes te qeshurave dhe batutave, fotgrafine e Ides-biologe-artiste kercimtare striperi; qe ndoshta mund te ishte bere laborante dhe bashkepunetore e tyre.

Ida vazhdon te kerkoje pune.

23. Rruge

Idastrasse (Rruga Ida)
Brunildastrasse (Rruga Brunilda)
Martastrasse (Rruga Marta)
Luizastrasse (Rruga Luiza)