30.3.12

Shaka cinike paraelektorale

"Do t'ju lexoj një mesazh që më erdhi rrugës", - tha Rama, kreu i PS-së në një takimin me simpatizantë të Partisë Socialiste, - "Dodë Miri, nga Gurzi i Lacit,  më ka shkruar këtë sms :
"Zoti Rama, ju falenderoj perzemersisht per kontributin qe po jepni per te burgosurit politike dhe per pronaret, dhe qe jeni bere shkak per perfshirjen e moshes 75 vjec per perfitimin e parave, se une qe po te shkruaj, kam bere 22 vjet burg politik dhe kam 11 te pushkatuar nga regjimi i Enver Hoxhes dhe deri sot nuk kam marre asgje. Do te mbeshtes Partine Socialiste, politikisht dhe me respekt Dode Miri, familjarisht".
Lajmi u përhap rrufeshëm në median e shkruar dhe atë virtuale, sepse siç evidenton blogu ResPublica:
" ... duhet të jetë hera e parë – kjo bën më së shumti përshtypje – që në inbox-in e celularit të kryetarit të PSSH-së (ish Partia e Punës) vjen një mesazh nga një njeri që ka bërë 22 vjet burg gjatë regjimit komunist.
Është po ResPublica - gati e vetmja që e mban entuziazmin e këtij "momenti historik" nën frena - ajo që përqëndron vështrimin diku tjetër:
"Të bën përshtypje dhe fakti që Rama ka vendosur ta bëjë publike, e ta përdorë për qëllime politike, një sms që i ka ardhur në rrugë private. Rama nuk ka si ta dijë se Doda nuk shqetësohet prej publikimit të këtij mesazhi (nëse nuk i ka marrë leje, kuptohet). Është dhunim i privacy-së." (ResPublica.al, 27.03.2012)
Pa perënduar dielli, TV Klan kërkon, gjen dhe interviston Dodë Mirin, i cili pohon për publikun e këtij televizioni se nuk është ai shkruesi i sms-së, ai nuk di as të përdorë telefonin. Përgënjeshtrimin e tij ai e mbyll këtë herë me pohimin, se ai nuk mund të jetë ne krahun e persekutorëve; ai është me Partinë Demokratike.
Gazeta Metropol e komenton kështu përgënjeshtrimin e Dodë Mirit (dhe njësoj e komenton edhe TV Klan në faqen e lajmeve të shkruara):
"Pas emrit të lakuar nga Rama për një SMS në adresë të tij ka reaguar Dodë Miri nga fshati Gorre i Kurbinit, i persekutuar nga regjimi komunist, të cilit kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i referohej së e mbështeste duke lexuar dhe një mesazh telefonik të mbërritur në numrin e tij. Pas kësaj deklarate Miri është ndier i trazuar sërish. Në një moshë 80-vjeçare, ai deklaron se nuk di të shkruajë e të lexojë mesazhe dhe se nuk ka dijeni se si emri i tij ka përfunduar te goja e Ramës. Miri, një burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar, është ndier i shokuar me lajmin e bërë publik nga Korça, pasi nuk pranoi t’u bashkohet persekutorëve, që i vranë 11 persona dhe i burgosën dhe internuan dhjetëra të tjerë. Në këtë mënyrë, teksa sqaroi për disa herë radhazi faktin se jo vetëm që nuk di të shkruaj e të lexojë mesazhe në telefon, Miri nuk fshehte çudinë e tij se si ndodhi e gjithë kjo situatë." (Metropol, 27.03.2012)
Përgënjeshtrimit të TV Klan, z. Rama i përgjigjet me dy mesazhe të njëpasnjëshëm në Twiter:
”Ja si shpifin mediat e pushtetit pasi bejne presion mbi njerezit!Mesazhi i Dod Mirit per mua ne cel: "
"Eshte e qarte se i eshte bere presion per te mohuar komunikimin me mua e per ta kthyer mish per top: ("
Dhe, për të provuar se nuk është ai qe gënjen, boton një foto të sms-së së mbërritur në telefonin e tij prej "Dodë Mirit".
ResPublica e komenton këtë përgënjeshtrim poashtu në linjën e z. Rama, pa e fshehur një lloj ndjenje triumfi:
"Disa komentues e përqeshnin këtë ‘ndjeshmëri’ tonën. Por e vërteta është se shënimi ynë ishte më shumë se sa një ndjeshmëri për privacy-në e individit. Jemi në Shqipëri, ku njerëzit ta japin mbështetjen dhe solidaritetin në rrugë private, ngaqë po ta bëjnë faqe botës ndjellin belara e presione mbi veten. Pikërisht kjo frikë e ka bërë autorin e asaj sms-je ta përgënjeshtrojë fët e fët ngjarjen. “Nuk kam bërë ndonjë mesazh për kreun e PS-së; numri është i imi, por nuk di kush e ka bërë atë sms”, ka thënë ai për të përditshmen shqiptarja.com. Dhe në fund bën një deklaratë të fortë luajaliteti politik: “Unë jam me Partinë Demokratike”. (ResPublica.al, 28.03.2012)
Kush është Dodë Miri, i "persekutuari politik" që ka bërë 22 vjet burg; "ky burrë i matur dhe me një qetësi të admiruar që nuk mund të bëhet pale me persekutuesit e tij"; ky njeri të cilit "mediat e pushtetit dhe mediat pranë tij i kanë bërë presion"; "personi që nga frika se publikimi faqe botës i sms-it privat mund t'i ndjelli belara dhe presione  e përgënjeshtroi fët e fët ngjarjen"?
Qartësisht, Z. Rama nuk e dinte kur u nxitua dhe e botoi sms-in. Nuk është e qartë nëse gazetarët e ResPublikës e dinin apo jo, apo nëse e mësuan pak përpara se të shkruanin për belarat dhe presionin që sjell mbi Dodë Mirin një sms i tillë. Tv Klan dhe mediat e shkruara pranë saj, si media pranë pushtetit, mbase e dinin. Ata që e kanë ditur dhe e dinë janë të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të komunizmit: Dodë Miri ka qenë një nga spiunët e mirënjohur, i përdorur rëndom edhe si dëshmimtar i rremë në proceset e inskenuara gjyqësore. Tek Peshku pa Uje ky informacion është bërë i ditur që në qershor të 2008, nëpërmjet tregimit të Fatos Lubonjës "Nuriu". Një përshkrim më të plotë të Dodë Mirit Lubonja e bën në romanin "Ridënimi", dedikuar Fadil Kokomanit dhe Vangjel Nezhos, ku Doda është njëri nga dëshmitarët e rremë, mbi dëshmitë e të cilëve F. Kokomani dhe V. Lezho u dënuan me vdekje. Më poshtë një fragment i shkurtër nga libri (faqe 196):
"Datëlindja 1935, dënuar për agjitacion dhe vjedhje"
Doda ishte më simpatiku nga të gjithë spiunët e kampit. Qe një trupmadh tepër i pashëm dhe shumë i dashur e komunikues me të gjithë. Këtë ia jepte një dozë sinqeriteti që nuk e përmbante dot. Kur kthehej nga gjyqet ai e thoshte hapur se kishte dalë dëshmimtar i rremë, por shtonte, si duke qeshur, se ai nuk ishte tjeter vecse një figurant që përdorej për të mbuluar spiunët vërtet të rrrezikshëm, ata të fshehtit, që kampi i mbante për burra të mirë. Ishte dënuar 20 vite dhe kishte vite që e kryente këtë rol. Edhe për të thuhej se kishte qenë agjent qysh në jetën e lirë, sepse, duke qenë familja e tij nga familjet më të persekutuara, nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të mbijetuar. Qahej vazhdimisht që ky rol figuranti ishte zanati që i kishte rënë për hise në jetë, por nuk ishte e thjeshtë kështu. Kjo "qarje" ishte pjesë e dinakërisë së tij. Ai e kryente me dëshirë këtë zanat, madje dhe e kërkonte, sepse kjo i jepte të drejtë të pretendonte copën e shpërblimit, punën si depoxhi në depon e ushqimeve, për të cilën vdiste.
Të burgosurit politikë, dikur votues të sigurtë të PD-së, po i kthejnë asaj të zhgënjyer krahët. Ndoshta ka qenë kjo situatë që e ka bërë z. Rama të entuziazmohet nga mundësia e lindjes  së shpresës për vota aty ku nuk pritej, aq sa të harrojë të informohet (qoftë edhe për t'u siguruar që sms-ja nuk është e trilluar). Dodë Miri përfaqëson një nga rastet sa të komplikuara aq edhe të shpeshtë në realitetin e trishtuar e tragjik të burgjeve e kampeve në Shqipërinë komuniste, ku mbylleshin kundërshtarët reale e virtuale të regjimit. A është Dodë Miri një i persekutuar politik? A mund ta mbajë këtë status dikush që mbijetesën e tij e siguroi duke spiunuar e dëshmuar bashkëvuajtësit e tij?
A mund të ndërtohet çështja e shpërblimit të burgosurve dhe të persekutuarve politikë mbi rastin e Dodë Mirit, të cilin, ironikisht, të dyja palët e trajtojnë si të burgosur politik, duke ja fshehur me qëllim ose nga padija të kaluarën?
Po ata, ata që Dodë Miri i ka spiunuar, u ka dalë dëshmitarë nëpër gjyqet e inskenuara, çfarë mendojnë e çfarë ndjejnë?

27.3.12

Librashitësit e kryeqytetit

Blerja e një libri mund të qëllojë një ndërmarrje shumë frustruese. Unë, psh, më duhet gati të luftoj me librashitësin tim të preferuar për të blerë librat që dua. Midis meje dhe tij zhvillohet prej vitesh gati i njëjti dialog:
Mos e ble atë, nuk është gjë, harxhon paratë dhe kohën kot.
Po kishte një kritikë të mirë në shtyp, - ja kthej unë.
Mbledh buzet, më ngul vështrimin "po, mirë, ti kaq naive je që u beson kritikave në shtyp?" dhe pastaj u drejtohet rafteve të mbushura dëng, aq sa librat kanë filluar të shtrembërohen nga pesha e njëri-tjetrit dhe, kur kthehet, më zgjat nja katër-pesë libra.
Lexo këta, më thotë, se janë të mirë.
Librashitësi im i njeh të gjithë titujt dhe përmbajtjet e librave që shet në dyqanin e tij, dhe mendon se klienti i tij duhet të përzgjedhë midis mijërave të titujve vetëm librat e mirë, "që janë me pikatore!".
Një tjetër lloj frustrimi nga i imi ka përjetuar Mark Marku, i cili shkon në një nga libraritë e shumta të Tiranës dhe kërkon të blejë "Historia e bukurisë", të Umberto Ekos. Marku vërtet di titullin e librit që kërkon të blejë dhe emrin e autorit, por ai nuk di ngjyrën e librit, gjë që con në një tensionim të shpejtë të situatës dhe "akuza" të ndërsjellta:
Zonjë, kërkoj librin Historia e bukurisë, të Umberto Ekos. A mund të ma gjeni?
-Librin Historia e dashurisë thatë?  Nuk kemi ndonjë libër të tillë.
-Një libër të tillë mund të mos e keni, por unë nuk po kërkoj Historinë e bukurisë, madje as Historinë e marrëzisë të Michel Foucault-së që ju me siguri duhet ta keni, po kërkoj Historinë e bukurisë…
-Dale, dale mos u nxeh dhe mos më fyej, tek e fundit nuk ka ndonjë dallim të madh.
-Së pari, unë nuk po nxehem. Së dyti, dallimi është shumë i vogël, megjithatë shumë i rëndësishëm: janë dy tituj të ndryshëm, së treti pse po ju fyej?
- Po ja me atë Historinë e marrëzisë. Nëse aludon për mua se jam e marrë, e ke gabim, ke gjetur personin e gabuar.
- Libri Historia e marrëzisë ekziston me të vërtetë zonjë, autori i tij është një filozof modern francez dhe nuk kam pse të mendoj se jeni e marrë. Tek e fundit ka vetëm pak minuta që ju njoh.
-Ok, si e kishte emrin autori: Coelho?
-Jo zonjë, Umberto Eko, nuk të thotë gjë ky emër?
-Sa emra dëgjoj unë në ditë…Ti e ke kollaj, merr një libër dhe ikën.
-Ke të drejtë, s’më kishte shkuar në mend një gjë e tillë. E keni, apo nuk e keni?
- Dale, dale të shoh një herë. Çfarë ngjyre kishte ky Eko?
-Ngaqë është italian, i bardhë duhet të jetë, megjithatë ka aq shumë qime në fytyrë, sa nuk jam i sigurt për pigmentin e lëkurës.
-Të lutem zotëri mos u tallni. Nuk po pyes për ngjyrën e Etos, Ekos apo si e ka emrin ky burri që ka shkruar atë librin që kërkoni ju, po ju pyes për ngjyrën e librit.
-Po nuk ia mbaj mend ngjyrën moj zonjë. Nuk i mbaj mend librat nga ngjyra.
-Po kujtohu njëherë…
-Nuk më kujtohet, faleminderit, po iki.
-T’ju ofroj një libër tjetër. Kemi plot libra të tjerë më të bukur dhe më të lirë se ky libri i Ekos, mirë e shqiptova emrin?
-Shumë mirë e shqiptove. Të lumtë. Por ata librat e tjerë më të mirë dhe më të lirë nuk i dua. Faleminderit.
Librashitësit janë të cuditshëm, - them unë buzagaz, sa herë dal nga libraria ime e preferuar. Librashitësit tanë janë vërtet të çuditshëm, - thotë me habi edhe Marku, pasi ka vërejtur habinë e librashitëses, teksa konstaton se ky librablerësi, Marku, o do të blejë Historinë e Bukurisë së EKos, o s'ka (dhe nuk i di as ngjyrën!). Dhe kushedi sa do habitet shitësja e tij kur të lexojë (nëse) tek gazeta Mapo, që me siguri e shet në librarinë e saj, atë që Mark Marku mendon për këtë lloj librashitësish:
... zonja në fjalë nuk kishte asnjë lidhje me librin. Fare mirë ajo mund të ishte shitëse frutash, sallami, peshku, buke apo sporteliste në një supermarket. Kjo tashmë është një marrëdhënie që përsëritet shpesh në libraritë tona. Librashitësit tanë nuk lexojnë. Ata shesin. Në këtë pikë ndryshojnë nga shitëset e tjera vetëm në një pikë: shitësi i frutave e njeh sadopak shijen e frutave që shet, ai i sallamit e njeh njëfarësoj shijen e sallamit e kështu me radhë, kurse shitësi i librave ndodh shumë rrallë ta ketë një shije të mallit që shet, pasi nuk e provon kurrë.
Cfarë mendon librashitësi im për këtë rast? Eshtë koha për t'i bërë një vizitë.

26.3.12

Sygjerim



Pasi pashë këtë fragment lajmesh më erdhi krejt natyrshëm sygjerimi i mëposhtëm:
Edi Rama duhet ta shpallë veten homoseksual. Kështu Berisha do të ketë më shumë mirëkuptim për Ramën dhe do të luftojë për të drejtat e tij.


Aleanca Kuq e Zi parti turke?

Në numrin e kësaj jave, revista Mapo ka botuar në kapakun e saj një titull sensacional: Projekti neo-otoman, Aleanca Kuq e Zi, një parti turke. Artikullin që pason titullin, autori Alfred Lela, e hap me pyetjet intriguese:
Pse u shoqërua me mister vizita në Washington e Kreshnik Spahiut dhe kush e mundësoi atë? Kush është ndërmjetësi mes Kreshnik Spahiut dhe interesave turke në Shqipëri? A janë të interesuar amerikanët për një rimëkëmbje të Perandorisë së dikurshme Osmane? A ka ardhur koha që pas infrastrukturës së biznesit, arsimit dhe ideve turke, Ankaraja të përfaqësohet edhe politikisht në Shqipëri? Neo-otomanizmi, një doktrinë apo një shpikje?<--break->
Pyetje, përgjigja ndaj të cilave më shumë se sa me fakte, mbushet me fantazitë apo me paranojën e artikullshkruesit. Sipas Alfred Lelës, fakti që një turk ka ndërmjetësuar në ftesën e Spahiut për në Amerike, një udhëtim i paguar po prej turqve (i pa dokumentuar gjithësesi) dhe një aktivitet i dendur gjatë 2011 i qendrës turke "Prizmi" (një fondacion kulturor që kontribuon në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor), ku kanë marrë pjesë shumë anëtarë të elitës kulturore dhe politike të Tiranës, janë provat se Aleanca Kuq e Zi është parti turke. Në të njëjtën mënyrë, Lela, pasi "vërteton" se Aleanca është një parti turke, "zbulon" edhe një trekëndësh aleancash, atë të: Spahiu - Tokçelik/Gylen - Amerika. Me fjalët e Lelës:
Trekëndëshi është, së pari, një bashkim interesash politiko-socialo-financiarë. Gylen është një teoricien i mundësisë për dialog e paqtim mes feve e kulturave dhe një nismë e tillë ka, sigurisht, valencë dhe mbështetje globale. Në rastin e Shqipërisë ky trekëndësh lëviz brenda një gjeometrie tjetër. Është tashmë një doktrinë politike e pranuar edhe nga ministri i Jashtëm turk, njëherësh teoricien i saj, ideja për rikthimin e ndikimit turk në Ballkan, në zonat dikur të pushtuara nga otomanët. Shtrirja e një rrjeti të fuqishëm biznesesh turke në Shqipëri, shoqëruar edhe me institucione arsimore, si kolegje, medrese e universitete ka kaluar tani, me sa duket, në një fazë dhe ekzigjencë të re e më kërkuese: përfaqësimi politik. Nëse interesat greke në Shqipëri, tradicionalisht, janë parë si të përfaqësuara nga Partia Socialiste, ato turke janë identifikuar me Partinë Demokratike. Me sa duket, diçka ka lëvizur në zemberekun e këtij raporti dhe bartësit e doktrinës neo-otomane duan ta shohin ndikimin e tyre përtej një raporti Berisha-Erdogan.
Provat për të vërtetuar ekzistencën e trekëndëshit Lela i gjen tek fakti që:
Turqia është një vend që kërkon ekspansion ose rikthim te sfera e dikurshme e influencës, ku pjesë të Ballkanit dhe bota arabe ishin nën zotërimin e saj. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e refuzimit të vazhdueshëm europian ndaj kërkesës së Turqisë për t’u bërë anëtare e Bashkmit Europian. Për një rastësi apo fat gjeopolitik, Turqia, një aleat i vjetër i amerikanëve, ka edhe mbështetjen e Washington-it. Amerikës i shkon për shtat një sferë influence turke brenda së cilës rrinë Shqipëria, Kosova e Bosnja, kjo sepse Washington-i do ta përdorë si pasqyrë të ‘botës së mirë muslimane’. Kjo do t’i përgjigjej më së miri dilemës ngacmuese e kundërthënëse ‘a janë kompatibël Islami dhe Demokracia?’ Po, janë! - do të ishte përgjigjja dhe Turqia me satelitët e saj e dëshmojnë këtë. Pax Americana mund të gjejë një përgjigje, të paktën të pjesshme, te ky realitet i cili mundësohet edhe përmes neo-otomanizmit. Amerika dhe Perëndimi janë duke u marrë ende me fuçinë e barutit që shpërtheu pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. David Fromkin, një historian amerikan, ka shkruar një libër voluminoz me këtë temë dhe ndoshta titulli e përkufizon më mirë paktin ose paqen e britanikëve me otomanët, që çoi në shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe krijimin e një harte të re e të trazuar në Lindjen e Mesme: Paqja që i dha fund të gjitha paqeve.  
Artikulli i Lelës shoqërohet edhe me intervistat e Agron Gjekmarkaj (Prof. i kulturave në UET, opinionet raciste të të cilit ngjallin kuriozitet mbi temat dhe argumentat mbi kulturat qe ky profesor ligjëron në auditoret e universitetit), Piro Misha (të cilit rezultatet e studimeve bashkëkohore mbi Perandorine Osmane dhe trashëgiminë e saj i kalojnë majtas dhe djathtas si era); Enis Sulstarova dhe Eda Derhemi, të cilët përpiqen të dekonstruojnë jo vetëm mitin e neo-otomanizmit por edhe pyetjet tendencioze të intervistuesit.
Cila është arsyeja që një pacavure e tillë, që nuk plotëson as edhe një kriter gazetaresk; një artikull që në rastin më të mirë mund ta kategorizosh si një teori konspirative, dhe në rastin më të keq një muhabet klubi shoqëruar me avuj rakie, zë faqen e parë të një reviste që pretendon të rehabilitojë median profesioniste (të paktën kjo është retorika)? Kemi të bëjmë këtu me një përpjekje për të denigruar lëvizjen Aleanca Kuq e Zi duke përdorur gogolin e Turqisë (asaj osmane dhe kesaj neo-otomane)? Kemi të bëjmë këtu me interesa të tjera? Psh, ekonomike? Eshtë fakt që turqit kanë investuar shumë në arsim në Shqipëri dhe shkollat turke ngelen edhe sot e kësaj dite pika terheqëse për fëmijët e pasanikëve, elitave kulturore e politike shqiptare. Mos kemi të bëjmë këtu me biznesmenë të arsimit që kërkojnë, nëpërmjet gogolit Turk, të prishin reputacionin e investimeve turke në arsim? Apo kemi të bëjmë thjesht me një tjetër gazetar të painformuar, jo profesionist e plot paragjykime që kërkon të ngrejë karrierën e tij mbi një variacion të njohur e të dashur?