6.5.08

Perse u perjashtua Shqiperia nga Fifa (dhe me teper)

"Ylli Pango, i cili mban titullin e Profesorit të Psikologjisë, mohon kategorikisht çdo lloj konflikti midis tij dhe Dukës. Organizata e futbollit ka një statut që bie në kundërshti me ligjet shqiptare. Akoma më keq: ekziston dyshimi se kjo organizatë shet ndeshje, apo ndryshe, bën match-fixing. Mbas humbjes së Shqipërisë një vit më parë në kualifikimin për EM 2:4 kundër Bjellorusisë dhe 6:1 kundër Rumanisë, Berishës, i njohur për ataket e tij kolerike, i humbi durimi. Fajin për këto humbje ai ja ngarkoi Dukës, të cilin e akuzoi për aktivitet mafioz. Akuza ishte e bazuar, nënvizon Pango, prandaj ai ju lut Fifës për të filluar një proces hetimi. Dhe, ja ku u dënua e gjithë Shqipëria me përjashtim. Këtë Pango nuk e kishte menduar. Çarku funksionoi, por për të zënë zuri vetë të zotin."

Ky eshte nje fragment i shkeputur nga artikulli "Shqiperia midis dy komunitete vlerash", botuar ne NZZ (Neue Zürcher Zeitung) te 22 prillit, 2008. Eshte nje fragment mbas te cilit njeriu nuk di, te qeshe apo te qaje. Por, per fat te mire apo te keq, artikulli e trajton kete fragment vetem si nje episod te politikes dhe realitetit shqiptar qe, sipas autorit Martin Woker, vazhdon te vuaje pasojat e mentalitetit te rrenjosur ne komunizem; vuan pasojat e mosditjes te berit kompromis. Artikullin e plote e lexoni me poshte.


Shqiperia midis dy komunitete vlerash

Dyzet vjet nga dalja prej paktit të Varshavës, Shqipëria, dikur vendi më i izoluar, është ftuar për të hyrë në Nato. Në të njëjtën kohë Fifa, e pezullon përkohësisht. Në sport dhe në politikë ka standarte të ndryshme.

nga Martin Woker

Ftesë në NATO - Përjashtim nga Fifa

“Mami, cfarë është një kompromis?” Dorina 11-vjeçare lufton me detyrat e saj të shtëpisë. Më në fund e ëma e ndihmon, dhe të dyja gjejnë së bashku një perkufizim të përshtatshëm. E ëma nuk ja ka treguar së bijës që në moshën e saj, si nxënëse, ajo mësonte të tjera tema. Shqiptarët nuk e njohin kompromisin. Të vegjëlve dhe të mëdhenjve në shtetin socialist, iu thuhej se kompromis do të thoshte të dorëzoheshe përpara armikut dhe rrethimit imperialist-revizionist të atdheut krenar. Në rrugën e unitetit marksist-leninist të projektuar nga Enver Hoxha nuk kishte nevojë për kompromise. I mjeri ai, që nuk e shihte këtë.

Një Shangri-La ateist

Sot gjërat janë ndryshe. Shqipëria është rikthyer në skenën botërore. Dorina, një fëmijë nga një familje e shtresës së mesme në Tiranë, rreshton përmendësh të gjitha kryeqytetet evropiane dhe flet rrjedhshëm në dy gjuhë të huaja. Italishten e ka mësuar nga televizori. Anglishten në shkollë. Me ftesën për të hyrë në Nato, në fillim të prillit, Shqipëria e ka kapërcyer përfundimisht izolimin. Ngjarja u festua në gjithë vendin për ditë të tëra, dhe kudo u fol për një hap historik. Me plotësisht të drejtë. Pas prishjes së Hoxhës fillimisht me Moskën dhe më pas me Pekinin, Shqipëria ishte deri në fillim të viteve nëntëdhjetë më e izoluar se vetë Korea e Veriut. Ftesa e Natos bëhet dyzet vjet pas daljes së Shqipërise nga Pakti i Varshavës, në shtator 1968.

Ndërsa Shqipëria socialiste, bastioni i fundit i vlerave të marksizëm-leninizmit dhe i pari shtet ateist i botës, do të kurorëzohej ndërmjet të majtëve perëndimore si Shangri-La, rinia shqiptare ishte e zenë kryesisht me një pyetje: Ku mund të kapej në sekret stacioni i televizionit italian? Pamjet drithëruese hapnin një botë të panjohur dhe përcillnin vlera të tjera.

Shqiptarët mësojnë shpejt. Shtatëmbëdhjet vjet pas ndryshimit të sistemit, mbas atij “revolucioni” që ishte më tepër një lloj puçi i organizuar, ata kanë mësuar se si të sillen me vlerat perëndimore. Të paktën, në rrethet e Natos e shohin kështu, tek e fundit kjo lloj lidhje mbrojtëse e nënkupton veten edhe si një komunitet vlerash. Për cilat vlera bëhet fjalë? Të paktën Good Governance - Një qeverisje e mirë. Po, pikërisht aty çalon puna. Në mes të marsit, organizata botërore e futbollit, me qendër në Zürichberg, i komunikon organizatës shqiptare të futbollit përjashtimin. Arsyeja: “ndërhyrje të forta të politikës”. Sanksioni ka për pasojë që Shqipëria, deri në një vendim të dytë, nuk mund të marrë pjesë në asnjë ndeshje ndërkombëtare, bile as edhe në ndjeshje miqësore, dhe gjithë lidhjet e tjera me futbollin botëror janë të ndërprera. Përse kjo rënie përsëri në izolim (futbolli)? Nato po, Fifa jo, kjo është e pamundur!

Miku i Joseph Blatter

Ai është një njeri shumë inteligent. Zemërmirë, i mençur, demokratik dhe diktator në një, shkurt: një tip gjenial. Komplimenti i madh i drejtohet presidentit të Fifas Joseph Blatter, i cili ka gjetur tek personi i Armand Dukës një adhurues të zjarrtë. Armand Duka, ashtu si gjithë bashkëkombasit e tij, e gjeti veten mbas ndryshimit të sistemit përpara një hiçi material dhe ju desh ta fillonte nga zero. Sot, ai zotëron një fermë pulash në periferi të Durrësit dhe, siç thuhet rëndom, ka influencë të madhe në këtë rajon. Ai i pret miqtë në një zyrë pompoze shefi. Në kyçin e dorës mban një byzylyk floriri (origjinë zvicerane), me siguri më të madhen të prodhuar ndonjëherë, dhe në këmbë këpucë me majën më të gjatë të prodhuar ndonjëherë (bërë në Ballkan). Nëse ai do të ishte shfaqur si personazh në ndonjë film, regjisorin do ta kishin akuzuar për tendencë karikaturizmi. Por, Duka do që ta marrin seriozisht, tek e fundit ai është presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe rrjedhimisht, njëri nga njerëzit më të pushtetshëm dhe me më influencë në vend. Pikërisht këtu qëndron problemi.

Kundërshtari i tij është Ylli Pango, ministër i Sportit, Turizmit, Rinisë dhe Kulturës në qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit, udhëheq në Shqipëri krahun e demokratëve. Por, Armand Duka, vëllai i të cilit në qeverinë paraprake të udhëhequr nga socialisti Fatos Nano ishte ministër bujqësie, i përket krahut kundërshtar. Socialistët dhe demokratët luftojnë me njëri-tjetrin prej shtatëmbëdhjet vjetësh deri në pikën e fundit të gjakut. Lufta pambarim midis dy partive të mëdha mban peng zhvillimin e drejtësisë. Kjo armiqësi nuk mund të shpjegohet me diferencat ideologjike. Në loje janë më tepër sjellje të karakterit social psikologjik: Kompromisi do të thotë dobësi.

Aleatë myslimanë

Ylli Pango, i cili mban titullin e Profesorit të Psikologjisë, mohon kategorikisht çdo lloj konflikti midis tij dhe Dukës. Organizata e futbollit ka një statut që bie në kundërshti me ligjet shqiptare. Akoma më keq: ekziston dyshimi se kjo organizatë shet ndeshje, apo ndryshe, bën match-fixing. Mbas humbjes së Shqipërisë një vit më parë në kualifikimin për EM 2:4 kundër Bjellorusisë dhe 6:1 kundër Rumanisë, Berishës, i njohur për ataket e tij kolerike, i humbi durimi. Fajin për këto humbje ai ja ngarkoi Dukës, të cilin e akuzoi për aktivitet mafioz. Akuza ishte e bazuar, nënvizon Pango, prandaj ai ju lut Fifës për të filluar një proces hetimi. Dhe, ja ku u dënua e gjithë Shqipëria me përjashtim. Këtë Pango nuk e kishte menduar. Çarku funksionoi, por për të zënë zuri vetë të zotin.

Duka ndihet i pafajshëm. Qëllimi i vetëm i ministrit është të vërë nën kontroll organizatën e futbollit. Shitja e ndeshjeve dhe dhuna nëpër stadiume janë fenomene globale, të cilave nuk ju ka shpëtuar as Shqipëria. Por, probleme të tilla, zgjidhen brenda përbrenda familjes. Tek e fundit, edhe një burrë i tradhëtuar nuk vë tellallin përpara botës për tradhëtinë. Edhe në futboll njëlloj funksionon. Ka rregulla dhe parime të qarta, të cilat i kontrollon Fifa – një komunitet vlerash, pra. Duka mendon se krahasimi me Naton qëndron. Por shton me idhtësi se, futja në lidhjen transatlantike nuk ishte rezultat i respektimit të parimeve. “Dikush donte që ne të ishim aty”, - thotë ai dhe hesht. Për kë e ka fjalën? Natyrisht për SHBA-në. Influenca dominuese e Washington-it në politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë është një sekret i hapur dhe subjekt i barcaletave të pafundme. Miqësia amerikano-shqiptare është reciproke. Ndërsa shqiptaret prej eksperiencave historike kërkojnë gjithmonë miq të fortë, amerikanët sigurojnë aleancë me një vend mysliman.

Të paktën në letra, Shqipëria figuron vërtet si një vend me shumicë muslimane dhe në 1992 hyri në konferencën islamike si një anëtar i plotë. Prandaj, pjesëmarrja e ushtarëve shqiptare në luftë kundër terrorit islamik ka një domethënie që nuk duhet nënvleftësuar, dhe jo vetëm simbolike. Ushtria me gati 14 000 ushtarë vë në dispozicion 350 ushtarë në shërbime ndërkombëtare. Prej tyre, gati një e treta është me shërbim në Mosul të Irakut dhe një e tretë tjetër në Herat të Afganistanit.

Ushtarët shqiptarë shërbejnë edhe në misionin e paqes në Bosnjë-Herzegovinë, por jo në Kosovë. Atje, ju dha Natoja të nënkuptonin, është më mirë të mos përzihen. Ndoshta sepse Shqiperia është palë në konflikt? Thimi Hudhra, gjeneral dhe përgjegjës për trupat shqiptare jashtë, refuzon të japë përgjigje. Por, thotë oficeri, angazhimi i trupave shqiptare jashtë ka qënë shumë vendimtar për futjen e Shqipërisë në Nato. Momentin, kur në Bukuresht u bë ftesa zyrtare, nuk do ta harroj kurrë. Në 1992 ushtria shqiptare kishte 100 000 ushtarë aktivë dhe 400 000 rezervistë. Edhe atëherë ishte oficer Hudhra; i përgatitur në një kohë kur Nato ishte armiku numër një.

Kosova si arsye kryesore

Sot, lidhja transatlantike është e detyruar të bashkëpunojë me Tiranen. Bile me shumë se kurrë. Të paktën, kështu e interpreton një diplomat shqiptar ftesën e Shqipërisë në Nato. Ai i referohet situatës në Kosovë, ku për shkak të vetos së Rusisë në OKB, është e domosdoshme gjetja e një rruge tjetër. Shqiperia ka shërbyer si rrugë për trupat e huaja që në vitin 1999 kur Nato ndërhyri në Kosovë. Nëntë vjet më vonë nuk duket akoma ndonjë shenjë për largimin e këtyre trupave nga Kosova. Futja e Shqiperisë komshije në Lidhje, dhe me këtë edhe tërheqja në përgjegjësi, duket një strategjie e arsyeshme.

Postskript: Sapo na mbërriti njoftimi se ministri i sportit dhe presidenti i organizatës së futbollit kanë arritur një marrëveshje në sherrin për statutin. A të jetë ky një kompromis?


Perktheu: Selfmade Radio
Redaktoi: Penar Musaraj