28.3.08

D. monroe

Drosophila monroe

(Teknika: Drosophila melanogaster e manipuluar gjenetikisht; nje gjen qe kodon nje proteine fluoreshente eshte futur artificialisht dhe shprehur qellimisht vetem ne pjese te caktuara te trupit. Mizat jane fotografuar nen nje binokular duke perdorur drite te nje gjatesie vale te caktuar, dhe pastaj perpunuar ne fotoshop. Per me shume mbi kete teme lexoni ketu.)

27.3.08

Evolucioni i Kushtrimit


27. Identiteti i Kushtrimit

Kushtrim eshte nje fjale qe ne fjalorin e gjuhes shqipe perkufizohet keshtu:

Kushtrim, - i (mashkullor) - Thirrje qe i behet popullit ne kohe lufte per te rrembyer armet kunder armikut; thirrje. Kushtrimi per liri. Dha (leshoi) kushtrimin.

Ne ndergjegjen dhe ne pandergjegjen time fjala kushtrim eshte e lidhur me luften e dyte boterore, tamamtamam, me Partine Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxhen; qe, sic e kemi mesuar ne ate historine aq te perfolur, u ngriten dhe dhane kushtrimin per liri. Kushtrimit per liri, thote historia, ju pergjigj i gjithe populli shqiptar. 28 mije prej tyre vdiqen.

Gjithmone kam qene kurioze te di nese kjo fjale eshte perdorur edhe me perpara kesaj periudhe historie. Psh, ne periudhen e Skenderbeut, kur ai erdhi dhe mblodhi burrat e ketij dheu dhe i drejtoi drejt lirise. Edhe kete e thote historia, e njejta histori.

Sido te kete qene. Fjala kushtrim eshte nje lloj fjale-monument, te qendron perballe e vetme por mbrapa i vjen nje histori e tere.
Nje fjale qe u be lajtmotiv poezish, kengesh, romanesh dhe filmash. Bile, ne pikturen historike kushtrimit mund t’ja shikoje edhe fytyren: ne trajten e borizanit qe i fryn burise partizane dhe ju therret kockave ne prehje te partizanit te lodhur nga beteja paraprake.

Ne te vertete, mua me vjen keq per fjalen kushtrim, se eshte pak a shume si heronjte: i dyshimte, i zgjedhur apriori si i tille, pa identitet te vetin, pa histori te veten, artificial. Hiqi kontekstin historik, apo manipulacionin dhe ... nuk i ngelet gje. As nje therrime.

28. Lindi Kushtrimi

Djale. Ishte djale. I pari. Lindi nje dite marsi te vitit 1982. Babai i sapozgjedhur u mbush me krenari, me lumturi, me fryme dhe tha: Kushtrim do ja veme emrim. Kushtrim. Dhe ashtu bene.

Kushtrimi qelloi nje djale i shendetshem dhe i mbare. Pa probleme. I lehte per t’u rritur. Kur Kushtrimi u be 3 vjec, babai j’u nis per ne emigracion. Cdo muaj, nga vendi i ri qe i kishte marre babain vinin leke dhe nje leter. Me leket nena menaxhonte jeten e perditshme; te saj, te dy femijeve, te vjerrit dhe vjerres dhe dy kuneterve akoma te pamartuar. Letren e lexonte per vete. Kur Kushtrimi e pyeste se cfare po lexonte, ajo i fliste per te atin, per mallin e tij per Kushtrimin, per vellain. Edhe mua me ka marre malli, pergjijgej Kushtrimi i vogel dhe pastaj harrohej me lodrat e moshes.

Vitet iknin dhe Kushtrimi rritej. Aty, ne ate shtepine trekateshe, ne hyrje te fshatit prane qytetit provincial. Nuk ishte e lehte te jetoje ne kete vend te quajtur Kosove. Bile, me kalimin e kohes u be edhe me keq. Dikur filloi nje lufte e madhe. Dy kuneterit moren nusen e vellait dhe femijet e saj, dy prinderit dhe moren arratine. Mbas nje jave rruge mberriten tek shpresa: babai i Kushtrimit.

Kushtrimi mesoi gjuhen e vendit te ri, vazhdoi shkollen, u be ekonomist i zoti dhe filloi pune ne nje nga bankat me te medha te qytetit. Te gjithe e donin Kushtrimin sepse ishte nje qytetar model i ketij vendi. Aq model, sa nuk e vinte re njeri. Vetem emri i tij, i veshtire per t’u shqiptuar, ju kujtonte vendasve se ai ishte i ardhur. Por, kjo zgjaste vetem nje moment, dhe pastaj jeta merrte rrjedhen e saj te qete.

29. Kushtrimi gerrices

Kush te ka gerricur keshtu? – pyet i vogli duke treguar me doren e tij te vogel ne drejtim te fytyres se burrit qe i qendron perballe.
Macoku. - thote burri. Zeri i tij i plote dhe i qete.
Te dhemb? - pyet prape vogelushi me syte te zvogeluar nga kureshtja e duke eksploruar cdo milimeter te kores-vije qe ndan faqen e djathte te burrit ne mes.
Tani jo, tani nuk me dhemb me. - buzeqesh burri.
Si e ka emrin macoku yt?
Kushi, - thote burri – Kushi, e ka emrin.
Vogelushi qesh me te madhe. Nga goja e tij e hapur vesh me vesh zbardhojne dhembet e tij te vegjel.
Sa per te qeshur, - vazhdon te qeshi femija, - cfare emri, Kushi?!
Ah, - thote burri, hedh koken mbrapa, ngre shikimin tek e ema e femijes dhe vazhdon, - Kushin e dua shume. Emrin e gjate e ka Kushtrim. Eshte emri i nje kolegut tim te ri, kosovar. I embel, korrekt. Ta pish ne kupe. Vdesim te gjithe per te. Kur vjen ne zyre, sikur vjen flladi i pranveres; fillojme e celemi te gjithe si lule. Dhe une ja vura emrin e tij macokut - Kushi.
E ema e femijes fillon te qeshe dhe tund koken teksa merr nje mimike te dyzuar midis cudise dhe humorit.
Kushi! - thote vogelushi si per te provuar memorien e tij. – Po pse te gerrici?
Sepse e kishte marre uria, i kishin dale syte nga vendi nga uria. Une j'u duka shume i avashte. Dhe ai m’u hodh e me gervishti, nga inati.
Femija e sheh me gojen hapur e sy te medhenj. Pastaj thote, - Kushi eshte shoku im.

30. Ne emer te Kushit

Mos e prek Era, mooooooooos, - uleret katervjecari, perplas kembet ne dysheme, mbush gojen me dy duart e tij dhe fillon te qaje. Fytyra e kuqe i eshte tendosur dhe here pas here peson nje dridhje.
Cfare ndodhi? - pyes une.
I vogli zbras gojen dhe mes loteve qe i varen faqeve thote duke u ngasheruar, - Era ma mori Kushin. Teksa degjon veten e vet, papritmas pushon se ngasheruari, lotet i ngrijne dhe niset si shigjete ne drejtim te se motres qe largohet duke u zvarritur per diku, ne nje drejtim jo fort te qarte.
Kushi eshte i imi, - i bertet, zgjat doren, ja rremben Kushin dhe iken me vrap andej nga erdhi. E vogla fillon te qaje me te madhe, shtrihet per toke, ngjit fytyren ne dysheme, perplas kembet ne dysheme dhe pastaj ngre fytyren e deformuar nga inati dhe me shikon pa e nderprere te qaren.
E marr ne krahe dhe ja mbeshtes koken ne gji, ja perkedhel koken dhe i pershperis, - shhhhhh, qetesohu. Joni ndjek skenen, me koken lart, mjekren perpara, veshtrimin e thate.
- Jo, Era, Kushi eshte i imi, une e kisha i pari. Pastaj na harron. Merr Kushin dhe e ve mbi nje krevat te improvizuar mbi kuba te medhenje sfungjeri, siper te cileve ka shtruar me kujdes dy shtresa carcafesh-lodra, dhe midis tyre nje jastek. Kthehet prape nga ne dhe thote, - Kushi do fleje gjume.
E vogla ka pushuar se qari dhe ndjek nga lartesia ku e mbaj cdo levizje te vellait. Ka rene qetesia.

Kushi, eshte shtrire ne krevatin e rehatshem dhe nuk leviz. Joni shkon te veshe pizhamat, laje dhembet - rituale te paragjumit. Une ve te voglen perpara lodrave te saj dhe filloj te pergatis gjumin e saj. Pastaj, shkoj te ndihmoj Jonin me larjen e dhembeve. Fillojme me njeri-tjetrin te qeshim e luajme me lojen e pastrimit te dhembeve. Dhe ndjejme Eren e vogel qe zvarritet me britma gazmore ne drejtimin tone. Dhe ja ku shfaqet para deres. Ne doren e djathte Kushi - arushi loder leshatak. Na sheh, qendron, ulet ne gjunje dhe ngre triumfatore Kushin lart me gulcima te qeshurash.
Kushi eshte i imi, - uleret Joni me kolinozin qe i rrjedh nga goja e hapur, ne te cilen fut shpejt e shpejt duart dhe ja fillon te qarit.



23.3.08

Jeta e padukshme e qenieve te vogla


24. 5 akte pa Bolero

Trupi i tyre eshte 1-6mm i gjate; femra pak me e madhe se sa mashkulli. Jane te vogla, shume te vogla dhe nuk i veme re kur vijne. I veme re, megjithate, kur papritur frutat e bukura ne mengjes, ne dreke fillojne te bien ere kalbesire. Perreth frutave dhjetera miza te vogla qe fluturojne pa bere zhurme. Askush nuk interesohet per to. Per njeriun ato jane thjeshte miza te bezdisshme, te neveritshme qe i shnderrojne frutat ne masa te lageshta. Por, ato kane nje emer, nje identitet. Quhen drosophila.

Zoti dhe zonja drosophila takohen tek frutat. Nuk dihet nese ne shtepite tona vijne me frutat, ne forme larvash apo vezesh te depozituara, apo nese eshte era e frutave brenda shtepive tona qe i terheq e na i ben mysafire te paftuar. Por, drosophilat i duan ererat alkoholike te frutave sepse ato i sjellin tek ushqimi i tyre - frutat, te cilat i shijojne me aparatin e tyre thithes; nje lloj ventuze e vogel e padukshme per syrin tone. Uria e mpreh perceptimin e eres se frutit ne nivel molekulash; fruti e ngop urine brenda nje kohe qe zgjat minuta te tera. Kur uria eshte shuar, perceptimi i ererave ndryshon. Era e frutit nuk eshte me prioritet. Zonja drosophila mpreh perceptimin per zotin drosophil, zoti drosophil per zonjen drosophila. Dhe kur gjejne njeri-tjetrin fillojne historine e tyre te thjeshte prej 5 aktesh.

Akti i pare

Kur zonja drosophila ndjen prane saj eren e zotit drosophil, ajo peson nje lloj tulatje. Nje tulatje qe zoti drosophil e mirekupton si ftese. Zoti drosophil e pranon ftesen me nje akt te thjeshte: ai vendoset ne te djathte te saj, paksa mbrapa dhe pret. Kjo eshte nje distance e mjaftueshme per ta ndjere eren e njeri-tjetrit, per ta kontrolluar trashegimine gjenetike te njeri-tjetrit; aftesine mbijetesuese. Ky moment heshtjeje dhe ngrirjere eshte moment konstatimi dhe krahasimi. Perreth tyre ecin, fluturojne zonja dhe zoterinj te tjere; te gjithe te ngopur me ushqim dhe ne kerkim te aktit te tyre te pare.

Akti i dyte

Zonja fillon ben disa hapa perpara dhe, me kete veprim i ben nje ftese zyrtare zotit drosophil perkarshi. Zoti drosophil pranon ftesen dhe fillon ta ndjeki nga prapa. Zonja drosophila ben disa hapa me tutje mbi indet e grisura te frutit eremire, ben nje pushim te vogel si per t’u siguruar se ftesa e saj eshte pranuar, dhe vazhdon perseri perpara. Zoti drosophil e ndjek nga pas me kembengulje. Te dy vazhdojne te testojne kembenguljen e njeri-tjetrit derisa binden se ka ardhur koha per te kaluar ne nje faze me intime komunikimi.

Akti i trete

Zoti drosophil merr vendimin e rendesishem. I del zonjes se tij me krah dhe i kendon nje kenge. Me njerin nga krahet e tij. E vibron me nje fuqi dhe me nje frekuence marramandese. Kjo eshte kenga e tij e dashurise per te. Nje kenge dashurie gjate se ciles me mijera molekula dashurie te trupit tij shperndahen ne rrathe pa fund, ne rrathe qe arrijne deri tek zonja dhe e mbulojne, e pushtojne dhe e bindin per zgjedhjen e mire te saj.

Akti i katert

Zonja drosophila rifillon te eci perseri. Zoti drosophil, merr fryme thelle dhe rimerr ndjekjen. Ajo pak me ngadale se me pare, ai me shpejt se me pare. Distancat shkurtohen. Zoti drosophil a arrin trupin e zonjes se perzgjedhur dhe e perkedhel fundin e tij me ventuze. Zonja i largohet. Zoti drosophil eshte i vendosur. Ai i vrapon nga pas dhe e lepin. Ajo iken me deshiren qe ai ta arrije perseri, ai e le qe ajo t’i iki qe t’i tregoje se ai eshte i vendosur per ta ndjekur deri ne fund.

Akti i peste

Zonja ndalon. Zoti drosophil kupton. Vendoset mbi te dhe e penetron. Ajo nuk leviz me, nuk pipetin. Per dhjete minuta te gjata ata jane te fiksuar ne menyre te pandashme. Dhjete minuta ne jeten prej vetem 50-60 ditesh. Kohe gjate se ciles me mijera sperma arrijne te depozitohen ne nje vend special ne organin riprodhues te zonjes, nga ku ato fekondojne vezet qe kerkojne te dalin jashte. Nje sperme e gjate sa trupi i drosophiles hyn brenda nje veze te gjate 0.5mm, e fekondon dhe i jep jete, mbas nente ditesh, nje drosohphile te re, qe dikur do behet zoti apo zonja drosophila e se ardhmes, qe pasi te jete ngopur me frutin afrodiziak, do kerkoje partnerin apo partneren me te cilen apo cilin do filloje historine me 5 akte.

25. Farefise

Drosophila melanogaster
Drosophila simulans
Drosophila funebris
Drosophila busckii
Drosophila immigrans
Drosophila hydei
Drosophila replata
Drosophila subobscura
Drosophila limbata
Drosophila suzuki

26. Jeta e interpretuar

Bleu pinceta nr.5. Hodhi nje pike vaj mbi nje leter zumpara, e vuri nen binokular, fokusoi veshtrimin mbi lente dhe filloi t’i mprihte majat e pincetes. Duhet te jene shume te holla, fine ne menyre qe ta diseksionojne organin shume mire; pa e vrare, pa e gricur – i kishte thene ai. I mprehu me kujdes, i beri simetrike; pastaj mori nje lecke te bute; fshiu vajin dhe gjurmet e metalit te bluajtur. Preku me majen e gishtit lehtaz majat e pincetes; ishin shume te mprehta. Beri te njejten gje me pinceten e dyte. E kenaqur me rezultatin, nxori nga tubi i mizave nje mashkull drosophile melanogaster. Trupi i verdhe, syte e kuq. I vene ne gjume me dioksid karboni. E vuri mbi siperfaqen e binokularit dhe ja shtypi me pincete kraharorin. Tani nuk jetonte me. Rifokusoi binokularin. Me doren e majte fiksoi barkun e trupit pa jete midis pincetes; pa e shtypur shume, vetem pak sa per ta fiksuar. Me pinceten e dores se djathte gjeti fundin e trupit, nje pllakez te zeze te vogel. E futi pllakezen midis majave te pincetes, e fiksoi dhe terhoqi me shpejtesi e pak force doren. Testikujt dolen te plote, te paprishur perjashta. Dy testikuj te perdredhur, ne forma estetike spirale, te bardhe. Nga drita e binokularit mund te dalloheshin tufat e gjata te spermave ndricuese. I fiksoi me paraformaldehid, i lau, i futi ne glycerol; i la te zhyteshin ne te, te ngopeshin me te e te beheshin me te shkelqyeshem. I vuri mbi objektiv xhami, i sistemoi me kujdes brenda nje pike glycerol dhe siper vuri nje xham tjeter. Ashtu mund t’i ruante per vite te tere. I futi ne nje mikroskop te fuqishem dhe i fotografoi. Fotografine e kaloi ne kompjuter dhe e pastroi ne photoshop. Pastaj filloi ta ngjyroste, me ngjyra te ndezura; te ndezura si vete jeta e shpejte, e rrembyer, aktive, e rrezikshme e drosophiles. Fashikujt e spermes i beri te erret si misteri. E perpunoi, e ripunoi. Pastaj e coi ne fotostudio dhe e printoi 2m te gjate dhe 70cm te gjere ne alumin. E madhe, ekspresive; e pamundur per ta injoruar. E vari ne murin e dhomes se pritjes dhe e shijoi per nje kohe te gjate. Qeshi. Qeshi prape. Pastaj, hapi kompjuterin. Gjeti kopjen e fotografise, e zvogeloi dhe e beri koken-imazh te bllogut. Nje bllog per jeten e padukshme; e parendesishme.

17.3.08

Ndoshta ...

Para disa kohesh, nje i afermi im humbi vendin e punes. Punonte ne nje fabrike kepucesh italiane qe e menaxhonin shqiptaret. Ishte punesuar si elektricist dhe detyra e tij ishte qe te siguronte vijueshmeri normale te makinave. Nje dite, nje makine pesoi nje avari. Gjate reparimit, i afermi im dogji doren e djathte; grade e dyte a e trete djegieje. Perfundoi ne spital dhe, mbas dy muajsh, per fatin e tij te mire, dora e tij fitoi normalitetin. Vetem se, kur mbas dy muajsh i afermi i rikthye ne pune, aty e priste lajmi i keq; pushim nga puna. Vendin e tij ja kishin dhene nipit te njerit prej menaxhereve. I afermi im nuk ndermorri asnje hap per te mbrojtur veteveten dhe asnje hap per te akuzuar punedhenesin per parregullesi kontrate: une jam i humburi, tha ai dhe u nis te kerkonte nje pune tjeter, teksa mundohej te gelltiste helmin e humbjes se nje pune ku kishte sherbyer me devocion per rreth tre vjet. Por ka edhe me keq. Teksa shkruaj, vetem 12 km larg kryeqytetit shqiptar, kerkohen trupat e shkrumbuar te femijeve, grave dhe burrave qe punonin ne nje fabrike te dyshimte municionesh, fabrike qe u pulverizua ne ajer se bashku me jetet qe mbante brenda.

Ky eshte kapitalizmi; ky ishte sistemi qe ne kerkuam. Nuk arrihet perparimi pa gelltitur dhimbjen e viktimave. Ky eshte shpjegimi qe degjon rendom nga njerezit qe teksa sigurojne jetesen e se sotmes, ulin koken dhe nuk ankohen per te shpetuar edhe te nesermen. Me cdo cmim. Ne xhunglen e kapitalizmit shqiptar njeriu i thjeshte nuk ka asnje alternative pervecse te heshte. Ose te humbase te sotmen. Te nesermen. Jeten.

Sistemi i ri kapitalist doli lopa e arte per klasen politike shqiptare: gjate ketyre 17 vjeteve kjo lope e ka ushqyer kete klase me se miri, edhe djathtas edhe majtas. Aq mire, sa klasa politike shqiptare ka humbur cdo kontakt me realitetin e rruges, me njeriun e thjeshte te cilin e sheh vetem kur i kerkon voten ose kur e varros. Ne 17 vjet kjo klase politike ka humbur cdo lloj sensitiviteti per jeten e tjetrit. Kapitalizmi per fillestaret eshte nje kapitalizem qe po na i ha koken avash-avash, por ne menyre te sigurt. Rregullat jane per te treguar qe i dime qe duhen, per t'ia treguar botes qe na jep para (per te na dhene me teper para), por jo per t'i zbatuar. Cdo zbatim rregulli ul vleren e fitimit. Ngre koston e prodhimit. Ben njeriun e thjeshte me dinjitet. Ja rrit atij vleren. E ben pjesemarres.

Asgje nuk del nga hici. Nje shtet qe keqqeveriset dhe qytetari i te cilit trajtohet si inekzistent. Nje shtet strukturat e te cilitperdoren per te pasuruar klane. Nje shtet qe nuk e do dijen dhe as kulturen, e si rrjedhim ka 17 vjet qe nuk i ka hapur dyert akoma per to. Nje shtet ku media kontrollohet dhe se ciles ja fut me grusht kur nuk urdherohet. Nje shtet qe nuk e ndjen te nevojshme te terheqe kuadrot e specializuar e te rimekembet. Ky eshte shteti yne. Qe ne e perflasim por nuk i kerkojme kurre llogari. Ndoshta sepse mendojme qe neser, mund te jete njeri nga ne pjese e ketij shteti dhe atehere ... ndoshta do na pelqeje ta mjelim edhe ne lopen e arte. Ndoshta sepse nuk jemi edukuar me ndjenjen qe shteti eshte i imi, dhe i joti dhe i te gjitheve dhe duhet te na sherbeje; tek e fundit rron nga djersa e qytetarit te tij.

Teksa ankohemi per shtetin dhe e mallkojme per femijen qe ne shtepi u kthye i vdekur, duhet te kujtojme se se pari korrupsionin e kemi brenda shpirtit tone, brenda mendjes sone: sepse eshte aty ku kemi mbjelle enderra per pasurime te shpejta. Ku eshte mbjelle militantizmi. Ku eshte ulur kembekryq disfatizmi. Ku eshte ulur kembekryq indiferenca, mungesa e ndjeshmerise.

Keta jane politikanet tane. Keta jemi ne. Shteti yne; ne kete pamje te mjere qe paraqitet sot, eshte produkt i ketyre politikane, por edhe i joni. Nese e duam kete shtet ndryshe, atehere ndryshimin duhet ta fillojme nga vetja. Ndoshta duke u kujtuar qe jeta jetohet me dinjitet dhe dinjitetin nuk ta fal kush: Dinjiteti fitohet.

I afermi im nuk duhet te ule koken dhe kerkoje punen e re, por te kerkoje te drejten e tij; teksa kerkon te drejten e tij sot ndihmon qytetarin tjeter qe do jete ne te njejten situate neser. Neser, me shume qytetare qe flaken ne rruge per hicgje do kene me shume kurajo per te ngritur zerin e ndryshuar ligjet, per ta detyruar shtetin dhe punedhenesin t'i zbatoje ato. Nese njerezit do ngriheshin e do kundershtonin ndertimin pa planimetri te Tiranes, do shpetonin ndoshta vdekjen e femijeve te se nesermes, qe do shkrumbohen ne zjarrin qe zjarrfikesja nuk mund ta shuaje dot. Nese njerezit do rrefuzonin te hynin ne ndertesat e ngritura pa kritere, do shpetonin jetet qe do i marri termeti qe nuk ka rene akoma. Nese njerezit do kerkonin qe ne shkolla t'u jepeshin dije bashkekohore dhe jo thjesht diploma te blera, do kishin mundesi te ndertonin nje alternative me te mire.

Per fatin tone te keq, motori i zhvillimit eshte vetem tragjedia, fatkeqesia. Eshte vetem atehere kur dicka ndryshon; qytetari uleret sepse fatkeqesia i eshte ulur ne dere. Politikani reagon qe te shpetoje dicka edhe per neser.

Fatkeqesia si faktor zhvillimi?! Dhe sa fatkeqesi duhet te ndodhin qe ta bejne qytetarin te vetedijshme per dinjitetin e tij te humbur, per rolin e tij qytetar? Qe ta bejne te vetedijshem se nuk duhet te ndodhin me fatkeqesi? Qe nuk duhet t'ja delegoje pergjegjesine per jeten e tij shtetit? Dhe sa fatkeqesi duhet te ndodhin qe politikani ta harroje profesionin e mjelesit te lopes e te filloje te sherbeje per qytetarin qe e ka zgjedhur?

Nje minister dha doreheqjen. Ndoshta edhe nje kryeminister do jape doreheqjen. Por, teksa doreheqja na sheron dhimbjen e momentit, nuk do na shpetoje nga fatkeqesia e se nesermes. Nga fatkeqesite qe ky lloj sistemi qe kemi ngritur, ky sistem qe nuk e diskutojme, qe nuk e permiresojme, qe nuk e ndryshojme; i ka te paraprogramuara. Ministri qe do vije neser do kete emer tjeter, fytyre tjeter, ze tjeter dhe retorike tjeter. Por ai eshte pjese e ketij sistemi. Ashtu si edhe kryeminstri i ri. Nese do kene pak fat, nuk do u ndodhi ndonje fatkeqesi e madhe gjate kohes qe do mjelin. Por, kjo pak rendesi ka. Dhe pak rendesi do kete per sa kohe qe te gjithe refuzojne te jene pjesemarres ne ndryshim. Per sa kohe qe te gjithe pjesemarrjen ne ndryshim e shtyjne deri sa te ndodhi tragjedia e radhes.

Ndoshta ... ndoshta ... dikur tragjedite do jene kaq te shumta sa ndoshta ... ndoshta ... do na duken normale. Dhe atehere i jemi afruar vdekjes se sigurt. Ndoshta ...

11.3.08

Kampionati evropian i futbollit 2008

Kampionati evropian i futbollit, i quajtur shkurt "Euro 2008", do te zhvillohet nga 7-29 qershor ne Zvicer dhe Austri. Selfmaderadio do mundohet ne vazhdimesi te sjelle lajme te fresketa dhe te brendshme per kuriozet dhe fanatiket e futbollit.


Maskota

Maskota zyrtare e Euro 2008 quhet Trix&Flix dhe jane prodhim i Werner Bros. Mbajne ne uniformen sportive ngjyrat e Zvicres dhe Austrise (bardh e kuq) dhe simbolizojne bashkepunimin. Trix dhe Flix u zgjodhen ne nje votim popullor, dhe triumfuan mbi konkurentet e tyre Zagi&Zigi dhe Flitz&Bitz. Trix mban numrin 20 ne trikot, kurse Flixi, vetekuptueshem, 08. Prane e prane, formojne numrin e vitit 2008. Motoja e tyre eshte, si gjithekudo, "like a superstar". Thone, qe Trixi eshte me kreativi, kurse Flixi me seriozi. Nuk e kam gjetur akoma nese kreativiteti dhe Trixi jane simbole te Austrise dhe Flixi dhe serioziteti simbole te Zvicres. Apo e kunderta. Une nuk i dalloj dot se ku ndryshojne (pervecse ngjyrave komplementare te trikoteve).

Kenga Zyrtare

Do kendohet nga Shaggy, dikur Mr. Bombastic. Une e dija te vdekur muzikalisht. Qenka gjalle. Kendon kengen me moton e Trix&Flix: Like a superstar. Se perse Uefa vendosi per nje xhamajkan dhe jo nje zviceran apo austriak, me ngelet e panjohur. Thone qe Uefa sheh (edhe) fitimin, e mbase ka menduar qe nje kenge me Shaggyn mund te pushtoje te gjitha charterat evropiane te kenges. Por, ndoshta, ishte thjesht nje simbolike globalizmi. Me poshte keni kengen, variantin zyrtar te saj, akoma te paluajtur neper stacionet e radiove lokale.


8.3.08

Estetike dhe elegance

Reto Boller eshte nje artist zviceran, punet e te cilit i ndjek prej 10 vjetesh. Punet e tij jane piktura, ne nje kontekst me te zgjeruar te konceptit pikture; piktura elegante dhe estetike. Loja me ngjyrat dhe pasqyrimin e drites dhe ate te objekteve perreth; loja me perceptimin e hapesirave dhe ndryshimin e tyre, me terheq e me mban te mberthyer. Me poshte jane disa nga punet qe mua me pelqejne me shume. Nderkohe; punimet e tij i gjeni ne Kunstmuseum Bern, 25. Janar - 27. Prill 2008 dhe Museum Wiesbaden, 1. Qershor - 14. Shtator 2008












5.3.08

Emra dhe rruge


20. Marta dhe Luiza


Marta dhe Luiza jane dy gra rreth te 80ve. Jetojne ne nje fshat te rrethinave te Vlores fshehur mbrapa kodrave; nje nga ato fshatrat ku ha pula strall dhe ku te duhet nje kale per ta arritur. Apo nje gomar. Ose, nje makine e forte qe e perballon strallin dhe gropat pa fund. Marta dhe Luiza jetojne ne nje shtepi-kaba guri, dy kateshe. Pa njeri. Femijet ju kane ikur jashte shtetit. Kane ndertuar jeten atje. Kane futur gra neper shtepite e tyre. Kane bere femije qe gjallerojne shtepine e madhe dhe te heshtur te fshatit te Vlores ne vere; kur vijne me pushime.

Kjo eshte shtepia ku hyne nuse, ketu e gjashtedhjete vjet me pare; ne fillim Luiza dhe pak me vone Marta. Burrat e tyre: vellezer. Asnjera prej te dyjave nuk lindi femije dhe burrat ju vdiqen te rinj; ne fillim ai i Martes dhe pastaj ai i Luizes. Thone, se fati i keq i dy vellezerve u vendos nje dite prilli. Dite, kur ata ktheheshin nga nje rruge e gjate. I kishte kapur nje stuhi e marre gerxheve te thata me shkurre te ashpra. Kishin filluar vetetimat, rrufete. Dy vellezerit kishin gjetur nje guve te panjohur per te futur koken. Rrefenjat thone, se ajo dite i beri te dy vellezerit sterile e ju shkurtoi jeten. Se cfare ka ndodhur ate dite ne ate guve nuk e di kush. Cilido qofte sekreti, ai prehet se bashku me te dy vellezerit ne varret e tyre prane e prane, poshte nje rrapi te vjeter sa vete fshati.

Marta adoptoi nje djale nga shtepia e femijes. Luiza adoptoi vajzen e motres. I rriten femijet me njera-tjetren e me nje mije kusure. Dikur femijet u rriten, e si gjithe dynjaja; moren rruget fillimisht drejt qytetit e me pas drejt anes tjeter te detit. Marta dhe Luiza vazhduan te jetonin ne shtepine-kaba, ne fshatin ku kishin ngelur prinder pa femije. Jeten e veshtire ishin mesuar ta perballonin, edhe pse nuk ishin me te reja. Edhe shtepia nuk po e perballonte me moshen: filluan t'i binin tjegulla e mure. U zhvendosen ne katin e pare, aty, ne dhomat ku ndriconte here dielli e here drita elektrike. Ashtu, me njera-tjetren, vazhdonin te jetonin rutinen e perditshme: milnin lopen, pastronin shtepine, punonin bacen, mbushnin uje tek burimi i fshatit, prishnin tek dyqani i vogel i fshatit pensionet e tyre, takonin bashkefshataret e ndanin me ta pershendetjet e hallet e rastit.

Dikur femijet u bene me femije e u kujtuan per shtepine leneshe te fshatit. Ribene katin e dyte dhe catine. I dhane nje dore katit te pare. E lidhen shtepine me nje rruge pa balte me rrugen e vetme te fshatit. Ujin e cuan tek dera e shtepise. Pastaj, sollen grate e tyre me femijet dhe i dhane shtepise perseri jete. Kur iken per ne vendet e tyre te reja, moren edhe Marten dhe Luizen me vete. Nuk ishin ndare ndonjehere. Filluan te komunikonin me telefon, e kur telefoni nuk mjaftonte; shkruanin letra, ashtu me shkrim kembepule qe i bente te skuqeshin por edhe te qeshnin.

U be nje mot qe nuk ishin pare. Moti i dyte ishte duke mbaruar. I kishin te gjitha c'kishin deshiruar te kishin, e prape nuk ndiheshin si ne shtepine e tyre. E para shkroi Marta, - Me ka marre malli per fshatin, per shtepine e per kohen kur ishim zonja ne shtepine tone. Luiza e mori ne telefon e i tha, se nuk pushonte se enderruari per ato kohera. Dhe, vendosen.

U kthyen ne shtepine-kaba, te rinovuar e moderne; me cezmen ke dera, me rrugen pa balte. Zonja ne shtepine e tyre. Kur kane kohe, ulen tek pragu i shtepise; rrufitin nga nje kafe turke dhe hedhin veshtrimin tek rrapi i vjeter sa fshati, poshte te cilit prehen burrat e tyre vellezer. Qe i presin.

21. Brunilda

Ishte 15 vjec kur u dashurua me te. Ai, i biri i nje te arratisuri. Familja e saj, pjese e nomeklatures, ishte kunder. Ajo nuk e degjoi dhe iku. Familja e saj e mohoi dhe ruajti statusin ne nomeklature. Mamaja e tij u be edhe e saja.

Linden dy femije; nje vajze dhe nje djale dhe ishin te lumtur. Femijet ishin akoma te vegjel kur ai vendosi te shkonte tek i jati. E kapen teksa po perpiqej te kalonte kufirin verior. Ajo e mori vesh lajmin te nesermen. U ul ne divanin ku ishte ulur edhe mamaja e tij, dhe ndenji pa folur me duart te lidhura ne peqi.

Nga internimi e shpetoi ndarja zyrtare prej tij. Mamaja e tij e kuptoi dhe nuk i tha gje. Atij i dhembi me shume se sa burgu. Prinderit e saj e ritakuan por pa e afruar shume; femijet e tij nuk i deshen. Ate, tani qe ishte e ndare, nuk e takonte me dot aq sa do te donte. Ai do te rrinte perjetesisht aty.Si ish-gruaja e nje te denuari i dhane nje pune me te mire. Femijet po rriteshin. Plaget po mbylleshin.

Dhe atehere ndodhi kthesa. Kohet ndryshuan. Ai doli nga burgu nje dite dimri dhe trokiti ne dere. Deren ja hapi e ema. Ajo e ndjeu por nuk mundi te levizte. Ndenji dhe e priti tek dera e dhomes se saj. Duke u dridhur.

Nuk ishin me te njejtet. Midis tyre kishte dhimbje dhe shume mosbesim. U perpoqen te rinjiheshin. Nuk funksionoi. Ai iku, ne nje drejtim te panjohur. Askush nuk e di ku. Ajo e kerkoi, e kerkoi. Por me kot. Atehere, mblodhi femijet dhe ato pak placka qe kishte; dhe iku edhe ajo ne nje vend me shpresa per femijet e saj.

22. Ida

Statusi civil

E martuar me nje zviceran
Pa femije

Edukimi dhe puna

1994-1999 Gjimnazi
1999-2004 Studime ne Biologji, Universiteti i vendit ish-komunist
2004-2007 Artiste ne Zürich

Kjo eshte, e shkurtuar, biografia profesionale e Ides. Biografia qe shoqeron letren ne te cilen ajo kerkon vendin bosh te laborantes ne nje laborator shkencor te Universitetit te Zürich-ut. Profesori i hedh nje sy, kupton qe Ida nuk ka eksperience dhe ja delegon pergjigjen negative sekretares se tij. Sekretarja ulet para kompjuterit, hap programin me te cilin do shkruaj pergjigjen negative dhe; si gjithmone, i hedh nje sy biografise. Ngre vetullat e syve skeptike lart, dhe pyet veten me cudi: biologe ne nje vend ish-komunist, artiste ne Zvicer?

Shkon ne Google, fut emrin e Ides ne kerkim dhe e gjen. Ne nje klub striptize ne qender te qytetit. E sheh vajzen e re dhe te bukur gjysem lakuriq ne fotografine e reklames, revoltohet; ngrihet me nxitim, shkon tek profesori dhe ja rrefen te tera. Ky, pasi meson dhe sheh te vertetat; ja rrefen ato gjate kohes se drekes punonjesve dhe studenteve te tij. Pasi mbarojne dreken, shkojne te gjithe tek google dhe shijojne; mes te qeshurave dhe batutave, fotgrafine e Ides-biologe-artiste kercimtare striperi; qe ndoshta mund te ishte bere laborante dhe bashkepunetore e tyre.

Ida vazhdon te kerkoje pune.

23. Rruge

Idastrasse (Rruga Ida)
Brunildastrasse (Rruga Brunilda)
Martastrasse (Rruga Marta)
Luizastrasse (Rruga Luiza)