6.5.10

Për pushtet a vdekje

Lufta e PS për kutitë është alibia për të prishur ekuilibrat politikë, është një përpjekje për ta çuar shtetin në krizë e për ta detyruar pushtetin aktual ta bëjë edhe PS pjesë të (përfitimeve) saj. Me çdo mjet, pa iu trembur më konfrontacionit të drejtpërdrejtë.
Tingëllon gati si një barcaletë historia e një arkitekti, që edhe tre muaj pas punësimit, nuk kishte marrë asnjë rrogë. „Do shkoj të ankohem“, - kishte thënë arkitekti kurajoz, dhe i kishte kërkuar Koço Kokëdhimës, punëdhënësit të tij, një takim. Kur u kthye në zyrë, tek kolegët e tij, edhe ata prej muajsh të papaguar, ai iu përgjigj syve të tyre kuriozë: „Çdo gjë në rregull: Koçoja më ngriti në përgjegjësi dhe ma rriti edhe rrogën“. Por muajt kaluan, dhe arkitekti i ngritur në përgjegjësi e me rrogë më të lartë nuk mori asnjë qindarkë. Pas gati gjysëm viti punë të papaguar, ai u largua.
Jo kaq paqësisht e kanë zgjidhur situatën e tyre, dy javë më parë, punonjësit e televizionit të Koço Kokedhimës. „O na jep rrogat, o nuk t’i kthejmë pajisjet“. Me pajisje e kishin fjalën për ato të televizionit. Ngjarja kaloi pa vëmendjen e medias, ndoshta sepse pavarësisht se nga cili kamp janë të rreshtuar, gazetarët dhe pronarët e tyre janë të ndjeshëm ndaj problemeve të njëri-tjetrit. Sidomos problemeve financiare. Tek e fundit, ajo që e paguan gazetarinë shqiptare është biznesi i ndërtimit, apo biznese të tjera paralele të pronarëve të gazetave. Dhe fati i ketyre bizneseve është pafundësisht i lidhur me politikën.
Koco Kokëdhima është një mbështetës i deklaruar i Edi Ramës dhe nuk është sekret që bizneset e sukseshme të Kokëdhimës i detyrohen loyalitetit të Ramës. Këtë lloj pozicionimi strikt të Kokëdhimës në krahë të Ramës ai po e paguan me vetë biznesin e tij. Rubineti i Bashkisë prodhon gjithmonë e me pak lekë për të kënaqur financiarisht mbështetësit e Ramës, teksa Berisha ua ka zvogëluar territorin e përfitimit financiar në hiç.
Ashtu si edhe Rama, Berisha ka kuptuar se arma më e fortë për të mbajtur pushtetin nuk është grushti, por paraja. Kjo para rrjedh nga rubineti i qeverisë vetëm për mbështetësit e saj. Por jo vetëm kaq. Me ane të ligjeve dhe gjobave që rrjedhin prej tyre, Berisha bën të mundur që edhe ato pika lekësh që rrjedhin nga rubineti i Bashkisë për mbështetësit socialistë të thahen fare.
Kështu, aktualisht gazeta Korrieri ka në kurrizin e saj gjoba për të paguar për shkelje të ligjeve. Kuptohet, Korrieri e ka merituar gjobën, por në biznesin e medias, edhe pse ligjet shkelen nga të gjithë, ligji dhe gjobat veprojnë në mënyre selektive. Edhe pronarët e Korrierit janë pronarë firmash ndërtimi dhe, ashtu si në rastin e Koço Kokëdhimës, mbështetës të deklaruar të Edi Ramës. Si gazetarët e Shekullit, edhe gazetarët e Korrierit kanë muaj që nuk marrin rrogë. Në fakt, ashtu si edhe tek Shekulli, gazetarët që punojnë tek Korrieri, kanë kohë që përjetojnë rroga që vonojnë t’u derdhen në konton bankare.
Berisha e ka filluar politikën e shkatërrimit financiar të kundërshtarit menjëherë pas riardhjes në pushtet, në mandatin e tij të parë. Por këtë politikë efektive Berisha ia kishte vjedhur vetë kundërshtarit të tij, Edi Ramës që kishte bërë pjesë të biznesit të ndërtimeve vetëm ata që i shërbyen pushtetit të tij, duke shkatërruar financiarisht ata sipërmarrës, ndërtues e arkitektë që ishin të lidhur me klanin e Berishes. Në këtë luftë për pushtet, i humburi i momentit është Rama dhe klasa e biznesmenëve që i shërben. Shpresa e papërmbushur e kësaj klase biznesmenësh se me kalimin e pushtetit qëndror në duart e Rames ata do të përqëndronin pushtetin ekonomik, po bëhet gjithmonë e më e vogël. Ndoshta kjo shpjegon se përse lufta politike e opozitës po bëhet gjithmonë e më agresive. Lufta e PS për kutitë është alibia për të prishur ekuilibrat politikë, është një përpjekje për ta çuar shtetin në krizë e për ta detyruar pushtetin aktual ta bëjë edhe PS pjesë të (përfitimeve) saj. Me çdo mjet, pa iu trembur më konfrontacionit të drejtpërdrejtë.
Ndërsa të huajt mundohen të sjellin arsyen në politikën shqiptare, media po orientohet gjithmonë e më shumë nga kahu i fituesit, Berishës. Askush nuk do të pësojë fatin e Shekullit dhe Korrierit. As Vizion+. Ky, kohët e fundit po ristrukturohet për të ruajtur balancën politike në raportimin e lajmit. Një nga masat e para të ketij balancimi thuhet se është largimi i Mero Bazes.