6.5.10

Evropa dhe Islami: Intervistë me Olivier Roy

Olivier Roy është profesor i orientalizmit dhe një nga ekspertët më të mirë perëndimorë të Islamit politik. Në librin e tij të fundit, „La sainte ignorance: Le temps de la religion sans culture", (Seuil, 275 fq, 19 €), Roy analizon krijimin dhe rritjen e formave të reja të besimit në botë. Analiza e detajuar, e përforcuar nga shifra dhe statistika, jep një peizazh interesant që jo rrallë bie ndesh me perceptimet tona, p.sh. që feja me rritjen më të shpejtë në botë nuk është Islami, por Protestantizmi fundamentalist. Sidomos Mormonët dhe lëvizja Pentecostal në SHBA dhe në tregjet në zhvillim (sidomos Brazil) shfaqin një rritje spektakolare. Edhe në botën Islame dinamikat fetare nuk karakterizohen nga një kthim në traditë, por nga levizje relativisht të reja, në thelb antitradicionaliste, postmoderne. Kufijte midis besimeve, vëren Roy, po bëhen gjithmonë e më pak të ravijëzuar: Sociologjia e besimit karakterizohet sot, mbi të gjitha, nga një rritje masive e konvertimeve.

Intervista me Olivier Roy është zhvilluar për të përditshmen zvicerane „Neue Zürcher Zeitung“ nga Eren Güvercin me titullin: "Wie hast du's mit der Religion, Europa?". Artikulli është marrë pa leje dhe përkthyer nga gjermanishtja për „Peshkun pa Ujë“, nga SMR. Titulli në shqip është i redaksisë së PPU.

***************************

Shumica e zgjedhësve zvicerane votoi para ca kohësh për një ndalim të minareve; në Francë dhe Belgjikë diskutohet për ndalimin e perçes (burkas); edhe në Gjermani, Islami është një temë e përhershme. Çfarë i irriton kaq shumë evropianët tek simbolet fetare apo fetë „e huaja“?
Këto 25 vitet e fundit, debati në Evropë është drejtuar nga tema e emigracionit tek ajo e Islamit. Kjo do të thotë që, bile, edhe kundërshtarët e emigracionit pranojnë ndërkohë që edhe brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve është ngulur këtu për te ndenjur për një kohë të gjatë dhe, si rrjedhim, Islami po hedh rrënjë edhe në Evropë. Ky diskutim ka marrë një kthesë të pazakontë: Ndërsa polemikat kundër emigracionit kanë ardhur kryesisht nga e djathta konservatore, Islami atakohet si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, por secila me argumentime shumë të ndryshme. Për të djathtën, Evropa është kristiane dhe Islami, edhe pse duhet toleruar, duhet trajtuar si një fe inferiore. Pranohet – edhe pse kundër deshirës – se Islami për shkak të lirisë fesë, të garantuar në Kushtetutë, nuk mund të ndalohet, por po merret shumë seriozisht reduktimi i dukshmërisë së tij. Kështu p.sh., Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka reaguar ndaj ndalimit të shamisë në Francë.
E majta, në të kundërtën, argumenton për sekularizëm të drejtat e gruas dhe kundër fundamentalizmit fetar: kritikon mbulimin jo sepse i përket Islamit, por sepse e konsideron në kundërshti me të drejtat e gruas. Prandaj, mbas debatit mbi Islamin fshihet një problematike më komplekse: Çështja e tipareve të një identiteti evropian dhe e rolit të fesë në Evropë. Edhe pse e djathta dhe e majta në këtë diskutim përfaqësojnë pozicione shumë të ndryshme, ne shohim sot lëvizje të reja popullore – si, p.sh. Partinë për Liri të Geert Wilders në Hollandë -, ku mpleksen të dyja pozicionet. Janë parti të cilat në thelb janë të djathta, por që përdorin argumentime të majta.

Në librin tuaj, shkruani se një fundamentalizëm si ai që përfaqëson al-Kaida, nuk ka asgjë të përbashkët me traditën islamike. Por në Evrope, ideologjia fundamentaliste konsiderohet si esenca e një të menduare tradicionaliste. Si e shpjegoni këtë kontradiktë?
Terrorizmi që praktikon al-Kaida është në historinë islamike po aq i panjohur sa edhe në atë kristiane. Ky është një fenomen i ri. Dhe, nëse do të shihnim se si manifestohet – atentate me vetëvrasje, me vrasje të pengjeve, me vrasje civilistësh -, atëherë do të vërenim se këto janë metoda që në kohët moderne i kanë përdorur paraprakisht të tjera organizata: Tigrat tamilezë, p.sh. kanë përdorur atentatet me vetëvrasje, të djathtët ekstremë italianë ishin përgjegjës për atentatet me bomba të gushtit 1980 në Bolonjë. Në regjistrimet e videove të ekzekutimit të pengjeve të huaja prej al-Kaidës në Irak „inskenimi“ i ngjan deri në detaje vrasjes së Aldo Moros prej Brigadave të Kuqe: në sfond flamur dhe stema të organizatës, pengu i lidhur dhe me sy të mbuluar, kryerja e një gjykimi prej „gjykatës“ së militantëve, deklarimi i „vendimit“ dhe ekzekutimi. Modus operandi dhe format e organizimit të al-Kaides, figura qëndrore e imperializmit amerikan si armik, si dhe praktikat e rekrutimi te drejtuara ndaj të rinjve, muslimane te edukuar në perëndim apo të konvertuar këta: të gjitha këto tregojnë se al-Kaida nuk është thjesht shprehje e një tradite, bile as e një fundamentalizmi islamik, por është shumë më tepër një variant i islamit të veshur me rrobat e ideologjive revolucionare perëndimore.

Si e shpjegoni suksesin e lëvizjeve apo ideologjive te tilla radikale? A ka lidhje me varfërinë dhe margjinalizimin?
Jo. Një sërë kërkimesh tregojnë se nuk ekziston një korrelacion midis varfërisë dhe radikalizimit: me aktivët në levizjet radikale islamike janë arabojugorët dhe jo bangalët – de facto nuk ka fare militantë nga Bangladeshi. Për mua, konflikti aktual është një vazhdim i konfrontimeve të vjetra të nisura nga lëvizjet antiimperialiste të Botës së tretë e që drejtohen kundër Perëndimit, në mënyrë të veçantë kundër USA. Në mënyrë të ngjashme, Bin Ladin flet shumë pak për fenë, por flet për Che Guevarën, për kolonializmin, për ndryshimet klimaterike ... Më tej, al-Kaida është qartësisht një lloj lëvizje të rinjsh – ajo realizohet nga të rinj, të cilët janë distancuar nga familjet apo rrethi shoqëror dhe që nuk shfaqin interes as për vendet e tyre të origjinës. Ka çuditërisht një numër shumë të madh të konvertuarish midis anëtarëve të al-Kaides. Ky është ndërkohë një fakt i njohur, por të cilit i kushtohet shumë pak vëmendje. Të konvertuarit janë rebelë pa qëllim dhe orientim e që, para 30 vjetesh, ndoshta do t'u ishin bashkangjitur RAF apo Brigadave të Kuqe: sot i bashkangjiten thjesht lëvizjes më të suksesshme në tregun antiimperialist. Ata janë megjithatë pjesë e traditës së një mijëvjeçari revolucionar, kryesisht perëndimor, që është larguar shumë nga utopia e një shoqërie të drejtë për të gjithë. Lëvizjet e reja janë shumë skeptike përkundrejt mundësisë së realizimit të një shoqërie ideale – prandaj dhe dimensioni vetëvrasës, i cili gjendej edhe tek RAF.

Disa evropianë janë të opinionit se në një Perëndim me themele kristiane çdo gjë islamike është problematike dhe e huaj. Ç’mendoni për këtë opinion?
Është një opinion që shprehet në një kohë kur, nga njëra anë Papa Benedikt XVI, ashtu si edhe paraardhësi i tij Johannes Paul II, ankohet se Evropa po humbet dhe injoron rrënjët e saj kristiane. Debati mbi lirinë seksuale, abortin, të drejtat e homoseksualeve nuk është konfrontim midis evropianëve dhe muslimanëve, por midis sekularistëve – të tillë ka edhe midis muslimanëve – dhe besimtarëve konservativë, qofshin këta muslimanë, katolikë apo ortodoksë - judaij. Evropa de facto paraqitet me opinione të ndryshme për vetë kulturën e saj. Sekularët shohin tek Iluminizmi dhe idealet e lidhura më të, -si të drejtat e njeriut, liria dhe demokracia, - momentin e lindjes së Evropës, ndërsa disa fraksione të orientuara nga kristianizmi janë të opinionit se edhe komunizmi, ateizmi dhe, bile, edhe nacionalsocializmi, janë rezultate direkte të Iluminizmit.

A ka rrezik që armiqësia ndaj Islamit të shndërrohet në një realitet evropian?
Edhe kjo çon tek pyetja se si e përkufizojmë nocionin. Ështe armiqësia, tek e fundit, një formë tjetër e racizmit që drejtohet në mënyrë specifike kundër njerëzve me emra myslimane, duke injoruar qëndrimin e tyre ndaj besimit? Apo është refuzim i një feje? Ka militantë antiraciste që janë kundër perçes, siç i gjejmë p.sh. midis feministeve; ka racistë të cilëve nuk u intereson fare perçja, sepse muslimanët për ta janë thelbësisht njerëz të tjerë. Kjo do të jetë për aq kohë delikate, derisa të dy këta faktorë - përkatësia etnike dhe besimi – si rregull nuk do të diferencohen qartë. Natyrisht, shumica e myslimanëve evropianë e kanë origjinën nga kultura të tjera, por lidhja midis origjinës së vendit dhe besimit fillon të zgjidhet: ka evropianë që konvertohen në myslimanë, ashtu siç ka myslimanë që konvertohen në kristianë, ka arabë dhe turq ateiste. Gjithnjë e më shumë myslimanë në Evrope duan që të konsiderohen pjesë e një komuniteti të caktuar fetar, por jo më pjesë e një origjine jashtë evropiane. Do të duhet të dallojmë midis tipareve të etnisë dhe besimit fetar, sepse ato janë fenomene të ndryshme, me të cilat duhet edhe të përballohemi në mënyra të ndryshme.

Si duhet të sillet politika përkundrejt këtyre besimeve „globale“, të larguara nga rrethi i tyre kulturor?
Mendoj se tamam këto besime – dhe jo institucione të etabluara si kisha katolike - janë tani për tani më të suksesshmet. Keshtu që nuk ka kuptim të luftosh kundër tyre, sidomos në vende ku liria e besimit është një e drejtë e ligjshme. Në të kundërtën, duhet të forcohet ndarja e shtetit nga feja, në mënyre që t'u garantohen të gjitha besimeve të drejta ligjore të barabarta. Kjo jo në kuptimin e një „multikulturalizmi“, por të kushteve që i mundesojnë një komuniteti fetar të ushtrojë të drejtat e tij – në një formë të lirisë fetare të përcaktuar mirë dhe neutrale brenda kufijve të ligjshmërise ekzistuese.

Në media flitet shpesh për dialektikën e Islamit „liberal“ kundër atij „radikal“. Çfarë duhet të mendojmë për këte terminologji dhe vlerësimet e lidhura me to?
Unë nuk besoj që një besimtar, për të qenë një qytetar i mirë, duhet të përqafojë një version „liberal“ të besimit të tij. Edhe kërkesa për një „reformim“ të Islamit nuk më bind. Njerëzit qe thërrasin per një „Luther musliman“, nuk e kane lexuar kurrë Luther-in. Ai nuk ka qenë fare liberal dhe, për më tepër, ka qenë një antisemit i deklaruar. Përshtatja e myslimanëve në kontekstin perëndimor nuk ka të bëjë me teologjinë, por shumë më tepër me praktikën jetësore dhe përpjekjet e çdo individi. Ata përpiqen të harmonizojnë praktikat e tyre me ambientin perëndimor dhe ky ambient u ofron edhe mundësitë reciproke – ata, p.sh., mund të mësojnë të mendojnë t'i rikonsiderojnë normat e tyre në kontekstin e vlerave moderne. Kjo mund të çojë, herët apo vonë, në një lloj reforme të mendimit teologjik, por në thelb më duket pa kuptim të barazosh modernitetin me teologjinë liberale. Të mendosh kështu do të thote ose të keqkuptosh historinë ose të zhytesh në një iluzion të pastër.
 Përktheu dhe përgatiti për publikim SMR