26.3.10

Iluzione dhe realitete

Disa ditë më parë, shtypi zviceran (Tagesanzeiger, 20 Mars) njoftoi për rastin e një mësuese të një shkolle private të Zürichut, e cila duhet të lerë menjëherë Zvicrën edhe pse mesuesja është me leje të rregullt qëndrimi dhe leje pune, edhe pse shkolla që e ka punësuar dhe prindërit e fëmijëve që ajo edukon e kualifikojnë atë si një nga mësueset më të mira të shkollës. Mësuesja në fjalë është qytetare e Afrikës së Jugut, një shtet që nuk përfshihet në Komunitetin Evropian, pra, një shtet jokomunitar e, për të cilet, shteti i Zürich-ut, dhe jo vetëm ai, ka përgjysmuar kontigjentin e lejeve të punës.
Në pamje të parë, reduktimi i kontigjentit të lejeve të punës për jokomunitarët duket të lidhet direkt me krizën ekonomike që ka përfshirë edhe Zvicrën. Si askurrë në këto 20 vite të fundit, papunësia si rezultat i krizes ka arritur në Zvicer shifrën 5%. Por, një vështrim i kujdesshëm i tematikave aktuale të medias sygjeron se, në të vërtetë, mbrapa këtij reagimi fshihet përpjekja e shtetit zviceran për të mbrojtur tregun e brendshëm që rrezikohet gjithmonë e më shumë nga njëra anë nga zgjerimi i Komunitetit Evropian dhe nga ana tjetër nga liberalizimi i vizave në shumë vende jokomunitare, sidomos ato të Ballkanit që kanë një emigracion shumë të madh në Zvicër.
Zvicra nuk është anëtare e komunitetit Evropian; ajo bashkëpunon ngushtësisht me të nëpërmjet një serie marrëveshjes reciproke. Njëra nga këto marrëveshje e detyron Zvicrën të hapë tregun e saj të punës për vendet e Komunitetit Evropian, dmth, ta hapë edhe ndaj vendeve të Lindjes shtuar komunitetit viteve të fundit. Frika ndaj fuqisë punëtore që i shtohet tregut Zviceran të punës nga Lindja është e madhe: Fuqia punëtore e këtyre vendeve është e lirë dhe imponon reduktim të rrogave për fuqinë punëtore vendase, rrezikon skulifikimin nga konkurrenca vendasin.
Kontigjenti i lejeve të punës është një mekanizëm i vjetër me të cilin shteti zviceran mban në kontroll tregun e punës; është një mekanizëm diafragmë: hapet dhe mbyllet sipas interesave të tregut. Është një mekanizëm të cilin shteti Zviceran ja kundërvë edhe vetë marrëveshjeve që nëshkruan vetë, edhe asaj të nënshkruar me Komunitetin Evropian: Përtej fasadës së marrëveshjes për hapje tregu, në Zvicër jo çdokush mund të marrë lejen e punës. Kontigjenti i lejeve të punës favorizon, megjithatë, komunitarët: një firme që punëson të huajt i kërkohet që kur nuk e mbush dot vendin e punës me vendasin, ta kërkojë atë në Komunitetin Evropian dhe vetëm kur të ketë treguar bindshëm që nuk ka qenë e mundur gjetja e një kapaciteti brenda këtyre hapësirave, një firmë mund të kërkojë punësimin e dikujt jashtë. Këta të fundit, jokomunitarët janë pronë e humorit të shtetit zviceran dhe, kryesisht, të pambrojtur. Si në rastin e mesueses nga Afrika e Jugut, ata duhet ta lënë vendin menjëherë.
Një nga frikërat që paraqesin komunitarët, dhe kryesisht ata të lindjes, për tregun e punës zviceran është anashkalimi i politikës së kontigjentit duke shfrytëzuar lejen tre mujorshe të turistit, që perkthehet në rritje të tregut informal/ilegal të punës. Më mediatike, më e dukshme kjo reflektohet në aktivitetet kriminale dhe gjysëmkriminale si prostitucioni, psh. Por, siç raporton së fundi shtypi zviceran (NZZ, 23 Mars), nuk përjashton as punë si ndërtimi, bujqësia apo babysiter.
Shfrytëzimi i lejes së turistit bëhet edhe me problematik në rastin e vendeve të Ballkanit. Liberalizimi i vizave në Maqedoni u shoqërua me një rritje të kërkesave për azil në Paris dhe Bruksel. Artikuj ne shtypin zviceran (NZZ, Mars, Tagesanzeiger, Februar) japin motive dhe dinamika te këtij emigracioni të ri. Janë familje, janë të rinj, nga të gjitha grupet etnike, që largohen si pasojë e mungesës së një të ardhmeje në një vend me një stanjacion të frikshëm ekonomik. Rasti maqedonas është një paralajmërim për të ardhmen e afërme, kur do të liberalizohen vizat edhe për Bosnjën, Kosovën dhe Shqipërinë, të treja vende me probleme të mëdha ekonomike e me një histori emigracioni. Zvogëlimi i kontigjenteve të punës dhe fuqizimi i policisë që kontrollon tregjet informale janë dy nga masat me të cilat qeveria Zvicerane reagon ndaj këtyre zhvillimeve. Dhe, sipas shenjave, ajo nuk është e vetmja.
Me të drejtë lind pyetja, çfarë i pret vendet e Ballkanit (ato qe akoma presin) pasi ata të arrijnë ëndrrën e liberalizimit të vizave? Çfarë shpresash paraqet perëndimi për të rinjtë shqiptare?
Jo shumë. Njerëzit nuk do torturohen radhëve të gjata dhe të mundimshme të burokracisë së huaj në vendin e tyre për të marre një vizë për jashtë shtetit. Ata që kanë mundësitë ekonomike do kenë mundesi të shëtisin evropen si turistë. Profesionistët, akademikët do komunikojnë fizikisht më lehtë me kolegët e tyre. Ajo që nuk do arrihet (të paktën jo në masë) është ëndrra për të ndërtuar një jetë dinjitoze në perëndim, një jetë me cilësi me të mirë nga ajo qe kanë. Sepse për ta bërë këtë ëndërr realitet, duhet një punë dhe është pikërisht kjo mundësi që perëndimi nuk ofron; sepse tregjet e punës për Lindjen dhe jokomunitarët janë të vogla e  po mbyllen edhe më shumë. I vetmi treg pune „i hapur“ ngelet, sidomos për ballkanasit, ai i bashkëatdhetarëve apo familjarëve të emigruar e integruar tashmë prej vitesh në vendet perëndimore që kanë arritur të ngrenë bizneset private. Por ky treg është, megjithatë, shumë i vogël dhe i kontrolluar nga kontigjentet e lejeve të punës. Ashtu si komunitareve të lindjes, shqiptarëve dhe të tjerëve, nuk do u ngelet vetëm se të përfundojnë në tregun informal të punës dhe të përballen këtu me pasigurinë dhe inkriminimin që sjell ilegaliteti. Por, pjesës më të madhe nuk do i ngelet të bejnë vetëm se atë që po bejnë shumë lindorë e që po bëjne edhe maqedonasit: kthimi në shtëpi.
Ka të ngjarë që iluzioni i prishur i magjisë së vizave do të zëvendësohet me atë të hyrjes në Komunitetin Evropian. Por, sic e tregon edhe eksperienca e vendeve të lindjes, ky është një iluzion tjetër. Ngelet vetëm një shpresë, që herët a vonë të kuptohet se dëshira, ëndrra për një cilësi jete më të mirë nuk duhet deleguar në realitete të tjera. Ajo duhet kërkuar, pra, ndërtuar vetë, në vend. Më mirë herët se sa vonë.