24.2.10

Ç’të bën fëmija!

Mami ka shkuar tek komshija poshtë, tek teta Vera. Teta Vera sot ka lyer shtëpinë.
„E shkreta“, - tha mami, - „për herë të dytë brenda vitit. Ç’viti!? Brenda dy muajsh! Ç’të bën fëmija“.

Fëmija jam unë dhe kam bërë një faj: kam harruar çezmën hapur. Uji na vjen vetëm tre herë në ditë, në mëngjes, drekë dhe darkë. Kur ka ardhur dje në drekë, ne nuk ishim në shtëpi dhe uji, pasi ka mbushur gjithë dyshemenë e kuzhinës sonë, ka rrjedhur edhe në muret e teta Verës.

Mami ka bërë një kafe dhe ka shkuar t’ja çojë teta Verës, se është lodhur shumë sot duke larë e pastruar gëlqere. Kështu më tha mami. Dhe pastaj më tha, që unë duhet të kujdesem për bebin deri sa të kthehet ajo.
Bebi - kjo është motra ime. Kështu më thanë mami me babin kur e sollën në shtëpi. Para se të lindte bebi ishte në barkun e mamit dhe mami me babin me thoshin se ne duhet ta duam shumë bebin, dhe se unë nuk do të isha më vetëm sepse do të kisha dikë me kë të luaja. Bebi është i vogël, fle gjithë ditën dhe nuk do të luajë fare me mua. Unë ja fus gishtin tek goja që ta zgjoj. Por kur zgjohet, bebi fillon të qajë dhe atëherë mami vjen me vrap e më bërtet: „Çfarë i bëre bebit?“ Sa herë që mami më bërtet kështu, unë e marr shumë inat bebin. Për fajin e bebit mami më bërtet mua. Unë atëherë i them mamit se ajo është gënjeshtare. Se bebi nuk do të luajë fare me mua. Dhe se unë nuk dua fare të kem motër. Ca më pak një gjë kaq të vogël e të shëmtuar që nuk di as të flasë dhe as të luajë; që vetëm qan dhe fle.
„Vetëm për fajin e saj“, – bërtas unë me të madhe dhe iki duke përplasur këmbët.

Bebi po fle. Me gojën hapur. Unë e shoh me inat dhe shkoj në kuzhinë. Në oborr po luajnë fëmijët. Hap dritaren dhe zgjas kokën përjashta. Janë mbledhur gjithe çunat e pallatit dhe po luajnë me top. Rezarti, ky është komshiu përballë teta Veres, merr topin dhe ja gjuan Benit të shkallës tjetër. Benin topi e kap në fytyrë. Ai mbulon fytyrën me dore dhe pastaj i inatosur e duke bërtitur shkon me vrap tek Rezarti dhe fillon ta gjuajë me grushta. Rezarti e kap për trupi, i fut një stërkëmbësh dhe e rrëzon Benin përtokë. Çunat e tjerë afrohen nga ana e Rezartit dhe tallen me Benin. Mua më vjen shumë keq për Benin. Unë nuk e dua Rezartin, bile e kam frikë se bën gjithmonë si komandant dhe mua, sa herë më sheh më thërret „erdhi shushka“. Çunat bëjnë edhe ca sherr dhe largohen. Unë mbyll dritaren. Nuk di ç’të bëj. Mami nuk është kthyer akoma.
Shkoj tek dhoma ku është bebi. Por bebin nuk e shoh gjëkundi.
„Bebi, ku je?“ - thërras unë.
Mami e kishte vënë tek krevati i saj kur iku, por tani nuk është më aty. Ngre mbulesën e krevatit, por nuk ka beb. Shkoj tek krevati i bebit, po as aty nuk është. Mua më kap frika dhe filloj të qaj. Si do t’i them mamit që bebi ka ikur? Hap derën e jashtme me lot në sy dhe filloj të zbrez shkallët që të çojnë tek teta Vera. Me çdo shkallë që zbrez e ngre zërin e të qarit. Kur arrij para derës së teta Verës, dera hapet pa pritur që t’i bie.
Teta Vera dhe mami më dalin përpara me fytyra të merakosura dhe më pyesin, - „Çfarë ka ndodhur?“ Unë tregoj me gisht nga kati më sipër, aty ku e kemi shtepinë ne. „Bebi“, - them midis ngashërimave, me gishtin gjithmonë sipër, – „bebi ka ikur.“ Këtu mua më mbulojnë lotët. Mami ngjitet me vrap sipër. Teta Vera më merr në krahë, mundohet të më qetësojë dhe pastaj më kap për dore e fillojmë të ngjisim shkallët bashkë.
Kur arrijmë tek dera e dhomës së bebit shohim mamin duke kërkuar poshtë krevatit të madh. Kur ngrihet ka në dorë bebin. E rregullon dhe e vë mbi krevat.
„Po, si është futur deri aty?“, – pyet teta Vera.
Të dyja gratë më hedhin sytë. Mami më vjen pranë më kap nga krahët dhe më thotë: „Trego të vërtetën!“
„Nuk e kam futur unë bebin aty, për kokën e babit, nuk e kam futur unë bebin aty.“, – them unë duke bërtitur.
„Ishte Tani këtu?“, - pyet mami. Tani është komshiu im i katit sipër, dhe shoku im më i ngushtë.
„Jo“, - them unë mes ngashërimash.
„Pa më thuaj pak, çfarë bëre gjatë kësaj kohe?“
Unë mblidhem grusht dhe i tregoj që po shihja kalamajtë e pallatit nga dritarja.
„Sa herë të kam thënë të mos varesh në dritare kur nuk ka të rritur në shtëpi?“ – shpërthen mami dhe mi ngul sytë e inatosur.
Unë i kam shumë frikë sytë e mamit kur inatosen. Ata bëhen shumë të mëdhenj dhe unë nuk di ku të fshihem. Ul kokën dhe mbështjell duart mbrapa kurrizit.
„Po të ishe rrëzuar nga dritarja?“ – thote mami.
Bum, dëgjohet një zhurmë nga mbrapa kurrizit të mamit.
Kthejmë kokat dhe shohim beben që ka rënë në dysheme. Ka hapur sytë, sheh nga tavani dhe rri ashtu pa lëvizur. Të dyja gratë shohin bebin, pastaj mua, pastaj njëra tjetrën. Mami shkon të ngrejë bebin nga toka. Teta Vera më përkedhel kokën dhe i thotë mamasë: „Po shkoj të të bëj një kafe.“