ENVER HOXHA - Boi, vajza që e marrosi.
Ky titull hap faqen e parë të një prej shtojcave të së përditshmes së Tiranës, Panorama, atë të “Unë gruaja”. Artikulli që e shoqëron na informon, se babai i Boit (Boi është shkurtimi i emrit Valbona), Sokoli, është kujdesur të nxjerrë në dritën e diellit ditarin intim të babait të tij, Enver Hoxha, ditar, ose një pjesë ditari, që i kushtohet raportit të tij me mbesën Valbona. Bëhet fjalë për një ditar të mbajtur për rreth 6 vjet, e që fillon nga lindja e Boit. Nga shtojca e Panorames, “Unë gruaja”, mësojmë për një Enver Hoxhë të emocionuar nga lindja e mbesës, për një Enver Hoxhë sentimental e zemërdredhur pas cdo shqetësimi të Boit, për një Enver Hoxhë tërësisht të dedikuar pas Valbonës; me një fjalë, një gjysh i shkëlqyer. Bëhet fjalë për Enver Hoxhën, të cilit sot i thërrasim diktatori, e që, po t’i besojmë edhe këtij ditari, duket se ka pasur vetëm një dashuri absolute, atë për Valbonën.
Valbona Hoxha nuk është mbesa e vetme e Enver Hoxhës. Botimet e tij, lexime të detyruara për brezin tim, nganjëherë ngjyroseshin edhe me foto private të familjes Hoxha, një familje e madhe, me plot nipa e mbesa. Por ishte Boi, pikërisht Boi, ajo që i ngjiti më shumë Enver Hoxhës.
Marrëzia e Enver Hoxhës për Valbonën ka qenë e ditur për brezin tim, ka qenë një temë diskutimi. Ishte pikërisht ky dedikim i vecantë i Enver Hoxhës, qe tek në vinte nëpërmjet thashethemeve, që na bëri të mos e harronim Valbonën sic harruam mbesat e nipat e tjerë; që na bënte ta ndiqnim me sy sa herë ajo shfaqej në bulevard të dielave, ta gjurmonim sa herë e dallonim rrugëve të Tiranes, t’i komentonim të gjitha fazat e rritjes së saj. Ndoshta, projektonim te Valbona dëshirën tonë për të qenë ajo, ndoshta teksa ishim aq afër saj na krijohej ideja se ishim afër atij, ndoshta projektonim tek ajo ëndërrën për të patur një gjysh kaq të vecantë si ai, per të qenë kaq me fat si ajo, kaq e përkedhelur si ajo.
Tre të njohurat e mia, A., O., dhe G., moshatare të Boit, nuk patën kurrë fatin të kishin një gjysh që i përkëdhelte, që marrosej pas tyre. Gjyshët e tyre gjyshi i Valbonës i kishte futur në burg, ku ndoshta edhe vdiqën duke endërruar herë pas here një shëtitje të pafajshme me mbesat dhe nipat e tyre. Gjyshët e tyre, ata që e mbijetuan, kur dolën nga burgu, mbesat i gjetën gra. Gjyshët e tyre, kur dolën nga burgu, i gjetën mbesat si njerëz të huaj: koha e gjatë e ndarjes nuk ua kishte mundësuar kultivimin e raportit gjysh-mbesë. Tre moshataret e Boit, edhe pse ishin vetëm mbesa, i morën me një makinë të madhe e i cuan në fund të botës. Tre moshataret e Boit nuk e kanë njohur kurrë se cdo të thotë dashuri pa kufi: në fundin e botës ato i priste përcmimi total.
Dikur, në atë kohë, jo vetëm fundi i botës, por të gjithë i përcmonim këta njerëz që Enver Hoxha i fuste në burg e ua syrgjynoste familjet. Të paktën, shumica prej nesh. Ata që nuk i përcmonin hapur, i injoronin. Këta ishin armiqtë, e kur nuk i shihnim si armiq, i shihnim si humbësit e mëdhenj; si njerëz të paaftë për ta ruajtur veten nga ky fat; si njerëz që e kishin fajin vetë. Dhe, për të hequr shijen e keqe të këtij konfrontimi, kryesisht virtual, ne kishim gjithmonë Boin. Boi po rritej e po bëhej një gocë e bukur. Bëmë Mama të të ngjaj. Bëmë Baba të të ngjaj. Bëmë Gjysh të të ngjaj. Të gjitha ishin të aplikueshme për Boin.
Enver Hoxha ka vdekur. Për të larë paksa ndërgjegjen, të gjithë, kolektivce, i hodhëm dikur një grusht baltë. Shkrimtarë të rinj po profilohen duke shkruar për diktatorin. Politikanët, gjithashtu, e përdorin nganjëherë hijen e tij për të na trembur. Por, Boi, mbesa e Enverit, është akoma midis nesh. Ajo është rritur. Eshtë e bukur. E shëndetshme. Eshtë martuar. Ka fëmije. Në vazhdojmë ta pergjojmë kur ecën rrugëve të Tiranës, ta admirojmë si dikur Mbesën e Enverit, ta komentojmë për bukurinë dhe trupin, për ligjet e trashëgimisë. E, nëse qëllon që për një moment ta harrojmë, tabloidet e Tiranës na mbajnë në kontakt me të rejat nga Boi, si psh, sa herë në javë shkon Boi në palestër për të ruajtur bukurinë e trupit të saj.
Tre të njohurat e mia nuk jetojne në Tirane. Nuk jetojnë fare në Shqiperi. I kanë kthyer shpinën këtij vendi që u ka shkatërruar, as më pak dhe as më shumë, vetë jetën. Nuk e njohin njëra-tjetrën, dhe historitë i kanë të ndryshme. Por i bashkon dicka. I bashkon drama e njeriut që është lindur dhe rritur i përcmuar. Dramë që nuk ka psikofarmak që t’ua lehtësojë, dramë që nuk ka psikoanalist t’ua shërojë; dramë që u ka vrarë dicka fare-fare fundamentale të shpirtit të njeriut, dicka në tabanin e asaj që e bën njeriun njeri, dicka që ka të bëjë me vetëvlerësimin e njeriut, me perceptimin e dashurisë, të respektit; me dhënien dhe marrjen e dashurise dhe respektit. Drama që nuk ua kanë lejuar të ndertojnë dhe sot e kësaj dite një jetë, një jetë që do t’i mbronte nga drama hije që nuk do u shqitet më kurrë derisa të vdesin.
Sa vajza të tilla, mbesa potenciale, të gjyshërve potenciale, janë shkatërruar nga gjyshi i Valbonës? Nuk e patën fatin të merrnin dashurinë që ajo mori? Unë nuk e di, askush nuk e di; askujt nuk i intereson. Në mënyre ndoshta të pavetëdijshme, ne këto vajza, baballarët e tyre, gjyshërit e tyre, vazhdojmë t’i përcmojmë e injorojmë; sepse përcmimi dhe injorimi janë shumë thellë brenda nesh. Tek jetët e tyre të shkatërruara ne sot gjejmë një alibi për t’i përfolur përsëri, për t’i mbajtur larg, për t’i izoluar; sepse interesimi për to/ta dhe jetën e tyre do të na rikujtonte se ne jemi bashkëfajtorë në shkatërrimin e këtyre jetëve, do të na bënte të vetëdijshëm për përmasat e dramës, do të na bënte të merreshim sinqerisht me përgjigjen (që kaq shumë i shmangemi) e pyetjes: Cilët jemi përtej maskës? Cfarë kemi bërë?
Midis opsionit për të kuptuar e ndjerë dramën e tjetrit, dramë ku edhe ne anonimet nuk jemi pa faj, dhe shijimit të estetikës së trupit elegant të Valbona Hoxhës, ne kemi zgjedhur këtë të fundit. Panorama i ngre pak më lart shijet e saj. Ajo nuk e vë veten vetëm në shërbim të reklamimit të palestrave ku bën stërvitje Boi, sic bëjnë tabloidët e tjerë dhe thashethemet; ajo shkon më larg. Gazeta elitare Panorama përpiqet t'i japi trupit të stërvitur mirë të Boit edhe pak shpirt. Por, mbi të gjitha, ajo përpiqet t'i japë edhe vetë Enver Hoxhës shpirt: Enver Hoxha nuk na paskërka qenë vetëm diktator, ai na paskërka qenë edhe një njeri me zemër të ndjeshme, një gjysh i mrekullueshëm.
Enver Hoxha paskërka qenë më largpamës nga c'e kishim kujtuar. Duke folur në terma ekonomike, Enver Hoxha, duke zgjedhur Valbonën si debulesë të zemrës së tij, duke celebruar dashurinë e tij për mbesën në publik; duke krijuar mitin e Boit, ka bërë edhe investimin më të mirë të jetës së tij. Sepse, është pikërisht nëpërmjet këtij investimi, Boit, që elita shqiptare e risjell Enver Hoxhën përsëri në mes nesh, këtë here të revizionuar në formën e një miti të ri, njerëzor; në mitin e gjyshit të Boit.
PS: Ky artikull nuk eshte analize e mirefillte per Enver Hoxhen: eshte nje reaksion i shkaktuar nga nje situate konkrete dhe absurde qe ndodh ne nje vend ku per 18 vjet me radhe nuk e ka vrare ndergjegja njeri te analizoje seriozisht as komunizmin dhe as Enver Hoxhen, nuk e ka vrare ndergjegja njeri t'u kerkoje te falur viktimave te komunizmit, familjeve te tyre dhe aq jeteve te shkaterruara; ku i ashtequajturi Nuremberg Shqiptar nuk mundi t'i vertetonte asgje kriminale, as udheheqesit dhe as elites politike, nje gjyq ku krimi me i madh i komunizmit u gjykua kafja e papaguar. E, pra, ne nje vend si ky, ku elitat refuzojne te flasin per kete sistem (pervecse kur vijne zgjedhjet), ku akoma nuk jane demshperblyer te burgosurit politike, elitat kerkojne te na mallengjejne me ditare private te Enver Hoxhes, me mbesa ekskluzive dhe dashuri marrezie. Ky artikull i dedikohej A, O dhe G. dhe gjithe atyre mbesave qe ky njeri qe po na kerkohet nga elitat ta relativojme kur as nuk e kemi denuar, ju ka vrare jeten.
8.7.09
Gjyshi i Boit
Labels: Opinione
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

8 Kommentare:
Self e dashur,
Unë të lutem ta botosh këtë shkrim.
Duke u munduar t'i qendroj larg përjetimeve emocionale, mendoj se ky shkrim përfaqëson një tendencë të vyer, sakaq të mbytur në hapësirën publike shqiptare, e cila shpalos pa komplekse jo vetëm sëmundjen e shoqërisë, por ofron edhe shërim pikërisht nëpërmjet balsamit të vetëm, vetitë kurative të të cilit janë provuar tashmë në kohë e hapësirë; balsam ky i cili nuk blihet pazareve e çarshive, por mblidhet ngadalë fushave e livadheve të skajshme të dijes, e për emërtimin e tij është rënë unanimisht darkot të quhet, humanizëm.
Për hir të së vërtetës, e cila edhe pse jep shpirt, ende nuk ka vdekur, dëshiroj të dëshmoj për gjithë ata heronj të heshtur - të cilit nuk kishin kurëfarë lidhje me heronjtë e punës socialiste apo me ata të tjerët e luftës nacional çlirimtare që iu shitën popullit gja gjyshi diktator si heronjtë kriminelë vëllavrasës, ndërkaq që një pjesë e mirë e tyre luftuan kundër pushtuesit të vatanit e jo për pushtet të përgjakur nga krimi - dëshiroj pra të dëshmoj për dashurinë, mëshirën, respektin dhe miqësinë e atyre pak njerëzve që iu gjenden pranë armiqve të regjimit të gjyshit barbar në momente jo vetëm të vështira por edhe të rrezikshme për rrjedhën e vetë jetës së tyre.
Humanizmi i këtyre pak njerëzve mbetet shpresa reale mbi të cilën duhet investuar për të shpëtuar nga trashëgimia e barbarisë.
Anonim i pare,
gezohem qe te shoh perseri. Do ta botoj. Mireardhsh.
Anonim i dyte,
faleminderit shume per komentin tend. Une nuk njoh njerez si keta qe ke njohur ti, por pas befasise ndjeva nje lloj clirimi, nje lloj shprese. Absolutisht dakort me ty: keta njerez duhet te jene modeli ku duhet te edukohen brezat e ardhshem. Uroj qe kjo te ndodhi. Edhe nje here, faleminderit.
Ka pasur vërtet njerëz të tillë, nuk është aspak vegim.
Për ata që ende nxisin dasitë mes shqiptarëve, është e rëndësishme të theksohet se këta njerëz kanë qenë edhe fshatarë edhe qytetarë; edhe toskë, por edhe gegë; edhe myslimanë, edhe ortodoksë, edhe katolikë.
Eshtë prekëse t'i përkujtosh këta njerëz të mirë e të urtë, të cilët i rezistuan shëmtisë dhe barbarisë nga lartësia e njerëzillëkut dhe fisnikërisë së tyre, gjithë duke sfiduar qetësisht.
Edhe dy elementë të tjerë, të cilët uroj të të ndihmojnë në këtë analizë kaq humane:
a) Shikimi përbuzës ndaj armiqve të popullit ka qenë padyshim prezent. Sakaq, paralelisht me të, dhe po aq fort sa dhe ai, ka ekzistuar edhe një tjetër shikim, ai i tmerrit.
Armiqtë e popullit janë parë realisht me tmerr nga një pjesë e konsiderueshme e kriminelëve apo e bijve të tyre; frika ndaj armikut ka qenë realisht primare dhe e pakontrollueshme.
Eshtë i njohur si fenomen; kur tjerin e vret pa shkak, në menyrën më barbare, thjesht për t'i zenë vendin, përçmimi është ndjenja mbrojtëse, por ndjenja bazë është frika nga ndëshkimi, në mos i tij, i vetë fatit. Duhet të jetë realisht e tmerrshme pozita e kriminelit.
b) Dallimi i kësaj frike në sytë e tjetrit, përbënte një prej arsyeve që armiku i popullit të përjetonte i heshtur hakmarrje, e cila edhe pse simbolike, ish gjithherë domethënëse sepse jepte kurajë për rezistencë.
Armiqtë e popullit, më saktë një pjesë e tyre, ajo që mundi t'i rezistojë barbarisë pa u thyer, përgjithësisht kanë qenë dhe mbeten njerëz me krenari të theksuar, bile të shfrenuar. Kjo, jo vetëm si rezultat i historive të tyre përkatëse shpeshherë të lavdishme në shërbim të vendit, por për faktin që nuk u thyen nga mizoria në boshtin e qënësisë së tyre; shumë prej tyre kanë qenë oaze të vërteta dijesh dhe kukture të jashtëzakonshme, të cilat transportonin në livadhe luksoze shumë të largëta nga shëmtia përreth; livadhe këto të cilat, barbarët me paratë e vjedhura të armiqve nuk mundën dot t'i blenin e me sa duket, ende nuk po munden dot t'i blejnë.
Me sa duket, siç e tha dhe anonimi tjetër më lart, liria e xhanit dhe mendjes, kërkonka një tjetër lloj monedhe nga ajo e arta.
E habitshme. Ska shume minuta po flisja me tim ate, duke i thene qe te hiqte dore nga leximi i gazetave shqiptare ngaqe, besoj une, ato jane tejet te demshme per shendetin mendor te nje njeriu, qofte dhe te ri. Dhe nuk e di sesi, i permenda shembullin e ditarit te Hoxhes. I thashe : "Mos lexo gjera qe te ngarkojne trurin, si puna e ditarit te Enver Hoxhes. Sepse ky njeri ishte aq i zoti sa te firmoste varjen ose pushkatimin e nje njeriu dhe ne darke te shkonte ne shtepi te luante me Boin."
Eshte e pamundur te lexohen tmerre te tilla si ditari familjar i Enver Hoxhes. Une e kuptoj shume mire qe ketu mund te nxirren ca gjera mbi funksionimin e trurit te tij, por gjithsesi, nje njeri me ndertim normal nuk mund t'i kaperceje lehtesisht ledhatime te tilla si "Boi, xhan i gjyshit".
Me diktatoret, ndodh gjithmone e njejta gje : mungesa e plote e dhembshurise. Dhembshuria nuk eshte thjesht nje ndjenje njerezore demode qe mund te perqeshet ngaqe i dhembshuri mund te duket si anakronik dhe hajvan. Por dhembshuria eshte nje veti thelbesore e njeriut : aftesia per te dale nga vetja dhe per t'u futur nen lekuren e nje vuajtesi, per te ndjere (ose perpjekur te ndihet) e njejta gje me kete te fundit.
Eshte e habitshme sesi femijet e diktatoreve apo xhelateve, kur tregojne per eterit e tyre, kane gjithmone te njejtat fjale : im ate ka qene nje njeri i shkelqyer, ai ishte babai me i mire ne bote.
Kjo te le te kuptosh qe emeruesi i perbashket i ketyre xhelateve dhe diktatoreve eshte : LIGESIA e ngritur ne kult dhe ne sistem.
Filozofi i madh francez Emmanuel Levinas ka ca faqe shume te bukura mbi kete dyzim te xhelateve naziste : gjithe javes, ata merreshin me gazimin e çifuteve, dhe te dielen, bashke me femijet dhe te shoqen, shkonin ne kishe per te bere njelloj si gjithe njerezit e tjere.
Pershendetje,
UN
Gjithnje njerez te tille si diktatoret duhen studiuar nga psikiater ,psikanaliste,psikologe e nga çdo specalist qe fillon me psike,sepse te vepruarit e tyre kalon ne here mesataren e ligesise njerezore...Por me tronditese eshte veçanesia e barbarizmit te tyre....çdo diktator eshte diktaor origjinal....Fakti qe Boi edhe sot ndiqet si "dikushi"me thote se ende eshte larg sherimi mendor i njerezve ne Shqiperi.Indiferenca...do ishte ilaçi me i mire ,madje edhe hakmarrja me e mire.Anuk e shihni sa vuajne keta njerez per te patur vemendjen e te tjereve??Pikerisht per kete botojne pjese te kujtimeve te diktatorit.Per mua eshte vertet sconcertante nje si dmirim i druajtur qe lexova ne komentet e peshkut...
Zana i referohet diskutimeve ne lidhjen e meposhtme
http://peshkupauje.com/2009/07/blogosfera/gjyshi-i-boit
Une vij rralle ne kete blog, edhe me rralle komentoj. POr ky shkrim duhet botuar vertete. Pergezime.
Desha te te siguroj se ka patur shume njerez ne Shqiperi, qe jo vetem nuk i kane quajtur armiq e i kane perbuzur ata qe permenden ne shkrim, por perkundrazi, u kane hapur deren, jane perpjekur ti ndihmojne e ti perkrahin me sa kane mundur, edhe duke rrezikuar veten e familjen e tyre. Flas per njerez qe kishin c'te rrezikonin, jo per bashkevuajtes ne te njejtin vend internimi.
Shqiperia eshte vend i vogel, historikisht i prapambetur. Edhe numri i njerzve te virtytshem e te drejte i bie te jete i vogel, por jo inekzistent. Pra, kemi shprese. Te paket, por shprese, megjithate.
Post a Comment