Në Shqipërinë konformiste,kënga "Mjaft më me ju!"
përfaqëson momentin e parë të protestës në muzikë/art. Është një këngë bërë nga
të rinj, të panjohur, të paimplikuar në politikë, qytetarë - studentë modestë
(që nuk kërkojnë tribunën dhe dritat e saj), pa shpenzime. E pritshme që bojkotohet
nga massmediat, me dy perjashtime minore: Kjo është vënë prej kohësh në shërbim të pronarëve të tyre, të lidhur ngushtësisht me klasën politike
dhe interesat e saj. Kënga qarkullon vetëm viralisht, nëpërmjet Facebook-ut,
ku për herë të parë e ka nxjerrë Fatos Lubonja, në faqen e tij.
Kënga rrok shumë mirë situatën politike
në Shqipëri, realitetin shqiptar të politizuar në ekstrem dhe e tejkalon
momentin zgjedhor. Është një këngë proteste që, sipas gjasave, do të jetë
aktuale edhe për shumë vite të tjerë në vazhdim.
Unë uroj që kjo këngë të arrijë sa më shumë njerëz që ndajnë të njëjtin
shqetësim e frustrim, që ndajnë të njëjtën protestë. Uroj që ajo të shndërrohet
në një shkëndijë që inspiron, që inicion, që motivon, që organizon, që i jep zë
qytetarit i cili sot gjendet përballë vetëm dy alternativash për të siguruar
ekzistencën e tij: të kthehet në një militant ose të ulë kokën e heshtë.