25.6.13

Çudia LSI?

Pyetja që dominon diskutimin publik pas rezultateve të zgjedhjeve të 2013 është ajo e rritjes gati 400% e mandateve të LSI. Paradoksi që konstatoj unë, e bashke me mua shumë të tjerë, është se teksa vota popullore dënon një klasë politikë autokratike e të korruptuar, Sali Berishën e koalicionin e tij qeverisës, pjesë e të cilës deri para dy muajsh ishte edhe Ilir Meta dhe LSI, kjo votë e shpërblen Ilir Metën me një rritje masive. Flasim për Ilir Metën, hajdutin e parë të historisë së Shqipërisë, vjedhjen e të cilit e ka parë në ekranet e televizionit një shtet i tërë, e për mosdënimin e të cilit u angazhua një shtet i tërë. Për të cilin, Edi Rama dhe partia e tij organizuan demonstratën ku u vranë 4 persona (pa u dënuar kush). E prapë, populli, për të cilin nga fitimtarët na thuhet se dënoi Sali Berishën, se kërkonte "ndryshimin", se dëshiron Shqipërinë "europiane", se kërkonte të "rilindte", zgjedh të përfaqësohet politikish, të përfaqësohet në imazhin e saj "europian" (kujdes, jo "evropian"!), "të rilindë" me një hajdut të dokumentuar shumë mirë e shumë të përfolur.

Cilat janë arsyet që LSI arriti të ketë një fitore të tille? Përtej retorikave të fituesve, unë mendoj se kjo fitore e LSI shpjegohet me:

1. pozicionin e saj sandwich. Ky pozicion i mundëson LSI që përpara zgjedhësve ta përkufizojë veten gjithmonë si fituese në zgjedhje. Ajo është në pozicionin që i lejon vetes të zgjedhë se ne cilin kah politik do të jetë fitorja e ardhshme (dhe të vendosë kushtet e saj). Madje, ky pozicion i mundëson LSI, që të jetë një strehë e ngrohtë dhe e sigurtë për hajdutët dhe kriminelët në gjirin e saj (këta madje ja dalin pa lagur edhe kur i kapin me "presh në dorë", e madje-madje edhe kur një shtet i tërë i sheh duke vjedhur - siç ishte rasti i dora vetë Ilir Metës).

2. kombinimin e një LSI-je gjithmonë fituese me profilin e Ilir Metës si një njeri "i zoti", që ja ka dalë jo vetëm të mbijetojë, e të mbijetojë në mënyrë shumë të suksesshme politikisht e ekonomikisht, por që ja ka dalë të ndihmojë të mbijetojnë, e të mbijetojnë me shumë sukses edhe ata që e votojnë e i shërbejnë, përfshi kontrabandistë e mafiozë të profilit të lartë.

3. blerjen e votës dhe shërbime sociale zgjedhore: në rrjetet sociale njerëzit raportojnë për kandidatë për deputetë që kanë paguar për çdo votë (si shembull konkret sillet rasti i deputetit të LSI-se në Kukës).

4. nevojën për punë, nevojën për të mbijetuar, e për disa për të mbijetuar sukseshëm në një vend me papunësi të madhe e me një ekonomi të dobët. Është tashmë anektodike që LSI punëson jo vetëm individin, por edhe gjithë familjen e tij (kjo përkthehet në vota të sigurta, në një elektorat të sigurt - 100'000 kokë e numëronte elektoratin e tij Ilir Meta para zgjedhjeve të fundit) - këtu bëhet fjalë për punësim në sektorin shtetëror, tashmë të ndarë në parcela-parcela klienteliste sipas "sukseseve" të partive fituese - (sektori publik tashmë është një Cosa Nostra e partive politike). Kjo nevojë, e kombinuar me një mentalitet të imponuar në këto 20 vite - sipas gjasave edhe më shumë se kaq -, se këtë ekzistence e ke të garantuar kur je nën sqetullen e një partie, e kombinuar edhe me një profil "të besueshëm" të Ilir Metes (i zoti, ja hodhi edhe Sali Berishës, ky iku, Ilir Meta mbeti, prite kur t'ja vëri stërkëmbëshin edhe Ramës), kane shtyrë një pjesë të elektoratit që ekzistencën e tij deri tani e siguronte nga sqetulla e Berishës dhe/apo një pjesë të elektoratit të përjashtuar deri tani nga këto shërbime, që të votojë për një "ofertë" më të suksesshme, për Ilir Metën.

"Vota plebishitare" që dënoi Berishën (dhe shpërbleu Meten) ishte, në sytë e mi, jo edhe aq për "sistemin e tij autokratik", por sepse ky "tradhëtoi" sistemin e klientelizmit, sepse e përqendroi atë në duart e pak klaneve, tek fëmijet e tij - duke harruar femijët e popullit, në kushtet kur kriza ekonomike u bë gjithnjë e më dominante në jetën dhe kuletën e njeriut. Pra, ishte një dënim për zvogëlimin e demokratizimit të klientelizmit.

Në këtë linjë mendimi, nuk çudit që Edi Rama (PS) nuk ka patur rritje substanciale të elektoratit: ky nuk e ka reputacionin e Sali Berishës (njeri i besës) e as reputacionin e Ilir Metës (njeri punëtor, ja ben yzmetin punës). Edi Rama tërheq elitaristët, kulturalistët, imazhistët dhe europianistët (jo evropianistet!) - një klan shumë te ngushtë - por në popullin e gjerë perceptohet antipatik e, mbi të gjitha, i pabesë - nuk ka asnjë garanci me të.

Kështu që "nevoja për ndryshim", "nevoja për një imazh europian" siç u pëlqen analistëve klientelistë të PS ta quajnë fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 2013, e, që në thelb i detyrohet pranisë së LSI në këtë koalicion, e sidomos rritjes masive të votave që e kanë përzgjedhur këtë forcë politike, reflekton në thelb një nevojë për një ofertë klienteliste më të mirë, "më demokratike" - ku përfitojnë e vjedhin të gjithë. Një nevojë për një parti politike që çfarë do që të ndodhë, do të jetë gjithmonë fituese, duke e optimizuar, kështu, në pafundësi "çështjen" e punësimit/ekzistencës për këtë pjesë të elektoratit. 

Shqiperia po rilind. Me Ilir Metën dhe LSI. Bëhuni pjesë e saj. 

-->

3.6.13

Mjaft më me ju!



Në Shqipërinë konformiste, kënga "Mjaft më me ju!" përfaqëson momentin e parë të protestës në muzikë/art. Është një këngë bërë nga të rinj, të panjohur, të paimplikuar në politikë, qytetarë - studentë modestë (që nuk kërkojnë tribunën dhe dritat e saj), pa shpenzime. E pritshme që bojkotohet nga massmediat, me dy perjashtime minore: Kjo është vënë prej kohësh në shërbim të pronarëve të tyre, të lidhur ngushtësisht me klasën politike dhe interesat e saj. Kënga qarkullon vetëm viralisht, nëpërmjet Facebook-ut, ku për herë të parë e ka nxjerrë Fatos Lubonja, në faqen e tij.
Kënga rrok shumë mirë situatën politike në Shqipëri, realitetin shqiptar të politizuar në ekstrem dhe e tejkalon momentin zgjedhor. Është një këngë proteste që, sipas gjasave, do të jetë aktuale edhe për shumë vite të tjerë në vazhdim.
Unë uroj që kjo këngë të arrijë sa më shumë njerëz që ndajnë të njëjtin shqetësim e frustrim, që ndajnë të njëjtën protestë. Uroj që ajo të shndërrohet në një shkëndijë që inspiron, që inicion, që motivon, që organizon, që i jep zë qytetarit i cili sot gjendet përballë vetëm dy alternativash për të siguruar ekzistencën e tij: të kthehet në një militant ose të ulë kokën e heshtë.