23.11.09

Një pyll në vdekje ...

... ose ... Ullishtja e Borshit

Gjëja e parë që të bie në sy në Borsh është ullishtja e tij, që mbush hapësirën midis kodrave përreth dhe bregdetit. Eshtë një pyll ullinjsh bukuria e të cilit nuk të lë indiferent. Nuk di të them sa mijëra rrënjë ullinjsh mban ky pyll, por di që ka shumë vite, askush nuk di ta thotë me saktësi sa, që ky pyll nuk mirëmbahet më. Shteti nuk ka treguar ndonjë interes për të, por as fshatarët e zonës. Ullinjtë e tregojnë sheshit indiferencën e njeriut: shumë pemë janë pushtuar dukshëm nga parazitët dhe sëmundjet, shumë të tjera janë tharë, asnjë prej tyre nuk është krasitur, shumë nuk kanë lidhur këtë vit asnjë kokërr dhe, tek-tuk, ndonjëra prej tyre ruan akoma gjurmët e gëlqeres dezifektuese të një epoke tjetër. Fshatarët i vjelin ullinjtë për përdorim vetjak, për fisin, mikun dhe funksionarin e shtetit dhe për të shitur. Koha e vjeljes së ullirit është edhe piku i dytë i makinave me targa të Tiranës në Borsh pas atij të verës: ulliri i Borshit është me emër, pylli një supermarkatë vetëshërbimi.

Pylli është zakonisht i qetë, shumë i qetë deri kur qentë fillojnë t’u lehin derrave gjysëm të egër që vërtiten këtej pari. Përveç derrave, banorët e tij natyrorë janë breshkat e mbushura me këpusha, lloje të ndryshme zvaranikësh, minj dhe një pafundësi (shumica të padukshëm) insektesh. Pylli është erëmire; përveç ullinjve, aty ka fiq dhe limona, por dhe shumë erëza që rriten të egra duke mbushur hapësirat midis pemëve. Në pyll fshatarët sjellin për të kullotur lopët muskuloze dhe tufat e deleve. Mu në mes të tij, një burrë dhe një grua që hyjnë e dalin me një makinë me targa të Tiranës, pasi kanë prerë shumë rrënjë ullinjsh, kanë ngritur një fermë gjelash deti. Çdo mëngjes tufa e madhe e gjelave të detit shpërndahet nëpër ullishte për dy-tre orë, për t’u rimbyllur në fermën pa tavan deri mëngjesin tjetër. „Bujqësia nuk sjell të ardhura, me bujqësi nuk i ushqen dot fëmijët“, thonë fshatarët që kullosin gjënë e gjallë në pyll. „As ullishtja nuk të ushqen“.

Më të rinjtë e këtij fshati punojnë, si rëndom, në Greqi. Në bujqësi ose ndërtim. Në fshat kthehen për të bërë pushimet e verës. Për të takuar prindërit. Disa prej këtyre bijve nuk bëjnë vetëm turistin por edhe hotelierin për tre muajt e verës, për t’iu rikthyer më pas bujqësisë dhe ndërtimit në Greqi. Hotelet, jashtë sezonit turistik, i mirëmbajnë prindërit që lënë pas.

Borshi është një fshat jo i madh dhe dikur një pikë strategjike ushtarake; numri i madh i bunkerëve shpërhapur përgjatë bregdetit ta rikujton këtë fakt. Ndoshta kjo shpjegon edhe përse Borshit i mungojnë shtëpitë elegante kaq karakteristike për këtë zonë të jugut të Shqipërisë. I hapur për turistin vonë, Borshi nuk është kaq i populluar nga turistët si fshatrat fqinjë. E, megjithatë, Borshi është një vend që po përpiqet të krijojë hapësirën e vet në hartën turistike: kapanonet e dikurshme të ushtarakëve apo të internuarve sot janë shndërruar në hotele. Hotelet e reja, dhe kapanonet e shndërruara në hotele, janë kryesisht tre katëshe. Nga cdo cep i cative zgjaten drejt qiellit shufra metalike qe sinjalizojne të ardhmen: kate shtesë.

„Avash-avash“, thonë hotelierët, ish ushtarakët e dikurshëm, ose fëmijët e tyre, „kështu bëhen punët e mira, apo jo?“ „Këtë vit“, shton njëri prej tyre, „kam shtuar katin e tretë“. Vitin tjetër ka plane më të mëdha. „Dua të hedh edhe një kat të katërt, do heq parkimin e makinave nga oborri dhe do ta hap më tutje në pyll, do ndërtoj një restorant në këtë anë, kurse mbrapa hotelit do ndërtoj një pishinë“, dhe teksa thotë këto, vret një gjarpër që ka hyrë në oborrin e hotelit-ishkapanon.

Jo të gjithe guxojnë të ndërtojnë në Borsh. Ligji i tokës nr. 7501, në fakt, i ka mpirë, të tregojnë fshatarët që kullosin gjënë. „Investojnë ata që kanë krahë të ngrohta, nga ata lart“, dhe lëvizin kokën në drejtim të Vlorës dhe Tiranës.

„Këtu do të vijë Banka Botërore“, rrëfejnë ata. „Do pritet pylli dhe aty do ndërtohen hotele, ato afër bregut me 3-4 kate dhe ato me larg tij me më shumë kate. Kodra do jetë me vila.“ Tek e fundit, Borshi ka vijën më të gjatë bregdetare të shfrytëzueshme për plazh në gjithë Rivierën. „Është fitimprurëse. Jo, jo si Plazhi i Durrësit. Ky do ndërtohet me plane urbanistike. Do jetë model.“ Fshatarët të thonë emra konkretë të investorëve nga Tirana, të thonë emra konkrete të projektuesve të planit urbanistik.

„Ullishtja? Na vjen keq, po çdo bëjmë? Kështu e kanë vendosur ata lart. Pastaj, duan të jetojnë njerëzia. Ullinjtë i mbjell prapë, në mos këtu diku tjetër.“

Disa njerëz i vijnë rrotull ndërtesës së banjos së fushës së kampingut, me letra nëpër duar. Hyjnë brenda, dalin prapë jashtë, i vijnë prapë rrotull. Eshtë një ndërtesë një katëshe, e vogël sa një dhomë. „I sheh“, tregojnë fshatarët, „vitin tjetër fillojnë punimet aty.“

Pylli i Borshit është i qetë dhe erëmirë. Banorët e tij kanë akoma një shtëpi, shtëpinë e tyre. Turistët akoma kanë mundësinë e shëtitjeve të mëngjesit e të mbrëmjes mespermes tij. Fëmijët akoma mund të kapin breshkat dhe me ndihmën e të rriturve t’u pastrojnë këpushat. Hardhucat vazhdojnë të fshihen pas gjetheve, shkurreve apo trungjeve të pemëve kur ndjejnë hapat e njerëzve afër tyre. Ullinjtë, fiqtë dhe limonat do vazhdojnë të zënë kokrra (nganjëherë jo), e t’ua japin ato njerëzve, cave me kokrra e cave me thasë. Vitin tjetër pemët do kenë më shumë parazitë, mbase te njëjtët, mbase të tjerë. Fshatarët akoma kullosin bagëtinë e ndajnë të rejat mes tyre nën hijen e pemëve. Bukuria dhe atmosfera e këtij pylli në vdekje të ftojnë të rikthehesh përsëri. Akoma.