16.4.09

Zoti Flaubert, Jam une

nga Orhan Pamuk

Përkthyer me shkurtime nga Urim Nerguti

Në pjesën e fundit të udhëtimit të tij në Orient, Flaubert, pasi ka vizituar Egjiptin, Palestinën, Libanin dhe Sirinë, mbërriti në Stamboll në tetor 1850, i shoqëruar nga miku i tij Maxime Du Camp. Dy miqtë kishin udhëtuar tashmë së bashku, duke shkruar përvojat e tyre, dhe e kishin ndjerë veten mjaft mirë. Du Camp ishte një mik i vërtetë, me prejardhje nga një familje e mirë, paksa snob, por i besueshëm dhe i dashuruar pas letërsisë dhe arteve. […] Gjatë udhëtimit të tyre […] Flaubert ishte më i zënë me problemet e veta, me të ardhmen dhe hallet e tij. Si hall, bëhet fjalë sidomos për vuajtjet që ia shkaktonte sifilizi, marrë në Bejrut. […] Përveç sifilizit, vetë udhëtimi, që zgjaste prej më shumë se një viti, e kishte çuar Flaubertin në buzë të rraskapitjes. Flokët i binin, dhëmbët gjithashtu ; ai dëshironte tani të kthehej në shtëpinë e vet, tek nëna e tij, dhe tek jeta e tij në Rouen.

[…] Dhe Flaubert i shkruan nënës së vet këto fjalë që vetë unë ia përsërisja vetes me zë të ulët, duke u përpjekur t’i besoj, ndërsa ende nuk i kisha kapur të tridhjetat : « Aq më bën për botën, për të ardhmen, për thashethemet, për një organizëm çfarëdo, madje dhe për famën letrare, që dikur më ka bërë të kaloj netë të tëra pa gjumë duke e ëndërruar. » […]

Në fund të viteve 1970, ndërsa jetoja vetëm me nënën time në Stamboll dhe mundohesha të botoj romanin tim të parë, të sapo përfunduar, më kujtohet të jem përpjekur të gjej hotel Justiniano, në Galata, ku Flaubert ndenji dhe shkroi këto fjalë më 1850. Përpiqesha ta merrja për model, njëlloj siç ai vetë kishte bërë me « njerëzit e tij të mëdhenj ». Sepse nëse një prej parimeve të etikës letrare moderniste që Flaubert formulon në këtë letër të famshme, me një qetësi pothuaj instinktive, është nevoja për t’u mbajtur mënjanë jetës borgjeze dhe mashtrimeve të saj, tjetri parim është njëjësimi me autorët e mëdhenj, të cilët kanë ditur ta zbatojnë këtë parim pothuaj të shenjtë me sinqeritet.

Shkrimtari duhet të mbahet mënjanë jetës, t’iu ikë të gjitha institucioneve, shtetit, tërë jetës së tij të rëndomtë familjare, ta vështrojë arritjen dhe lavdinë letrare me dyshim. Ja parimet absolute të misionit të këtij kleriku të ri shekullar, dhe të tërë moralit letrar modernist. […] Shkrimtari i ri që përgatitet për një jetë letrare të vështirë dhe kërkuese duhet të ketë një besim të çiltër në këtë parim të shenjtë modernist dhe të dijë, nëse suksesi vonohet (dhe nganjëherë nuk arrin kurrë), të mos dorëzohet dhe të lëshojë krahët, por të ecë përpara, duke u kënaqur me pak, mbi udhën që ka zgjedhur, me besimin tek shkrimi.

Unë ngulmoj në mendimin se ky moral modernist shkrimi është një vlerë në të cilën të gjithë shkrimtarët […] kanë besuar, dhe se ata duhet ta nderojnë nëse duan të mbahen në këmbë përballë kthimit të letërsisë në tregti. Përveç suksesit të vetë veprave të tij, një nga arritjet e mëdha të Flaubertit është se ai ka mundur të jetojë në përputhje me këtë moral që ai e ka zgjedhur për veten e tij që në moshën njëzet e nëntë vjeç.

Kur i lexoja këto letra, në vitet 1970, mendoja edhe unë, njëlloj si Flaubert, që do të ishte e mundur të mbahesha mënjanë jetës, sukseseve të lehta, shoqërisë dhe të fuqishmëve. Nga ky këndvështrim, Flaubert ishte për mua një shenjtor, po aq sa dhe një vetmitar : ç’është e vërteta, i pari ndër të gjithë ata vetmitarë të letërsisë moderne që iu kanë kthyer shpinën jetës dhe sukseseve sipërfaqësore. Joyce, Proust, Kafka, Pessoa, Walter Benjamin dhe Borges bëjnë pjesë në zanafillën time. Lidhja ime pas këtyre autorëve e merr burimin e vet sa në mospranimin nga ata të suksesit të lehtë, aq dhe në krijimet e tyre letrare dhe në horizontet e reja që ata kanë shpallur duke kërkuar ta vënë botën në fjalë. Dhe unë mendoj gjithmonë se, në vendet jo-perëndimore në veçanti, ku kultura moderne e romanit dhe e letërsisë, dhe zakoni i të lexuarit, nuk janë të rrënjosur, shkrimtarët duhet të marrin shembull, për të qëndruar dhe zgjatur në kohë, mbi ekzistenca si ajo e Flaubert dhe të njëjësohen me këto modele të shenjta.

Por këto kërkesa përmbajnë gjithashtu ca rreziqe, mbi të cilat do të doja të flas tani, tridhjetë vjet më pas. Para së gjithash, mënyra me të cilën ne e jetojmë lidhjen që na bashkon me shkrimtarët vetmitarë arrin lehtësisht t’iu bashkohet, në kulturat tradicionale të vendeve jo-perëndimore, formave dhe shprehjeve të admirimit, të nderimit dhe të adhurimit që iu kushtohen shenjtorëve dhe vetmitarëve të mirëfilltë. Kështu ka qenë jetuar dhe sjellë në Turqi modernizmi letrar. Njëlloj siç disa prej këtyre shkrimtarëve lexonin historinë vetjake të Kafkas, unë lexoja jetën e Flaubert, dhjetë vjet më pas, njëlloj sikur të ishte një jetë shenjtori në traditën e madhe sufi.

[…] Një nga pasojat e paparashikuara të kësaj etike moderniste të letërsisë, dhe të këtij tipi përkushtimi, është shtytja për t’i vlerësuar shkrimtarët në varësi të jetës së tyre, dhe jo të librave të tyre. Të gjithë lexuesit kanë një dëshirë të fshehtë dhe të përbashkët : që autori të cilin ata e admirojnë të ketë një jetë pa sukses, fatkeqe, dhe të shqetësuar. […] Në vitet 1960 dhe 1970, në Turqi, sa më shumë që poetët shkruanin poema të kuptueshme dhe të vlerësuara nga të gjithë, aq më pak ishin të respektuar. […]

Rrugët e vendeve të vogla të rangut të dytë, ku letërsia nuk shitet, ku gazetat dhe televizionet nuk iu lënë asnjë vend njerëzve të letrave, janë të mbushura përplot me poetë dhe shkrimtarë të pacënuar në etikën e tyre moderniste të cilët lëvdohen nga fakti që librat e tyre nuk shiten dhe nuk përmenden nëpër gazeta. […] Problemi themelor që unë shoh në përqafimin e kësaj etike letrare, dhe suksesi që ajo takon gjithandej, qysh nga shprehja e saj nga Flaubert, midis njohësve, në Stamboll apo në qendra të tjera letrare jashtë Perëndimit, është që edhe njëqind vjet më pas, letërsia vazhdonte të ishte e shikuar si e destinuar vetëm për ca të zgjedhur.

Mjaft shkrimtarë, në një çast të jetës së tyre, kanë dëshiruar njëlloj si unë, « të jenë Flaubert ». […] Mirëpo, për mendimin tim, midis shkrimtarëve që dëshirojnë « të jenë Flaubert », ekzistojnë dy prirje kryesore, dhe unë do ta përmbledh, duke e thjeshtuar, këtë dallim i cili nxjerr në pah dy veçori themelore të artit të romanit.

Kategoria e parë e flaubertianëve janë admiruesit e zemërimit të veçantë dhe të zërit të nxehur që e veçorizon Flaubertin. Dua të flas për këtë zemërim, herë ironik, herë të tepruar, që zgjuarsia e tij e bënte të gjëmonte kundër banalitetit, rëndomësisë së jetës borgjeze, sipërfaqësisë dhe marrëzisë së saj. […] Kjo ironi, e gjithëpranishme në letërshkëmbimin e tij, merr për shenjë marrëzinë njerëzore dhe sidomos atë borgjeze, dhe e nxjerr forcën e saj nga zgjuarsia e Flaubert, por dhe nga talenti i tij tejet i veçantë prej parodisti. […] Në shekullin e XX-të, admiruesit e Flaubert, sidomos shkrimtarët e rinj, i kanë dhënë një rëndësi të madhe imitimit të kësaj ironie, përvetësimit të këtij toni shpirtëror, shfaqjes së kësaj maske cinike.

Kur lexojmë Lolita të Nabokov, prapa thumbave të drejtuar ndaj ca tipareve të dukshme të American way of life, ndihet një ndjeshmëri flaubertiani. […] Por nëse kjo ironi është e vetmja forcë e këtij romani, përciptësia dhe cinizmi kanë bërë shpejt që të kthehen në përçmim, në përbuzje kundrejt jetës së njerëzve mesatarë, jo fort të kënduar, apo që kultura e të cilëve është e ndryshme, që zakonet e të cilëve shquhen nga të tonat dhe vuajnë nga krahasimi. Është me vend pra që të merren parasysh këto çështje, të cilat futen tek etika, për të kuptuar mënyrën me të cilën modernizmi europian është pritur në vendet jo-perëndimore.

Megjithatë, edhe pse në zemërim dhe tërë ironi, Flaubert nuk ishte një autor përçmues. Ai ka shpikur një gjuhë e cila e lejon atë të vëzhgojë nga më afër, në brendësi të romanit, personazhet e tij, këto qenie aq të ndryshme nga ai. […] Për t’iu qasur nga më pranë mendimeve të personazheve të tij, dhe botës së tyre të brendshme, Flaubert kishte zhvilluar një teknikë dhe një zë rrëfimor të veçantë.

Ky zë, kjo teknikë rrëfimi, që qe imituar më pas, fillimisht në Francë, pastaj në mbarë botën, dhe që specialistët e Flaubert dinë ta vlerësojnë më mirë se lexuesit e tij, është quajtur « stil i tërthortë i lirë ». Kjo mënyrë, që ai nuk e shpiki vetë por e zhvilloi më tej, qëndron në mosndarjen e mendimeve të personazheve nga mjedisi dhe ngjarjet rrethuese që janë familjare për ta. […] Ky « stil i tërthortë i lirë » […] ka pasur një ndikim të madh në mjaft vende jo-perëndimore si Turqia, ku arti i romanit dhe gjuha rrëfimore moderne janë zhvilluar, zbatuar dhe vlerësuar vetëm pas epokës së Flaubert.

[…] Flauberti që unë dua dhe admiroj, ai me të cilin njëjësohem, është ky shkrimtar i dytë, ky autor i madh që ka ditur të shpikë udhë të reja për të mbërritur, në kornizat dhe dekoret e gjera të romanit, por nganjëherë dhe në pak fjalë, deri në zemër të personazheve të tij. Dhe vetëm një shkrimtar i aftë për këtë kuptim, për këtë dashuri të thellë kundrejt personazheve të cilën e kërkon arti i romanit, mund të shpallte : « Zonja Bovary, jam unë ! »

Por Flauberti ironik dhe cingërritës për të cilin fola pak më lart nuk është kurrë aq larg Flaubertit sentimental. Dhe për një lexues që e do Flaubertin, nuk është aspak e vështirë për ta përfytyruar atë si dy gjysma të së njëjtës zemër. Dhe sa për mua, unë kam dashur gjithmonë, njëlloj si dhe mjaft shkrimtarë të tjerë, të njëjësohem njëkohësisht me shkrimtarin në zemërim, tejet të nxehur kundër njerëzimit, dhe me atë që, duke ushqyer një dashuri të tillë për të ngjashmit e tij, i kupton më mirë se kushdo. Në atë pikë që sa herë e rilexoj, e dëgjoj veten duke thënë : « Zoti Flaubert, jam unë ! »


Fjala e mbajtur nga Orhan Pamuk, me 17 mars 2009, ne Konferencen organizuar me rastin e dhenies se titullit "Doctorat Honoris Causa" ne Universitetin e Rouen, ne France.