28.3.09

Arsimi përtej fasadës së premtimeve elektorale

Shpenzimet publike për arsimin në katër vitet e fundit kanë shënuar rritje: nga 2.8% të GDP në 2005 ato arrijnë 3.55% në 2009. Edhe pse 3.55% e GDP përfaqëson investimin më të lartë në 18 vitet e tranzicionit, ajo ngelet përsëri më e vogel se investimet në arsim në vitin 1989: në këtë periudhë, që përket me fundin e diktaturës, investimet në arsim ishin 4% të GDP. Në mendimin e përgjithshëm, arsimi konsiderohet një nga sektorët me zhvillimet dhe progresin e të cilit është pazgjidhshmërisht e lidhur vetë e ardhmja e vendit. Por, përgjatë 18 viteve të fundit, investimet minimale dhe mungesa e vullnetit politik për të konsideruar arsimin edhe përtej retorikës elektorale si një prioritet e kanë shndërruar arsimin në një nga sektorët më të neglizhuar dhe më problematikë.

Arsimi ballafaqohet sot me një mori problemesh. Megjithë përpjekjet për të zbutur mungesën e infrastrukturës, vendi ka nevojë urgjente për shkolla të reja, për rekonstruktime të shkollave ekzistuese dhe për një infrastrukture minimale mësimëdhënieje. Raste të fëmijëve që mësojnë nëpër klube apo stalla bagëtish të improvizuara si klasa shkolle, sic është rasti në disa fshatra të Fierit, janë raportuar dhe raportohen vazhdimisht.

Shkollës shqiptare i mungojnë akoma programet e reja mësimore; cilësia e teksteve mësimore me të cilat punojnë mësuesit dhe nxënësit ngelet e dobët, ndërsa mjetet alternative të marrjes së informacionit jane minimale.

Përtej reformave të deklaruara, kualifikimi i pedagogëve dhe lektorëve të Universiteteve ngelet shumë problematik me pasojën, që universiteti shqiptar nuk arrin të përcjellë një nivel dijesh të kënaqshme dhe të aplikueshme. Po nxjerrim nga fakulteti pastruese dhe jo përkthyese, do të ankohej Edmond Tupja në një nga komentet e tij në gazetën Panorama. Me gjithë trajnimet e herëpashershme që ofron Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimeve, kualifikimet e mësuesve të arsimit të detyruar dhe atij të mesëm është ende larg standardeve të kërkuara. Ndërsa përgatitja pedagogjike e mësuesit të ardhshëm ngelet ajo tradicionalja, problemin e përkeqëson edhe më tej mungesa e praktikës së kualifikimit të tyre gjatë punës.

Megjithë përpjekjet aktive për të fuqizuar sistemin profesional të arsimit, vetëm rreth 22% e nxënësve që vijojnë arsimin e mesëm e shohin atë si opsion. Raporti i shpërpjestuar aktual shkollë profesionale/përgjithshme i detyrohet edhe faktit se liberalizmi i Universiteteve nuk është shoqëruar me fushata informimi apo ndërgjegjësimi për të kuptuar se akademizmi nuk është zgjidhja e vetme.

Shkollen shqiptare, fatkeqësisht, e dominon procesi i braktisjes: 15% (burime jo zyrtare flasin për një shifer më të lartë) e nxënësve që hyjnë në sistemin e detyruar 9 vjecar nuk arrijnë ta përfundojnë atë. Tendenca e këtij fenomeni për të ardhmen parashikohet të jetë në ngjitje, vecanërisht nëse nuk merren masa të menjëhershme për parandalimin e punësimit të fëmijëve, përkrahjes sociale për familjet në nevojë dhe hapjen e shkollave të reja në zonat e largëta. Përtej braktisjes, politikat aktuale arsimore të orientuara drejt punësimit janë akoma të pamjaftueshme për të zbutur papunësinë që kërcënon të rinjtë që mbarojnë shkollën. Janë me mijëra nxënësit që mbarojnë ciklin 9 vjecar, të mesëm dhe atë universitar, që i shtohen përvit kontigjentit të të papunëve.

Bëhet e qartë se pa platforma politike të menduara mirë, pa vullnet politik, pa financimin e nevojshëm e pa gatishmërinë për të investuar me përgjegjshmëri, është shumë e vështirë të ndryshosh këtë problematike komplekse të arsimit në mënyrë të dukshme brenda një kohe të shkurtër. Në këtë kontekst, bëhet e rëndësishme të dëgjojmë e analizojmë se si e shohin zgjidhjen e problemeve të arsimit, cfarë politikash arsimore, me cfarë kostoje ofrojnë partitë politike në garën elektorale të radhës.

Premtime dhe retorikë

Një vështrim i shpejtë deklaratave mediatike evidenton, se për një pjesë të madhe të partive dhe forcave politike që marrin pjesë në garën aktuale elektorale arsimi përfaqëson një nga strategjitë elektorale me të cilat kërkohet të joshet votuesi e të fitohen zgjedhjet.

„Doktrina që e djathta në pushtet ka realizuar në sektorin e arsimit, gjendet në të njëjtën sintoni me qëndrimet e Presidentit amerikan Obama në këtë fushë“ (Jozefina Topalli, PD); „Shkolla dhe mësuesit janë vatra e dytë e familjes dhe e formimit profesional“ (Sali Berisha, PD); „Beteja për shkollën ka me qenë thelbi i betejës për integrimin tonë europian“, „Arsimi i shekullit të ri“ (Ladi Shamku-Shkreli, PS); „Me fitoren e 28 qershorit do bëhen realitet gjëra që 18 vite rresht nuk janë bërë“ (Edi Rama, PS) – janë vetëm një pjesë e retorikës që po përdoret dhe po karakterizon fushatën elektorale aktuale.

Përtej retorikës dhe sulmeve të ndërsjellta forcat politike bien, sidoqoftë, dakort se një zhvillim cilësor dhe i dukshëm i arsimit nuk mund të bëhet pa rritjen e investimeve. Nga 5% të GDP për buxhetin e arsimit që premton G99 tek 6% që premton Partia Demokratike, rritja që propozohet t’i bëhet buxhetit të arsimit është mbresëlënëse, sidomos kur krahasohet me atë që është investuar apo edhe investohet sot në arsim.

Një rritje e tillë financiare, qoftë në nivelin e 5% - akoma më shumë në atë 6% - krijon hapësirë reale për zbutjen e disa problemeve të mprehta në arsim dhe të jep shpresën se vërtetë, arsimi është më në fund jo vetëm funksion retorike, por edhe një prioritet. Po a është realisht kështu?

Le t’u hedhim një sy premtimeve mediatiko-elektorale të dy partive kandidate per të marre pushtetin, Partise Demokratike dhe Partise Socialiste: si i kanë adresuar problemet e arsimit: sa realiste janë premtimet që na bëjnë dhe, mbi të gjitha, c'pritet të përmirësohet në 4 vitet që vijnë?

Partia Demokratike: Mësuesit dhe nxënësi - fokus i politikave arsimore

Kjo është motoja mbi të cilën ka ndërtuar strategjinë e saj elektorale në arsim Partia Demokratike. Eshtë partia që vjen në keto zgjedhje nga pozitat e atij që mban pushtetin. Si e tillë, PD është në pozitën e atij që ka informacionin dhe eksperiencën: njeh situatën aktuale në arsim, di se cilat politika kanë dështuar dhe për cfarë arsyesh, cilat politika i bëjnë investimet më efikase, di se ku janë nevojat më emergjente dhe mbi të gjitha, di se cilat reforma/premtime akoma të pambaruar/paplotësuara duhet të vazhdohen në një mandat të dyte. Nëse PD fiton një mandat të dyte, ajo na premton se do të vazhdojë në mënyrë konsekuente me projektin e saj “Shqipëria në kohën dixhitale” duke bërë të mundur që të ketë kompjuter në çdo shtëpi, për çdo fëmijë. Brenda mandatit të dytë, PD premton se do të arrihet që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9 vjeçare të vazhdojë atë të mesmen. “Një zinxhir i konvikteve është në ndërtim e sipër në të gjithë rrethet e vendit, në mënyrë që fëmijët e Shqipërisë kudo që ndodhen të mund të dalin në bulevardin e dijes.“ (Sali Berisha). PD nuk harron, gjithashtu, të premtojë se edhe në mandatin e saj të dytë do të ketë rritje të pagave të mësuesve.

Rritja e pagave per mesuesit dhe kualifikime, kompjuteri për cdo femijë, shkollë e mesme për të gjithë janë fjalë kyce që padyshim i flasin shumë elektoratit, por sa janë realiste dhe sa e zbusin problematikën e arsimit, cfare ndryshimesh cilesore të prekshme i sjellin arsimit?

Cdo fëmijë në shkollë të mesme?

Një nga premtimet e PD në pragzgjedhjet që i dhanë mandatin e pushtetit katër vite të shkuara ishte „Cdo fëmijë në shkollë 9 vjecare“. Me këtë premtim evaziv synohej jo thjesht që cdo fëmijë të shkojë në shkolle 9 vjecare por, mbi të gjitha, që cdo fëmijë ta mbarojë atë. Bëhet fjalë për atë pjesë të segmentit shkollor që, i mbështetur dhe nga legjislacioni përkatës, është i detyruar për të gjithë fëmijët.

Katër vite më pas, realiteti tregon se një nga problemet më të mëdha me të cilat ndeshet sot arsimi është braktisja e shkollës. Sic u përmend edhe më parë, 15% e nxënësve që hyjnë sot në sistemin 9 vjecar nuk e mbarojnë atë, akoma më keq, pjesa më e madhe e këtij 15% largohen pa mbaruar ciklin e ulët të këtij sistemi. Braktisja e shkollës jo vetëm që nuk u zhduk, por as u zvogëlua gjatë viteve të qeverisjes së PD, perkundrazi, ajo u rrit. Jo vetëm kaq, monitoruesit vendas dhe të huaj parashikojnë që, nëse nuk do të ndërhyhet seriozisht, kjo shifër do të rritet akoma më tej në vitet e ardhshme. Gjakmarrja, varfëria, papunësia, një shkollë me tekste të tejmbushura dhe që nuk e ka akoma nxënësin në qendër të saj, janë disa nga faktorët që e mbajnë e do ta mbajnë të gjallë fenomenin e braktisjes së shkolles.

Në këtë realitet, fakti që PD në mandatin e saj dytë premtimin e katër viteve më parë e tejshtrin nga „cdo nxënës në shkollë 9 vjecare“ në „cdo nxënës që mbaron 9 vjecaren në të mesme“, të vjen i papritur.

Në vetëvete, synimi që cdo i ri të mbarojë të mesmen është shumë i rëndësishëm dhe i mirëpritur: Të rinjtë që mbarojnë shkollën e mesme janë jo vetëm më të përgatitur për jetën por kanë edhe shanse më të mëdha në tregun e punës. Por, arsyet përse të rinjtë që mbarojnë ciklin 9 vjecar nuk vazhdojnë më tutje shkollën e mesme janë në shumicën e tyre të ngjashme me ato të 15% të fëmijëve që nuk mbarojnë ciklin 9 vjecar. Duke konsideruar kompleksitetin e madh të problematikës së braktisjes, duke konsideruar që PD dështoi në mandatin e parë ta zbuste këtë fenomen, bëhet e rëndësishme të dime se ku e mbështet besimin e madh PD se katër vite të qeverisjes së saj mjaftojnë për të zhdukur këtë fenomen edhe në ciklin e mesëm? Përtej këtij autizmi politik, përtej retorikës, asaj që u përdor katër vite më parë dhe asaj që po përdoret tani, cfarë politikash konkrete, cfarë investimesh mendon të ndërmarrë këtë herë PD për të frenuar fenomenin e braktisjes?

Cdo fëmijë një kompjuter?

„Cdo fëmijë një kompjuter“, një iniciative që është për t’u përgëzuar, që PD e trashëgon prej mandatit të parë, unë e shoh si një kontribut në futjen e mënyrave alternative të të marrurit të informacionit. Dy janë mënyrat se si mund të përdoret kompjuteri për marrje informacioni: nëpërmjet internetit dhe nëpërmjet CDve didaktive të shpërndara nga shkolla. CDtë didaktike përfaqësojnë informacione alternative të programeve shkollore kombëtare dhe suksesi i punës së nxënësit me një CD didaktike varet para së gjithash nga mësuesi: angazhimi i tij në këtë projekt, përgatitja e tij, aftësia e tij për ta ndihmuar nxënësin në filtrimin dhe përtypjen e këtij informacioni. Në kushtet kur Shqiperia nuk ka asnjë lloj eksperience të tille, pyetja është: si, në bazë të cfarë kritereve do të përzgjidhen CD didaktike për nxënësin dhe mësuesin shqiptar, në kushtet kur shkolla shqiptare akoma mbizotërohet nga programi tradicional, dhe si do të kontrollohet angazhimi i mësuesit në këtë proces?

Interneti, si burim informacioni, paraqet dy probleme madhore: së pari, mungesa e infrastrukturës që do të mundësonte aksesin në internet, të paktën për cdo shkolle dhe, së dyti, vetë informacioni. Për një segmet të konsiderueshëm të nxënësve bëhet e detyrueshme që informacioni që do të merret në internet të jetë në gjuhën shqipe. Por, një hulumtim i informacioneve në shqip në internet të tregon se ky jo vetëm që është shumë i pakët për të qënë ndihmë në procesin mësimor, por shpesh vjen nga burime të dyshimta: jo rrallë ky informacion, sidomos në fusha të tilla si historia dhe biologjia, nuk është konform vijës zyrtare që deklaron shkolla shqiptare.

Duke konsideruar këto problematika, sa dhe si mendohet se do e përmiresojë cilësinë e shkolles/dijes projekti „cdo nxënës një kompjuter“? Më tej, përse këto investime prioritare për metoda që, tek e fundit janë vetëm alternativa, kur kemi probleme të mëdha, akoma të pazgjidhura me cilësinë e teksteve mësimore dhe përgatitjen cilësore të mësuesit?

Rritja e pagave për mësuesit dhe kualifikime

Padyshim, rritja e pagave eshte një nderhyrje e domosdoshme. Po ashtu edhe kualifikimet e mësuesve. Por, le të kujtojmë se 75% e atyre që diplomohen sot për mesuesi nuk kanë asnjë shans të punësohen në arsim; pjesa më e madhe e tyre janë kontigjent papunësie. Tendenca, nëse nuk ndërhyhet, është për përkeqësim të situatës: numri i studentëve të diplomuar, si pasojë edhe e liberalizimit të Universiteteve rritet, kurse klasat vazhdojnë të jenë me mbi 35, 40 apo edhe 45 nxënës në të gjitha ciklet e sistemit arsimor.

Zgjidhja e këtij problemi shumë të madh, jo vetëm për arsimin por edhe për ekonominë shqiptare dhe me gjerë, do të kërkonte së pari zvogëlime klasash, të themi, rreth 20 nxënës për klasë që, nga ana e vet, kërkon zmadhime shkollash dhe ndërtime shkollash të reja, që nga ana e vet, kërkon investime serioze.

Punësimi i mësuesve sot, në kushtet e një tregu punësimi shumë të vogël, dominohet tërësisht nga nepotizmi, klanizmi apo militantizmi partiak. Ky fenomen e ka kompromentuar dhe e kompromenton shumë keq cilësinë e arsimit shqiptar. Në mungesë të kritereve rigorozisht cilësore apo financiare, shkolla (këtu përfshihet edhe universiteti) nuk e ndjen nevojën për të thithur mësuesin/lektorin/studiuesin e përgatitur, mësuesin e talentuar. Nga ana tjetër, në kushtet e liberalizimit të Universiteteve dhe të inflacionit të diplomave që ky liberalizim ka prodhuar, është bërë e vështirë të seleksionosh diplomën/mësuesin cilësisht të mirë. Pa një vlerësim të cilësisë së Universiteteve që i prodhojnë këto diploma, pa një politikë që në mënyre aktive mbështet cilësinë në punësim, është e vështire të përmirësosh cilësinë e shkollës.

Partia Socialiste: Arsimi i shekullit të ri

Si asnjë parti tjetër opozitare, Partia Socialiste, duke filluar nga fundi i vitit 2007 dhe sidomos përgjatë vitit 2008, ka treguar një prani konstante në shtyp nëpërmjet deklaratave që kanë denoncuar mungesën e politikave arsimore dhe vullnetit politik, keqmenaxhimin e arsimit nga partia në pushtet. Partia Socialiste ka konstatuar dhe deklaruar rregullisht problemet e mëdha të infrastrukturës, paaftësinë e shkollës për të përgatitur të rinj të përgatitur për tregun e punës, mungesën e autonomisë së shkollës, cilësinë mediokre të universitetit, financimet e mjerueshme për shkencën. Ky pozicionim aktiv mediatik i PS, tonet e ashpra kritike, të sygjerojnë se kjo parti është ballafaquar seriozisht me politikat e deritanishme arsimore dhe ka bërë një analize të thellë të arsyeve që kanë cuar në dështimin e tyre. Të sygjeron, se kjo analizë e politikave të dështuara të partisë në pushtet do të ketë qenë edhe baza mbi të cilat kjo parti ka ndërtuar një strategji të mirëmenduar arsimore, ka qënë baza mbi të cilën janë përcaktuar prioritetet e investimit në arsim. Kjo ndjesi të përforcohet edhe nga serioziteti me të cilën zonja Shamku-Shkreli flet për problemet e arsimit: “Për me u shërue nga kjo lëngatë e tranzicionit nuk kena nevojë për gjylpana në tule, por për gjylpana në mendje” – preferon ajo të citojë të nderuarin At Zef Pllumi.
Po cila është platforma politike për arsimin që kjo Parti ofron për të bërë realitet „gjëra që për 18 vite nuk janë bërë“? Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar, unifikimi i programet mësimore me Kosovën dhe arsimimi si armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë.

Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar?

Unifikimi i programeve mësimore me një model evropian të përafruar, na e perqas edhe ne realitet ëndërrën e integrimit në Evropë, integrim qe PS e trajton si objektivin e saj me te larte. Por, përtej dëshirës së mirë të PS, unifikimi i programve nuk ndodh dot. Lojtarët e skenës politike shqiptare duhet ta kishin ditur (nëse nuk e dinë), se këtu rregullat e lojës i bën dikush tjetër dhe ky dikush tjeter, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, na dikton që fillimisht të “përafrojmë” pastaj, kur të jemi vend kandidat të “harmonizojmë” dhe, në fund, të unifikojmë për cështje të caktuara. Vetëkuptueshëm, edhe vetë projekti i unifikimit të programeve me një model evropian të përafruar që Partia Socialiste e premton si strategji të saj, nuk është vecse një nga projektet që do të aktualizohen në arsimin shqiptar pavarësisht se cila forcë politike e merr pushtetin.

Unifikimi i programeve mësimore me Kosovën?

Unifikimi i programeve mësimore me Kosovën, përvecse simbolikes gati të vetëkuptueshme dhe që, pa dyshim, i troket direkt e në zemër elektoratit shqiptar, lë hapësirë për shumë paqartësira. Së pari, kush do t’i përshtatet kujt? Programet mësimore shqiptare atyre të Kosovës, apo ato të Kosovës këtyre shqiptareve? Nëse programet shqiptare i përshtaten atyre të Kosovës, si do të mund të realizohet unifikimi me programet e modelit evropian të përafruar kur dihet se arsimi kosovar doli copë-copë nga lufta dhe përballohet me probleme shumë të mëdha; apo kur pranohet, të paktën jozyrtarisht, se niveli i arsimit në Kosovë është më i ulët se ai i Shqipërisë? Nëse është Kosova ajo që, për hir të unifikimit, do përshtasë programet e saj me ato të Shqipërise, cili është roli i Shqipërisë në këtë proces? C’pjesë e buxhetit për arsimin do vihet në këtë prioritet?

Së dyti, përtej simbolikës së këtij akti, cfarë problemesh të arsimit do të zbuste ky unifikim, cfarë përfitimesh konkrete do të sjellë ky unifikim programesh në arsimin shqiptar dhe kosovar në katër vitet e ardhshme, përfitime që do të justifikonin këtë unifikim të qenurit prioritet? Aktualisht, edhe pa unifikim programesh, të paktën në nivelin e universitetit, ekziston levizja e lirë e pedagogëve dhe studentëve. Fatkeqësisht, po te lëmë mënjanë perspektivat e reja që hapen për tregun e librave mësimore, tregu i punës së Kosovës dhe Shqipërisë karakterizohen nga e njëjta problematikë, situatë që nuk ndihmon asnjërën palë të përdorë tjetrën për të lehtësuar papunësinë.

Arsimimi si armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë

Në këtë pikë PS vjen e ngjashme me PD por shumë më hermetike: asnjë fjalë kyce që të paktën të na ngacmojë fantazinë, asnjë informacion që të na mundësojë analizën apo dhe krahasimin me PD. Në mungesë të informacioneve konkrete, na ngelet të supozojmë se PS ka në strategjinë e saj politika që do të zbusin braktisjen e shkollës, do synojë një arsimim më të efektshëm që do ta bëjë të riun më te aftë për tregun e punës, do zgjerojë tregun e punës dhe do ta komplementojë atë me politika të orientura drejt punësimit. Apo jo?

Arsimi: Quo vadis?

E para që të bie në sy teksa lexon, analizon, krahason strategjitë arsimore që dy partitë më të mëdha i ofrojnë elektoratit në shkëmbim të votës është mospërputhja midis problemeve reale të arsimit dhe prioriteteve që kanë zgjedhur këto parti për të mikluar votuesin: PD luan kartën e teknologjisë - duke ja sjellë shqiptarit globalizmin në shtëpi, kurse PS përdor kartën emocionale të Kosovës dhe atë të integrimit Evropian - duke cuar shqiptarin tek globalizmi. Në këtë fushatë elektorale, të dyja partitë përpiqen të peshkojnë elektorat me përqindje: Partia Demokratike premton investime ne 6% te GDP, PS premton të paktën një minimum prej 5%. Të dyja lënë të nënkuptohet, se përqindjet e larta që propozojnë i zgjidhin vetëvetiu problematikat e arsimit.

Mënyra se si keto platforma politike për arsimin po i serviren elektoratit, j’u tradhëton të dyja partive dembelizëm dhe dëfton se partitë politike nuk duket ta ndjejnë se duhet të investojnë më shumë në sqarimin e strategjive arsimore: Ato serviren me paqartësi në formulime, jo realiste dhe të pambështetura në fakte. Ka një mungese totale të konsideratave kthim-investimi.

Zhvillimi i arsimit nuk është thjesht cështje investimesh; ai është, mbi të gjitha, cështje e politikave, cështje e vullnetit politik dhe e gadishmërise politike për të cuar përpara reformat në arsim. Ky parakusht bën të mundur që investimet në arsim të jenë efikase. Por është, mbi të gjitha, ky vullnet dhe kjo gadishmëri që i ka munguar politikës shqiptare gjatë 18 viteve të shkuara dhe që janë përgjegjës për këtë situatë që kemi sot në arsim.

Anashkalimi i problemeve kryesore të arsimit, përqëndrimi në prioritete dytësore, mungesa e politikave arsimore të shtruara për diskutim, të bëjnë të dyshosh se të dyja partitë politike nuk janë të sinqerta kur deklarojnë se arsimin e kanë prioritet. Kjo mungesë sinqeriteti të rrit dyshimin se arsimi, megjithë rritjen e dukshme të investimeve, do të vuajë një përzgjatje të kaosit dhe tranzicionit edhe në katër vitet e ardhshme. Pikërisht, kjo nuk duhet të ndodhë.


Autorja u eshte pafundesisht mirenjohese E.GJ., I.S., V.K. dhe E.R. per informacionet, kritikat, formulimet dhe sygjerimet me te cilat e ndihmuan dhe pasuruan kete artikull. Faleminderit.