28.9.08

Vrima

Dy jane temat qe po shqetesojne shpirtin e zviceranit keto dite shtatori; qe kane zgjuar ankthe dhe frikera ekzistencialiste, te pasuara me revolten perkatese. Sado e cuditshme qe mund te titngelloje; te dyja keto tema jane te lidhura me vrimen. Me vrimen? Po.

E para frike-vrime ka te beje me eksperimentin e madh (historik) qe po ndodh ne Cern, qendren e famshme kerkimore shkencore te shnderruar tashme ne zemren e Zvicres (vetem se e vendosur djathtas); eksperiment qe nga shume oponente edhe shkencore mendohet se do sjelle fundin e botes. Pikerisht, per shkak te mundesise te krijimit te vrimes se zeze qe do na thithe te gjitheve brenda saj: ne qe jetojme ne Zvicer pak me shpejt dhe juve qe jeni larg nesh pak me vone. Por, fundi eshte i njejte per te gjithe ne: atomizuar brenda vrimes, pjese perberese dhe aktive e saj, gati per te thithur te tjera qenie, te tjera materie.

Por, ndersa frika e zviceranit per ekzistencen e kercenuar nga vrima e zeze ka rene paksa ne gjume qekurse Cerni lajmeroi nderprerjen e eksperimentit deri ne vitin 2009, frika e tij nga vrima ne corapen e zeze te Lorenz Kolaj duket e paqetesueshme.

Lorenz Kolaj?

Lorenz Kolaj eshte nje njeri qe nuk bie ne sy. I ardhur ne Zvicer ne moshe te vogel, se bashku me prinderit dhe 150 000 kosovare te tjere, dikur ai mbushi moshen 18 vjecare, mori pashaporten zvicerane dhe, si pasoje, por jo vetem, filloi ushtrine. Ndryshe nga shume bashkemoshatare te tij zvicerane qe refuzojne ushtrine dhe e zevendesojne ate me sherbimin civil, Lorenz Kolaj e mendoi hyrjen ne sherbimin ushtarak edhe si nje menyre per t’i thene ketij vendi faleminderit per alternativen e nje jete me te sigurt, per besimin qe i dha duke e bere ligjerisht te barabarte me nje zviceran.

Ushtria eshte e veshtire, por Lorenz Kolaj arriti jo vetem ta mbijetoje e te gjeje vendin e tij por edhe te gradohet oficer. Nje kosovar, ish emigrant, oficer ne ushtrine zvicerane: ndoshta, ky eshte momenti qe dikush ka peshperitur ne veshin e redaktoreve te revistes kult zvicerane „Das Magazin“, e cila, faqen e fundit te saj, ia dedikon rubrikes „Nje dite ne jeten e ... „.

Jane njerez te zakonshem ata qe cdo te shtune rrefejne ne kete rubrike se si e organizojne diten; nje dite cfaredo ne jeten e tyre. Ka aty jete fare te pazeshme, ashtu sic ka jete qe te lene me goje hapur. Rubrika jeton qe prej 10 vjetesh dhe, tashme, eshte e paimagjinueshme nje „Das Magazin“ pa te. E kote te them; une prej 10 vjetesh e filloj leximin e revistes prej faqes se fundit. Ashtu sic bera dhe disa jave me pare kur lexova „Nje dite ne jeten e Lorenz Kolaj“.

Lorenzi vete, nje i ri mbi te 20, qendron ne faqen perkarshi, i fotografuar ne kembe perpara dollapit te quajtur faqe muri (ne shtepine e prinderve) te mbushur me plot cikerima tipike ballkanike dhe trofe sporti. Lorenzi eshte i pashem, i veshur me uniformen ushtarake, pa kapele, dhe pa kepuce. Ne kembe ka veshur corape te zeza qe bejne nje kontrast perfekt me jeshilen laramane te uniformes. Dhe, diku, ne corapen e kembes se majte nje vrime shume mire e dukshme le te duket koka ngjyre mishi e nje prej gishtave, e cila ben nje kontrast perfekt me ngjyren e zeze te corapeve.

Delja e zeze midis nesh

Dita e pafajshme dhe aspak spektakolare e Lorenz Kolajt do te kishte kaluar pa u vene re nga zvicerani, me nje jete po kaq jospektakolare dhe monotone, ... sikur te mos kishte qene ajo e flamosur vrime ne corape.

"Si mund te ofrohet per model te ushtrise sone nje njeri qe ka vrima ne corape? – tha zvicerani nr.1. Turp per nje oficer te ushtrise zvicerane te mbaje corape me vrima, - tha ashper zvicerani nr.2. Nje oficer qe nuk eshte ne gjendje te dalloje vrimen ne corapen e tij, nuk mund te jete ne gjendje te drejtoje nje ushtri, - dha verdiktin zvicerani nr. 3. Turp per „Das Magazin“, - tha e irrituar zonja zvicerane, - qe nuk e rretushoi vrimen e corapes. Me aktin e ekspozimit te vrimes se corapes publikut, ju tregoni se ne te vertete, ne te pandergjegjshmen tuaj, ju keni dashur ta diskretitoni zotin Kolaj. Apo ishte e ndergjegjshme? Atehere, dy here turp!"

Keto ishin vetem disa nga komentet e botuara ne numrin vijues te „Das Magazin“. Me te civilizuarat. Te tjerat, te pabotuarat, duhet te kene qene kaq te papertypshme, sa qe Finn Canonica, kryeredaktori i revistes, do te kerkonte falje publike per racizmin e bashkeatdhetareve te tij ne parafjalen e numrit vijues.

Nuk ishte vrima problemi, por Lorenz Kolaj; kosovari qe kishte arritur te hynte ne nivelet udheheqese te Ushtrise Zvicerane, te ushtrise qe eshte per nje segment jo te vogel te Zvicres monopoli i zviceranit te vertete; eshte zemra e shtetit; garancia e ekzistences zvicerane. Kosovari; i perfolur dhe i peshtyre, delja e zeze qe ka inspiruar sa e sa fushata politike; nuk tregeton droge, nuk vjedh sistemin social, nuk perdor grushtin kunder rrugetareve te pafajshem. Jo! Ai eshte nje njeri normal si zvicerani, i disiplinuar si zvicerani, i edukuar si zvicerani, i sjellshem si zvicerani, i qete si zvicerani dhe tani: edhe zviceran, edhe oficer ne Ushtrine Zvicerane, edhe personazh i „das Magazin“. Dhe, kaq i paturpshem teksa guxon te pozoje me nje vrime ne corapen e zeze te kembes se majte.

Leutenant

Skandali „vrima ne corapen e zeze te Lorenz Kolaj“ do te bente qe „Das Magazin“ t’i dedikonte nje rubrike tjeter kosovarit modest. Kete here, ne fillim te revistes, Lorenz Kolaj shpjegon se pse doli ne fotografi pikerisht me keto corape:

„Si te gjithe ne Argau (kanton i Zvicres) edhe une mbaj gjithmone corape te bardha. Fotografi insistoi qe te vishja nje ngjyre tjeter, per te mos riprodhuar klishene. Me ndodheshin vetem nje pale te zeza. Pas disa shkrepjeve, teksa shikonim fotot, na ra ne sy vrima. Fotografi insistoi qe te riperserisim shkrepjet. Une qesha dhe i thashe, jo, me pelqen keshtu, sikur thyen pak seriozitetin e fotos. Pyeta eproret nese e shihnin problematike foton me corapen me vrime, por ata e menduan njesoj si une.„

Dhe, cfare do bente Lorenzi kur te shikonte qe ushtaret e tij kane vrime ne corape? „Asgje, - pergjigjet Lorenzi, - eshte problemi i ushtarit. Mbas nje marshimi 20 km do t’i jete bere kemba plage, dhe heres tjeter nuk do harroje te veshi nje corape pa vrima.“

Femijet e zviceranit me frikera ekzistencialiste, tashme ushtare te Lorenz Kolajt, qe zakonisht ripertypin, riforcojne, ribejne paragjykimet gjate oreve te socializimit ne ushtri; duhet t’u kete ardhur shume turp per reagimin e prinderve te tyre. Ne nje leter redaksise se revistes, i riu ushtar zviceran i shpreh Lorenz Kolajt falenderimin me te thelle per njerezillikun e tij si oficer, per kurajon qe ju jep, sepse eshte gjithmone atje prane tij kur ja kane nevojen, sepse edhe pas nje marshimi te lodhshem 20 km arrin t’i mbaje ushtaret se bashku: Kjo nuk eshte e vetekuptueshme.

Por, nje mendim edhe me te mire duket se kane eproret e Lorenz Kolajt: Vetem disa dite pas ekspozimit dhe ekzekutimit te tij publik, Lorenz Kolajn e graduan Leutenant te Ushtrise Zvicerane.

Suksese Lorenz Kolaj!