2.12.13

Mirësevini në Shqipërinë Evropiane


Kliko mbi foto
Në 6 tetor 2013 vdiq në një park të Durrësit Sofia Skëndo, 87 vjeç. Sofia ishte bërë e njohur për publikun shqiptar nga raportimet e medias si „gruaja e moshuar që jetonte në rrugë“. Në fakt, jetonte prej vitesh në parkun mu përballë Bashkisë së Durrësit, përpara syve të shtetit, kalimtarëve, të pasanikëve, të pronarëve të firmave të ndërtimit, të klerit dhe të NGO-ve. Sofia nuk e kishte zgjedhur vetë këtë „stil jetese“, e kishin detyruar. E kishte detyruar, më saktë, e kishte hedhur në rrugë vetë shteti shqiptar, që e nxorri nga shtëpia ku ajo kishte kaluar jetën e saj, për t’ja kthyer këtë pronarit.
Sofia nuk ishte një rast i vetëm. Petrite Xhaferi, 76 vjeç, dhe vajza e saj Majlinda u nxorrën më 20 shtator 2013 me forcë nga policia e Rajonit Nr. 2 në rrugë. Ndërtesa, ku Petrite Xhaferi kishte kaluar 60 vite të jetës së saj, do i kthehet gjithashtu pronarit. Nga të shtatë familjet që duhet të dalin nga kjo ndërtesë, policia përzgjodhi të bëjë "shembull" atë më të dobtën, atë të Petrites. Prej më shumë se dy muajsh, 76 vjeçarja e sëmurë dhe vajza e saj jetojnë, ashtu siç deri në tetor Sofia Skëndo, në qiell të hapur, përpara syve të shtetit, kalimtarëve, pronarëve të mëdhenj e të vegjël, pronarëve të firmave të ndërtimit, organizatave bamirëse dhe organizatave për mbrojtjen e grave. Dhe, po ashtu si në rastin e Sofia Skëndos, apelet mediatike e kanë lënë shtetin të pandjeshëm.
Askush nuk di të thotë me siguri, se sa familje janë nxjerrë në rrugë gjatë aktit të rikthimit të pronave pronarëve, në Tiranë dhe nëpër rrethe. E sigurt është, se sidomos mbas miratimit të Aktit Normativ Nr. 3, të datës 1.08.2012, "për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara", numri i familjeve, që po hidhen në rrugë, po shtohet. Avokati i Popullit, Totozani, në një deklaratë të tij, bërë publike pas vdekje së Sofia Qëndros konstaton, me shqetësimin më të madh, "se plagët sociale të paralajmëruara prej tij, me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ, sa vijnë dhe përkeqësohen, deri edhe në akte të dëshpëruara të njerëzve të pashpresë për ti dhënë fund jetës, sikurse ka ndodhur në gusht në Kavajë apo edhe në një rast tjetër gjatë shtatorit në Durrës.
Problematika e këtij Akti qëndron në faktin, se ai, teksa parashikon lirimin e pronave për t’ja kthyer ato pronarëve, të pastrehëve u ofron vetëm një zgjidhje, atë të dhënies së një kredie me interes zero. Por, për një pjesë të të pastrehëve, marrja e kësaj kredie është, së pari, krejt e pamundur, sepse ata u përkasin kategorive që asnjë institucion bankar nuk u jep kredi: pensionistë dhe të papunë; dhe, së dyti, sepse nuk kanë mundësi reale financiare për ta shlyer një kredi edhe në rast se mund ta përfitonin atë. Aq më prekare bëhet kjo situatë në rastin e kategorisë së të moshuarve, një kategori, e cila, pasi ka paguar qeratë e banesave ku ka kaluar jetën dhe pasi i ka dhënë shoqërisë një jetë të tërë pune dhe taksash, edhe atë të mbrojtjes sociale, detyrohet t’i jetojë ditët e fundit të jetës në rrugë, pa patur mundësinë që të vdesë me dinjitet.
Në muajin shkurt 2013, Avokati i Popullit i ështe drejtuar me një rekomandim të posaçëm ish-Kryeministrit, z. Berisha, lidhur me këtë çështje, duke i kërkuar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm ligjore për zgjidhjen e emergjencës, që tashmë akti normativ ka krijuar me hyrjen në fuqi. Por asgjë nuk ndodhi. As z. Berisha, as qeveria që ai drejtoi, as Kryebashkiaku Basha nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje serioze për të zbutur problemet sociale, që krijuan me ligjet që miratuan vetë. Mosinteresi për zbatimin e politikave sociale është një konstante e politikës shqiptare të 23 viteve të fundit. Si politikat sociale, ashtu edhe financimet e qeverive shqiptare që i kanë bashkëshoqëruar, kanë qenë përveçse jo transparente, edhe prioriteti i fundit i çdo qeverie. Zakonisht, kjo temë përmendet gjatë fushatave zgjedhore, kur të gjitha partitë politike luftojnë të fitojnë vota, çdo votë, edhe të atyre që janë nevojë, duke u premtuar  zgjidhjen përfundimtare të problemeve shumëvjeçare - „zgjidhje përfundimtare“, që shtyhen për në kalendat greke sapo fushatat zgjedhore përmbyllen me një fitues. Siç po ndodh në mënyrë të përsëritur edhe me Qeverinë Rama: 100 ditë pas ardhjes në pushtet, nuk ka ndërmarrë asgjë për të zgjidhur problemin e këtyre të pastrehëve.
Petrite dhe Majlinda Xhaferi, dhe të tjerë si ato, jetojnë sot, në këto ditë të ftohta e të lagështa dhjetori, në rrugë, të pafuqishme përballë një shteti që i dëgjon dhe nuk reagon. Përballë një shteti që na përsërit çdo ditë se nuk ka fonde, por i nxjerr ato siç nxjerr magjistari lepujt nga sqetullat, kur vjen puna e llustrimit të imazhit të saj evropian; për të ftuar artistë- e mjekë-imazhe, nga e gjitha bota, për të organizuar darka e festime solemne, që krijojnë një realitet virtual të paqenë. Petritet dhe Majlindat jetojnë në rrugë, në një shtet për të cilin thuhet, se ka rreth 500 banesa sociale, që nuk i kanë hapur kurrë dyert, përballë një shteti ku me mijëra banesave rrinë bosh, prej vitesh, anembanë Shqipërisë. Majlindat dhe Petritet janë përballë një shteti, që refuzon të njohë e të zgjidhë problemet e tij sociale – ose, thëne hidhur – përballë një shteti, që ia delegon zgjidhjen e tyre rrugës dhe vdekjes! Shpresa për një rilindje të shtetit social po vanitet me çdo ditë që kalon.
Sofia Skëndo vdiq. Përpara na presin vdekjet e paralajmëruara të Petriteve dhe Majlindave që kanë pësuar të njëjtin fat si ajo. Eshtë koha të veprojmë si komunitet qytetarësh, për të parandaluar këto tragjedi e për t’u dhënë një zë më të fortë këtyre njerëzvë të harruar. Për veprim thërret edhe lëvizja qytetare "Mjaft Nëpërkëmbjes", e cila ka hartuar një peticion drejtuar instancave të ndryshme të shteti shqiptar, që po qarkullon prej dy ditësh në internet. Eshtë një nga përpjekjet e para në këto 23 vitet, për të krijuar një ndërgjegjësim komunitar, një përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarit; një përpjekje për të ushtruar presion komunitar ndaj një shteti refraktar dhe arrogant.
Një përpjekje, që, duke folur me fjalët e peticionshkruesve:

Nuk d
ëshiron viktima të tjera të shtetit. Që kërkon një shtet social, që funksionon si një mekanizëm rregullues, si arbitër i drejtë midis të gjitha palëve. Që kërkon, që shteti, nëpërmjet isntitucioneve të tij, të bëjë atë për të cilën është betuar edhe para kushtetutës: Të garantojë dinjitetin e njeriut, të drejtat e tij!