Ghada Abdelaal është shkrimtare egjyptiane. Midis të tjerash ajo ka edhe një blog, ku ajo trajton tema të jetës së përditshme në Kairo. Është pikërisht ky blog që ka tërhequr vemëndjen e shtëpive botuese të huaja, të cilat e kanë përkthyer dhe botuar materialin e blogut të saj në një libër. Edhe në Zvicër. Por është pikërisht këtu, në Zvicër, që për Abdelaal fillojnë problemet. „Ç’lidhje ka kapaku i librit me librin tim?“ – pyet e irrituar shkrimtarja shtëpinë botuese zvicerane. Për kapakun e librit ata kanë përzgjedhur motivin e një femre të mbuluar që thith duhan me një çibuk të madh arab e në dore ka një telefon celular. „Përpiqemi t’i themi lexuesit se femra arabe është moderne", - përgjigjet shtëpia botuese. „Ky imazh është thjesht një klishe", - futet e irrituar në diskutimin midis autores dhe shtëpisë botuese përkthyesja zvicerane.
Ky incident më rizgjoi irritimin tim për kapakët e përzgjedhur për disa prej romaneve shqiptarë të përkthyer në zonën gjermanofolëse. Një vështrim në serinë e librave të Kadaresë, botuar së fundmi nga shtëpia botuese Fischer, të krijon përshtypjen se mbas këtyre titujve fshihen ose studime antropologjike, ose ditare me histori misterioze të një kohe arkaike; të një bote orientale. Se ç’lidhje ka alegoria e „Pallatit të ëndrrave“ me foton e dy të rinjve (xhonturq?) që dëgjojnë me vëmendje interpretuesin e një instrumenti (çifteli apo është buzuk?) më ngelet mister. Por kur shoh se për „Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“ është përzgjedhur pamja e një xhamie anës së cilës gjendet një turmë burrash me kokë me qeleshe apo të mbështjelle me shami të bardha, ngelem fare pa fjalë.
E vërtetë, biznezi i letrave është shumë i egër. Shumë shkrimtarë, shumë tituj dhe aspak e lehtë të krijosh një nish lexuesisht për to. Edhe më e vështirë bëhet mbijetesa në tregun botëror për letërsinë e vendeve të vogla, apo vendeve historikisht pa ndonjë kontribut në botën e letrave. Për vende si Shqipëria, misioni bëhet edhe më i vështirë. E dalë nga izolimi totalitarian, letërsisë shqiptare nuk i ngelet vetëm se të konstatojë me dëshpërim se temat si totalitarizmi, krimet e komunizmit dhe tranzicioni janë tashmë trajtuar nga të tjerët. Kurioziteti i perëndimit për komunizmin dhe krimet e tij, për peripecitë e tranzicionit postkomunist, janë ushqyer nga shkrimtarët ish-sovjetike dhe ata të bllokut të lindjes.
Përzgjedhja e imazhit të një bote arkaike për kapakët e librave të Kadaresë sugjeron se për Shqipërinë, marketingu, mundësinë e një nishi lexuesish-blerësish e sheh tek arkaikja dhe orientalizmi; ashtu siç e sugjerojnë edhe artikujt e shumtë që riciklohen në gjithë shtypin perëndimor, duke përhapur e përforcuar klishetë që i kanë ndërtuar vetë. Ironike kur mendon se një nga rolet e letërsisë është të krijojë një botë të diferencuar që vret klishetë. Tashmë, është letërsia që mbart në kurrizin e saj e shitet pikërisht nga klisheja.
Se sa të vështirë e ka biznesi perëndimor i librit gjetjen e nishit, të kategorisë, për të tregtuar letërsinë dhe autorët shqiptarë e tregon edhe rasti i Fatos Kongolit. Në tregun gjermanofolës, „I humburi“ i Kongolit kapërcen ylberin dhe bëhet „Nusja shqiptare“ („Die albanische Braut“). Në harmoni me titullin, kapaku i librit paraqet trupin e një femre të veshur me fustan nuseje, pa fytyrë (pa kokë). "Ç’lidhje ka kjo zgjedhje me përmbajtjen e romanit të Kongolit?", – do të pyeste i çuditur para disa vitesh një kritik, në emisionin letrar të televizionin zviceran SF1. Asnjë. Për lexuesin gjermanofolës, që për Shqipërine mëson nga shtypi, ku rilexon të njëjtat konstrukte e klishe, titulli duket ftues për të hapur faqet e librit e për të zbuluar fytyrën e panjohur (ekzotike?) të femrës shqiptare. Për kë lexues është menduar ky titull? Për atë të turizmit seksual? Për gratë e soap-operave? Për blerësit e dyqaneve „Tante Emma“?
Ghada Abdelaal nuk do t’ja dijë për planet e marketingut të shtëpisë së saj botuese. Pa frikë dhe komplekse inferioriteti, ajo kërkon që shtëpia botuese zvicerane të ndërrojë kapakun e librit dhe, mbi të gjitha, ta konsultojë këtë kapak me autoren përpara se sa libri të dalë në botim. Ndërsa shkrimtarja e ndjek çështjen në organet e drejtësisë, shpresoj që shembulli i saj të jetë frymëzues për kolegët e saj të shumtë që ashtu si ajo shpesh bëhen pre a politikave të marketingut duke rrezikuar asgjë më pak se sa identitetin e tyre dhe të veprës, duke rrezikuar që të përfundojne ashtu siç kurrë nuk e kanë dashur: shkrimtarë në funksion të shtëpive botuese; shkrimtarë në funksion të klisheve.
11.4.10
Letërsi dhe klishe
Subscribe to:
Posts (Atom)